Halil Rama – Ndërsa po ndiqnim natën e dytë të edicionit të 14 – të të Festivalit Folklorik “Kërçovë 2021”, drejtori i këtij eventi Mazllam Osmani na dhuron një botim me studime etnografike të krahinës, në të cilin kishte disa referenca nga Hazis Ndreu – Nderi i Kombit. Jo pa qëllim kishte zgjedhur për të na bërë këtë dhuratë, çastin kur në sheshin para pallatit të kulturës të komunës së Kërçovës po performonte grupi i valleve të Ansamblit që mban emrin e studjuesit, poetit, aktorit, valltarit e koreografit të mirënjohur.
Më tej, gjatë bashkëbisedimit ai shprehet se ka qenë fare i ri kur ka dëgjuar dhe është mrekulluar me këngët, rapsoditë e kërcimet e tij. sidomos në vallen dyshe dibrane me kërcimtarin e mirënjohur Besim Zekthi. Në këtë kontekst ai vlerëson ruajtjen e traditës nga ky ansambël me emrin e tij, valltarët e të cilit, me performacën e tyre të shkëlqyer ngritën peshë zemrat e artdashësve të shumtë që kishim nbushur sheshin para Pallatit të Kulturës të qytetit të Kërçovës. Kjo ndërlidhje e traditës, parasëgjithash është dëshmi e zhvillimit të artit si pasion dhe mision. Këtë e dëshmojnë më së miri përvoja dhe arritjet e Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit”, i cili në 10 vjet veprimtari intensive ka konkuruar dhe fituar dhjetra trofe e çmime në Festivale mbarëkombëtare e ndërkombëtare. Vetëm para pak ditësh ky Ansambël triumfoi në edicionin e 18-të të festivalit mbarëkombëtar “Sofra Dardane”, që u mbajt në Tropojë me pjesëmarrjen e 40 grupeve, ku u nderua me Çmimin e Madh të këtij Festivali. Në repertorin e këtij Ansabli numërohen me dhjetra valle, këngë e interpretime të tjera krijuese, me të cilat ka “pushtuar” hapësirat mbarëkombëtare e ato ndërkombëtare si në: Turqi, Rumani, Bullgari, Itali, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, etj. Të shtunën e 10 korrikut ky ansambël konkuroi dhe u vlersua si më i miri në Festivalin e 14-të ndërkombëtar në Kërçovë, Maqedonia e Veriut.
Ky është parasëgjithash vlerësim i Drejtorit të Festivalit Mazllam Osmani. I ngazëllyer nga mikrpritja e autoriteteve kulturore kërçovare dhe veçanërisht nga performanca e grupit të valleve të Ansamblit “Hazis Ndreu”, Presidenti i këtij Ansambli, Muharrem Gjoka- “Mjeshtër i Madh” do të shprehej se: “Ky ansambël, i themeluar dhe drejtuar nga Avni Ndreu, i biri artist i artistit të Madh Hazis Ndreu- “Nderi i Kombit”, është një Ansambël grupesh zinxhir (akademi), të organizuar në grupe nga mosha 5 vjeç e lartë. Ai pohon se janë me qindra artistët që kanë kalur në përvojën e këtij Ansambli në këto 10-vjet, duke mbushur skenat dhe sheshet e Tiranës, Kamzës, Ulqinit, Dibrës, Tropojës, Strugës, Tetovës e mbarë Shqipërisë. Në shfaqjet e organizuara herë pas here nga ky ansambël kanë performuar artistët: Arif Vladi – Mjeshtër i Madh dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut, Qerim Sula – Mjeshtër i Madh dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut (pas vdekjes), Liri Rasha – Mjeshtër i Madh dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut, Vera Laçi – Mjeshtër i Madh, Sherif Dervishi – Mjeshtër i Madh (pas vdekjes), Dardan Pepkola, Zaim Tollja si dhe këngëtarja dhe valltarja e shumëtalentuar Erida Stana, valltarët: Adem Kurti, Fabjon Isufaj, Fatjona Ismailukaj, Eralda Jaurri, Serxho Rriçku, Ergys Doçi, Kristjan Kavalli, Marsida Zhgjuni, Orinda Prenci, Rexhina Qerimi, Livia Bushpepa, Ledion Zhgjuni, Jugers Muça, Sara Ndreu e tjere. Krijmtaria e këtij ansambli, e ardhur nga ajka e kompozitorëve si: Përparim Tomçini – Mjeshtër i Madh (pas vdekjes), Edmond Zhulali – Mjeshtër i Madh dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, Kol Susaj – Mjeshtër i Madh, dhe udhëheqja artistike nën drejtimin e “Mjeshtrit të Madh” Xhelil Ymeraj dhe mjeshtrit të koreografisë Avni Ndreu – “Mjeshtër i Madh”, ja kanë rritur vlerat dhe përmasat këtij ansambli duke i dhënë statusin e një ansambli kombëtar profesionist. Ansambli ka performuar në disa televizione prestigjoze ndërkombëtare e kombëtare si: Rai Uno, Tv Romania, TRT Turk, RTK Kosovë, RTV Koha Tetovë, Top Channel, Vizon Plus, Tv Klan, TVSH, etj. Ndërsa vetë Presidenti Muharrem Gjoka, i cili gjendet prej vitesh pranë këtij grupimi artistik, si një dorë e ngrohtë, inkurajuese dhe mbështetëse është një emë që e nisi jetën e tij artistike si një talent i skenës dhe i valles dibrane dhe sot nderohet si një burrë Dardhe dhe Dibre, i vlerësuar me Titujt “Mjeshtër i Madh” nga Presisdenti i Republikës dhe “Nderi i Qarkut Dibër”, nga Këshilli i këtij qarku.
