• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E enjte, 5 Qershor 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Bota

“Mos i gjykoni njerëzit për atë që janë, por për atë që duan të jenë!”

Shkrimtari që ballafaqohet me sfidat e jetës, të vdekjes, të lirisë dhe të përgjegjësisë. “Ditari i shkrimtarit” - platformë idesh për moralin, vullnetin dhe lirinë. Nuk ka njerëz të këqij – Dostojevski.

26/05/2025
| Bota, Kulturë
PROFESOR XHELAL ZEJNELI

PROFESOR XHELAL ZEJNELI


Prof. Xhelal Zejneli – Shkrimtari i madh rus Fjodor Dostojevski (11 nëntor 1821 – 9 shkurt 1881) njihet si një nga gjigantët letrarë. Përveç kësaj, ai ishte edhe një sipërmarrës dhe pionier i shkëlqyer në fushën e  botimit. Me mbështetjen e gruas së tij sipërmarrëse, Ana Dostojevskaja (Anna Grigoryjevna Dostoevskaya, 1846-1918), Dostojevski u shkëput nga varësi shkatërrimtare e bixhozi dhe u bë autori i parë rus që i botoi vetë librat e veta. Por vetëm botimi i veprës “Ditari i shkrimtarit” (A Writer’s Diary, 1873-1881), një përmbledhje publicistike dhe proze në të cilën na pasqyrohet ëndrra e tij e paharrueshme në të cilën e zbuloi kuptimin e jetës, e bëri atë emblemë  kombëtare.

            Në veprën “Ditari i shkrimtarit / Ëndrra e një njeriu qesharak”, autori i hulumton dilemat e brendshme komplekse të një shkrimtari që ballafaqohet me sfidat e jetës, të vdekjes, të lirisë dhe të përgjegjësisë. E përdor veprën si një platformë për t’i paraqitur idetë e veta lidhur me  moralin, vullnetin dhe lirinë. 

            Dostojevki dhe Ana kishin katër fëmijë: Sonya Dostoyevskaya (Baden-Baden, Gjermani, 22.02.1868 – maj 1868; vdes 3 muaj pas lindjes), Lyubov Fyodorovna Dostoyevskaya (Dresden, Gjermani, 26.09.1869 – Bolzano, Itali – 10.11.1926), Fjodor Dostoyevsky 16.07.1871 – 1922), Alexey Dostoyevsky (gusht 1875 – maj 1878, vdes 3 muaj pas lindjes)..

            Në shkurt të vitit 1876, duke menduar për lëvdatat unanime që i kishte marrë për vëllimin e parë të ditarit të tij, 55-vjeçari Dostojevski mediton mbi paradoksin për t’i kënaqur  njerëzit. Po në atë ditar, suksesin e të cilit e analizon, shkruan:

            “Më intereson vetëm një pyetje: Të gjithëve u kam shkuar për qejfi. Kam vepruar mirë apo s’kam vepruar mirë?”

            Në kapitullin me titull “Për faktin se të gjithë jemi njerëz të mirë”, ai e shtron një debat të shkëlqyer për mirësinë tonë të thellë, duke shfaqur besim të sinqertë ndaj shpirtit njerëzor dhe bindje se të gjithë në thelb jemi të mirë,  pavarësisht nga  faktit se ndonjëherë  dimë të bëhemi të këqij, për t’i impresionuar nëpërmjet imitimit ata të cilët gabimisht i shohim si mbresëlënës. Dostojevski shkruan kështu:

            “Të gjithë ne jemi njerëz të mirë, kuptohet përveç të këqijve. Megjithëkëtë, kalimthi vërej se midis nesh mbase edhe fare nuk ka  njerëz të ligë – ndoshta ka vetëm njerëz të mjerë. Por ne nuk kemi arritur të bëhemi të ligë. Mos qeshni me mua, por vëreni gishtin në mëndje: në të kaluarën, për shkak të mungesës së njerëzve të këqij midis nesh (e përsëris: përkundër numrit të madh të llojeve të ndryshme njerëzish të mjerë), arritëm në pikën ku kemi qemë të gatshëm, si të thuash, të çmojmë lartë njerëz të ndryshëm të këqij që shfaqen midis heronjve tanë letrarë që kryesisht janë marrë nga burime të huaja. Jo vetëm që i kemi çmuar, por edhe jemi përpjekur verbërisht t’i imitojmë në jetën reale. I kemi kopjuar dhe në këtë pikëpamje kemi qenë gati të dilnim nga lëkura jonë.”

