*Prof. dr. Berton Sulejmani – Arsimi nuk është thjesht një përpjekje për dije, por një gurthemel i lirisë, i përparimit dhe i dinjitetit kombëtar.
Të gjithë universitetet në botë kanë një histori, por pak prej tyre kanë një histori të tillë sfidash dhe triumfesh si kjo. Në çdo gur të këtij institucioni janë gdhendur përpjekjet e atyre që nuk u dorëzuan, e atyre që besuan se dijes nuk mund t’i vendosen kufij. Kjo është një histori që nuk flet vetëm për të kaluarën, por që na udhëzon drejt së ardhmes.
Për shkak të rëndësisë historike dhe shoqërore që ka ky 30-vjetor, vendosa të përqendrohem në disa pika kyçe që pasqyrojnë zhvillimin e Ligjëratave të Para të Universitetit të Tetovës. Pra, në referatin tim kushtuar 30-vjetorit të Ligjëratave të Para të Universitetit të Tetovës jam përqendruar në këto pika kryesore:
- shpallja e konkursit të parë për regjistrimin e studentëve për vitin e parë akademik të UT-së 1994-95;
- konstituimi i organeve të universitetit si dhe emërimi i dekanëve të fakulteteve;
- përgatitjet e Rektoratit të UT-së për fillimin e ligjëratave të para;
- planifikimi i ligjëratave që të mbahen më 15 shkurt dhe shtyrja e tyre për më 16 dhe 17 shkurt 1995;
- trazirat e 17 shkurtit dhe vrasja e Abdylselam Eminit – dëshmorit të arsimit shqip në vendin tonë;
- muaji shkurt – muaj i përvjetorit të ligjëratave të para të universitetit tonë, përvjetori i pavarësisë së Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008) dhe muaji i përvjetorit të vdekjes së themeluesit dhe rektorit të parë të UT-së, Prof. dr. Fadil Sulejmanit (1940 – 11 shkurt 2013) i cili përgjithmonë do të jetojë mes nesh;
Pas përgatitjeve intensive të Këshillit për themelimin e Universitetit të Tetovës më 19.12.1994 u shpall Konkursi për regjistrimin/pranimin e studentëve të gjeneratës së parë të këtij institucioni, për vitin akademik 1994/1995. Në bazë të Konkursit i cili i përmbante të gjitha kriteret që parashihte Ligji, në vitin e parë të studimeve 1994/1995, në Universitetin e Tetovës mund të regjistroheshin 515 studentë, nga të cilët 350 të rregullt dhe 165 me korrespondencë. Ndërsa, studentët që ishin shtetas të huaj, përbënte 5% të numrit të përgjithshëm.
Më 8 janar 1995, në lokalet e Partisë Demokratike Popullore, ishte caktuar të mbahej mbledhja e zgjeruar, e nënta me radhë, e Këshillit të Universitetit të Tetovës. Kjo u cilësua si mbledhje e rëndësishme, sepse duhej të konstituoheshin organet dhe të emërohen përgjegjësit e Universitetit dhe të fakulteteve veç e veç. Megjithatë, për shkak të ndërhyrjes së forcave policore, mbledhja nuk e pati rrjedhën e planifikuar.
Kryetari i Këshillit për themelimin e Universitetit, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, pasi konstatoi se në sallë ishin të pranishëm të gjithë të ftuarit e Këshillit dhe përfaqësuesit e mjeteve të informimit, e shpalli të hapur mbledhjen, por, akoma pa u lexuar rendi i ditës së kësaj mbledhjeje, në sallë u futën 8 policë, katër prej të cilëve ishin me uniforma. Ata nisën menjëherë evidentimin dhe kontrollimin e pjesëmarrësve në mbledhje, pastaj bastisën gjithë lokalet e PDP-së dhe sekuestruan një pjesë të dokumenteve që kishin të bëjnë me Universitetin e Tetovës. Me këtë rast ata morën me vete, pa ndonjë shkas konkret, Dr. Bedri Kamberin.
