Hartimi i dosjes “Moti i Madh” në UNESCO është projekt i fondacionit universitar “F.Solano” me Universitetet (Kalabri, Palermo, Salento, Milano, Venecia) drejtuar nga Francesco Altimari. Akademia e Shkencave është pjesë e grupit të punës për dosjen e kësaj trashëgimie mbi 500-vjeçare. Kryetari i ASH akad. Skënder Gjinushi ishte qytezën arbëreshe Vakarici (Vaccarizzo Albanese) për të mbështetur kandidaturën e praktikave rituale arbëreshe të pranverës “Moti i Madh” për njohjen si një sit i trashëgimisë botërore të UNESCO -s.
ASH shkruan se kryetari Gjinushi siguroi grupin e punës se mbështetja institucionale do të jetë e përhershme dhe në rritje. “Jo vetëm për dosjen “Moti i Madh”, por në përgjithësi për trashëgiminë arbëreshe në tërësi, për studimin dhe botimin e saj, Akademia e Shkencave do të shtojë vëmendjen dhe investimin intelektual. Regjistrimi në UNESCO i njeh asaj një vlerë që ka merita dhe rëndësi jo vetëm për komunitetin, por edhe për kulturën njerëzore”, shprehet akademia. Akad. Francesco Altimari bëri të njohur kronologjinë e projektit “Moti i Madh”, numrin e madh të universiteteve dhe të studiuesve që kanë kontribuuar për aspektet shkencore të dosjes. Akad. Matteo Mandala u përqendrua në kushtëzimin zanafillës të riteve e ritualeve kalendarike-pranverore arbëreshe e shqiptare me rrjedhat e ciklike të jetës agrare.
Akad. Shaban Sinani paraqiti punën që ka bërë skuadra shqiptare për plotësimin e dosjes “Moti i madh” me një fashikull nga trashëgimia e ngjashme në Shqipëri, duke theksuar ciklet kryesore.
Sinani theksoi se pjesa më e madhe e tyre janë desakralizuar dhe madje një pjesë janë kënduar edhe në skena, duke përfshirë periudhën komuniste, si këngë lodra apo ushtrime vjershërimi e kujtese. Në konferencë përshëndetën Meri Kumbe, zëvendësministre e Kulturës, Anila Bitri ambasadore e Shqipërisë në Itali dhe Lendita Haxhitasim, ambasadore e Kosovës.