            Dhe derisa pjesa më e madhe e këtij debati mbi imitimin e pahijshëm për të cilin flet  Dostojevski ka të bëjë me një pikë specifike në historinë kulturore ruse, në të është  ndërthurur edhe një kujtim më i gjerë se, do t’i cek fjalët e paharrueshme të veprimtares dhe Zonjës së parë të ShBA-së, bashkëshortes së presidentit Franklin Delano Rusvelt (Franklin Delano Roosevelt, 1882-1945) – Eleanor Ruzvelt (Anna Eleanor Roosevelt, 1884-1962):

            “Kur i pranojmë standardet dhe vlerat e huaja, ne  heqim dorë nga integriteti ynë dhe në përpjesëtim me dorëzimin tonë, bëhemi qenie më pak njerëzore”.

            Në vërejtjen që ka njëfarë peshe kur është fjala për klimën qytetare bashkëkohore problematike në Rusi, Dostojevski e shqyrton anën joshëse të imitimit të këtyre delikuentëve:

            “I kemi vlerësonim dhe i kemi respektuar këta njerëz të këqij (…) vetëm sepse na pasqyroheshin si njerëz me urrejtje të fortë, në kundërshti me ne rusët, që siç dihet, s’jemi njerëz që urrejmë shumë dhe këtë tipar tonin gjithmonë e kemi shpërfillur. Rusët janë të paaftë të urrejnë gjatë dhe seriozisht dhe jo vetëm njerëzit, por edhe veset – idetë e errëta, padijen, despotizmin, obskurantizmin dhe idetë e tjera retrograde të ngjashme. Sapo krijohet mundësia e parë, ne jemi gati dhe shprehim dëshirë të pajtohem. Mendoni, ju lutem: Përse ta urrejmë njëri-tjetrin? Për shkak të një krimi? Por kjo është një temë komplekse, shumë delikate dhe e padrejtë. Është temë me dy tehe. Zënka është zënkë, por dashuria është dashuri. Ne zihemi më së shumti dhe vetëm sepse ka kaluar koha e teorizimeve, e grindjeve gazetareske. Tani është koha për punë dhe për vendime praktike”.

            Jo vetëm që populli rus duhet të këndellet prej “dy shekuj mungese të shprehive të punës”, por ai gjithashtu artikulon një tendencë njerëzore më universale dhe të trishtueshme për të shmangur pasigurinë duke sulmuar:

            “Sa më shumë që dikush ndihet jokompetent, aq më i përgatitur është për konflikt.”

            Megjithëkëtë, Dostojevski i qaset këtij problemi, jo duke e dënuar ashpër, por me një dhembshuri të thellë:

            “Ç’ka të keqe këtu, do të doja të pyes? – Vetëm se është prekëse dhe kaq. Shikoni fëmijët: ata zihen mu në moshën kur ende nuk kanë mësuar si t’i shprehin mendimet e tyre, pikërisht ashtu. Këtu nuk ka asgjë demoralizuese, përkundrazi, kjo disi e vërteton freskinë dhe pafajësinë tonë.”

            Ai vështron se si kjo tendencë shfaqet në zanatin e tij që sot pa dyshim është e zmadhuar, kur kritika jo vetëm që është profesionalizuar, por edhe është sensacionalizuar nga fitimi që rrjedh nga mediumet komerciale:

            “Në letërsi, për mungesë idesh, njerëzit e qortojnë njëri-tjetrin duke i përdorur të gjitha fyerjet përnjëherë. Kjo është një metodë e pamundur dhe naive që vërehet vetëm te një popull primitiv. Por, Zoti e di, edhe këtu ka diçka pothuajse prekëse: pikërisht mungesa e përvojës dhe jokompetenca fëmijërore e paraqitur si duhet në ankesë.”

