Akad. Rexhep Smajli: “Shqipja e njësuar letrare, shqipja standarde nuk mund të shihet si e ndarë nga shqipja letrare e mëhershme (dhe jo vetëm nga dialektet), përkundrazi, aty dalin mundësi e burime për të. Ato janë pjesë të shqipes. Shqipja është horizonti i gjerë, ndërsa shqipja standarde është pjesë e këtij horizonti, sigurisht më e rëndësishmja, dhe është e tillë për shkak se i përthith lëngjet e veta në ato burime:
Le të pyesim menjëherë: Ç’është gjuha shqipe sot? dhe le të shprehim një përgjigje të shlirë, që mund të gjendet gjithandej për gjuhë të ndryshme: gjuha shqipe sot është i tërë potenciali shprehjor i bashkë¬sisë gju¬hësore shqipe.
Ky potencial gjallon nëpër shtresa të shumta, si në të folmet organike vendore, në dialekte, në fenomene në kapërcyell midis të folmesh të ndryshme, në të folme qytetesh, në zhargone, e deri te manifestimi i gjuhës standarde me ndërlidhjet e ndërvarësitë e saj me aspekte të ndryshme, me manifestimet e pak a shumë formale në rrethet e arsimuara, krejtësisht formale në komunikimet zyrtare dhe në korrespondencat e punës, etj. Lidhur me funksionet shoqërore të gjuhës shqipe mund të shënohen po ashtu shtresëzime. Do theksuar dhe realiteti i kontakteve të bashkësisë së folësve të shqipes me gjuhë e dialekte gjuhësh të tjera, me italishten, me greqishten, me sllavishtet e jugut, me turqishten, me anglishten, me gjermanishten, me frëngjishten, me gjuhët skandinave, më tej në tërë botën. Në ato kontakte shqipja jo çdoherë është e rendit të barabartë.
Në kohën e Kongresit të Drejtshkrimit bashkësia gjuhësore shqipe, me traditën e varianteve letrare, me shtresëzimet shoqërore, shtrihej në RPS të Shqipërisë së izoluar me sistem rigjid të Lindjes, në RFS të Jugoslllavisë po ashtu në një sistem socialist me kontroll politik-ideologjik e mbisundim të dukshëm të serbo-kroatishtes (jo njësoj në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi dhe në Serbi).
Komunikimi midis pjesëve të bashkësisë gjuhësore në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi ishte i reduktuar në komunikime përmes radios, më vonë, më vonë televizionit, apo shumë i kontrolluar përmes librave, gjithnjë me mbulesë të fuqishme të shprehjes propagandistike. Pjesët e tjera të bashkësisë gjuhësore shqipe në diasporën historike dhe në diasporën aktuale thuaja se nuk kishin komunikime me trungun. Bashkësia e folësve të shqipes ishte e ndarë dhe në kontroll të rreptë politik-ideologjik e propagandistik.
Sot bashkësia gjuhësore e shqipes shtrihet në shtete gjithnjë të ndara dhe në diasporën me shtresëzime të ndryshme. Bashkësia e folësve të shqipes jeton sot kryesisht në sisteme demokratike me orientime vlerore liberale, në diasporë pjesërisht në sisteme autokratike. Por komunikimi midis folësve të kësaj bashkësie sot është më i madh se kurrë ndonjëherë në histori.
Dallimet dhe ngjashmëritë midis varieteteve diatopike, diastratike e të tjera ndodhen në kontakte e ndërthurje gjithnjë e më të dendura. Hapësirat e mundësitë e përdorimit të varietetit gjuhësor standard sot janë të ndryshme nga të kohës kur u mbajt Kongresi. Një aspekt i rëndësishëm i ndërkomunikimit do të thosha në shkallë planetare lidhet drejtpërsëdrejti me përparësitë që ka sjellë revolucioni informatik.
As gjuha shqipe e përdorur sot në jetën publike nuk është krejt e njëjtë me shqipen e viteve ’60-’70 të shekullit XX, kur u bë ky standardizim, sidomos në leksik e terminologji, pale në shprehjet e zhvillimeve të reja.
Në një nga mësimet më të rëndësishme që merren në shkollë, në mësimin e gjuhës, kur e nxëmë gjuhën standrade kërkohet që nga përdorimi ynë të largojmë sa më shumë që të jetë e mundshme spontanitetin dialektor, sepse na largon nga standardi.
Ndërkaq, pjesëtarë të bashkësisë së folësve janë edhe ata që e kanë marrë këtë shkollim në sisteme të ndryshme në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, dhe të tjerët që nuk e kanë pasur këtë mundësi fare, ose e kanë pasur krejt sipërfaqësisht. Dhe përdorimet e tyre bashkekzistojnë.
