Pas mbylljes së UP-së, u ngushtua dukshëm hapësira e maturantëve shqiptarë të RM-së për të vazhduar studimet. Duke ditur faktin se përfshirja e shqiptarëve në dy universitetet e Republikës është me një numër simbolik, për një periudhë kohore bukur të shkurtër, do të kishim ngelur pa kuadro në shkollat fillore, të mesme dhe kudo në jetë. Falë kontributit të Unionit të Inteligjencies Shqiptare në RM dhe përkrahjes së popullit u hap UT-ja. Nevoja për themelimin e një universiteti në gjuhën shqipe ka ekzistuar qëmoti. Si popull autokton në këto hapësira na ka takuar një e drejtë e tillë, por për shkak të sistemit monist 50-vjeçar, as që kemi guxuar të mendojmë për diç të këtillë. Për numrin e parë të revistës së USUT “Studenti”, kemi zhvilluar intervistë me rektorin e parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanin, i cili do të na tregojë më gjerësisht se si lindi UT-ja në këto rrethana.
- Zotëri Rektor, fjala juaj për revistën e USUT “Studenti”?
Më parë më lejoni që në emër të studentëve dhe të profesorëve të UT-së t’i përshëndes madhërisht dhe t’u dëshiroj shumë suksese nismëtarëve dhe redaksisë së revistës studentore “Studenti”, e cila i përkushtohet përgjithësisht jetës së studentëve dhe veprimtarisë arsimore, shkencore dhe edukuese të këtij universiteti.
Kjo revistë s’ka dyshim se është një ndër komponentët kryesorë që do të luajë një rol me rëndësi në mobilizimin e studentëve për punë e mësim, do t’i nxitë ata për krijimtari të pavarur informative, letrare, kulturore dhe profesionale-shkencore, si dhe do të ndihmojë në organizimin dhe në zhvillimin e veprimtarive të lira studentore, siç janë mbrëmjet letrare, shfaqjet teatrore, koncertet e ndryshme muzikore, ekspozitat e arteve figurative, mbrëmjet gazmore dhe argëtuese etj. Kjo do të ndikojë në afrimin dhe në njohjen reciproke ndërmjet studentëve të UT-së dhe studentëve të universiteteve tona simotra në Shqipëri e në Kosovë, si dhe studentëve të universiteteve të botës. Urime dhe punë të mbarë.
- Si lindi ideja e themelimit të UT-së?
UT-ja popullin shqiptar në RM e më gjerë e vuri para sprovave të rënda historike dhe vendimtare për fitoren e të drejtave të veta kulturore. Përkundër pengesave të shumta dhe të ndryshme nga ana e pushtetit maqedonas, që me anë të dhunës policore dhe ligjeve antidemokratike të ngulfatë vullnetin e një populli dhe të drejtën e tij natyrore për t’u arsimuar në gjuhën e vet amtare, shqiptarët në Maqedoni me një vetorganizim dhe punë vetëmohuese, me sakrifica të mëdha materiale e fizike, me mund e djersë, me lot e gjak, me burgime e flijime, e ngritën në këmbët e veta UT-në, i cili është fitorja më e ndritshme, suksesi më i madh dhe arritja më e lartë arsimore, shkencore dhe pedagogjike që ka mundur ndonjëherë në historinë e tij ta realizojë ky popull në atdheun e vet në RM. Prandaj, në çdo moment dhe me çdo kusht, kjo fitore kolosale e arsimit dhe e gjuhës shqipe duhet të ruhet dhe të forcohet vazhdimisht. Studentët dhe profesorët e UT-së kanë nderin dhe krenarinë që t’i prijnë këtij triumfi kulturor, por njëkohësisht ata kanë edhe detyrime dhe përgjegjësi, me punën që kryejnë në këtë universitet.
- Akti i themelimit të UT-së u bë më 17 dhjetor 1994. Mund të na e përshkruani me pak fjalë këtë moment?