Sipas një raporti sekret të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në mbledhjen e 08.01.1995, morën pjesë: Fadil Sulejmani, Miftar Ziberi, Vebi Xhemaili, Gjylimsere Kasapi, Sadi Bexheti, Reshat Qahili, Enver Shala, Ilaz Xhemaili, Nexhbedin Beadini, Kasamedin Abdullai, Agim Shabani, Zehra Ajrullahi, Sheqibe Beadini, Murtezan Ismaili, Masar Kodra, Ismail Hoxha, Sami Ibrahimi, Nexhibe Palloshi, Tahir Zajazi, Murat Murati, Halim Purellku, Agni Dika, Qenan Sheji, Rahmi Tuda, Agim Amiti, Flora Kastrati (Sela), Petrit Pollozhani, Isen Reçi, Ramiz Abdyli, Feti Mehmedi, Milaim Fejziu, Sefedin Haruni, Mixhait Reçi dhe Bedri Kamberi.
Vlen të përmendet fakti se, edhe përkundër kontrollit policor, mbledhja nuk u prolongua, po u mbajt në një lokal tjetër, në picerinë “Bujo” afër “Kompleksit Shipad” në rrugën e “Ilindenit”, në pronësi të profesor Vullnet Ametit ku, pas diskutimit të gjerë, Këshilli mësimor-shkencor i Universitetit të Tetovës, në bazë të nenit 8, të Aktit për themelimin e Universitetit, mori vendim për emërimin e organeve përkatëse të Universitetit, përkatësisht të fakulteteve. Rektor i parë i Universitetit të Tetovës u zgjodh Prof. Dr. Fadil Sulejmani, ndërsa prorektorë u zgjodhën: Prof. Dr. Murtezan Ismaili dhe Dr. Sefedin Haruni.
Mbledhja vazhdoi edhe me zgjedhjen e dekanëve të fakulteteve. Kështu, dekan i Fakultetit Filozofik u emërua Prof. Dr. Masar Kodra, ndërsa prodekanë Dr. Ramiz Abdyli dhe Mr. Sc. Vebi Xhemaili, dekan i Fakultetit Filologjik u emërua Dr. Rahmi Tuda, ndërsa prodekanë Mr. Sc. Sami Ibrahimi dhe Mr. Sc. Nexhibe Palloshi, dekan i Fakultetit Juridik u emërua Mr. Sc. Abdulla Aliu, ndërsa prodekanë Mr. Sc. Asllan Bilalli dhe Mr.Sc.Osman Kadriu, dekan i Fakultetit Ekonomik u emërua Dr. Beqir Zhuta, i cili, nëpërmjet mjeteve të informimit deklaroi se nuk e pranon detyrën, ndërsa prodekanë Mr. Sc. Mixhait Reçi dhe Mr. Sc. Shaban Prevalla, dekan i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore u emërua Dr. Hisen Reçi, ndërsa prodekanë Mr. Sc. Nexhbedin Beadini dhe Mr. Sc. Sadi Bexheti, dekan i Fakultetit të Arteve u emërua kompozitori Ismail Hoxha, kurse prodekanë piktorët Miftar Mehmeti dhe Meli Zenku. Gjithë të zgjedhurit dhe të emëruarit ishin njëkohësisht edhe anëtarë të Senatit të Universitetit të Tetovës, NDËRSA KRYETAR I PARË I SENATIT U ZGJODH PROF. MILAIM FEJZIU.
Në këtë mbledhje mbeti pa u emëruar vetëm sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Tetovës.
PËRGATITJET E REKTORATIT TE UNIVERSITETIT TË TETOVËS PËR FILLIMIN E LIGJËRATAVE TË PARA
Me kërkesën e OSBE-së, më 17 janar 1995, rektori i Universitetit të Tetovës Fadil Sulejmani dhe prorektori Murtezan Ismaili u takuan në Shkup me Komisarin e lartë të OSBE-së z. Maks Van Der Shtulin. Në takim qenë të pranishëm edhe ambasadori i OSBE-së, z. Tore Borg dhe përfaqësuesi i po kësaj organizate, z. Anon Abaxhon.
