Emin Azemi – Në hirin e kohëve gjithmonë ngelin gjurmët e atyre që kureshtjen e pasurojnë me njohuri të munguara, të cilat më vonë ose bëhen kronika të shkruara, ose rrëfehen si legjenda urbane. Por, gjithmonë ngelin ato kujtime të patretura nga kohët, të cilat në vete ngërthejnë palcën e identitetit material e shpirtëror të një qyteti.
Kështu ka ndodhur edhe me Shkupin, mbi historinë e të cilit janë shkruar shumë libra, monografi e kujtime të ndryshme nga autorë të huaj dhe më pak nga ata vendorë. Ky interesim për Shkupin përbënte edhe misionin thelbësor të udhëpërshkruesve, konsujve, shkrimtarëve, gazetarëve e studiuesve të shumtë për të nxjerrë në pah anët e dukshme dhe të padukshme të këtij qyteti antik, duke filluar nga zanafilla e formimit të tij, e deri te proceset e mëvonshme historike, gjeopolitike e qytetëruese, pa përjashtuar edhe ridisenjimet e nduarnduarta urbanistike-arkitektonike që janë shoqëruar me instalimin e regjimeve e administratave të ndryshme.
Nuk mund të shkruash për një qytet pa pasur fillimisht një farë ndjesie të caktuar, jo vetëm intelektuale, por edhe emocionale e njerëzore për të. Kjo ndjesi e ka udhëhequr edhe Prof.dr. Ramiz Abdylin, i cili kredon e tij botëkuptimore e shkencore e ka ngushtë të lidhur me Shkupin, këtë qytet të lashtë, nëpër të cilin kalonte nervatura kryesore e trungut etnik shqiptar. Ai jo rastësisht e ka përqendruar vëmendjen prej studiuesi pikërisht në këtë qytet, për arsye se Shkupi në dioptrinë e tij paraqet piemontin e një lavdie që kishte ndodhur por që kishte mbetur e pa trajtuar, prandaj edhe ka zgjedhur të veçojë një prej periudhave më të pasura me ngjarje dramatike (1908 -1012), që ishin të lidhura ngushtë me aspiratat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe ideologut kryesor të saj, Abdyl Frashërit, sipas të cilit, Shkupi herë do kurdo duhet të jetë kryeqendra e Shqipërisë etnike.
Lidhjen e tij me Shkupin, Prof.dr. Ramiz Abdyli, tash së fundmi ka dashur ta shpërfaqë përmes një vepre që risjell në vëmendjen tonë lavdinë e dikurshme të këtij qyteti të lashtë.
Monografia “VEPRIMTARIA E KLUBIT TË SHKUPIT (1908-1912)” vjen në opusin shkencor të prof. Ramizit si gravurë e stilizuar mbi mermerin e kujtesës sonë kombëtare, e cila tash e tutje bëhet edhe më kuptimplote për arsye se historiografinë shqiptare e pasuron me një këndvështrim të munguar deri më tani, por edhe për faktin se, siç e thotë edhe autori: “motivi që më nxiti t’ia kushtoja këtë libër veprimtarisë politike dhe atdhetare klubit “Bashkimi” të Shkupit, është shqiptarësia e këtij qyteti ndër shekuj…”
Duke na e bërë të njohur veprimtarinë e Klubit “Bashkimi” të Shkupit, me kryetar Hamdi beun dhe nënkryetar Bajram Currin, autori hedhë dritë mbi një fazë të ndritshme të Lëvizjes sonë kombëtare, e cila e kishte vazhdimësinë e saj të pashkëputur që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1912).
Veprimtaria e këtij klubi kap dimensionin më aktiv të zhvillimeve politike e kombëtare në mbarë hapësirën shqiptare, atëherë kur po finalizohej përpjekja për një mëvetësi politike e shtetërore shqiptare, ku Shkupi jo rastësisht ishte zgjedhur epiqendra e atyre zhvillimeve.
Këtu qëndron edhe rëndësia e të shkruarit të këtij kapitulli të munguar të Historisë së shqiptarëve, për arsye se deri më tani askush nuk është marrur me klubet shqiptare, dhe sidomos me Klubin “Bashkimi” të Shkupit, që ishte shprehja e drejtpërdrejt e aspiratës së Rilindasve tanë që në çdo qytet shqiptar të bëjë dritë një kandil diturie e emancipimi.
Klubi i Shkupit, i ideuar si motor që do të vente në lëvizje ndërgjegjen kombëtare, me mjete politike dhe luftarake, ishte klubi i parë politik shqiptar që u themelua në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, vetëm disa ditë pas klubit të Manastirit, në fund të gushtit 1908.
