Edicioni i dymbëdhjetë i recitalit “Prill në dhjetor” pa miken e dashur, Linditën. Kujtimi për të mbetet prilli, dega e lulëzuar, midis dimrit të madh që na la ikja e saj.
Kush do ta merrte me mend vitin e kaluar kur e organizonim recitalin, se në edicionin e ardhshëm do të mungonte ajo më fanatikja e mbrëmjes, ajo që ende pa hyrë dhjetori më pyeste për datën kur do ta mbanim recitalin, manifestimin më të dashur të rrethit tonë të poezisë?
Sivjet mbrëmjen ia dedikuam Lindita Ahmetit, poetes që jeton e shumëfishuar në zemrat tona. Asaj që do do t’i dedikohet çdo ndeje e jona, çdo mërmëritje vargu midis miqsh, çdo qeshje me zemër tek kujtojmë momente me të.
Profesori ynë hero, profesor Xhabiri, që edhe kujtimin e Lindës di ta lartësojë si asnjë prind tjetër në botë, siç bënte me qeneien e saj në gjallje, na nderoi përsëri, bashkë me tezen e jashtëzakonshme të saj dhe dy dajtë nga Prizreni. Këta njerëz të mrekullueshëm, të denjë për të mbajtur leksione përkushtimi e dashurie ndaj familjes.
Risia e mbrëmjes qe pjesëmarrja e poetes dhe pedagoges Donika Dabishevci nga Prishtina. Ajo, duke qenë mike e vjetër e jona, e sidomos e Linditës, zgjodhi pikërisht këtë mbrëmje për ta përuruar në Tetovë librin e saj të fundit “E gjithkohshmja andërr”, duke na nderuar pa masë. Librin e prezantoi Xhemazije Rizvani , pa shkarë në referate të stërzgjatura akademike, por me sens e delikatesë… Ne shijuam vargjet e Donikës, duke lënë hapësirë për komente mes të pranishmëve.
Fjolla Reçica dhe Arianit Ramadani qenë kolana zanore e mbrëmjes me tingujt e instrumenteve të tyre magjikë.
Memeti u kujdes për fotot që janë të vetmet gjëra materiale që mbesin, e Genci për gotat që mos na mbesin bosh.
Kështu e u mbyll mbrëmja për të dymbëdhjetën herë.
Magjia e artit na mbuloi të gjithëve përsëri këtë fundvit. Në “Shend e verë”, me miqtë e poezisë, me cakërrima gotash, me zërin e Linditës në vesh dhe dashurinë e mallin për të në zemër.
Burimi: Vjollcë Berisha