Në takim u bisedua për çështje të ndryshme që kishin të bëjnë me Universitetin e Tetovës. Ndërmjet tjerash, z. Van Der Shtuli, tha se: “Sipas Dokumentit të Kopenhagës të vitit 1990, shqiptarët kanë të drejtë të kenë edhe Universitetin e vet në gjuhën amtare, por kjo duhet të rregullohet me Kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë. Duhet të gjenden rrugë të tilla që të mënjanohen të gjitha pengesat ligjore që janë në kundërshtim me vullnetin dhe nevojat e qytetarëve dhe të punohet në frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit“.
Me këtë rast, rektori Prof. Dr. Fadil Sulejmani e njoftoi mysafirin e lartë se Këshilli për themelimin e Universitetit e ka përgatitur elaboratin me të cilin kërkohet që veprimtaria e UT-së të përfshihet në sistemin arsimor të Republikës së Maqedonisë.
Pas këtij takimi me përfaqësuesit e OSBE-së, pasoi mbledhja e përbashkët e subjekteve politike shqiptare në Maqedoni dhe përfaqësuesve e dekanëve të Universitetit të Tetovës, e cila u mbajt në Gostivar, më 27 janar të vitit 1995.
Në këtë mbledhje u kërkua që:
- Subjektet politike shqiptare në Maqedoni obligohen të mbështesin veprimtarinë e UT-së konform kontributit të dhënë me rastin e themelimit të tij.
- Subjektet politike shqiptare, nga organet më të larta të Republikës së Maqedonisë, duhet t’i kërkojnë gjërat në vijim:
- a) Të fillojë sa më shpejt që është e mundur dialogu në mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përkatësisht Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës dhe përfaqësuesve të UT-së.
- b) Të vihet sa më parë në rend dite Ligji për shkollimin sipëror.
- c) Subjektet politike shqiptare të marrin pjesë në mënyrë obliguese ditën e fillimit të vitit akademik të Universitetit të Tetovës, më 15 shkurt 1995.
- Subjektet politike shqiptare (qeveritarët dhe deputetët) të kërkojnë vendosmërisht nga organet e Republikës së Maqedonisë që të mos pengohet veprimtaria e Universitetit të Tetovës nga ana e organeve policore.
- Po që se pengohet edhe më tej veprimtaria e Universitetit të Tetovës, atëherë subjektet politike shqiptare duhet ta shqyrtojnë pjesëmarrjen e mëtejshme në Qeveri dhe në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë.
Mjerisht, pak para përfundimit të mbledhjes, pasi ishin miratuar vendimet e lartpërmendura, ndërhyn sërish policia maqedonase, por, kësaj here, ishte vonuar pak më shumë se herët tjera, pasi mbledhja e mbajtur në Gostivar, më 27 janar, e kishte kryer misionin e vet.
Në mbledhjen e 14.02.1995 të Rektoratit të Universitetit të Tetovës, ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e partive politike shqiptare, u vendos që ditën e mërkurë (15.02.1995), në orën 12:00 të mbahet solemniteti me rastin e fillimit të ligjëratave të para në këtë institucion dhe për këtë u njoftuan edhe studentët. Pati dhe mendime që vendimi për caktimin e datës së fillimit të punës së Universitetit, i miratuar që në mbledhjen e mbajtur në Gostivar, më 27.01.1995, të shtyhet edhe për pak kohë, derisa të sillet Ligji për Universitetin, por, meqë shumica e pjesëmarrësve kërkoi të respektohet vendimi i sjellë, mbeti gjithçka ashtu siç ishte vendosur.