Më 26 nëntor 1994 u mbajt në Tetovë një takim tejet i rëndësishëm nga strukturat politike dhe universitare shqiptare dhe aty u vendos që më 17 dhjetor të shpallet Akti solemn i themelimit të UT-së. Por, manifestimi qe i pamundshëm të mbahej sipas programit të paraparë, meqë qindra e mijëra polic maqedonas, qysh më 15 e 16 dhjetor e kishin bllokuar Tetovën brenda e jashtë dhe penguan lëvizjet tona nëpër qytet. Megjithëkëtë, Akti i themelimit të UT-së u shpall fill pas mesnatës së 17 dhjetorit të vitit 1994 dhe lajmi i gëzueshëm u përhap si rrufe në të katër anët e botës. Na vinin urimet njëra pas tjetrës, buçitnin radiot dhe TV-të nga këngët dhe përshëndetjet kushtuar ditëlindjes së UT-së.
- Meqë jemi në prag të solemnitetit të vitit akademik të UT-së më 17 shkurt 1995, deshëm të dëgjojmë diç edhe për ngjarjet e fillimit akademik të UT-së më 15, 16 e 17 shkurt të vitit 1995?
Dita e shpalljes solemne të vitit akademik të UT-së më 15 shkurt në qytetin e studentëve ishte dita më e madhe dhe më e gëzueshme e shqiptarëve në Maqedoni. Në këtë ditë madhështore erdhën dhe e përshëndetën hapjen e universitetit shqip mbi dhjetëmijë shqiptarë nga Tetova dhe viset e tjera në RM, kurse më16 dhe 17 shkurt filluan në Poroj ligjëratat e para me studentët e Fakultetit Filozofik, të Fakultetit Filologjik, të Fakultetit Juridik, të Fakultetit Ekonomik të UT-së në rrethana të jashtëzakonshme politike dhe të rrethuar nga mijëra policë maqedonas të armatosur deri në dhëmbë. Falë guximit dhe vendosmërisë së studentëve dhe të profesorëve, si dhe mbështetjes që na dha populli, duke i ndenjur në ballë policisë, mësimet u mbajtën, kështu që UT-ja e vazhdoi punën e vet. Këto momente ishin kritike dhe me përgjegjësi historike për fatin e popullit tonë. Kërkonin vetëdije të lartë kombëtare nga intelektualët tanë që të japin çdo gjë nga vetja, vetëm e vetëm për të shpëtuar njëherë e përgjithmonë nga errësira shekullore. Pa punë, s’ka jetë dhe pa flijime, s’ka suksese. Ngjarjet që pasuan hapjen akademike 1994/95 të UT-së nuk janë aq të hidhura sa janë të gëzueshme. Fitorja jonë as prej së afërmi nuk mund të krahasohet me humbjet që patëm, ndërkaq rezultatet tona janë shumë larg sakrificave që dhamë për kauzën e arsimit shqip në Maqedoni.
- Në kuadër të UT-së sa fakultete punojnë, përkatësisht sa katedra, degë apo drejtime ka në to?
Konkretisht, Universiteti i Tetovës sot ka 6 fakultete dhe 18 degë, përkatësisht drejtime:
- Fakulteti Filologjik, me degët:
– Gjuhë dhe letërsi shqipe,
– Gjuhë dhe letërsi angleze,
– Gjuhë dhe letërsi gjermane dhe
– Orientalistikë.
- Fakulteti Filozofik, me degët:
– Histori dhe
– Pedagogji.
- Fakulteti i shkencave matematiko-natyrore, me degët:
– Kimi,
– Biologji,
– Fizikë,
– Matematikë dhe
– Gjeografi.
- Fakulteti Juridik;
- Fakulteti Ekonomik, dhe
- Akademia e Arteve të Bukura, me degët, përkatësisht me drejtimet:
– Pikturë,
– Skulpturë,
– Grafikë,
– Muzikë – drejtimi pedagogjik, dhe
– Art dramatik – aktrimi.
- UT-ja a do ta shtojë këtë numër të fakulteteve dhe nëse po, me cilat fakultete?
