Arlind Farizi – Libri me tregime, proza të mirëfillta letrare “Konkubina” të Agim Vincës, është një portret i një shkrimtari në rini, një sagë e fëmijërisë, një histori kurrë e shkrueme që ka pritë kohën e duhur të botimit, një kujtesë madje edhe e detajeve të autobiografisë, një autofiksion i një poetikë të rralle letrare, një palimpsest poetik.
Paul Riceur thoshte se “ krejt çka rrëfejmë ndodh në kohë merr kohë dhe shtjellohet në kohë; e ajo cka shtjellohet në kohë mund të jetë e rrëfyer”.
Edhe te “Konkubina” ky shqyrtim shkencor përbëhet nga dy pjesë, njëra më definuese dhe tjetra operuese. E para, e trajton kohën si fenomen filozofik dhe linguistik e letrar, dhe e dyta në fokus ka kohën si kategori narrative dhe intertekstuale.
Profesori dhe poeti, në rastin e botimit në fjalë dhe mjeshtrit të tregimit, Agim Vinca ka traditë përsiatjeje për kohën. Përmes autofiksionit, përmes personazhesh emrash të përveçëm jepen tablo të jetës së autorit. Autori e përdor autofikcionin si konvencion për afërsi më të madhe mes vetës dhe lexuesit.
Ai thjesht do që te jetë i sinqertë më të. Ai del përtej refleksionit augustian të kohës, kur flet babain, në tregimin Fotografia e tim eti ( Letër nga Amsterdami). Ai tipizon babain si personazh të rrallë, edhe pse si personazh real ai mund të lexohet dhe ndryshe, si një baba mikpritës dhe evropian. Babai shfaqet dhe te tregimi Babai&Radio Tateshi, të cilin e përshkruan si njëri I urtë e paqësor.
Lidhja me botën përmes valëve të radios që shpesh vinin si miza miza është një imazh I një kohe e cila ka gjurmës e saj në kujtesën e autorit. Ajo radio, ishte zë i reagimit, një disidencë e cila siç thotë autori shpesh bënte dhe “probleme në familje”.
Një syth i veçantë i tipizimit të babait është një fjali e shkurtër e dhënë në funsnotë: “baba, ti je idiot”. Ky element do studimin e vet të veçantë.
Një temë tjetër hapet si një derë e vogël Brenda një interpretimesh. Vinca ka personazhin e tij real që ka emrin Internim. “Një fëmijë që erdhi në jetë me emrin e vetë”[1] Ai pas sagës së rëndë familjare iku nga vendlindja, por jo dhe nga vetja!
Vinca shpesh përmend shokët e klasës, Abedin Toskën, e Melaniun, biblotekisten Nurie dhe Evën, Toton – kushërirën nga Tiranë, Ymygjylin, e disa tjerë të cilën i rendin në raftim më mirë të kujtimeve. Këto personazhe janë tipologjizime një miqësie që vazhdon të jetoj evergreenshëm.
Do ndalemi te Konkubina, tregimi Brenda përmbledhjes Konkubina. Një raport, një interliteralitet dashurie mes profesorit dhe studentes.
Tregimi nis me një ankesë kot se vajzën e kishte tradhtuar i dashuri I saj. Një formulë e njohur e viktimizimit në emër të përfitimit… Ajo kërkoi notën në emër të gjithçkaje që mund të dëshirojë profesori prej saj… Personazhi I studentes në tregimin e Vincës vishet me imazhin e konkubinës. Konkubina[2] jo e sulltanit por e profesorit.
Një raport pak i njohur në letërsinë tonë, (ngjashëm ka një moment të filmi Ferri Gabrielit ) një raport intim mes studentes dhe profesorit, një raport mes pasionit dhe profesionit, një raport mes arsyes dhe ndjenjës ku të dyja për mesatare kanë leximin. Profesori në moshë me gjithë tundimin që kishte tha Jo-në e tij, i mbyti ato brinjë bricjapi që e shtynin kah ajo, por ai është profesor, i ndershëm, dhe si i tillë do vdesë. “Ajo iku duke lënë pas siluetën e gjatë e seksi a la Kim Kardashian…”[3]
Edhe tregimi Në shtrofullën e djajve jep imazhe të një kronike, të një ditë jo të zakonshme marsi, ku ngjashëm si te Procesi i Kafkës, policia trokiti te dera. Proceset tilla ishin të shpeshta sidomos në vitet 1989 kur Kosova luftonte për jetë a vdekje. Bastisja është tregimi në të njëjtën vijë tematike.
Vazhdon narracioni njëjtë me përlotë kujtimesh të dhimbshme të një kohe të sertë. Regjisori, Isldeniku Mishë, Të shkosh në Shqipëri, janë rrëfime që ruajnë të freskët temperaturën e kohës së rëndë politike, gjurmë që lexuesit të së nesërmes i duhet si rrëfenjë dhe udhë-rrëfim.
Gjithë përmbledhja me tregime, karakterizohet nga një model i vecantë shkrimi e stili, struktur, koherencë dhe kohezioni. Mund të konceptohet si një sistem shumështresor kuptimet e cilave përcaktohen nga kontekstet, përmes ngjarjesh të veçanta të jetës së autorit. Përmes autifikcionit autori ka krijua sistemin e tij singular, pra sistemin poetike autoreferencial.[4]
Konkubina është një vepër e rëndësishme e letërsisë bashkëkohore, një vlerë e shtuar në panoramën e madhe të tregimit shqiptar. Kjo vepër e kërkon lexuesin bashkëpunëtor, që do bashkë-ndjejë me autorin dhimbjen dhe dashurinë e njeriut për njeriun, e kërkon lexuesin e mençur që di ti gjejë dhe ti kuptojë mirëfilli autobiografemat e poetikës agimijane…
Agim Vinca, mbetet poeti, profesori, dhe tregimtari mi mirë i letërsisë bashkëkohore, autori me tri shtete dhe një atdhe, autori që duhet rekomanduar, autori që duhet lexuar e studiuar, autorit që mbi të gjithë është mik, në kuptimin më blatues të fjalës.
[1] Agim Vinca, Konkubina, Syth, Tetovë, 2020, f.20
[2] “Fjalori i gjuhës shqipe”, Tiranë, 2006, lidhur me fjalën “konkubinë”, duhet të njohësh mirë frëngjishten, italishten ose anglishten që ta dish ç’kuptim mbart ajo: kjo fjalë vjen nga latinishtja concubina dhe ka kuptimin “që fle me dikë” (sigurisht jo për të gërhitur në kor, por për t’u çiftuar), ndërsa “konkubinazh” quhet statusi i një burri dhe i një gruaje që jetojnë bashkë në çift e në të njëjtën banesë, por pa qenë të martuar zyrtarisht; nga ana tjetër, flitet për konkubinazh heteroseksual e për konkubinazh homoseksual dhe, në këtë pikë, shembujt janë të shumtë në shoqërinë tonë tashmë të emancipuar (të emanqishpuar?) seksualisht.
[3] Agim Vinca, Konkubina, Syth, Tetovë, 2020, f.64
[4] Agron Gashi, Mizanteksti, Prishtinë, Parnas 2021, f.19