Prof. Shefkije Islamaj – Në romanin zëmadh «Lumi i vdekur» Jakov Xoxa i vendos ngjarjet në Shqipërinë e Jugut, konkretisht në Myzeqe, që i takon arealit gjuhësor jugor. Në të njëjtën kohë, në këtë truall jetojnë edhe «ardhacakët» nga Kosova, që i takojnë arealit gjuhësor verior shqiptar, të ndjekur nga regjimi i atëhershëm serb, fat që përcjell kosovarin gjatë në jetën e tij.
Në roman ndeshim dy të folme njëkohshëm. Në rrafshin dialektor këto dy të folme dallohen qartë dhe njihen lehtë. Kjo ka bërë që gjuha e personazheve të dalë mjaft e pasur dhe e larmishme, e individualizuar mirë. Hetohet mirë përpjekja e autorit që në këtë rrafsh të japë kolorit gjuhësor standard, dhe dallohet mirë njohja e të dy të folmeve nga ana e autorit. Bashkëjetojnë gjuha e shkrimtarit, e mbështetur në gjuhën popullore dhe gjuha e personazheve (e vendësve dhe e ardhacakëve, e myzeqarëve dhe e kosovarëve) dallueshëm dialektore. Secili nga këta kanë veçoritë e veta që përdallohen mirë në veprën letrare të Xoxës.
Xoxa i takon atij grupi të krijuesve letrarë, të cilët me shumë kujdes e përdorin fjalën dhe me shumë kujdes mbushin fjalinë. Ai, për nga natyra është poet. Në romanet e tregimet e tij ai shkruan faqe të tëra lirike, sidomos në romanin “Lumi i vdekur”. Lexuesi e ndien se para vetes ka një poet prozator:
“Jashtë errësira kishte bërë punën e vet. Vetëm yjet në qiellin e larë nga shiu dhe të kthjelluar nga era e detit po shndrinin drithërues, thuajse edhe atyre u kishte hyrë në palcë athëtima e motit. Ndonjë ciripulë që cërinte në mazgallat e mureve çatma të hanit, po ndillte kohë të mirë. Marrjet e zëthit të saj se si të këllisnin në zemër drithërimën e heshtur e të akullt të yjeve e të bënin të çoje sytë përpjet në qiell, atëherë e ndieje natën të plotë, me gjithë qetësinë, fshehtësinë e saj.”
Shkrimtari Jakov Xoxa krijon pamje të paharruara përshkrimesh: të natës, të mëngjesit, të pyllit, të fushës, të natyrës në përgjithësi, të dashurisë, të vuajtjes, të frikës e ankthit, të vdekjes, të lindjes ku dallohet qartë shtresa e fjalëve dialektore a krahinore. Në të gjitha përshkrimet frymojnë dialektizmat myzeqare e kosovare në dritën e vërtetë tipizuese.
Në një natë vjeshte poetike që Xoxa e bën të tillë – poetike, rrinë bashkë mbledhur rreth e qark zjarreve të tyre muhaxhirët kosovarë e myzeqarë. Asnjëra palë nuk ka gjumë. Vendi i ri ka sjellë shqetësime të frikshme. Të parët «llafosin», të dytët «bëjnë muhabet». E shkrimtari mediton për kosovarët:
“-Hej këto malet e tyre, sa shembëllejnë me burrat e Kosovës, me kokat atje lart me ato qeleshet e bardha, të bardha e me majë, që shënojnë kufijtë me qiellin.”
Në këtë natë, “në këtë vezullim drite e bukurie” edhe Vita s’kishte gjumë, as Adili.
“-Edhe në fjetsha, zemrën s’ma vë njeri në gjumë” – pëshpëriti me vete Vita myzeqare, me tundim dashurie.
Ndërsa Adili kosovarçe:
“-Të vijë çika e botës, fill nëpër natë, të të ulet pranë e të të kërkojë t’i këndosh nji këngë!… Jo, për besë, në Kosovë, s’ban vaki kjo punë…”
Dhe sërish Xoxa:
“Bri sheshit të hanit, mbjellë me grapçe hunjësh me kokën thyer nga rruga, ishin radhitur për udhë të dy karvanët: qerret e myzeqarëve dhe të kosovarëve. Qerret e muhaxhirëve, të gjatë pa mbarim, me katër palë rrota, që dukeshin sikur të ishin bashkuar, dy qerre në një shtizë, mbuluar me mushama, që thëllimi i mëngjesit i fryente si gjyryk, bëheshin gati të ngarkoheshin.”
