Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës, Bashkësia Fetare Islame e RMV-së, përkatësisht Agjencia për Hallall Standard dhe Myftinia e Tetovës sot organizuan seminar, me temën: “Jeta hallall në kohën moderne”. Në hapje të kësaj ngjarjeje, Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver Xhemaili, u shpreh se tema e sotme është jashtëzakonisht delikate, e ndjeshme, në veçanti kur kemi parasysh që kompetenca për të bërë diçka hallall apo haram është e Zotit, e shprehur nëpërmjet fjalëve të tij në Kuranin famëlartë, megjithatë detyra jonë është që ne të përthithim, të zbërthejmë kuptimet e Kuranit, për të jetuar një jetë në përputhshmëri me atë që është e lejuar dhe duke u larguar nga ajo që është e ndaluar. “Detyra jonë është edhe në aspekt fetar, por edhe në aspektin shkencor që t‘i qasemi kësaj çështjeje, për arsye se koncepti hallall dhe haram nuk është vetëm në të ngrënë e në të pirë, por është një koncept shumë i gjerë, duke filluar nga gjërat më elementare deri tek ato më në detaje. Ne si shoqëri, si komunitet shqiptar e mysliman, kemi edhe fushën shkencore në nivelin e lartë dhe na gëzon fakti që kjo realizohet pikërisht në FTUU, që është një pasuri e jona e vyeshme dhe është jashtëzakonisht meritore për ne si BFI që kemi një bashkëpunim të këtillë që nga ekspertët tanë t‘i qasen kësaj çështjeje, por njëkohësisht duke pasur parasysh që skaj tyre kemi edhe ekspertët e teologjisë islame fetare që të diskutojmë në lidhje me këtë çështje”, theksoi Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver Xhemaili.
Dekani i FTUU-së, Prof. Dr. Xhezair Idrizi në emër të Universitetit të Tetovës, të pranishmëve iu uroi mirëseardhje në këtë seminar njëditor dhe tha se për sistemin hallall, si fakultet dhe si ekspertë të fushës së të ushqyerit janë marrë vetëm me pjesën e përbërjes, kurse për pjesën fetare janë përfaqësuesit e fesë. “Ne ndiejmë obligim për pjesën që ka të bëjë me teknologjinë ushqimore, pra t’i detektojmë problemet dhe pastaj të jepen interpretime të tjera fetare. Sistemi hallall është i krijuar nga vetë Zoti dhe të gjitha hadithet e profetit e përcaktojnë shumë mirë këtë çështje, por neve na ngelet që të jemi brenda kornizave të përcaktuara fetare. Ky është sistem i krijuar që nga fillimi i fesë ose i ardhjes së Kuranit dhe të gjitha sistemet që kanë ardhur janë shumë më vonë”, deklaroi dekani i FTUU-së, Prof. Dr. Xhezair Idrizi
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, H.Hfz. Shaqir Fetahu në fjalën e tij përshëndetëse veçoi se Zoti kërkon mishërim të mendores dhe asaj që quhet trupore apo fizike. Të menduarit e shëndoshë, është në trupin e shëndoshë. Sipas tij, fati ynë është shumë i madh në kohën në të cilën ne jetojmë, tashmë Kurani si libër i shenjtë, analizohet nga të gjitha aspektet, në aspektin e besimit; në aspektin etik; në aspektin ekonomik, filozofik, artistik, kulturor dhe në shumë sfera të tjera, sepse Kurani është jeta. “Ne sot jemi krenarë që kemi arritur të ndërtojmë institucione të ndryshme, në veçanti institucionet bazë, nga të cilat burojnë të gjitha institucionet e tjera e ato janë universitetet tona, me udhëheqësin kryesor, Universitetin e Tetovës. Për BFI-në është tejet i domosdoshëm, sepse besimi pa dije është i verbër, andaj kjo vatër që quhet Universitet arrin që edhe besimit t‘i japë kuptimin e tij, ta inkuadrojë në suaza të të menduarit të shëndoshë, të vetëdijes së shëndoshë, për ta realizuar ashtu siç duhet në jetën e përditshme. Ne së bashku me Agjencinë e Hallall Standardit, si sektor brenda BFI-së, biseduam në mënyrë të hollësishme që kjo të mos jetë vetëm formalitet dhe arritëm që në aspektin administrativ, kjo agjenci të jetë ndërkombëtarisht e pranuar dhe të jetë anëtare e Organizatës Botërore të Sistemit Hallall. Kështu vendosëm këtë ta vendosim në baza të shëndosha, me argumente shkencore, me analiza të fuqishme shkencore dhe falë Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit në UT, në bashkëpunim me dekanin e nderuar, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, si dhe bashkëpunëtorët e tij, arritëm të vendosim bashkëpunim të sinqertë, të bazuar në baza ta shëndosha dhe ja sot falë gjithë kësaj pune jemi këtu së bashku, të mishërojmë fetaren me shkencoren”, tha mes tjerash Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, H.Hfz. Shaqir Fetahu.
Në vijim të këtij seminari, drejtori i Agjencisë për Hallall Standardet, Driton Dikena mbajti ligjëratë mbi temën: “Certifikimi Hallall dhe rëndësia e tij”, teksa Mr. Fejzulla Sadiku promovoi katalogun Hallall. Në kuadër të këtij seminari pikëpamjet e tyre i ndanë edhe folësit e tjerë të paraparë: Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi nga Fakulteti i Shkencave Islame ligjëroi për hallallin dhe haramin sipas udhëzimeve të sheriatit; Prof. Dr. Erhan Sulejmani, foli për ushqimin e pastër dhe të shëndetshëm; Prof. Dr. Ismail Ferati, elaboroi mbi Sistemin Hallall dhe sigurinë ushqimore si dhe aplikimin e metodave testuese në monitorimin e këtyre standardeve dhe Mafiz Rustemi – drejtor i sektorit për marrëdhënie me diasporën në BFI, foli mbi parimet morale të jetës hallall. Në përmbyllje të këtij seminari, Nuhi Ganija – kryetar i këshillit organizues i shpalosi vendimet e sjella nga kjo veprimtari.