Përfytyrimi për njësinë kombëtare ndër breza bën të ndërgjegjësohemi, se nëse e zotërojmë tërësinë e komunikimit me gjuhën standarde, do të kemi mundësi të komunikojmë me lehtësi në tërë këtë bashkësi gjuhësore, kontinuale apo të përthyer nga nënbashkësi folësish me gjuhë të tjera, e me ndarje që nuk varen nga vullneti i folësve të saj. Prandaj, zotërimi i gjuhës standarde do të na bënte të mundur këtë komunikim me lehtësi. Sa përputhet kjo me realitetet përdorimore që kemi? Nuk kemi matje objektive.
Vështrimi i shqipes si një tërësi shumështresore na çon te një dritë tjetër. Tradita e stilizimeve të shqipes në variante letrare bën pjesë në tërësinë gjuhë shqipe.
Shqipja e njësuar letrare, shqipja standarde nuk mund të shihet si e ndarë nga shqipja letrare e mëhershme (dhe jo vetëm nga dialektet), përkundrazi, aty dalin mundësi e burime për të. Ato janë pjesë të shqipes. Shqipja është horizonti i gjerë, ndërsa shqipja standarde është pjesë e këtij horizonti, sigurisht më e rëndësishmja, dhe është e tillë për shkak se i përthith lëngjet e veta në ato burime. Më duket i drejtë mendimi i atyre gjuhëtarëve që thonë se, pasi të jetë krijuar gjuha standarde, variantet e stilizimet e mëparme bëhen diçka si stile funksionale të saj. Shqipja është realitet i gjallë në vorbullin kompleks e që po bëhet gjithnjë e më i ndërliqshëm në epokën e globalizmit.
Marrja e dhënia midis varieteteve të shqipes nuk e ka natyrën e huazimit, po është diçka brenda sferës së gjuhës shqipe.
Shqipja standarde me burimet e saj nga gjuha e gjallë do selitur në frymën e përshtatjes së gjerë me nevojat e botës moderne, duke përthithur sa më shumë nga shprehja e saj e gjallë. Ajo, shprehja e gjallë, e përcakton hapësirën e lirisë shprehëse. Zgjerimi i spontanitetit shprehjor të ndërlidhur me gjallninë jetësore, duke mbajtur parasysh të kuptuarit sa më të lehtësuar në hapësirën e bashkësisë së folësve, është diçka që do synuar dhe përmbushur në shkallë të gjerë në proceset dinamike standardizuese.
Në vise të ndryshme (ndoshta gjysma e folësve të shqipes së trungut ballkanik sot është në dinamikën e mërgimit), folësit e shqipes janë në gjendje që të mos kenë preokupime të njëjta në raport me gjuhën shqipe dhe varietetet e saj, edhe të gjuhës standarde. Ka të atillë ndër ne që shqipen e kanë vetëm gjuhë amtare, ka të tjerë që varietetin standard e kanë tashmë gjuhë amtare. Të tillët e kanë mundësinë që çdogjë të realizojnë në këtë varietet: të flasin në familje, në shkollë, në shoqëri, në punë, në lexime letrare, shkencore, në veprimtari të prodhimit, të shkencës e të kulturës. Ka të tjerë që e kanë gjuhë amtare, por në një varietet dukshëm të ndryshëm nga standardi. Të tjerë që edhe kur mund ta përdorin shqipen, duhet të luftojnë me dyshimin për racionalitetin e përdorimit të saj. Të tjerë që e kanë vetëm gjuhë të identitetit.
Kemi raste tashmë që në shkencë e përdorin kryesisht anglishten apo ndo¬një gjuhë tjetër e kjo ten¬dencë po bëhet mbisunduese në stimulimet shoqë¬rore lidhur me botimet e valorizimin e tyre vetëm jashtë, sidomos pas revolucionit informatik.
Kujdesi për gjuhën sot ndërlidhet me vlera si prestigji, moderniteti, demokracia, zhvillimi, gjithsesi jo me izolimin.
Shqipja standarde shfaqet herë mjaft e fuqishme për të shprehur modernitetin, herë në gjendje më të dobët për të qenë dominuese në situata përballjeje përdorimore, por duhet të jetë gjithnjë e zonja për federimin midis varieteteve që e ushqejnë. Nëse duam ta shohim gjuhën shqipe në tërësinë e saj del e qartë se ajo është me shpërfaqje shumësore, në forma, në theks, në situatat ku përdoret si mjet shprehjeje. Kemi nevojë që gjuhën ta trajtojmë si kulturë në tërë gjerësinë e manifestimeve të saj.
