Sinan Berisha – Teksa Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare po zhvillon punimet në javën e dytë, edicioni i 43-të i tij veç po pasurohet. Krahas kurseve të gjuhës që po kryejnë studentët e huaj që sivjet janë mbi 100, ligjëratat e tryezat shkencore me referime e kumtesa po hedhin dritë mbi aspekte të gjuhësisë, të letërsisë, të folklorit e të zhvillimeve të fundit mediatike. Të martën dita ka nisur me temë gjuhësie. Albanologia me origjinë arbëreshe, Giuseppina Turano, e cila është profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin Ca’Foscari në Venecia, ka sjellë për albanofilët studimin e saj në fushën e sintaksës. Me titull “Rreth kokës dhe komplementit të fjalive të nënrenditura: nga semantika te sintaksa”, studimi i saj ka thelluar njohuritë për qasjet e përdorimit të komplementuesve në fjalitë e përbëra të gjuhës shqipe.
Drejtuar nga profesori i fushës së sintaksës në Universitetin e Prishtinës, Bahri Koskoviku, kjo ligjëratë ka depërtuar thellë në mendjet gjuhësore, duke nxitur vëmendje për ato që janë thënë, derisa profesoreshë Turano ka folur rrjedhshëm shqipen standarde dhe njëlloj ka sjellë edhe faqet e prezantimit me shembuj pa fund të të gjitha rasteve të mundshme të përdorimit, madje disa aspekte i ka lënë anash për shkak të pamjaftueshmërisë së kohës. Ka segmentuar sintagmat e periudhave të fjalive veç e veç dhe ka analizuar e komentuar një nga një.
Giuseppina Turano është autore e monografive dhe artikujve që hetojnë strukturat morfosintaksore të dialekteve të shqipes, me theks të veçantë të folmet arbëreshe. Ajo studion edhe aspektet e dygjuhësisë në zonën italo-shqiptare, si dhe ndikimin e kontaktit me italishten në strukturat sintaksore të varieteteve arbëreshe. Në Seminarin e Albanologjisë është pjesëmarrëse e rregullt, duke nxjerrë çdoherë njohuri të thella në dritën e studimeve gjuhësore.
Komplementuesit si lidhës të pjesëve të sintagmës
Mes varianteve morfosintaksore, ajo ka dalluar elementet sintagmatike, duke treguar dy llojet e komplementuesve te fjalitë e varura. Ato e kryejnë funksionin e kundrinorit të drejtë.
“Kur elementi kokë është një folje, fjalia e nënrenditur shërben për të plotësuar valencat e saj, duke kryer funksionin e kundrinorit të drejtë, dallohen dy struktura të ndryshme me folje të shtjelluara. Shqipja dallon duke u bazuar në morfologji, dy komplemente frazale me folje të shtjelluara: një fjali e nënrenditur, e paraprirë nga komplementuesi ‘se’; dhe një fjali e nënrenditur, e paraprirë nga komplementuesi ‘që’”, ka thënë Turano gjatë shtjellimit të temës për ligjëratën e paraparë për të martën.
Mes tjerash, ajo ka përcaktuar se komplementuesit nuk lidhin njëjtë si foljet në mënyrën dëftore, si ato në lidhore me fjalinë e nënrenditur. Sipas saj, janë të ndara klasat kur përdoret njëri e kur tjetri. Edhe paskajoren e standardes e ka përfshirë në listën e foljeve që ndodhen brenda komplementit, duke krijuar lidhje me foljen e fjalisë kryesore, megjithëse me kufizime të caktuara.
“Fjalia e varur me folje në mënyrën dëftore është thjesht një fjali dëftore, ndërsa ajo me folje në lidhore del si komplement i foljeve kauzative, i atyre që shprehin dëshirë, i foljeve modale dhe i atyre aspektore. Asnjë nga këto klasa foljore nuk lejon strukturën e nënrenditur të tipit ‘se’ plus dëftore. Përveç këtyre llojeve të fjalive me folje të shtjelluar, shqipja ka një strukturë kur fjalia e varur mund të ketë folje me paskajore”, ka treguar ajo.
Ka përmendur edhe faktivitetin dhe jofaktivitetin si çift semantik mes lidhjes së fjalive me anë të komplementuesve, si dhe ka dalluar edhe rastet kur koka e sintagmës është emër, ndjekur nga komplementi i ashtuquajtur emëror.
“Emrat e derivuar nga foljet kanë një strukturë argumentore analoge me atë të foljeve burimore. Këta emra trashëgojnë strukturën e tyre argumentore nga folja bazë. Të njëjtën marrëdhënie të tipit kokë plus komplement e gjejmë në strukturat kur koka është një emër. Këto janë komplemente emërore, dhe fjalia e varur është komplementi i emrit”, ka shtuar Turano.

Referimet për varietete, shqipen e vjetër dhe atë para saj
Pas ligjëratës së Turanos, pasditen e kanë filluar referimet shkencore për fusha të ndryshme të albanologjisë. Tea Lozi e ka nisur prezantimin e kumtesës së saj për hibriditetin dhe transnacionalizmin në veprat e autorëve nga Shqipëria dhe Kosova në hapësirat gjermanofolëse. Ajo ka përzgjedhur shtatë autorë të rinj nga diaspora DACH (Gjermani, Austri dhe Zvicër), në bazë të kritereve specifike dhe i ka analizuar mënyrat se si përvoja e tyre e migrimit ka ndikuar në formimin e identitetit individual dhe krijimin e një “identiteti letrar”.
Artur Karasinski pas saj ka prezantuar kumtesën “Korelatet akustike të theksit në shqipen standarde të Kosovës”, duke trajtuar faktorët prozodikë që përdoren për ta realizuar ritmin bazë gjuhësor dhe sinjalizimin e theksit të fjalëve në shqiptimin standard të shqipes në Kosovë. Subjektet që ka intervistuar kanë qenë nga Prishtina, ndonëse me prejardhje të ndryshme dhe ka ardhur në përfundim se shqiptimi kosovar është i ndikuar nga substrati gegë.
Me një temë krejt tjetër dhe më “abstrakte” është marrë Alexander Robert Herren. Ai është zhytur në botën e errët të asaj që ka qenë para se të ishte një gjuhë shqipe. Me anë të rindërtimit gjuhësor në kuadër të gjuhësisë krahasuese, ai ka vënë re ndryshimet e tingujve nëpër periudha të ndryshme të asaj që quhet proto-shqipe. Përmes këtyre, ai ka tentuar ta zërë fillin e situatës gjuhësore të shqipes në kohën kur folësit e saj kanë pasur kontakte me ata të gjuhëve romane lindore gjatë mesjetës së hershme. Koha.net