Vizita e personaliteteve shqiptare në SHBA (Iljaz Halimi, Ismet Ramadani, Arbën Xhaferi dhe Prof. Dr. Fadil Sulejmani-rektori i Universitetit të Tetovës) ia hapi dyert Universitetit të Tetovës ku mori premtime të forta se SHBA-ja do të bëjë çmos për zgjidhjen fatlume të çështjes së UT-së (në këtë kohë u nënshkrua dhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Universitetit “Xhorxh Uashington” kurse bashkëpunimin me UT-në e paralajmëruan edhe disa universitete të tjera amerikane). Në mesin e premtimeve ishte dhe formimi i një delegacioni me personalitete të larta politike dhe kulturore amerikane, i cili do ta vizitonte Tetovën më 15 shkurt, për të marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të vitit të parë akademik 1994/1995.
LIGJËRATAT E PARA NË UNIVERSITETIN E TETOVËS
Më 15 shkurt 1995 në Universitetin e Tetovës nuk nisën ligjëratat e para, ashtu siç u paralajmërua një ditë më parë, sepse forcat e policisë dhe njësitë speciale, të komanduara nga ministri Lubomir Fërçkovski, i kishin bllokuar të gjitha hyrje-daljet në Reçicë të Vogël. Më 15 shkurt në godinën e Universitetit të Tetovës në Reçicë të Vogël u realizua promovimi i këtij tempulli të dijes ku morën pjesë drejtuesit e universitetit, përfaqësuesit e partive politike shqiptare dhe mysafirë nga Liga shqiptare-amerikane, z. Xhozef Diogardi me bashkëshorten e tij Shirli Kllois Diogardi dhe disidenti jugosllav, njëkohësisht i dërguari i posaçëm nga Universiteti „Xhorxh Uashington“ bazuar në marrëveshjen mes dy universiteteve, Mihajllo Mihajllov.
Në fjalimin përurues të Universitetit të Tetovës, rektori Fadil Sulejmani u shpreh: “Të dashur studentë, qytetarë, akademikë, vëllezër dhe motra, profesorë të çmuar, në emër të rektoratit, të dekanateve dhe të Senatit të Universitetit të Tetovës, ju përshëndes dhe ju dëshiroj mirëseardhje në Universitetin tonë në gjuhën shqipe. Ëndrra e kamotshme e popullit tonë, e veteranëve tanë të arsimit, për të pasur edhe NE një universitet me arsim në gjuhën shqipe, po realizohet, Universiteti i Tetovës u bë realitet sot“.
Ndonëse këtë nismë të mbarë, pushteti, siç kishte paralajmëruar nuk e përfillte, sfidën jetike, rektori Prof. Dr. Fadil Sulejmani, e shpalosi në detaje nga ku shkëpusim këtë pjesë:“Arsimi na është i nevojshëm si buka, si uji, është ushqimi ynë pa të cilin s’mund të jetojmë. Ne duam miqësi, vëllazëri, bashkëjetesë. Mos na e ktheni këtë me të keq! Keni kujdes”!
Të nderuar pjesëmarrës e mysafirë,
Ligjëratat e para akademike të UT-së filluan një ditë më pas, në mejtepin e xhamisë së fshatit Poroj, ku në orën 10:00 të datës 16 shkurt 1995, studentët e dy fakulteteve: Fakultetit Filologjik (dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe (albanologjisë) dhe e gjuhës dhe letërsisë angleze) dhe Fakultetit Filozofik (dega e historisë dhe pedagogjisë), patën fatin t’i ndjekin ligjëratat e para nga profesorët të cilëve qerpiku s’u dridhej, sepse kishin vendosur ta shpiejnë pëpara amanetin gjithëpopullor – ngritjen në këmbë të shëndosha Universitetin e Tetovës. Profesorët fatlumë, të cilëve u ra hise të bëhen pjesë e historisë së Universitetit, duke kryer detyrën e tyre prej pishtarësh nën tytat e armëve vrastare të njësive speciale maqedonase, ishin: Prof. Dr. Masar Kodra, Prof. Dr.Ali Vishko, Prof. Dr. Enver Mehmeti, Dr. Hamit Xhaferri, Mr. Sc. Sami Ibrahimi, Dr. Rahmi Tuda dhe Prof. Dr. Hysni Hoxha.
