• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E premte, 9 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

P ë r k u j t i m | Tetëmbëdhjetë vjet më parë u nda nga jeta shkrimtari i njohur Murat Isaku

PLAKU I LETËRSISË SHQIPE NË MAQEDONI.

24/08/2023
| Kulturë, Rajon

Prof. Dr. Luljeta ISAKU – Murat Isaku u lind, më 15 prill 1928 në fshatin Gajre të Tetovës, ku i mori edhe mësimet e para në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm e vazhdoi në Normalen e famshme të Elbasanit. Më 1953 u diplomua në Universitetin e Beogradit, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Ka filluar punën më 1948 si arsimtar në disa qytete të Kosovës. 1953-1966 profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e Tetovës. 1966- gazetar në“Flaka e vllaznimit“ Shkup, 1966-1982 gazetar dhe redaktor në Televizionin e Shkupit, Redaksia në gjuhën shqipe ( të cilën e themeloi). Bashkëpunëtor i rregullt në revistën e vetme letrare për shqiptarët e ish Jugosllavisë “Jeta e Re”, në Prishtinë , që redaktohej nga poeti Esad Mekuli. Veprat e tij janë të shumta.
PËRMBLEDHJE TË POEZIVE: ,,Zani i malit,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1960, ,,Buzëqeshja e mesditës,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë ,1963, ,,Kurora e trollit,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë, 1968, ,,Drithma,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1975, ,,Blana,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1982, ,,Ngushllim i bukur,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1989, ,,Shtara,, Flaka e vllaznimit ,Shkup 1994, ,,Egjër,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1998, ,,Dolli për gjërat e humbura,, Flaka e vllaznimit ,Shkup 2000, ,,Ngutem të marr një frymë,, Flaka e vllaznimit ,Shkup 2001, ,,M‘i këpusin kokrrat e frymës,, Albas, Tiranë, Prishtinë, Tetovë, 2008 (postmortum) „Jeta e ketrit „ Arbëria design ,Tetovë, 2018(postmortum).
PËRMBLEDHJE TË TREGIMEVE: ,,Unaza e djerrinës,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1971, ,,Gërsheta,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1978, ,, Sheshtina,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1982.
ROMANE: ,,Dielli e din rrugën e vet,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1965, ,,Flaka e vonuar,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1967, ,,Plagët,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1975, Shtëpia botuese‘ Naim Frashëri „ Tiranë , 1978, ,,Rreckajt,,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1979, ,,Etje,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1982, ,,Damkat,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1986, ,,Shtjella,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1989, ,,Rrengu,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1991
,,Fatprerët,, Shtëpia botuese „Rilindja“, Prishtinë 1995, ,,Banesa në katin e tretë,, Flaka e vllaznimit ,Shkup 2001.
Murat Isaku u shfaq në botën letrare shqipe gjatë gjysmës së parë të viteve ‘50-ta, të shekullit të kaluar, dhe ishte nismëtari i letërsisë së mirëfilltë bashkëkohore te shqiptarët e Maqedonisë. Ai është:“Plaku i letërsisë shqipe në Maqedoni, në mos edhe babai i saj, që nëpërmjet imagjinatës dhe koloritit të pasur gjuhësor e mjedisor, arriti që të shkruante sagën e banorëve të trevës së tij të lindjes”. (A.Vinca: Shqyrtime albanologjike, nr. 9, Shkup, 2007, f. 25.)
