Libri “Në fillimet e qytetit ilir” (2020) i prof. Neritan Cekës i botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në një vëllim prej 168 faqesh tekst, 128 figurash dhe 16 tabelash me ilustrime, paraqet një sintezë të kërkimeve shumëvjeçare, që autori ka realizuar në hulumtim të origjinës së qyteteve ilire.
Ky libër përbën një studim monografik mbi një temë, që në pamje të parë duket mjaft e trajtuar në studimet arkeologjike. Por kur njihesh me përmbajtjen themelore të punimit, kuptohet se autori, pasi i ka njohur mirë të dhënat e autorëve antike, pasi ka gërmuar në qytete ilire dhe pasi ka gjurmuar me një vemendje jo të zakonëshme një terren të gjerë të Ilirisë së Jugut, depërton me një këndvështrim të ri për kohën, duke rrokur problematikën e lindjes së qytetit ilir. Ky këndvështrim shumëplanësh, ka mundësuar në ndriçimin e fillesave të krijimit dhe në zhvillimin e mëtejshëm të qytetit ilir, si fenomen urban, por edhe si dukuri shoqërore, politike dhe kulturore.
Tema e qytetit ilir na çon drejt njohjes në detaje të fizionomisë së jetës në Ilirinë e Jugut gjatë shek. IV-I para Kr. Kjo temë, tanimë e trajtuar, nuk mund të ketë kufij të njohjes shkencore, duke mbetur objekt i shqyrtimit gjithnje e më të detajuar për arkeologjinë në përgjithësi dhe për atë shqipare në veçanti.
Qyteti është trajtuar që herët në literaturën arkeologjike mbi Ilirinë e Jugut, por ai përfshihej gjithmonë në sferën e qytetërimit grek apo të ndikimit të tij. Mendimi arkeologjik shqiptar ka njohur një evolucion të vazhdueshëm gjatë trajtimit të problemeve që lidhen me rrugën e urbanizimit të Ilirisë. Që në gjurmimet e para, gjeneza e qyteteve ilire është vështruar në këndvështrime të ndryshme. Disa e kanë parë të lidhur ngushtë me ndikimin e kolonive helene të bregdetit. Ndërsa të tjerë e kanë trajtuar si nje fenomen autokton, i lidhur me zhvillimin vendas, që nga vendbanimet e periudhës së parë të hekurit.
Problemi i karakterit të qyteteve ilire ka qenë trajtuar gjerësisht në literaturën arkeologjike. Botimet e veçanta, apo edhe sintezat për qytetin ilir, e marrin në shqyrtim atë kryesisht duke filluar nga shek. IV p.e.sonë, d.m.th., në kohën kur ai ishte plotësisht i formuar. Ndërkohë që çështja e origjinës dhe e rrugës së formimit të këtij qyteti, ka mbetur pak e thelluar. Pikërisht këtë boshllek plotëson ky punim i autorit. www.akad.gov.al