Ligjëratat e para zgjatën nga një orë dhe kishin karakter udhëzues rreth literaturës së nevojshme dhe rreth programeve të studimeve. Mësimdhënësit kërkuan nga studentët që të jenë të pathyeshëm kundrejt presioneve policore dhe të ndjekin ligjëratat e ushtrimet, pavarësisht rreziqeve reale që u rrinin ditëpërditshëm mbi kokë. Jashtë mejtepit të xhamisë, nëpër rrugët e Porojit dhe në oborrin e shkollës ishin tubuar spontanisht me qindra dashamirë të arsimit kombëtar shqip, që këtë ngjarje e konsideronin si festën dhe gëzimin më të madh të shqiptarëve të këtyre anëve. Ata ishin në gjendje të bëjnë gjithçka për Universitetin e tyre. Shumë prej tyre qanin nga gëzimi dhe nuk besonin se po e shijojnë me të vërtetë një mrekulli të tillë. Studentët e gjeneratës së parë të Fakultetit Filozofik-Dega Histori ishin: Harun Aliu, Fati Iseni, Senija Etemi, Isak Sherifi, Bekim Trolli, Shpend Bafqari, Ismail Vlashi, Gazmend Arifi, Atnan Fejzullahu, Fatmir Limani, Blerim Isaku dhe Xhavit Neziri.
Të nesërmen, pra më 17 shkurt, në orët e hershme të mëngjesit (rreth orës 3:00), nëpër rrugët e fshatit Poroj të Tetovës, ku ishte paralajmëruar se do të vazhdonte punën Universiteti i Tetovës, në Fakultetin Juridik dhe Fakultetin Ekonomik, u vërejtën grupe të vogla policore, të cilat bënin roje në objektet ku profesorët duhej të ligjërojnë para studentëve të tyre. Kur nisi të zbardhë dita, në Poroj, arritën dy autobusë me pjesëtarë të policisë maqedonase, të veshur me uniforma speciale dhe të pajisur me armatim të llojllojshëm. Por, rinia e fshatit Poroj, e cila i dinte këto qëllime të policisë, u bë digë e pathyeshme para objektit të mejtepit, ishte e vendosur të sigurojë me të gjitha mënyrat zhvillimin e ligjëratave të të dy fakulteteve, Juridikut dhe Ekonomikut.
Para masës së tubuar, në gjuhën shqipe, z. Xhozef Diogardi nga Liga shqiptaro-amerikane u shpreh: “Mirëdita, mirë se u gjeta… Unë jam këtu pasi jemi bashkë, shqiptarëve u duhet shkollimi, komunikimi, kultura e shkenca. Unë jam i gëzuar dhe i kënaqur që jam shqiptaro-amerikan”, fjalimin e tij, kongresmeni amerikan, e mbylli me vargjet e poezisë “Jepni për nënën” të Fan Nolit: “Mbahu nënë mos ke frikë, se ke djemtë në Amerikë”!
Para fillimit të ligjëratave, Profesor Fadil Sulejmani, do t`i shqiptojë fjalët antologjike. Në njërën anë, duke u dhënë kurajo profesorëve dhe studentëve të vazhdojnë punën, në anën tjetër duke sfiduar pushtetin e atëhershëm, por edhe duke e qetësuar popullatën.
“Qetësi ju lutem. Asgjë me policinë. Mos i ngacmoni policët, ato kanë urdhër, i ka çuar dikush. Po le të vijë ai që i ka çuar e le të sheh, se NE DUAM LAPS, DUAM TË SHKRUAJMË. NUK DUAM ARMË. Ne kemi zgjedhur rrugën e arsimit. Rruga e arsimit është rruga e paqes, prosperitetit e stabilitetit të Maqedonisë dhe kjo do të fitojë. Ne do ta ndërtojmë një ardhmëri të përbashkët. Prandaj, nuk ka arsye askush të frikësohet nga arsimi, nga shkolla. Po ju lutem, edhe një herë, qetësi, gjakftohtësi, asgjë mos ndërmerrni, studentët le të vazhdojnë mësimin me profesorët dhe pastaj të shpërndahemi…
Kryetarja e Lidhjes së Grave Shqiptare në Maqedoni, prof. Myqereme Rusi, që atëherë kishte theksuar se edhe qëndrimin dhe lutjen e përfaqësuesit të OSBE-së Helmut Huter që këto ligjërata të jenë simbolike, ngase kishte informata se policët mund të shkaktojnë incidente.
