Bardhyl Londo (25 dhjetor 1948 – 18 shkurt 2022), ka qenë poet shqiptar, ndër më kryesorët të Shqipërisë së viteve ’80.
Bardhyl Londo lindur në vitin 1948 në Përmet, Shqipëri. Studioi për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të fakultetit ai punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas për gazetën letrare “Drita”. Për disa kohë ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” (LSHA). Krijimtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”.
Poezi nga Bardhyl Londo
Na janë mbaruar fjalët.
Buzëqeshja ka mbetur në mes të udhës.
Ç’të bëjmë?
të shkojmë a të mos shkojmë për një kafe
në pallat të Kulturës?
Tavolinë e zakonshme
tej dritares qyteti vishet në muzg.
një gotë ujë për të dy,
kafja jote mbetur përgjysmë,
imja pirë me fund.
përgjysmë, përgjysmë, përgjysmë,
fjala,
buzëqeshja,
ledhatimi,
si dy shina paralele përjetësisht të privuara nga ndarja,
përjetësisht nga takimi.
Sa herë t’i puthja sytë e bukur,
papritur binte briri i kushtrimit.
Kohë e ashpër:
Ne që ishim aq të etur për njëri-tjetrin
të ndarë na duhej të vdisnim.
ATDHEU ËSHTË DHIMBJE
Atdheu s’është sa sedilja e makinës tënde,
sa karrigia e zyrës,
sa dhoma komode.
A më dëgjon?!
Ti që me flamur të ri u gdhive në mëngjes,
për ta ndryshuar ndoshta
prapë në mbrëmje.
Atdheu s’është lojë kalamajsh.
Atdheu është dhimbje.
O Zot,
Dhimbje!