Me i dhanë qytetarit një gjuhë sipas masës së tij, kjo, mendohet nga një dorë studiuesish, duhej të ishte synimi i standardizimit të vazhdueshëm. Dhe pa e fajësuar përdoruesin, po duke kërkuar ta përshtatim mjetin për të. Na ngroh besimi i gjithandejshëm se gjuha duhet të na shërbejë të gjithëve nëpër të gjitha rrethanat.
Zgjerimi optimal dhe qëndrimi përfshirës ndaj manifestimeve të ndërliqshme është një dalje sot. Bashkëkekzistenca e përdorimeve duhet të valorizohet, qoftë dhe për t’i evituar largimet nga trupi i standardit, apo evakuimin thellësisht dëmtues të përdorimeve standarde vetëm për situata specifike.
Përtej të arriturave në fushën e drejtshkrimit dhe të lavrimit të gjerë të pamo¬hueshëm, më duket se situatat e dy dekadave të fundit po na çojnë drejt nevojave të ngutshme për rregullime në raport me gjuhën e folur, çka del më e ndërliqshme se problematika thjesht drejtshkrimore.
Teknologjitë e reja të komunikimit na kanë vënë përpara nevojës që shprehjen ta kemi më shpesh ashtu si vjen e folur. Orientimi drejt komunikimit të reduktuar përmes celularit e kompjuterit ka krijuar pasoja, që nuk mund të superohen përmes reduktimit të komunikimeve, duke shkurtuar botimet e gazetave, ta zëmë.
Paralelisht, nuk mund të mos bien në sy mungesat në formimin e vazhdueshëm në fushën e kulturës së të folurit, të kulturës së shprehjes publike, mungesa e plotë e mësimdhënies së gojtari¬së (edhe në universitete).
Në dy-tri dekadat e fundit kemi pasur zhvillime intensive të përdorimit të shqipes. Veprimtaria e botimeve dhe sidomos e përkthimeve nga gjuhë të ndryshme në letërsi, në fushat e dijeve shoqërore, në filozofi, po arrin nivele që nuk i ka pasur ndonjëherë përdorimi i gjuhës shqipe dhe kjo po pasqyrohet në zgjerimin e mundësive shprehjore, në zbulimin e anëve më pak të njohura, pra në përgjithësimin drejt një rrafshi më të lartë të asaj që përkapim si gjuhë standarde dhe gjuhë të kulturës. Gjithsesi dukshëm më pak kemi zhvillime të këtij lloji në fushat e shkencave të sakta e të zbatuara, të teknologjisë së kohës.
Kemi rrjet hipertrofik qendrash studimi universitar, por paradoksalisht më pak botime revistash për këto nivele në gjuhën shqipe. Po synohet vetëm botimi në revista ndërkombëtare me gjuhë të tjera. Por, ku të selitet shqipja në këto fusha?
Më duket se përtej përqëndrimeve shpesh të natyrave teknike në preokupimet për shqipen standarde lidhur me drejtshkrimin dhe gve¬rreve në këtë fushë, ka kuptim dhe mund të jetë më frytdhënëse të orientohemi drejt shqyrtimeve në frymën e përshtatjes dhe të zhvillimit të mundësive shprehjore në kuadrin më të gjerë që kemi pasur ndonjëherë të kontakteve midis pjesëtarëve të bashkësisë sonë gjuhësore, gjithë duke u dalë përpara sfidave që ka sjellë horizonti i ri kulturor dhe nevojave jetësore për t’u integruar në zhvillimet e gjithmbarshme. Duken të nevojshme harmonizimet në shprehjet e jetës shoqërore sipas gjedheve eurokomunitare jo vetëm për nevojat e inte¬grimeve që po synojmë në të gjitha pjesët e bashkësisë së folësve të shqipes në Ballkan, po edhe më shumë për nevoja përafrimi midis hapësirave dhe përdorimeve të ndryshme të përgjithësuara gjatë shekullit të fundit atje ku shqipja është me funksione publike. Kjo mund të niste, ta zëmë, me shqyrtimin e përbashkët të harmonizimit me atë që merret si bazë e përbashkët, si acquis communautaire, për të kaluar më tej në rrafshe të tjera. Integrimi në vete gjithsesi duhet t’i paraprijë ose së paku të shkojë paralelisht me integrimet globalizuese.
Akademik Rexhep ISMAJLI, Prishtinë / www.akad.gov.al