Më 31 maj 2025, në qytetin e Strugës, u hap ekspozita tradicionale vjetore e studentëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës. Kjo ekspozitë, e cila është shndërruar tashmë në një ngjarje të rëndësishme kulturore, paraqet kulmin e angazhimit krijues të studentëve të Artit Figurativ në vitin përmbyllës të studimeve të tyre.
Edicioni i sivjetmë u organizua nën moton “SONDER”, një koncept që reflekton ndjeshmërinë ndaj përjetimeve të brendshme të individit dhe pasqyron vizionin artistik të një brezi të ri krijuesish. Ekspozita solli para publikut vepra në media të ndryshme – pikturë, grafikë, skulpturë, dizajn, art konceptual – që trajtojnë tema të ndryshme nga ato personale e intime, deri te reflektimet sociale të kohës bashkëkohore.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë profesorë, artdashës dhe përfaqësues të institucioneve akademike, mes tyre edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i cili i përshëndeti pjesëmarrësit dhe vlerësoi punën dhe kreativitetin e studentëve. Ai shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe theksoi rolin e rëndësishëm që kjo ekspozitë luan në jetën kulturore të vendit dhe më gjerë.
Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli, theksoi se ekspozita është një moment i rëndësishëm për afirmimin profesional të studentëve dhe një hap i mëtejshëm në rrugën e tyre krijuese.
Studentët falënderuan në mënyrë të veçantë Prof. Ord. Dr. Mixhait Pollozhani, për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe rolin e tij udhëheqës në konceptimin dhe realizimin e kësaj ekspozite, duke e shndërruar atë në një përvojë të plotë akademike dhe artistike.
Ekspozita përfshiu punimet e studentëve: Rita Nuredini, Yllza Selimi, Azra Tairi, Dorina Shabani, Besa Beqiri, Adem Bafqari, Bejza Shasivari, Leart Durmishi, Gentiana Hasani dhe Yllzana Kamberi.
Në emër të studentëve, Dorina Shabani theksoi se çdo vepër është një dritare drejt botës së tyre të brendshme dhe një ftesë për reflektim, ndjeshmëri dhe dialog artistik.
Universiteti i Tetovës dhe Fakulteti i Arteve mbeten të përkushtuar ndaj përkrahjes së talenteve të reja dhe zhvillimit të artit bashkëkohor. Në të ardhmen, pritet që kjo ekspozitë të zgjerohet, duke përfshirë edhe studentët e artit dramatik dhe muzikor, me synim që të marrë karakterin e një manifestimi gjithëpërfshirës artistik.