            Por, nën një pasiguri dhe cinizëm të tillë defansiv, thotë Dostojevski, qëndron një nevojë më e thellë dhe e sinqertë për mirësi:

            “Assesi nuk jam ironik. Nuk po tallem: midis nesh është përhapur një pritje e sinqertë dhe e qartë e së mirës (kjo është kështu, çfarëdo që të thotë dikush ndryshe). Dëshira për punë të përbashkët dhe të mirën e përbashkët dhe krejt kjo, para çfarëdo egoizmi. Kjo është dëshira më naive, plot besim, të liruar nga çfarëdo ekskluziviteti apo shtese të kastës dhe ndonëse duket si e kursyer dhe në manifestime të rralla, ajo vjen si diçka e padukshme, të cilën të gjithë e përbuzin. E përse duhet të kërkojmë “urrejtje të fortë”? Ndershmëria dhe sinqeriteti i shoqërisë sonë jo vetëm që janë të padiskutueshme, por edhe lehtë bien në sy. Po të shikoni pak më me kujdes keni për të parë se së pari vjen besimi në ide, ideali, kurse të mirat e kësaj bote vijnë më vonë.” 

            Është detyra jonë, si qenie njerëzore, thotë Dostojevski, mos t’i kushtojmë rëndësi  pasigurisë sipërfaqësore që i shtyn njerëzit të grinden, të kërkojmë dëshira më të mëdha dhe t’ia mbajmë pasqyrën njëri-tjetrit para idealeve më të larta, para se t’ia tregojmë gishtin njëri-tjetrit për të metat më të vogla.

            “Miku i vërtetë i njerëzimit zemra e të cilit nuk është dridhur vetëm njëherë në solidarizimin me vuajtjet e njerëzve, do t’i kuptojë dhe do t’i falë prurjet e pakalueshme të ndyrësisë në të cilën janë zhytur dhe do të jetë në gjendje që në ndyrësirë të gjejë diamante.”

            Ai kërkon që një dhembshuri e tillë të tregohet ndaj popullit rus, por në fjalët e tij mund të gjesh mirëkuptim të përhershëm për të gjitha grupet e shkelura si dhe për  komunitetet e dënuara në mënyrë rigoroze:

            “Gjykoni, jo sipas hajnisë që ata kryejnë shpesh, por sipas gjërave të mëdha dhe të shenjta që i kanë lakmi në krejt atë hajni. Përveç kësaj, çdo njeri nuk është horr. Ka edhe shenjtorë të vërtetë dhe çfarë shenjtorësh! Vetë ata janë të ndriçuar dhe të gjithëve na e ndriçojnë rrugën!” 

            Më shumë se një shekull, para se psikologjia moderne të zbulonte kreativitetin e gjimnastikës mendore në racionalizimin e veprimeve tona të këqija, Dostojevski flet për kurthet e racionalizimeve të tilla:

            “Jam verbërisht i bindur se në mesin e popullit rus nuk ka kriminel dhe faqezi të tillë i cili nuk do ta pranonte se është hajdut dhe i neveritshëm, ndërsa te disa të tjerë qëllon ndonjëherë që dikush të kryejë ndonjë krim dhe mburret me të, duke e ngritur krimin e tij në nivel parimi, duke pohuar se l’ordre (rendi) dhe ndriçimi i qytetërimit shihen pikërisht në tmerret  e tilla. Fatzinjtë përfundojnë duke besuar në të  sinqerisht dhe verbërisht.”

            Duke thënë se “flet vetëm për njerëz seriozë dhe të sinqertë”, Dostojevski e përsërit thirrjen e tij nga thelbi i bindjes së tij:

            “Mos i gjykoni njerëzit për atë që janë, por për atë që duan të jenë!”


Publikimi i mëparshëm

Hapet ekspozita jubilare “35 Vjet Art” e piktorit të njohur Reshat Ameti

Publikimi i radhës

Netët Korçare të Poezisë, festivali ku takohen shpirtrat krijues

Publikimi i radhës

Netët Korçare të Poezisë, festivali ku takohen shpirtrat krijues

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.