Në datën 13 maj 2025, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u prezantua libri i Vehbi Miftarit “Etnoletra shqipe” (Raporti i letërsisë me etnokulturën e kombformimin), ASHSH@Botimet Toena.
Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike akad. asoc. Gëzim Hoxha bëri hapjen e promovimit.
Pas fjalës përshëndetëse, ai ia dha fjalën znj. Irena Toçi (Botimet “Toena”), e cila e vlerësoi autorin për kërkimet studimore në fushë të dijeve e të teorive mbi kombformimin, dijeve filozofike, sociologjike e kulturore, kulturën popullore e veprat e autorëve përfaqësues, nga humanistët e filobiblistët te romantikët e pasromantikët.
Prof. asoc. Evalda Paci, drejtuese e Departamentit të Letërsisë, ASHSH, bëri një vlerësim analitik të veprës, lidhur me studimet komplekse që ka bërë autori. Ajo e vlerësoi ndër të tjera veprën studimore si shtysë për të konsideruar dimensione të disa disiplinave, evokimi, dhe si shtysë për të parë në dritë të njohjes nga vështrime të tjera vepra me të cilat hershmëria e dëshmimit në shkrim e kulturë lidhet me emra të prelatëve të shekujve XVI e më tej. Më tej, prof. asoc. Paci theksoi se kultivimi i tematikave që kanë lidhje të përkohshme me kombëtarësinë ka krijuar një hapësirë që ndërmjetëson interpretime mbi lindjen dhe shfaqjen e romantizmit në letërsinë tonë, që nuk konceptohet e ndarë nga zhvillimet në arealet e vatrat kulturore që janë të lidhura me thelbin europian të literaritetit dhe kulturës gjegjëse.
Në fund, ajo e përgëzoi autorin për shtrirjen e punës së tij studimore me autorë dhe vepra të humanizmit, letërsisë kishtare, letërsisë romantike dhe asaj pasuese në kohë e pikëpamje.
Akad Matteo Mandalà, Universiteti i Palermos, në pamundësi të pjesëmarrjes fizikisht, bëri një përshëndetje online për autorin dhe botuesit për botimin dhe prezantimin e librit. Ai u shpreh se “Etnoletra shqipe” është një libër që kish munguar në letrat shqipe. Përmbajtja e tij e mënyra e shtjellimit, ndërlidhja e letërsisë në fushat e tjera, dhe horizontet e leximit që hap, janë të veçanta.
Redaktorja shkencore e librit znj. Majlinda Toçi foli për punën e përbashkët me autorin për të ruajtur parametrat e një vepre studimore dhe e vlerësoi librin si një udhëtim në kohë për të lexuar përmes thjerrëzave tona atë që kanë shkruar të moçmit tanë.
Në përfundim të veprimtarisë, autori i librit Vehbi Miftari falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, si dhe btuesit ASHSH@Botimet Toena. Ai u shpreh ndër të tjera se dijet mbi zhvillimin e kombeve s’kishin si të kuptoheshin e të shpjegoheshin mirëfilli pa i trajtuar ato të ndërlidhura me krijimtarinë letrare. Letërsia shqipe ishte zhvilluar e pashkëputur nga synimet e kombit shqiptar, ndërkohë që u kishte shërbyer qëllimeve kulturore lokale në bashkësitë kulturore të veriut, gjatë shekujve XVI-XVII, ose synimeve politike, në lëvizjen romantike, gjatë shekullit XIX, duke krijuar një lloj simbioze me këto pikëpamje. Ka qenë ky një lloj filli që e mbante atë të ndërlidhur me pikëpamje politike e kulturore dhe ka përcjellë vazhdimisht zhvillimin e saj.