Me ligjërata filloi Fakulteti Juridik. Profesori tanimë i ndjerë Musli Halimi së bashku me studentët hynë në xhami dhe i mbajti ligjëratat e para. Ndër profesorët tjerë ishin edhe Prof. Abdulla Aliu, Prof. Rahmi Tuda e të tjerë. “Nuk mund të përshkruhet entuziazmi, nuk mund të përshkruhet krenaria. Nuk mund të përshkruhet dëshira e madhe e studentëve dhe stafit akademik. Studentët e parë u priten si heronj. Dalja e tyre nga mejtepi i Xhamisë së Porojit, do të pritej me duartrokitje frenetike, me lot gëzimi nga të pranishmit dhe me një entuziazëm të paparë. “Emocionet ishin të papërshkrueshme. Kishim mjaft emocione. Nga njëra anë na mbronte popullata, nga ana tjetër na pengonte policia dhe ne morëm guximin, si studentë të parë, të vazhdojmë rrugën, sepse kishim përkrahjen e popullit – do të shprehej Mahi Murtezani – student në ligjëratat e para.
17 SHKURT 1995 – TRAZIRAT NË REÇICË TË VOGËL
Forcat e mëdha policore, në gatishmëri të plotë për ndërhyrje, nga Poroji do të stacionohen në Reçicë të Vogël, te godina e universitetit. Si përforcime, atyre u erdhën në ndihmë edhe njësi të tjera nga Shkupi. Popullata shqiptare, sikurse në Poroj, ishte vënë në mbrojtje të universitetit. Në shikim të parë, dukej, se gjithçka do të kalojë qetë. Rreth orës 14.00 do të nisin përplasjet e para mes popullatës dhe policisë, kurse një bombë tymuese gazi do ta eskalojë situatën. Policët do të shtënë me armë. Edhe nga pamjet televizive të asaj kohe vërehen qartë të shtënat e pakontrolluara të policisë me automatikë dhe fati në të gjithë këtë fatkeqësi është se nuk pati shumë viktima. Në këtë ditë, do të vritet Abdylselam Emini – Dëshmori i Arsimit Shqip, kurse njëzet persona të tjerë do të pësojnë lëndime. Po atë ditë, policët hynë edhe në lokalet e shkollës fillore “Përparimi” në Reçicë të Madhe. Por, atyre u shkoi huq pritja dhe planet ogurzeza, sepse studentët e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore dhe të Fakultetit të Arteve të Bukura të Universitetit të Tetovës ligjëratat i mbajtën në dy objektet e “Qytetit Studenti” në Reçicë të Vogël.
Por, atë natë do të burgosen: Fadil Sulejmani, Milaim Fejziu dhe Arben Rusi. Arrestohet edhe majori Afet Sherifi, i cili, edhe pse të në nesërmen në mëngjes u lirua, ai kishte përjetuar maltretime të mëdha. Krahas torturave fizike qëllimi ka qenë që edhe psiqikisht të nënçmohen e të ofendohen intelektualët shqiptarë të asaj kohe. Nga policia meret edhe Bilall Lutfiu i cili gjithashtu të nesërmen në mëngjes u lirua. Pas dy ditësh burgoset Profesor Nevzat Halili dhe Profesor Musli Halimi.