Avni Ndreu – “Mjeshtër i Madh”, artisti që lartëson emrin e familjes
Nëse Ansambli Artistik “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit” është bërë i njohur për dhjetra trofe e çmime mbarëkombëtare e ndërkombëtare, kjo i dedikohet parasëgjithash një emri të spikatur. Ai është Avni Hazis Ndreu, themelues dhe drejtues i këtij ansambli emërndritur, të dekoruar me Titullin “Naim Frashëri”. Është ky, artisti që lartëson emrin e babait artist dhe të familjes së madhe “Ndreu” të Dibrës. Një emër që zë vend nderi në historinë e kulturës sonë kombëtare, i cili aktivitetin artistik e nisi më 1975 deri në 1978 si Përgjegjës i Shtepisë së Kulturës dhe Udhëheqës artistik i Ansamblit “Kuvendi” Dardhë, Dibër, Shtepia e Kulturës Zall-Dardhë. Avni Ndreu – “Mjeshtër i Madh”, i cili ka kryer Shkollën e mesme Pedagogjike në Shkodër me 1967-1971 dhe më pas Insitutin e Larte të Arteve, Tiranë më 1972-1976, prej shumë dekadash në krye të ansamblit “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit”, ka lartësuar emrin e tij, duke mbajtur gjallë dhe duke transmetuar sidomos tek brezat më të rinj, cilësi dhe vlera artistike të shumta. Me talentin e tij si koreograf, valltar e poet si dhe me aftësitë e tij artistike e organizuese i ka dhënë ansamblit ‘Hazis Ndreu’ një emër të madh në botën e kulturës shqiptare dhe përtej saj, duke përfaqësuar denjësisht vendin tonë. Kjo për faktin se ky ansambël është përçuesi dhe promovuesi i vlerave më të mira të artit e kulturës sonë kombëtare në botë. Treguesi më sinjifikativ për këtë janë çmimet e fituara në festivalet ndërkombëtare në Turqi, Rumani, Itali, Mali i Zi , Maqedonië e Veriut, etj. Po ashtu Ansambli Artistik “Hazis Ndreu” – Nderi i Kombit”, është fitues i çmimeve të para në festivalet mbarëkombtare, si: në fest “Këngë Jeho” Strugë, në fest mbarkombëtar Plavë e Guci, në festivalin e Rahovecit, Kosovë, në fest e Drenasit, në fest e Hasit, Kosovë, si dhe në fest “Burimet e Sharit”, Maqedoni. Po ashtu ka fituar Kupën e festivalit në fest mbarkombëtar të Gjimnastradës. Tiranë, çmim të parë në fest “Ruajmë Traditën” në Tiranë, në fest mbarëkombëtar të Talenteve të reja dhe artistëve të rinj në Pukë e shumë e shumë çmime të tjera. Krenare për arritjet e këtij ansambli ndjehet edhe koreografja e valltarja e talentuar Earta Ndreu, edhe për faktin që Ansambli mban emrin e gjyshit të saj, Hazis Ndreu – këngëtar, koreograf, valltar, studjues dhe shkrimtar i përmasave mbarëkombëtare…
Promovimi i vlerave më të mira të kulturës sonë kombëtare
Padyshim, merita kryesore e këtij Ansambli është promovimi i vlerave më të mira të kulturës sonë kombëtare. Kjo për faktin se atë që bënë burrat e shquar të Dardhës, para shtatë dekadash, duke themeluar Ansamblin “Kuvendi”, me në krye të shumëtalentuarin Hazis Ndreu, po e ripërtërijnë artistët e rinj të këtij Ansambli. Janë të rrallë burrat si Avni Ndreu e Muharrem Gjoka, të cilët edhe në këto kohë të vështira kontribuojnë për ringjalljen e traditës. I përkushtuar ndaj këtij misioni, Avni Ndreu shprehet me krenari se ky bilanc suksesesh është meritë e një grupimi artistësh të talentuar, që ka lënë kaq shumë gjurmë dhe ka fituar kaq shumë çmime brenda dhe jashtë vendit. Ndaj dhe duhen përgëzuar artistët e këtij Ansambli për atë rol të pazëvendësueshëm që kanë luajtur dhe vazhdojnë ta bëjnë, si përçues dhe frymëzues për brezat e sotëm dhe për ata që do të vijnë. Arti mbi të gjitha është pasion dhe mision, të cilin Avni H.Ndreu, Muharrem Gjoka dhe artistët e ansamblit që ata drejtojnë e kanë kryer me shumë përkushtim dhe me shumë atdhedashuri. Kjo edhe për faktin se në Dardhë dhe në Dibër, mbetet i papërsëritshmi “Nderi i Kombit”, Hazis Ndreu, emri i të cilit është gdhendur edhe sot, jo vetëm në kujtesën e secilit prej nesh, por edhe në ansamblin artistik që mban emrin e tij të madh dhe që drejtohet nga i biri, një krijues shumë i talentuar dhe koreograf i përmasave kombëtare, si Avni Ndreu. Ky Ansambël që ka shpalosur në skenat shqiptare dhe të huaja këngët dhe vallet tradicionale, veshjet koreografike si dhe meloditë e pasura burimore të shumë brezave nga treva të ndryshme shqiptare, përkushtimin, shpirtin artistik dhe talentin e interpretuesve, po jep kontribut të shquar në mbartjen, ruajtjen dhe përsosjen e traditave, folklorit dhe trashëgimisë sonë së çmuar etnokulturore. Fjala.al