Doli nga shtypi “Kultura e gjuhës sot” e akademikut Gjovalin Shkurtaj. Libri trajton probleme të mprehta të dukurive aktuale në përdorimin e gjuhës shqipe, nga ruajtja dhe mbrojtja e gjuhës shqipe letrare deri tek gojështhurja dhe mungesa e kujdesit për gjuhën, si dukuri të tranzicionit, që duhet të marrin fund.
Libri “Kultura e gjuhës sot” i akademikut Gjovalin Shkurtaj doli në dritën e botimit (nga shtëpia botuese “Pegi”), pikërisht në ditët e përkujtimit të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit (nëntor 1972-2022).
Ky libër vjen mbas shumë librave të mëparshëm të akad. Shkurtaj që kanë si bosht dukuri e probleme aktuale të kulturës së gjuhës, si: “Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran” (1983 dhe botimi i dytë 1988), “Ta duam dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur” (1998 ); “Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës shqipe (2003) “Kultura e gjuhës” (2006); “ Si të shkruajmë shqip”-Nga drejtshkrimi te shkrimet profesionale- (2008, 2012; ”Sociolinguistika” (1999); “Sociolinguistikë e shqipes”-Nga dialektologjia te etnografia e të folurit-, botim i dytë, (2009); “Urgjenca gjuhësore”-Huazime të zëvendësueshme me fjalë shqipe-Fjalorth ( “Ada”, 2015 dhe “Naimi”, 2017); Gj.Shkurtaj-M.Shopi “Gjuha, ligjërimi dhe jeta” – Përmbledhje leksionesh, krestomaci dhe ushtrime sociolinguistike” (2018).
Akad. Shkurtaj shkruan se “Prej këtyre librave, prof. as. dr. Meleq Shopi, pedagoge në Universitetin e Elbasanit “A’Xhuvani”, ka përzgjedhur pjesët ose krerët (kapitujt) më të përshtatshëm, si dhe disa artikuj, kumtesa e shkrime të tjera të këtyre viteve të fundit, që mund të jenë si bazë për lëndën “Kultura e gjuhës” që është e domosdoshme (dhe shpresojmë) të futet si lëndë e re në të gjitha degët e shkollave të larta.
Qëllimi i kësaj përmbledhjeje studimesh është të shtohet kujdesi për shqipen standarde në përdorimet zyrtare të administratës, të mediave e reklamave, të gazetave e revistave (në letër dhe on-line) në të gjitha hapësirat shqiptare. Synimi kryesor është të ritheksojmë, duke sjellë edhe përditësime e të dhëna të reja të kohëve të fundit, se mbrojtja e gjuhës shqipe letrare nuk është censurë, por detyrim e peng moral gjithëkombëtar. Japim, natyrisht, edhe shumëçka nga shkrimet tona të mëhershme për kulturën e gjuhës shqipe dhe kundrime sociolinguistike të vlefshme për njohjen e situatës së sotme të shqipes së shkruar e të folur në Shqipëri dhe në të gjitha trojet apo hapësirat etnike shqiptare e që mund t’u vlejnë studentëve dhe masë së gjerë të lexuesve dhe shkruesve të interesuar për t’i zbatuar si duhet rregullat e drejtshkrimit dhe normat gramatikore të shqipes.”
Përmbajtja e librit është kjo:
Parathënie.
Gjuha shqipe dhe trysnia shoqërore-kulturore e sotme.
Ruajtja dhe mbrojtja e gjuhës shqipe letrare nuk është censurë, por detyrim për çdo botim me karakter zyrtar.
Mbrojtja dhe vlerësimi i shqipes si tipar themelor i kombit tonë. Gjuha si element kulture.
Gjuha si tregues e mishërues i lidhjeve të bartësve të saj me një kulturë dhe me një truall të caktuar.
Mbrojtja e gjuhës është detyrë dhe peng nderi për çdo shqiptar. Kultura e gjuhës si pjesë përbërëse e kulturës kombëtare shqiptare. Funksionet e gjuhës standard.
Disa aspekte të politikës gjuhësore. Rrënjët mbarëkombëtare të politikës gjuhësore ndër shqiptarë.
Gjuhët kryesore të botës dhe përhapja e tyre.
Konflikti gjuhësor dhe gjuhët zyrtare.
Tëhuajësimi e përçmimi i gjuhëve dhe i kulturave të pakicave etnike.
Gjuha jonë, pasuria dhe bukuria e saj e kanë burimin e vet në popull.
Prirje dhe prurje si fryte të ndeshjes së normave me shkeljet e saj në shqipen e sotme.
Baza e njëjtë dhe e përbashkët e shqipes së njësuar (standard) është e paprekshme.
Gjuha shqipe dhe mendësia shqiptare në Ballkanin shumetnik e shumëgjuhësh.
Normëshkelësit duhet të përgjigjen për dëmin që i shkaktojnë gjuhës shqipe.
Ndikime morfosintaksore të huaja që sjellin pështjellim dhe largim nga hiret e shqipes.
Gjuha e folur dhe gjuha e shkruar: të përbashkëtat dhe dallimet ndërmejt tyre.
Risitë dhe ruajtjet në gjuhën e sotme shqipe. Ndryshimet e ndërgjegjshme në gjuhë.
Varietete gjuhësore: funksionale, shoqërore, kontekstuale “Nuk ka variacion gjuhësor krejt të lire”.
Shtrembërimet fonetike e leksiko-gramatikore të fjalëve të reja (Identifikimi shpërdorues ose i keqkuptuar).
Zhvillimet gjuhësore të shqipes në kuadrin e globalizimit.
Individi folës dhe bashkësia folëse.
Roli i familjes dhe i mjedisit shoqëror.
Mirësjellja gjuhësore ose shprehja e respektit në gjuhën shqipe.
Probleme themelore të etnografisë së komunikimit dhe të ligjërimit publik të shqipes së sotme.
Etika, ekologjia e gjuhës, kultura e gjuhës sot.
Gojështhurja dhe mungesa e kujdesit për gjuhën, si dukuri të tranzicionit, që duhet të marrin fund.
Kineastët dhe dramaturgët kanë treguar interes dhe vlerësim për kulturën e gjuhës.
Hulumtimet e reja shkencore dhe tradita e shkrimit akademik.
Të hyjmë në Europë të veshur me kulturën shqiptare dhe gjuhën shqipe.
Të interesuarit mund ta gjejnë edhe në Panairin e Librit, në stendën e botimeve të Akademisë së Shkencave dhe të Botime PEGI. www.akad.gov.al