Dhe pak më vonë Xoxa: “Kur qerret e myzeqarëve kthyen dhe morën më të mëngjër, në fushën çifllak të Trokthit, karvani kosovar kishte humbur mezi e shquhej atje tej, buzë moçalit të Kënetasit. Karvanet e ndarë dhe larg njëri-tjetrit, po ngrisnin që të dy, secili me ritmin e këngës së vet, drejt perëndimit. – Bigë me njëri tjetrin, ata kishin vënë në mes fushën e gjerë që vezullonte nga rrezet e diellit.”
Të ardhurit, edhe pse shqiptarë janë të huaj në tokën shqiptare. Të parët toskë, të dytët gegë, merren vesh mrekullisht – sepse flasin shqip. Ata ndahen e bashkohen sa herë, po prapë janë bashkë – kanë vuajtjen e përbashkët, janë shqiptarë në kohë të vështirë.
Xoxa, aq sa i dallon gjuhësisht, aq i bashkon sërish gjuhësisht – ata flasin shqip: dallimet fare të vogla. Leksiku i përbashkët, sintaksa e përafërt, frazeologjia e njëjtë, mendësia e filozofia identike: mendojnë e jetojnë shqiptarçe.
Vetë gjuha e autorit përfaqëson normën standarde gjuhësore të kohës. Këtë e dëshmon e gjithë krijimtaria e tij duke filluar nga tregimet e tij të para e deri te romani i fundit në dorëshkrim.
Xoxa paraqitet mjaft i lirë në zgjedhjen e leksikut, dhe jo gjithmonë në kufijtë e rrethit për të cilin shkruan. Këtë shembull vetjak shpesh e ndeshim edhe në gojën e personazheve. Në të vërtetë edhe vetë ndërthurja e leksikut, e shprehjeve të ndryshme, e thënieve, e fjalëve, është mjaft e përbërë, me marrëdhënie të gjera e të ndërlikuara, po që funksionojnë shkëlqyeshëm. … Lënda dialektore, e shumta, që na e sjell autori është e arealit folës të mjedisit ku ndodh ngjarja, ndonëse kudo shihet dora dhe puna e tij përpunuese dhe skalitëse.
Natyrisht, ai nuk është rob i këtij mjedisi sepse ai para së gjithash shkruan shqip e jo në dialekt. Natyrisht, ai nuk është rob as i normës letrare edhe pse e respekton atë. Nëse hetohet se ai shpesh ecën kah ndjenja vetjake gjuhësore, këtë e bën me vetëdije e me vetëdashje. Dhe jo pa arsye, sepse ai është si deti që përshkon. Ekziston një rregull natyror: ngritja dhe zbritja, po edhe befasitë që shfaqen jashtë këtij rregulli: valët e rrëmbyeshme që shprehin trazimin e tij të brendshëm, për arsyet që vetëm ai i di, po që gjithmonë përballohen lehtas. E tillë është gjuha e tij.
Jakov Xoxa hyn thellë në familjen myzeqare dhe në atë kosovare. Ai kalon pragun e derës dhe përshkruan në hollësi brenda e jashtë këtij pragu. Përshkrimet dalin më shumë se të hollësishme, me plot imtësi është përshkruar jeta e tyre e rëndë, e veçantë dhe e përbashkët në të njëjtën kohë. Ai është tërësisht sy e vesh për Myzeqenë, pikërisht në sajë të gjuhës së tij, dhe për kosovarët që i do aq shumë.
Xoxa, me simpati të theksuar e me dashuri të pafshehur i fut kosovarët në romanin e tij. Ndeshim kështu përshkrime të mrekullueshme për ta, për adetet, shtëpinë, mentalitetin, psikologjinë, karakterin, deri edhe për gjuhën dukshëm të dallueshme nga vendësit, por për marrëveshje me ta, lehtë të kuptueshme.
