Figura të njohura të kinematografisë, muzikës, futbollit dhe gazetarisë, u ndanë nga jeta gjatë vitit 2021. Disa nga shkaqe natyrale e të tjerë si pasojë e Covid-19. Ajo çka vlen të përmendet dhe duhet të përmendet edhe pas ikjes së tyre, është kontributi, vlera dhe emir që ata kanë lënë pas.
Dhimitër Orgocka
Në ditën e parë të vitit të ri është ndarë nga jeta regjisori dhe aktori i njohur Dhimitër Orgocka, në moshën 84-vjeçare si pasojë e një hemoragjie cerebrale. Orgocka vuri në skenë 104 premiera në teatrin e Korçës, Shkodrës, Fierit, Elbasanit, Prishtinës, Shkupit. Regjisori mbante titullin “Mjeshtër i Madh”. Orgocka numëron 82 role të interpretuara në skenën e kinematografisë shqiptare, ndër të cilat filmat: Gjeneral Gramafoni, Rrugicat që kërkonin diell, Njerëz në rrymë, Asgjë nuk harrohet, Yjet e netëve të gjata.
Andon Qesari
Më 13 Shkurt u nda nga jeta aktori i njohur Andon Qesari, në moshën 78-vjeçare, për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Andon Qesari mbante titullin “Artist i Popullit”. Punën e parë si aktor e ka filluar më 1975 në Teatrin Popullor, ku u vendos përfundimisht si aktor në vitin 1977. Qesari ka interpretuar në shumë role Roli i tij i parë do të jetë me premierën e dramës “Shënomëni dhe mua” e Hilmi Minarollit, më tej do të vazhdonin rolet e tjera si : Aleksi tek “Doktori pacient” e Ruzhdi Pulahës, Qamil Beu tek “Epoka para gjyqit” e Ekrem Kryeziut, Ksanthi tek “Dhelpra dhe rrushtë (Ezopi)” e Guilherme Figueiredo, Konti tek “Fernando Krafi më ka shkruar një letër” e Dorstit, Feni tek “Furnalta” e Ruzhdi Pulahës e shumë të tjerë.
Xhemil Tagani
Xhemil Tagani u nda nga jeta më 4 Janar, në moshën 75-vjeçare. Aktori ka interpretuar më shumë se 70 role në teatër kryesisht në dramaturgjinë kombëtare. Punën si aktor, Tagani e nisi më 1968 në Teatrin Popullor. Ndër rolet kryesore të tij janë: Agroni te “Shokët”, Alqi te “Studentja e vitit të fundit”, Tushka te “Një nuse për Stasin”, Uçi te “I pazvëndësueshmi”, Selimi te “Bashkë me Agimin”, Ina te “Arturo Ui”, Peç Mbloçi te “Lumi i vdekur”, Reizi te “Duke u gëdhirë viti 1945”, Samiu te “Kështu të dua”, Thomai te “Nën dritat e skenës”, te “Kryqi i bardhë”, etj.
Agim Krajka
Kompozitori Agim Krajka u nda nga jeta në 2 mars të këtij viti. Krajka u shua në moshën 83-vjeçare. Prej se filloi punë në Asamblin Shtetëror e deri sa mori titullin “Nder i Kombit”. Kompozitori ia kushtoi karrierën e tij artistike, folklorit muzikor. Kënga ‘Lemza’ ishte e para në Festivalin e RTSH-së të kompozuar prej Agim Krajkës në vitin 1961. Kënga e dytë ishe ‘Djaloshi dhe shiu’ për t’u pasuar më vonë nga ‘Kënga e Gjyshes’.
Guljelm Radoja
Më 5 maj Covid-19 i mori jetën aktorit të njohur, Guljelm Radoja. Artisti qëndroi thuajse një muaj i shtruar në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ ku kurohej për koronavirusin, por nuk arriti dot t’ia dilte. I nderuar me titullin “Artist i Merituar”, në kinematografinë shqiptare, Radoja u aktivizua në më shumë se 30 role, ndër të cilat përmendim: “Kush vdes në këmbë”, “Gjurma”, “Mësonjëtorja”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Kolonel bunker”, dhe shumë të tjera.
Pirro Mani
Aktori dhe regjisori i njohur u nda nga jeta larg vendlindjes, përtej oqeanit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pirro Mani ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare. Ai punoi për 25 vite në Teatrin Kombëtar. Roli që spikati më shumë në kinematografi ishte ai i “ballistit Sali Protopapa” në filmin “I teti në bronz”. Ndërsa në role të tjera ka luajtur në: “Cuca e Maleve”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12-të”, dhe shumë të tjera. Pirro Mani është nderuar me çmimin “Artisti i Popullit”, ndërkohë që ka marrë dhe shumë çmime të tjera.
