Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu – Nuk janë të rralla sesionet, tryezat e konferencat shkencore të organizuara nga institucionet tona arsimore e shkencore që temë shqyrtimi e trajtimi të kenë një çështje, jo pak të rëndësishme, atë gjuhës e të letërsisë shqipe, edhe pse, megjithëkëtë, shqipja assesi të vihet në këmbë të shëndosha. Andaj, bashkëorganizimi i Konferencës VII Ndërkombëtare Shkencore nga Fakulteti Filologjik i Universitetit të Tetovës dhe 6 fakultete e 3 institute shkencore, me temat bosht: Gjuha dhe interneti; Letërsia dhe interneti; Gjuhësi teksti dhe Sfidat e përkthimit sot (e në kuadër të temës së fundit mund të përfshihet edhe shkrimi ynë), është një punë e vyer dhe qëllimmirë në kohën kur ndeshim mospërfillje dhe shkelje drastike të normës letrare në të gjitha nënsistemet e gjuhës sonë dhe në të gjitha burimet informative…, si në ligjërimin e folur ashtu edhe në atë të shkruar. E kur shkelje të tilla të normës gjuhësore bëhen edhe në tekste shkollore të niveleve të ndryshme, me keqpërkthime, siç kemi veneruar në disa botime të veçanta, çdo koment për këtë hap është i tepërt.
Që në krye të këtij shkrimi të shkurtër po theksojmë se gjuha e një teksti mund të vështrohet e vlerësohet nga më shumë anë: nga aspekti fonetiko-fonologjik, nga ai morfologjik, leksikor, stilistik etj., por ne kësaj radhe, do të përqendrohemi pak më tepër në një segment tjetër shumë të ndjeshëm – në aspektin sintaksor – vlerën logjike të fjalive të shkruara (madje edhe të paragrafëve të tërë) në disa botime të veçanta shkollore me rastin e përkthimit të tyre.
Ndërtimi i marrëdhënieve jo të mira sintaksore, gjatë përkthimit, që nënkupton mosrespektimin e kërkesave të sintaksës së një gjuhe, në rastin tonë, të gjuhës shqipe, është një ndër gabimet më të rënda gjuhësore, ngase konstruktet e tilla sintaksore dalin jotipike për shqipen, me gabime në formulimin e togfjalëshave, të fjalive a tё paragrafëve të tërë, rrjedhimisht të një paqartësie të mendimit, të asaj që është mëtuar të kumtohet por që nuk është shpërfaqur.
Në raste të tilla, pasaktësitë zakonisht janë rezultat ose i mosnjohjes të gramatikës së gjuhës, e papërgjegjësisë ndaj saj, ose edhe i depërtimit të frymës së gjuhëve të huaja: i formulimit të mendimeve nën ndikimin e atyre gjuhëve, e këtu te ne, më së shpeshti, nën ndikimin e gjedheve të gjuhëve sllave, e tani edhe të gjuhës angleze. Në këto përkthime sheshit dalin thyerjet e kodit të shqipes në përgjithësi e jo vetëm të shqipes standarde të shkruar. Andaj, mbështetur në këtë, s’ka se si të mos pranohet konstatimi se kultura gjuhësore në disa botime që u dedikohen niveleve të ndryshme të shkollës sonë, shpreh nivel të ulët, për ç’arsye shqetësimi është bërë i pashmangshëm dhe i ligjshëm, madje jo vetëm në rrethet e gjuhëtarëve, kur dihet se “Përvetësimi i komunikimit gjuhësor përmes leximit mund të arrihet nëse lexuesi arrin t’i pranojë e t’i kuptojë pjesët përbërëse të atij komunikimi”– thotë dr. A. Furlan.