Në një intervistë, Abdulla Memeti, do të deklarojë: “Shqiptarët në atë kohë, si në Poroj, edhe në Reçicë e kanë ruajtur gjakftohtësinë. Por, kanë qenë Njësitë Speciale të Policisë të cilat kanë dalë jashtë kontrollit dhe komandës. Ndoshta me porosi të dikujt e kanë provokuar popullatën. Madje, në kohën kur kanë ndodhur trazirat dhe kur ka rënë dëshmor Abdylselam Emini, në Reçicë nuk janë mbajtur ligjërata. Policia nuk ka intervenuar në ndonjë objekt ku mbahet mësimi, por ka provokuar masën, sepse atëherë kishte informacione se krahas Porojit, ligjërata do të mbahen edhe në Reçicë”.
Mediat maqedonase do të përpiqen ta justifikojnë aksionin e policisë dhe vrasjen e një shqiptari, kurse ministri i atëherëshëm i Punëve të Brendshme, Lubomir Fërçkovski, do të deklarojë:
“Përplasjet me popullatën shqiptare ndodhën për shkak të uzurpimit të dy objekteve shtetërore. Policia në Reçicë të Vogël shkoi që ta lirojë institucionin shtetëror i cili ishte uzurpuar për nevoja private të universitetit.
18 SHKURT 1995 – VARRIMI I ABDYLSELAM EMINIT
Që nga nata e 17 shkurtit 1995, Reçica ishte vënë në shtetrrethim policor. Hyrje-daljet në këtë vendbanim ishin të bllokuara, kurse policia zbatonte kontrolle të rrepta për automjetet dhe kalimtarët e rastit. Të shtunën, më 18 shkurt, duhej të bëhej ceremonia mortore e dëshmorit të arsimit shqip– Abdylselam Eminit. Për shkak të situatës së krijuar dhe me qëllim të evitimit të tensioneve tjera mes policisë dhe popullatës, atë kohë qarkulluan informacione se kjo ceremoni do të zhvillohej nga të afërmit dhe nga familjarët e tij. Por, në orët e pasditës, Reçica e Vogël, do të shndërrohet në “vend pelegrinazhi” për shqiptarët nga të gjitha viset e vendit. Me mijëra njerëz do të vijnë në varrezat e Reçicës për t`i dhënë lamtumirën e fundit Abdylselam Eminit. Shqiptarët, atë ditë ruajtën gjakftohtësinë, krahas pranisë së madhe të forcave policore. Ceremonia u zhvillua me rite fetare, kurse në të, krahas mijëra banorëve shqiptarë, morën pjesë edhe përfaqësues të partive politike shqiptare.
Sikurse nëntori, edhe muaji shkurt mbart ngjarje me rëndësi të madha për kombin tonë. Ky muaj shënon 30-vjetorin e ligjëratave të para të UT-së, 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe 12-vjetorin e ndarjes nga jeta të themeluesit dhe rektorit të parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, i cili do të mbetet përherë një figurë frymëzuese në historinë e arsimit shqiptar.
Të nderuar të pranishëm,
Universitetet nuk janë thjesht godina me mure dhe klasa. Ato janë institucione që lindin nga guximi, nga vizioni dhe nga dëshira për një të ardhme më të mirë. Universiteti i Tetovës nuk do ta harrojë kurrë njeriun që i dha frymë, njeriun që sfidoi pengesat dhe e bëri realitet një ëndërr të madhe. Prof. dr. Fadil Sulejmani nuk është më mes nesh, por emri dhe vepra e tij do të mbeten përjetësisht të gdhendura në historinë e arsimit shqiptar! Siç thotë Ukshin Hoti: “Njerëzit e mëdhenj nuk kërkojnë dritë për veten e tyre, por bëhen dritë për të tjerët.”
Dhe pikërisht këtë bëri Prof. dr. Fadil Sulejmani! Ai nuk luftoi për lavdi personale, por për të ndriçuar rrugën e gjeneratave të ardhshme, për të hapur dyert e dijes dhe për t’u dhënë shqiptarëve një të ardhme më të ndritur. Ai ishte dhe mbetet një dritë udhërrëfyese për ne të gjithë, një simbol i përjetshëm i vizionit, sakrificës dhe qëndresës akademike.
Rroftë Universiteti i Tetovës! Faleminderit!
*Autori është Dekan i Fakultetit Filologjik në Universitetin e Tetovës.