Çapajev Gjokutaj – Më një mars, Xhevahir Spahiu kishte 80-vjetorin e lindjes, ngjarje që në rrafshin publik u shënua zbehtë, shumë zbehtë krahasuar me vlerat që ka sjellë krijimtaria e tij në thesaret e poezisë sonë bashkëkohore.
Në rrjete sociale si fejsbuk e instagram nuk munguan postime lexuesish që me çiltërsinë e njeriut të thjeshtë përkujtonin ngjarjen, uronin poetin a përcillnin vjersha të tij. Kakofonia karakteristike e këtyre rrjeteve bëri që urime e përkujtime të tilla të humbisnin në rrëmetin e postimeve për gjithfarë lloj gjërash.
Me heshtje të turpshme e përcolli Tirana shtetërore përvjetorin e poetit. Shtetarët e politikanët nuk para kanë kohë të merren me vlera shpirtërore, janë të zenë deri në fyt me luftë e kacafytje për vlera të tjera…
Po të jetë ndonjë rast vdekje shkrimtari a artisti e sidomos aktori, gjejnë kohë të dalin para kamerave funerale, për të thënë rëndom fraza standard e të dala boje, për të folur në pamje të parë për atë që ka ikur, por në thelb për vete e për interesa partiake: vdekja ngjall emocione dhe bëhet kështu dukuri e lakmuar për gjithë ata që kërkojnë popullaritet e vota.
Mediat e shkruara dhe ato televizive heshtën gjithashtu, përjashto ndonjë shënim në stil burokratik, shkruar për të kaluar radhën dhe vendosur në emisione e rubrika periferike.
Mbase nuk kishin kohë, si përditë ishin të zënë me vlera të kallëpit “Përputhen” a “Big Brother”, me heronj të përmasave të Çopajve, Bajrajve e gjithfarë kriminelësh që përmes ekranit po na i bëjnë si pjesëtarë të familjes. Kaq shumë po na familjarizojnë me mesele krimesh e kriminelësh, saqë s’do jetë çudi që një ditë të shpëtojmë Barabain dhe të lemë në kryqin e harresës vlerat që ngjizin e vitalizojnë shoqërinë. Mes këtyre vlerave kanë vendin e tyre modest edhe vlerat poetike, edhe mjeshtër të këtij zeji fisnik e purifikues, natyrisht edhe Xhevahir Spahiu.
Konteksti që krijoi heshtja publike, shtetërore e mediatike për 80-vjetorin e poetit aktualizon fuqishëm vjershën ‘Borxhet e mia’ që po ua sjell më poshtë. Megjithëse Xhevahiri e ka krijuar dekada të shkuara, të le përshtypjen se është shkruar pardje, një ditë pas përkujtimit të munguar.
Borxhet e mia
Do vdes,
do vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lumë
a në dhomat e gazit.
I kam borxhe nënës
që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit
qe s’ja hodha pjergullën,
ikam borxhe dashurisë
që i vodha të dielën,
i kam borxhe krimit
që s’i vura emër.
Do vdes,
do vdes i mbytur në borxhe,
i kam borxhe fjalës
që s’e pashë në ëndërr,
i kam borxhe korbit
që s’ia zbardha pendët,i kam borxhe vitit ’13
që s’ia mbylla plagët,
i kam borxhe ardhmërisë
që e lashë te pragu
terrin e një kohe të largët.
Do vdes,
do vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxhe të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve,
gurin e varrit do ta shes,
të laj borxhet.
Dhe vë pikën këtu.
…Tani mund të flisni për borxhet që më keni ju.