Se gjendja nuk është e mirë në këtë rrafsh, kur është fjala për përkthime tekstesh nga gjuhët e huaja në gjuhën shqipe, kemi vështruar 4-5 tekste të përkthyera, me nga disa shembuj, që i kemi ndeshur në ato botime, sa herë që përkthimi – botimi i një teksti është bërë pa njohjen e duhur të gjuhës shqipe, të gramatikës e të ligjësive të saj. Shembujt e mposhtëm vetëm sa i përligjin fjalët tona, si te rastet:
“Nxënësit na zmadhojnë (ndoshta madhërojnë, çmojnë, mbiçmojnë, vlerësojnë – B. K.) dhe shpesh na imitojnë, madje duke i këshilluar prindërit se kush duhet të jetë, sepse mësuesi na tha kështu! Ne e dimë që mësuesit bëhen model rolesh dhe mënyrat tona të sjelljes ndikojnë mbi mënyrat që ata mund të zgjedhin për të qenë. Për këtë, unë jetoj me një pyetje të tillë si: Kush jam unë në jetën e këtyre fëmijëve? Kush mund bëhem unë? Pyetje të tilla drejtojnë praktikat e mia të mësimdhënies dhe mënyra ime e të qënit – pasi në fund të fundit nxënësit na vëzhgojnë”(Grup autorësh, Libri me udhëzime për Situatat me Nxënësin në Qendër, KEDP, University of Calgary, 2003, f. 5).
Është ky gati një paragraf i tërë i shkëputur nga “Libri me udhëzime për Situatat me Nxënësin në Qendër”, nga i cili, përveç përdorimit të gabuar të shkronjave të mëdha nistore te titulli i tekstit (edhe këtu nën ndikimin e gjuhëve të huaja, ose të një mode – ndesh normës së gjuhës sonë), hiq nja dy fjali të shkurtra, njeriu nuk kupton gjë, pa pasur pranë vetes edhe tekstin origjinal, ata të cilët e njohin gjuhën angleze, për të kuptuar drejt semantikën e paragrafit. Shkurt, kemi një paragraf të përkthyer keq, pa domethënie dhe kuptimin e duhur të mesazhit, të bërë lesheli – siç thuhet në raste të tilla. Ç’është e vërteta, ne provuam të bëjmë rindërtimin e tekstit, por thënë realisht, kjo ishte një punë e vështirë të bëhet. Aty është cenuar rëndë saktësia dhe qartësia e shprehjes, si dy vlera shumë të rëndësishme e të kuptuarit.
Aspak më mirë nuk qëndron puna as te fjalitë e paragrafit tjetër, po në të njëjtin tekst dhe në të njëjtën faqe të tekstit: “Mësuesit gjithashtu kanë një përgjegjësi të rëndësishme (të madhe, të veçantë… B. K.) për interpretimin e planprogramit – një detyrë madhore. Është përgjegjësi e mësimdhënësve që të njohë (njohin – B. K.) planprogramin dhe të njohë (njohin – B. K.) nxënësit e tyre kështu që ata mund të zgjedhin mënyrat më efektive për t’i bërë këto të dyja së bashku…”.
E paqartë dhe jo e përkthyer drejt në shqipet paraqitet edhe fjalia e një paragrafi tjetër në faqen 6, të këtij teksti, ku thuhet: “Mësuesit reflektivë në mënyrë aktive, të qëndrueshme dhe me kujdes konsiderojnë dhe rikonsiderojnë bindjet dhe praktikat si dhe ndryshojnë mësimdhënien e tyre si rezultat e këtyre reflektimeve”. Tani, pos paqartësisë së fjalisë, shtrohet pyetja: cilat na qenkan ato reflektime, të cilat nuk janë përmendur fare as në tërë faqen e librit e jo se jo në paragrafin e zënë në gojë. Për të mos shkuar faqe për faqe të këtij teksti me 140 faqe, sa të mos na jepet mundësia të analizojmë as edhe ndonjë botim tjetër, po japim edhe dy shembuj: f. 83 dhe f. 105.
Ngjashëm me këta shembuj kemi edhe fjalitë e një paragrafi faqe 83, ku pos fjalisë së parë e cila ka njëfarë domethënie, fjalitë e tjera nuk kanë kuptim të qartë. Janë të pakuptimta e steriotipe.
Të shohim se ç‘thuhet edhe këtu:
“Të rinjtë janë kontribues të vlefshëm për shkollat dhe komunitetet. Ata janë më së shumti të lidhur me problemet që të rinjtë po i përballojnë dhe zgjidhjet se si të motivoni dhe inkurajoni të rinjtë. Pjesëmarrja e tyre në vendime të shkollës është vitale, pasi që vendimet do të ndikojnë në mësimin e tyre dhe të qenit mirë…” (Grup autorësh, vepra e cituar, f. 83).