Në veprat e Murat Isakut, që në numër janë të shumta, trajtohen tema të ndryshme. Dashuria, familja, lidhja me tokën dhe mbrojtjen e saj, ruajtja e identitetit, konflikti ndërmjet individit dhe pushtetit, tema e burgut për shqiptrët, dhe tema tjera ekzistenciale. Duke vendosur ngjarjen në një kohë të largët, dhe duke folur për fatet individuale dhe familjare të po asaj kohe, në fakt duke krijuar të tashmen e pakryer, ai krijoi një lidhje me kohën tonë. Ambientet jetësore në romanet e Murat Isakut paraqiten si vende mjerimi social e kombëtar, vende të një patriarkalizmi të theksuar, të dramave të mëdha ekzistenciale, psikologjike, e historike.
Njeriu i vendosur përballë iracionalitetit dhe absurdeve të kësaj jete kërkon shpëtimin te misticizmi, te gjendja transcendentale, meditimi ose te remineshencat.
Romani ku hasim mendime të shumta mbi jetën, vdekjen, dashurinë dhe ku bëhet një paraqitje e njeriut epik përballë sfidës së jetës, natyrës dhe historisë është “Rreckajt”.
Ngjarja vendoset në fshatrat e Malësisë së Sharrit. Rreckajt dhe Rozafët janë dy fise krenare të armiqësuara mes vete, por që respektojnë moralin e njëri tjetrit. Krahas luftës për mbijetesë, banorët rrezikohen edhe nga përplasjet ndërmjet fiseve. Ka vrasje, dhunë, luftime të rrepta, por edhe fisnikëri, lavdi, krenari epike, ndjenjë sakrifice, lidhje fatale me tokën dhe familjen, mallkime, por edhe njohje e rinjohje si në baladat shqiptare. Për shkak të frikës nga një rrezik i jashtëm shfaqet problemi i izolimit, i mbylljes në vetvete, mbylljes brenda traditave dhe të jetuarit e të menduarit sipas kodeve tradicionale. Në këto kundërshtime shpaloset edhe etnopsikologjia e malësorit shqiptar, i cili udhëhiqet sipas logjikës: i rreptë, por jo i padrejtë, madje edhe ndaj armikut. Portreti i sharrjanit realizohet nëpërmjet depërtimeve të thella psikologjike dhe të personazheve ambiental, i cili pandërprerë është në mbrojtje të kodeve identitare. Në fokus ka të keqen brenda dhe jashtë nesh; njeriun që vuan dhe nuk dëshiron të bëhet bartës i së keqes. Në romanet ku trajtohet tema e burgut, shpalosen absurdet e sistemit totalitar që funksionojnë duke gjetur apo krijuar armiq fiktiv, madje edhe te personat më të besueshëm të tij. Në të shprehet pasiguria e njeriut nën mbikëqyrjen e përhershme të shtetit ku secili mund të vihet në shënjestër dhe të bëhet viktimë.
Te romani “ Fatprerët”, i burgosuri politik, i dënuari pa faj, ekspozohet represionit dhe cinizmit të një regjimi totalitar. Në roman trajtohet pozita e intelektualit në raport me shoqërinë. Horizonti i botëshikimit të personazhit Malë Proka zgjerohet në çastin kur bëhet viktimë e një padrejtësie institucionale. Vuajtja e bën të vetëdijshëm jo vetëm për gjendjen e tij, por edhe të shqiptarëve të tjerë që jetojnë brenda një sistemi të egër, i cili e legjitimon dhunën. Nëse nuk bëhesh si dhunuesit, vdekja është e pashmangshme. Në këto kushte terrori, personazhin Malë Proka e mban gjallë vetëm kujtimi për të dashurit.
Romani “ Banesa në katin e tretë” paraqet kohën e sistemit monist ku politikani ka pushtetin absolut mbi njeriun. I shkruar në veten e parë, profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe Rexhep Krosi është prototip i personazhit intelektual, që jeton në mjedis injorant të qytetit me lum. Jeta e tij i ngjason çdo qytetari që ngritët intelektualisht mbi mjedisin. Cilët jemi ne? A mund ta kuptojmë veten përmes gjërave që dimë? Çfarë është familja në jetën tonë? A mund të na ringrejë dashuria? Po besimi a mund të na lëkundet nga dallkaukët që flasin në emër të Zotit? Janë të gjitha pyetjet që na i sjell një profesor i gjuhës dhe letërsisë, një njeri i fjalës. Në këtë betejë, autori ka përfshirë fshikullimin e matrapazëve në emër të Zotit, si rasti i ish-vjehrrit, që drejton xhaminë e qytetit e që sheh gjithçka si padron, Profesori kërkon të besojë në një liri më të madhe, jo qorrazi. Kërkon gjuhën e tij të besimit, kërkon dinjitetin e tij në marrëdhënien me krijuesin, nga i cili rrezikojnë ta largojnë çdo ditë ata që flasin me emrin e Zotit, por flenë në krahun e djallit.