Shtimi i numrit të fakulteteve si në çdo universitet tjetër, edhe në UT, varet nga nevojat që i kemi për fakultetin e caktuar, nga mundësitë ekonomike për financimin e tij, nga kuadri përkatës që disponojmë për atë lloj fakulteti, si dhe nga rrethana të tjera, siç janë kushtet për punë teorike e praktike.
- Jemi në vitin e dytë akademik 1995/ 96 dhe duam të dimë se si rrjedh procesi mësimor-pedagogjik, sa afate provimesh kemi?
UT-ja këtë vit akademik e ka filluar me afër 1300 studentë, prej të cilëve afër gjysma janë të gjinisë femërore. Në procesin mësimor-shkencor dhe edukativ janë të inkuadruar rreth150 mësimdhënës, prej të cilëve mbi 20 janë femra – doktorë dhe magjistra shkencash të ndryshme. Ligjëratat dhe ushtrimet zhvillohen në tri shtëpi-shkolla dhe në 15 salla mësimore për secilën degë veç e veç. Studentët janë të rregullt në mësime, kanë vullnet e disiplinë pune dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Pas përfundimit kalendarik të ligjëratave dhe të ushtrimeve, studentët e rregullt fitojnë të drejtën t’i shtrohen provimit nga lëndët e dëgjuara në katër afate brenda vitit: në qershor, në shtator, në nëntor dhe në janar. Ndërkaq, për studentët e çrregullt paraqitja e provimeve nuk është e kushtëzuar me mbarimin e ligjëratave dhe të ushtrimeve vjetore.
- Ç’mund të na thoni për bashkëpunimin e UT-së me universitetet e botës në përgjithësi dhe me ato shqiptare në veçanti dhe sa ka depërtuar e vërteta për këtë universitet në botë?
UT-ja si universitet i ri ka nevojë të madhe për ndihmë morale dhe materiale dhe për bashkëpunim me universitetet e tjera, në këmbim studentësh, kuadrosh dhe përvojash, ndaj ne i kemi dyert e hapura për të gjithë ata që na e duan të mirën si drejtues të universitetit. Prej kohësh bashkëpunojmë me universitetet simotra në Shqipëri dhe në Kosovë dhe bëjmë parapërgatitje për bashkëpunim edhe me disa universitete të Gjermanisë, të Zvicrës, të Austrisë, të Bullgarisë etj. Një marrëveshje e këtillë është nënshkruar qysh vitin e kaluar me Universitetin “Xhorxh Uashington” në Uashington.
Ndër të tjera, ne jemi të interesuar që në këto universitete të botës të çojmë për studime dhe specializime studentë e kuadro të UT-së dhe prej andej të sjellim në këtë universitet lektorë për gjuhët e huaja dhe specialistë profilesh të nevojshme për mbajtjen e ndonjë cikli ligjëratash. Janë paraqitur mjaft të interesuar nga Gjermania, nga Austria, nga Ukraina, nga Amerika, nga Bullgaria etj., të cilët dëshirojnë të vijnë për të studiuar në UT. Ne e kemi simpatinë e botës, e cila e përkrah krijimin e vatrave të arsimit dhe të kulturës, ndaj ne duhet ta shfrytëzojmë këtë gatishmëri të çdokujt që dëshiron të na ndihmojë sinqerisht. Kjo dëshmohet edhe me faktin që Universiteti i Evropës “Viadrina” në Frankfurt të Odres na ka dërguar një ftesë për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare të universiteteve të botës. Është në interesin tonë të bashkëpunojmë edhe me dy universitetet rajonale në Maqedoni, por përkundër ofertës që u kemi bërë zyrtarisht dhe me shkrim për të siguruar kuadro për maqedonishten dhe për disa lëndë juridike, ata ende nuk na janë përgjigjur.
- Propozimi i ligjit për arsimim superior në Kuvendin e Maqedonisë nuk kaloi në favor të UT-së. Cili është mendimi Juaj lidhur me këtë diskriminim që u bëhet shqiptarëve në këtë vend?