Shkallë të tillë teksti të pakuptueshëm ose vështirë të kuptueshëm ndeshim edhe te shembulli tjetër, f. 105, po brenda faqeve të këtij libri:
“Edhe në shkollat me të disi-plinuara dhe pozitive, mund të ketë incidente të fëmijëve që godasin njëri tjetrin, sulmojnë në mënyrë verbale fëmijën tjetër (duke bërtitur, duke thirrur emrin) ose duke e përjashtuar fëmijën në mënyra delikate nga grupi…” (Grup autorёsh, Vepra e cituar, f. 105).
Me pak kujdes e njohje dhe respektim të normës gram-atikore, do të ishte shkruar, së pakut kështu: “Edhe në shkollat me disiplinë më të mirë, që janë shembull, mund të ketë incidente ndërmjet fëmijëve që godasin njëri-tjetrin, e sulmojnë verbalisht fëmijën tjetër (duke i bërtitur, duke i shqiptuar fort emrin), ose e përjashtojnë atë arbitrarisht (pa të drejtë) nga grupi…” (e jo të thuhet “shkollat me të disiplinuara dhe pozitive… duke e përjashtuar fëmijën në mënyra delikate nga grupi” etj. etj.).
Te libri i Majkёll Fullanit, Forcat e ndryshimit, një paragraf në faqen 73, nuk na e mbush mendjen e një përkthimit të drejtë e të kuptueshëm, me fjalitë e para-qitura aty: “Siç e thotë profesori i MIT, Don Shën, ata (prakti-cientёt) veprojnë me një “ajsberg të diturisë dhe shkathtësive të nënkuptueshme nën sipërfaqen e shpjegimeve të pranueshme lehtë” të praktikave efektive”(Majkёll Fullan, Forcat e ndryshimit (Vazhdim), Canadien International Development Agency, Kosovё, 2000, f.73). Sikur përkthyesi, jo ta kishte përkthyer tekstin fjalë për fjalë nga anglishtja, por ta kishte shqipëruar, do të kishim, sigurisht, një mesazh më të drejtë dhe më të qartë për lexuesin.
Se përkthimi nuk është në shkallën e duhur, dhe jo rastësisht vetëm në një faqe, dëshmon edhe një paragraf tjetër i tërë, në f. 77 të këtij teksti, ku thuhet: “Një sasi e madhe e dëshmive të tërthorta na drejton drejt paaftësisë së thellë dhe sistematike të shkollave amerikane dhe të të punësuarve në to për të zhvilluar, për të inkorporuar,dhe për të zgjeruar ide, mësimdhënie dhe nxënie të reja pos në një numër të vogël të shkollave dhe klasave” (Majkёll Fullan, Vepra e cituar, f. 77).
Yshtja për ndonjë lek më shumë, shumë “përkthyes” ju rreken përkthimeve të librave të ndryshëm, sidomos pas çlirimit të Kosovës, edhe pse nuk ishin usta të mirë të zanatit të tyre. Se ishte kështu, ja dhe shembulli i radhës: “Në disa vende (Danimarkë, Portugali, Irlandë dhe Britani të Madhe) është futur, apo është në proces, një formë e re e studimeve të doktoratës me theks profesional. Edhe pse këto doktorate profesionale kanë bazë të fortë kërkimore dhe kërkojnë të shkruhet një disertacion i bazuar në hulumtim origjinal njëjtë si, por më i shkurtë se, doktoratat e bazuara në hulumtim, ato po ashtu përfshijnë një komponent të vlerësimit të avancuar të lëmisë së studiuar” (Universiteti i Prishtinës, Pikat e referimit për hartimin dhe ofrimin e progra-meve universitare në fushën e arsimit), Prishtinë, Dhjetor (2020), f. 35).