Me një stil të drejtpërdrejtë, në vetë të parë, Murat Isaku ka ndërtuar pikëpyetjet mbi familjen, traditën, dashurinë. Janë pikëpyetje që nuk qëndrojnë vetëm mes trevave shqiptare, mes trevave ballkanike. Aty ndërthuren rastësitë dhe të përhershmet e kudondodhshme. Dhe i vetmi tunel që arrin të ketë dritë në fund, është dashuria.( Agim Baci :Shënime për romanin “Banesa në katin e tretë” të Murat Isakut , Gazeta “Mapo “ 24. Tetor 2015)
Personazhet e veprave të Murat Isakut jetojnë nën trysninë e kodeve morale, nën trysninë e dhunës politike, që pengojnë transformimin e jetës së njeriut. Pranimi i së resë është pasojë e një frike retrospektive, sepse kodet morale u kanë shërbyer si vetëmbrojtje nga shpërfytyrimi dhe asimilimi. Ata jetojnë sipas rregullave më të shpeshta kufizuese dhe refuzuese ndaj të resë. Duke e ndjerë veten të pasigurt bëhen më të mbyllur në vetvete, por me fanatizëm ruajnë kodet e veta identifikuese dhe çdo përpjekje për të ndryshuar këto kode, pritet me rezistencë. Në këtë mjedis ka varfëri dhe fisnikëri, mjerim material dhe shpirtëror, dashuri dhe urrejtje njerëzore, pakënaqësi, revoltë, rebelim dhe vetëflijim për mbrojtjen e tokës, atdheut, lirisë.
Murat Isaku krijoi një galeri personazhesh të veçantë në letërsinë shqipe. Ka arritur të formatojë personazhe të motivuara, protagonistë e antagonistë në gojën e të cilëve ka vënë diskurse të ndryshme, varësisht nga bota e tyre psikologjike dhe formimi i tyre intelektual.
Personazhet komunikojnë me plot arkaizma – një veçanti e veprës së tij. Duke e vendosur ngjarjen në një kohë të caktuar, shkrimtari ngjall edhe gjuhën e asaj kohe, njëkohësisht një histori të pashkruar. Një histori që atij i shërben për ta futur në konstitucionin e veprës letrare dhe për të krijuar, shpesh, një parabolë. Është shumë i kujdesshëm në krijimin e baraspeshës ndërmjet karakterizimit të personazheve dhe rrëfimit që ndërlidhet me to. Gjuha e personazheve krijohet nga formimi i tyre kulturor, hapësira dhe koha ku zhvillohet ngjarja. Koloriti gjuhësor i tij është i veçantë. Letërsia që krijoi është gjuhëpasuruese. Huazonte fjalë të harruara, sentenca popullore e njësi frazeologjike nga trevat e vendlindjes dhe nga thesari i arealeve të ndryshme dialektore. Pasuroi gjuhën me fjalë të reja, që natyrshëm mund të bëhen pjesë e fondit të përbashkët gjuhësor. Shkrimtari duke ngjallur një kohë, ngjalli edhe një gjuhë. Një gjuhë që i shërbeu atij për të ndërtuar një botë komplekse.
Në intervistën e fundit për revistën PRO KULTURA, 2005, ai thotë: Unë nisem prej vetvetes, prej një epiqendre magjike në kozmos, por nuk i kthehem asaj. Si duket jam i prirë që të mbaj një raport të vazhdueshëm midis zjarrit dhe vetvetes dhe dritës që bën ky zjarr në rrethin tim. Nuk di ta definoj pse ndodh kështu. Formula të këtilla madje edhe nuk kam hasur, por di të them se shkruaj për të mbetur njeri.
*Autorja e tekstit është e bija e shkrimtarit.

Publikimi i mëparshëm

KONCEPTI “BOTA SERBE” NUK ËSHTË VEÇSE RIPËRTËRITJE E SERBISË SË MADHE

Publikimi i radhës

Në UT më 28 gusht do të fillojë afati i parë i regjistrimit të studentëve

Publikimi i radhës

Në UT më 28 gusht do të fillojë afati i parë i regjistrimit të studentëve

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.