Në nostalgjinë e dashurinë e kosovarëve për Kosovën e ndiejmë thuajse nostalgjinë e dashurinë e Xoxës për Kosovën:
“Në këngë e sipër Adilit iu duk sikur yjet e largëta u afruan, siç afrohen në netët e verës përmbi majat e majave të Kosovës, ku blegtorët kanë ngritur stanet; sikur fletët e drunjve u ngritën nga toka ku i kishte varrosur vjeshta dhe gjethuan pyjet siç gjethojnë korijet pranverës në Kosovë; sikur nga toka baltë, ku ishte ulur, hapën gojë me qindra kroje, që rodhën e lëshuan degët arave në ujë të kulluar, si ai loti që po i mblidhej te bishti i syrit…”
Xoxa është i dashuruar edhe në Myzeqenë. Ndryshe nuk mund të kuptohet dashuria e përkushtimi i shprehur për gjithçka që e përbën jetën e saj në tërësi. Askund si në Myzeqe ai nuk e ndien aromën e luleve, thëthimën e dimrit, frymën e detit, bardhësinë e reve, njelmësinë e kripës, dashurinë njerëzore, ashpërsinë e butësinë ndjenjore. Jo rastësisht gjuha e tij ka po këtë aromë, freski, frymë, bardhësi, njelmësi, dashuri, ashpërsi e butësi.
Me këtë dashuri për Myzeqenë e myzeqarët, ai do të ndikojë edhe te lexuesit, për çka ajo e ata do t’i mbeten në kujtesë një kohë të gjatë. Kjo është thjesht ajo dashuri të cilën shumëkush nuk do ta krijojë e nuk do ta ndiejë deri në perëndim të jetës.
… Xoxa ka jetuar në atë krahinë, në krahinën ku nderohet së tepërmi njeriu, ndonëse kosovari në fillim aty e pati vështirë:
«Kosovari kishte një copë herë që po ngrinte e po ulte sytë, duke parë herë myzeqarin, herë briskun që shkiste mbi faqen e duhanit e mund t’i rëndonte dorën. Deshi të lëvizte, t’i vinte pranë e të lidhte kuvend me të. Por, sa i zorshëm qenka takimi me këta fusharakët, me këta njerëzit e bregut të detit!… Shqiptarë ishin vërtet edhe këta, të një balte e të një gjaku, po sa ndryshe visheshin, sa keq e vërtisnin gjuhën brenda në gojë, aq sa ai, bir Kosove, nuk ua merrte vesh mirë fjalën, sa të mbyllur e tinzakë që ishin!… Kështu i ishin dukur myzeqarët ato dy ditë që kishte mbetur në han duke vajtur lart e poshtë nëpër Fier, nga një zyrë në tjetrën, për të rregulluar punën e truallit ku do të ngrinte shtëpinë dhe çështjen e dynymëve që do t’i jepeshin si tokë buke. … Por, Sylejman Tafili e ndieu veten të pazot për ta urryer e përbuzur këtë vendas, në fatin e të cilit ai shikonte fatin e vet. … e ndjeu veten vëlla me vendasin e pikëlluar, që po priste, me takijen në duar, t’i shtoheshin atë ditë mjerime të reja.»
E Pilo Shpiragu duke pritur lindjen e foshnjës fatkeqe, e duke dredhur një duhan Kosove, ashtu si kosovari do t’i flasë:
«- Si duket, edhe ju, kosovarët nuk bini poshtë duhanit për nga sertëllëku që nuk ju lanë të rrini në vend tuaj, po ju dhanë udhët…
Mospërfillja, me të cilën i tha këto fjalë vendasi e preku thellë muhaxhirin. «
Jeta dhe fati megjithatë do t’i bashkojë myzeqarët e kosovarët, sepse janë shqiptarë të një nane – të gjuhës shqipe. Ata do t’i bashkojë edhe Xoxa në roman me një simbolikë të fuqishme. “Eh si është njeriu”- shpesh do të thotë ai, e me të cilën shprehje do të thotë më shumë se me çdo fjalë tjetër nga fusha e tij semantike. Xoxa e di këtë. Ai i përjeton njerëzit e këtij nënqielli, myzeqarët e kosovarët, si shumë të afërt, shumë të dashur, prandaj në veprën e tij hetohet fuqishëm dashuria, dashuria që ndien ai për ta, pavarësisht a janë të Veriut a të Jugut, a janë të krishterë, apo myslimanë.
Ata kishin fatin e njëjtë, historinë e njëjtë, gjuhën e kombin e njëjtë.