Po ç’të thuhet diçka më mirë edhe për këtë paragraf të tekstit “Spektri”, ku thuhet:
“Të rinjtë në radhë të parë e kanë vështirë për të hyrë në punë. Nga ana tjetër janë pikërisht të rinjtë që duhet të ikin të parët në qoftë se shkurtohen punonjësit. Në një farë mënyre mund të thuhet se ata janë më lehtë për t’u mbajtur jashtë tregut të punës” (Leiv Mjeldheim, Sølvi Lillejord, Erik Sølvberg, Spektri, për nxënesit e shkollave të mesme (Titulli rigjinal: “Spektrum”), Prishtinë, 2005, f. 114); në vend se bile kështu disi të ishte shqipëruar: “Të rinjtë, në radhë të parë, e kanë vështirë për të hyrë në punë, ngase ata pikërisht, janë të parët që të mos fitojnë punën, në qoftë se pakësohen (shkurtohen) evndet e punës (jo, jo punonjësit). Në një farë mënyre, mund të thuhet, se ata janë më lehtë për t’u mbajtur jashtë tregut të punës).
“Ma jepni mundësinë për t’ju dëgjuar” (Udhëzues për arsi-mimin e nxënësve me dëmtime në të dëgjuar), të Solveig Sjöstedt-it, të botuar ndoshta më 2003 (nuk ka as vend e as vit botimi), është një tekst tjetër i cili me shkrimet e tij, për nga ana gramatikore – sintaksore, nuk qëndron më mirë se ai i paraqitur më parë. Këtë e dëshmojnë bindshëm edhe vetëm disa nga fjalitë që po i citojmë:
“Në një seminar lidhur me fëmijët me dëmtime në të dëgjuar Benita Heglund (Benita Hägglund) (1999) ka theksuar në një studim të bërë në Suedi, ku nxënësit me dëmtime në të dëgjuar në bankat e para të klasës dhe nxënësi që dëgjon në bankat e fundit të klasës janë vëzhguar për më se 30 sekonda” (Solveig Sjōstedt, Ma jepni mundësinë pёr t’ju dëgjuar (Udhëzues për arsimimin e nxënësve me dëmtime në tё dёgjuar, vendi nuk dihet, botuar ndoshta mё 2003), f. 33).
Në këtë shkallë e ndeshim edhe mesazhin e një paragrafi tjetër, nëntitulli i të cilit fillon kështu:
“Çka ne shoqërojmë me dëmtimin në të dëgjuar është diskriminim i keq në të dëgjuar, veçanërisht në rrethana me mjedis të zërave të ndryshëm. Kërkon nga të gjithë ne koncentrim për të dëgjuar diçka kur ka zëra pengues në mje-dis…” (Solveig Sjōstedt, Vepra e cituar, f. 46).
Përkthim të pa përtypur mirë (të stilit bisedor) ndeshim edhe në këto dy fjali të shkruara te libri “Shkrimi nga e para”,të Robin Brajt (Robin Bright), ku thuhet:
“Kursi i të shkruarit është vendi ku kallëzohen dhe dëgjohen tregimet. Këto tregime mund të kallëzohen dhe përsëriten dhe, po ashtu mund të mirren (merren – B. K.) nga literatura” (Robin Brajt, Shkrimi nga e para, KEDP, Canada, 2002,f. 35).
Paqartësi, jo vetëm për shkak të përkthimit jo të drejtë e të pasaktë në këtë tekst, kemi edhe atëherë kur vetëm te një fjali e zgjeruar (periudhë) ndeshim madje edhe 5-6 fjalë të huaja, jo shqipe, të cilat rrjedhimisht edhe e bëjnë atë pjesë të pakup-tueshme, siç del, bie fjala, te shembulli:
“Askush nuk më ka mësuar se si të gjeneroj ide për të cilat do të shkruaja, si t’i shndërroja idetë e mija në një draft fillestar, dhe si ta redaktoja dhe rafinoja këtë draft në një punim final” (Robin Brajt, Vepra e cituar, f. 12). Te ky shkrim në vend të fjalëve: gjeneroj, draft, rafinoja, final etj., disa nga të cilat nuk i kanё as fjalorёt e gjuhёs shqipe, kanë mund të përdoren gjegjëset shqipe: të krijoj (të mendoj, të meditoj) – për gjeneroj; një projekt (plan, skicë) – për një draft; latoja (stërholloja, zgjedhja) – për rafinoja; përfundimtar (të fundit, të fundmë) – për final etj., të cilat fjalë shumë më lehtë e më drejtë do t’i kuptonte çdo nxënës shqiptar, të cilit edhe i dedikohet teksti i tillë.