Shqiptarët nuk do të lejojnë që edhe më tej të diskriminohen, të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë, të shahen dhe të përbuzen, të nënçmohen, të shfrytëzohen dhe të plaçkiten në mënyra të ndryshme, të merren si pakicë kombëtare dhe kështu t’u shkelen të drejtat, madje edhe ato më elementare – për të folur, për të mësuar dhe për të shkruar shqip.
Me çështjet arsimore duhet të merret Ministria e Arsimit dhe njerëzit që janë kompetentë për këto punë dhe jo Ministria e Punëve të Brendshme apo policët. Me një mirëkuptim dhe tolerancë ndëretnike dhe me vullnet të mirë politik nga ana e Qeverisë së Maqedonisë duhet të hapen bisedime konstruktive midis përfaqësuesve të UT-së dhe atyre të Ministrisë së Arsimit. Ne jemi për dialog, për marrëveshje, për paqe e qetësi në rajonin ku jetojmë, por jo në dëm të shqiptarëve. Një politikë humane dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e RM-së do ta dëshmonte përcaktimin e këtij shteti edhe në praktikë për pretendimet demokratike dhe civilizuese si dhe për inkuadrim në rrjedhat ekonomike e politike evropiane që ai synon.
- Çfarë porosish keni për studentin e UT-së?
Për sa do të më lejohej, studentët e UT-së do t’i kisha porositur që mbi të gjitha të kenë besim në forcat e veta rinore dhe intelektuale, që u mundësojnë atyre jo vetëm mësim të duhur dhe diploma profesionale-shkencore, por edhe ngritje të vetëdijes intelektuale, si forcë kreative që do të jetë në gjendje t’u bëjë ballë kërkesave bashkëkohore të popullit të cilit i përkasin dhe ta ndryshojë gjendjen e tij në interes të arsimit, të shkencës, të kulturës, të politikës, të ekonomisë, etj.
Studentët e UT-së do të jenë ambasadorë të denjë të së vërtetës për këtë universitet, kudo që të shkojnë dhe kudo që të ndodhen, se ky tempull i dijes është nevojë qenësore apo ekzistenciale e popullatës shqiptare në RM. UT-ja është universitet i hapur për të gjithë qytetarët e RM-së si dhe për të huajt që duan të mësojnë dhe të punojnë aty. Ai ka qëllime arsimore dhe edukuese për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Studentëve dhe intelektualëve tanë në përgjithësi u ka rënë sot fati i lumtur që të bëhen pishtarë kthesash rrënjësore drejt përparimit të popullit të vet në të gjitha sferat e jetës. Ata duhet t’i prijnë nevojës së ngutshme për ta bërë arsimin shqip në RM kult të mbarë popullit dhe t’i lutemi atij si Zotit apo si ndonjë shenjtori. Ata duhet që ta mësojnë popullin e vet që ta dojë, ta çmojë, ta nderojë dhe ta mbrojë gjuhën që flet, ngase s’ka gjë më të shtrenjtë në botë sesa gjuha amtare.
Ata duhet të ndërmarrin aksion gjithëpopullor dhe ta mobilizojnë masën për arsimimin dhe për emancipimin e femrës sonë kudo në RM, e më gjerë, duke ndikuar te prindërit, te vëllezërit dhe te motrat tona që t’i çojmë në shkollë, si meshkujt, ashtu edhe femrat. Arsimimi i femrës është çelës i lirisë, i lumturisë dhe i pasurisë së një shoqërie.
Porosia tjetër për studentët është që të vijnë në rregull dhe në kohë në mësime, ta mbajnë pastërtinë e sallave mësimore, ta ruajnë inventarin e Universitetit dhe të tregojnë respekt të veçantë ndaj profesorëve të tyre.
*Gjylzade Fetahu – ka studiuar në Fakultetin Juridik të UT-së. Aktualisht jeton dhe vepron në Kanada. Intervistën me Rektorin, Prof. Dr. Fadil Sulejmani e ka realizuar në vitin 1996, për numrin e parë të revistës “Studenti”.