Sherif Merdani
Artisti i njohur u nda nga jeta, më 29 gusht, në moshën 81-vjeçare, për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Merdani njihej si një nga këngëtarët më të mëdhenj të muzikës së lehtë shqipe, ndërsa karriera e tij do të merrte një pikë kthese në festivalin e 11-të të këngës, ku së bashku me disa kolegë përfundoi në burg nga regjimi i asaj kohe. Sherif Merdani bëri asokohe 16 vite burgim. Ai ka punuar gjithashtu si diplomat në ambasadën shqiptare në Romë. Disa nga këngët e repertorit të tij janë: “Kartolina”, “A do vish sivjet në plazh”, “Duart e tua (kënduar në festivalin e 11)”, “Se kënduam “Let it be”, “Simfonia e nënës”, “Shokë të pandarë”, “Takim pas vitesh”, “Sot ora shtatë”, e shumë të tjera.
Paulin Preka
Mjeshtri i humorit shkodran u nda nga jeta më 4 shtator të këtij viti. Artisti ndërroi jetë në Itali ku jetonte prej shumë kohësh. Artisti numëron me dhjetëra role në teatër dhe në kinematografinë shqiptare, si dhe ka spikatur në humorin shkodran. Ndër rolet kryesore të tij janë: “Fotografi”, “Kola i dritave”, “Familja-A, familja-B”, “Tuçi e Lokja”, “Dasme e Refikut”, “Mini e Minusha”, “Ëikend 96-76”, dhe të tjera.
Filika Dimo
Më 23 tetor, është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare aktorja shqiptare Filika Dimo. Aktorja jetonte prej kohësh në Belgjikë. Ajo u diplomua për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Pas përfundimit të studimeve, Dimo filloi punë në Teatrin Popullor në Tiranë pët t’u shkëputur më pas në Teatrin “Aleksandër Moisiu” ku numëron më të madh të kontributeve. Ndër filmat artistikë që ka luajtur janë: “Fletë të bardha”, “Mëngjese të reja”, “Koha nuk pret”, etj.
Fadil Kraja
Dramaturgu dhe shkrimtari i njohur u nda nga jeta më 18 nëntor, në moshën 91-vjeçare. Përveçse dramaturg, Kraja ishte edhe një letrar i shquar kombëtar. Krijimtaria e tij lidhet ngushtë me Teatrin Kombëtar Shqiptar dhe Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku ka kontribuar në 60 vitet e fundit. Ai mban titujt: “Kalorësi i urdhrit të Skënderbeut”, “Mjeshtri i Madh”, “Krenaria e Qytetit”. Mes veprave dramaturgjike të Krajës përmendim: “Fisheku në pajë”, “Sinjalet e natës”, “Shpartallimi”, “Gjaku i Arbërit”, “Kur flasin zemrat”, etj.
Hueyda El Saied
Ka ndërruar jetën në moshën 46-vjeçare nga një sëmundje e rëndë, balerina dhe moderatorja, Hueyda El Saied. Hueyda ndërroi jetë më 23 nëntor në Luksemburg. Në karrierën e saj, El Saied ka pasur privilegjin për të punuar në fusha të ndryshme si: televizioni, balet, këngë dhe pikturë. Ajo e nisi rrugëtimin e saj në spektaklin e “Dymbëdhjetë vallëzime pa një të shtunë”.
Edi Luarasi
Aktorja e mirënjohur, ikona e teatrit shqiptar u nda nga jeta më 3 Dhjetor, në moshën 81-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Luarasi u ngjit në skenën teatrale në një moshë të re. Ishte vetëm 6 vjeçe kur këndonte në skenën e Teatrit të Estradës. Ajo u diploma për aktrim në vitin 1963 dhe më pas hyri në Teatrin Kombëtar. Roli i saj i parë ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard”, për tu pasuar më vonë me role të tjera si “Mbreti Lir”, “Cuca e Maleve” dhe shumë të tjera.
Vladimir Grillo
Pasditen e 30 dhjetorit, u nda nga jeta komentatori dhe gazetari sportive, Vladimir Grillo, në moshën 74-vjeçare. Me një eksperiencë mbi 40 vjeçare, Grillo u shndërrua në ikonën e gazetarisë sportive. Vitin e kaluar, më 2 korrik 2020, presidenti Ilir Meta e dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh”. “Për kontributin dhe vlerat e veçanta në përcjelljen me cilësi të veprimtarive sportive, duke promovuar arritjet në disiplina të ndryshme sportive, si një komentator sportiv i spikatur në Radio-Televizionin Shqiptar, me vlera estetike e qytetare”. Politiko.al