Puna e do që përkthyesi të njohë gjuhën në të cilën përkthen dhe gjuhën nga e cila përkthen tekstet apo veprat e caktuara. Mbështetur në këtë, shtrohet edhe pyetja: a kemi profesionistë të tillë, siç ishin dikur me përkthimet e tyre, duke filluar nga Gjon Buzuku, K. Kristo-foridhi (Dr. Izer Maksuti, Kumtesë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit , Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, 30 shtator 2019) , si njohës i greqishtes, latinishtes, hebraishtes, frëngjishtes, anglishtes, italishtes etj., ashtu sikurse Faik Konica, një poliglot i rrallë ndër shqiptarë, i cili fliste dhe shkruante rrjedhshhëm disa gjuhë, si: shqip, greqisht, italisht, frëngjisht, anglisht, turqisht etj., Jusuf Vrioni, A. Klosi, L. Poradeci, Gjon Shllaku, Pashko Gjeci, Bujar Doka, Dhimitër Pasko, Edmond Tupja, Shpëtim Cucka; E. Mekuli, Vehap Shita, Hasan Mekuli, Isa Bajçinca; Blerina Zllatku – Starova, Besa Oda – Dërndari, Luljeta Klica etj., natyrisht, pa anashkaluar assesi edhe poliglotin e përkthyesin e madh, Fan S. Nolin, i cili, me mjeshtërinë e vet, më tepër se që përktheu – shqipëroi veprat më të mira të letërsisë botërore, siç janë: poema “Skënderbeu” e Long-fellout, “Hamleti”, “Makbethi”, “Jul Cezari”, “Otello” të Shek-spirit; dramat “Zonja Igra e Ostronit”, “Armikun e popullit” të Ibsenit; “Don Kishoti i Mançës” i Servantesit, “Rubairat” e Omar Khajamit; “Kasollja”, “Prometeun e lidhur” etj., të cilat në shqipet dalin si vepra të kuptueshme dhe jo abstraksione të padeshifru-eshme, e të cilat as në origjinal nuk lexohen më me lezet sesa në shqip, të përkthyera nga ustai ynë, Fan S. Noli. Albanologu i njohur austriak, me prejardhje hebreje, i lindur në Moravia e Jugut të Republikës Çeke, Norbert Jokli, kur kishte lexuar “Rubairat” e Omar Khajamit nga Noli, kishte thënë: “Pas përkthi-mit të Fixheraldit, nuk di nëse ia kalojnë përkthimeve të Fan S. Nolit ato të gjermanishtes e të spanjishtes që janë përkthime të dorës së parë”). Pa punën e vyer të përkthyesve sot, me këtë dinamikë të globalizimit, të publikimeve të ndryshme në botë, do të ishte e pamundur përcjellja e risive, zhvillimeve, e revolucionit teknologjik etj.
I paraqitëm këta shembuj, nga më shumë të tillë, për të shprehur shqetësimet tona për dhunimet që i bëhen gjuhës, klishetë e pakuptimta, jo vetëm në media, administratë dhe publicistikë, që jemi mësuar t’i shohim e dëgjojmë për çdo ditë, por aq më keq edhe në tekste shkollore, të cilat sot janë pronë e qindra e mijëra nxënësve e studentëve tanë, nga të cilat ata mësojnë. Andaj, vetiu shtrohet pyetja: me botime si këto, çka, si e sa mund të mësohet? Me këtë nuk mendojmë e as që na shkon mendja për një mbyllje herme-tike ndaj gjuhëve të tjera edhe më të përparuara se gjuha jonë (në këto kohë bashkëveprimesh e ndërndikimesh të pashma-ngshme), e sidomos jo për ato fjalë, shprehje e gjedhe, për të cilat shqipja ka nevojë të fres-kohet e pasurohet, por megjith-atë, nuk jemi as për fjalë e imitime të paskajshme dhe të çfarëdollojshme, po të jenë ato edhe nga anglishtja (globa-lizuese) e ditëve tona.
Kumtesë e përgatitur për Konferencën VII Ndërkombëtare Shkencore, Tetovë, 16-18.11.2022.
Burimi: https://www.facebook.com/bahtijar.kryeziu