Në ambientet e Këndit të kujtesës “Prof. Dr. Fadil Sulejmani” të Universitetit të Tetovës, Shoqata për Kulturë dhe Art “Tradita” – Tetovë, e organizoi sot Edicionin XII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”. Ky aktivitet tradicional zhvillohet çdo vit më 10 qershor, në nder të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngjarje ndër më të rëndësishmet të historisë sonë kombëtare, që mbetet simbol i bashkimit dhe vetëdijes shqiptare.
Në një atmosferë të ngrohtë, manifestimi u hap në prani të drejtuesve të Universitetit të Tetovës: Rektorit Prof. Dr. Jusuf Zejnelit; Prorektorit për Shkencë Prof. Dr. Vullnet Ametit; Prorektores për Financa Prof. Dr. Aida Baftjari –Yzeirit; Prorektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihit, Sekretarit të përgjithshëm z. Adem Beadinit; Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, z. Florin Qehaja, si dhe dhjetëra pjesëmarrësve – dashamirë të kulturës dhe historisë shqiptare.
Në fjalën e tij hyrëse, Mr. Selam Sulejmani, kryetar i Shoqatës për Kulturë dhe Art “Tradita”, theksoi rëndësinë historike të kësaj date dhe rolin që ky manifestim ka luajtur ndër vite.
Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Sulejmani theksoi se përmes këtij manifestimi, shënohet 147-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – një kapitull i lavdishëm i historisë kombëtare shqiptare, një moment kur mendja, zemra dhe gjaku i shqiptarëve u vunë në shërbim të një ideali të përbashkët. Ai përkujtoi figurat e shquara të kësaj lëvizjeje, si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sheh Mustafa Tetova, Zija Prishtina dhe shumë të tjerë, të cilët në kushte të vështira hodhën themelet e vetëdijes moderne shqiptare.
“Ky manifestim është dëshmi se kultura jonë nuk është thjesht kujtim, por frymë e gjallë që e lidh të kaluarën me të ardhmen. Nga edicioni në edicion, “Lidhja na Bashkon” ka sjellë përmbajtje më të pasur, pjesëmarrje më të gjerë dhe ndikim gjithnjë e më domethënës. Është hapësirë bashkimi, forcim i ndjenjës kombëtare dhe vend takim për breza të ndryshëm që ndajnë të njëjtën gjuhë shpirtërore: gjuhën e artit, të letërsisë, të këngës, të historisë”, – deklaroi z. Sulejmani.
Manifestimi u përshëndet edhe nga ambasadori i Kosovës në vendin tonë, shkëlqesia e tij, Florin Qehaja, i cili theksoi rëndësinë e mbajtjes së kësaj ngjarjeje në të njëjtën ditë me aktivitetet zyrtare të Qeverisë së Kosovës kushtuar Lidhjes së Prizrenit, duke theksuar lidhjet e forta midis dy shteteve shqiptare dhe ndikimin pozitiv që këto relacione kanë në shkëmbimet kulturore dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Një nga momentet kulmore të manifestimit ishte referati për veprimtarinë patriotike të rilindësit Dervish Hima, i paraqitur nga Prof. Dr. Nebi Dervishi, i cili e cilësoi atë si një ndër figurat më të ndritura të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. “Dervish Hima ishte i frymëzuar nga figurat e mëdha si Pashko Vasa, Hoxhë Tahsini, Frashërinjtë e tjerë. Ai paralajmëronte Portën e Lartë për pasojat e shtypjes ndaj shqiptarëve, ndërkohë që idetë e tij për lirinë dhe të drejtat kombëtare përputheshin me filozofinë e iluministëve dhe revolucionarëve evropianë”, – theksoi Prof. Dervishi, duke vënë në pah vlerën e rrallë të shkrimeve të Himës në disa gjuhë e qendra botërore të publicistikës së kohës.
Në referat u trajtua gjerësisht ndikimi i Dervish Himës në publicistikën shqiptare, kontributi i tij në zgjimin kombëtar, dhe jehona që patën shkrimet e tij në shtypin ndërkombëtar të kohës.
Në përputhje me statutin e Shoqatës “Tradita”, edhe këtë vit u nda Çmimi Kombëtar “Ali Vishko”, i cili për vitin 2025 iu dha Prof. Dr. Zeqirja Idrizit, ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës.
Prof. Dr. Ibish Kadriu, në cilësinë e kryetarit të komisionit për ndarjen e çmimit, përshkroi karrierën e gjatë dhe kontributet e çmuara të profesor Idrizit në fushën e historisë, arsimit dhe kulturës kombëtare. U evidentuan veprat e tij të rëndësishme, ndër të cilat: “Treva e Pollogut në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare 1899–1913”, “Rrugëtimi politik, diplomatik dhe ushtarak i Gjeneral Derallës nga Tetova gjer në Vlorë”, “Pozita e shqiptarëve të Maqedonisë pas Luftës së Dytë Botërore”, “Historia e diplomacisë”, etj.
Për herë të parë këtë vit, nga Shoqata “Tradita” u nda edhe Çmimi “Selim Ramadani”, në nder të aktorit të parë profesionist nga Tetova. Ky çmim iu dha regjisores dhe gazetares së TVM2, Diellza Miftari, për kontributin e saj në pasqyrimin e vlerave kulturore në hapësirat shqiptare.
Prof. Xhelal Zejneli, kryetar i komisionit për këtë çmim, vlerësoi lartë figurën e Selim Ramadanit, ndërsa për Diellza Miftarin theksoi profesionalizmin dhe ndjeshmërinë në trajtimin e temave me rëndësi kombëtare. “Diellza Miftari mbetet një zë i fuqishëm në kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë. Me një portofol që përfshin filma, dokumentarë dhe programe kulturore, ajo i ka dhënë zë figurave të rëndësishme dhe çështjeve me vlerë për publikun shqiptar”, – tha Prof. Zejneli. Biografia e saj përfshiu rrugëtimin nga fëmijëria, studimet në gjuhë-letërsi dhe regji filmi, deri te realizimi i një sërë dokumentarësh dhe filmash artistikë.
Manifestimi u përmbyll me recitime poetike nga Flutura Mihailica dhe Artë Omeri, duke sjellë një emocion të veçantë në këtë ngjarje kulturore.
Edicioni i këtij viti u mbështet nga Komuna e Bogovinës, Teqeja Harabati – Baba dhe sponsorët si: Zgjimi Kompani, LAOR, JU SM, dhe Salloni i perdeve “Argjendi”. Moderimi i programit u bë nga gazetari Miftar Emini, ndërsa dokumentimi fotografik nga Dritan Abdiji. “Lidhja na Bashkon” 2025, dëshmoi se kultura është një formë e gjallë e frymës sonë kombëtare. Ajo nuk është vetëm një kujtesë, por një hapësirë ku takohen brezat, ku ndizen shpresat dhe projektohet një e ardhme e përbashkët mbi themelet e historisë.
Përmes këtyre veprimtarive, kultura shqiptare zhvillohet, guxon dhe frymëzon. Dhe, ashtu siç e thotë vetë emri i manifestimit: “ajo na bashkon”.