Arsyet ishin të shumta, por nga ajo që shkoqitet në monografinë e prof.dr. Ramiz Abdylit, kuptojmë se Klubi i Shkupit, si organizatë politike-atdhetare e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, u themelua për të dy arsye kryesore: të mobilizojë së brendshmi masat që do të ishin në funksion të rezistencës dhe të afirmojë çështjen shqiptare në rrafshin ndërkombëtar diplomatik e mediatik.
Duke qenë bërthama e një qeverie të ardhshme, që prodhonte ngjarje edhe për gazetat shqipe dhe të huaja, ky klub jo rastësisht tuboi elitën politike dhe atdhetare të Vilajetit të Kosovës, dhe me këtë dëshmoi se shqiptarët nuk ishin pa aristokracinë e tyre të mendjes dhe revolucionarët e pushkës, të cilët Shkupin e kishin zgjedhur si qendër të veprimit të tyre. Sigurisht që me këtë fakt mbase nuk kanë mundur të pajtohen autorë të lajthitur që vinin nga proveniencat ballkanike, të cilët paturpësisht gënjenin opinionin ndërkombëtar mbi, gjoja, mungesën e shqiptarëve për kapacitete shtetndërtuese. Klubi i Shkupit jo vetëm se i demantoi këto konstrukte dashakeqe propagandistike, por konfirmoi gatishmërinë dhe aftësinë e shqiptarëve për të menaxhuar situata sipas nevojave e rrethanave që kërkoheshin. Mjafton të lexohen raportet e konsujve të huaj të cilët shkruanin, bie fjala, për ditët e Shkupit të çliruar nga kryengritësit shqiptarë, në ditët dhe javët e verës së vitit 1912, ku rendi dhe qetësia publike ishin vendosur si një përfitim për të gjithë banorët e qytetit, pa dallim përkatësinë e tyre etnike e fetare.
I pagëzuar me emrin “Bashkimi”, sipas shembullit të klubit të Manastirit, Klubi i Shkupit, siç na e bëjnë të ditur burimet e shumta arkivore e dokumentuese që i ka përdorur prof.dr. Ramiz Abdyli, kishte një fushëveprim mjaft aktiv, që si detyrë parësore kishte ndërgjegjësimin kombëtar të shkupjanëve më rrethinë dhe në Vilajetin e Kosovës, duke i dhënë jo pak hapësirë angazhimeve që do të kthjellonin kombëtarisht e kulturalisht edhe elementin shqiptar pro xhonturk të qytetit. Me këtë mund t’i përshkruhet edhe një meritë tjetër këtij Klubi, i cili kishte arritur të kontribuojë në orientimin properëndimor të shqiptarëve në një periudhë kohore kur për fatin e tyre vendosnin vendimet e padrejta të konferencave ndërkombëtare.
Klubi i “Bashkimi” i Shkupit e kishte hierarkinë e organizimit dhe veprimit, kurse Pleqësia ishte organi suprem që merrte vendime të rëndësishme. Pjesë e atyre veprimeve ishte edhe propaganda, që u sublimua me themelimin gazetës “Shkupi” e drejtuar nga publicisti dhe atdhetari, Jashar Erebara.
Në faqet e gazetës “Shkupi”, në gjuhën shqipe dhe turqishte, u trajtua problemi kombëtar shqiptar, pozita e tij në Perandorinë Osmane, lajme të ndryshme nga trevat shqiptare, pretendimet shoviniste të vendeve fqinje, Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Rusisë ndaj tokave shqiptare dhe informacione mbi ngjarjet në Perandori, Ballkan dhe në Evropë, si dhe probleme të tjera, si histori, bibliografia shqiptare, teknologjia etj.
Fryt i kësaj propagande ishte ndërgjegjësimi i shkupjanëve dhe i shqiptarëve nga qytetet tjera të Vilajetit të Kosovës për peshën që kishte në jetën e tyre veprimtaria e ideologëve e atdhetarëve të shquar, siç ishin Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Luigj Gurakuqi, Nikollë Ivanaj, Mit’hat Frashëri, Josif Bageri, vëllezëti Topulli etj. Të gjithë këta kishin kaluar edhe ditë e net të tëra në Bujtinën e Klubit të Shkupit, prej nga shpërndanin kronikat e një qyteti që po rizgjohej nga letargjia që e kishin futur sunduesit e ndryshëm dhe mendësia e fanatikëve fetarë.
Një fryt tjetër i kësaj propagande ishte edhe ndikimi që pati në rrethet e oficerëve shqiptarë në ushtrinë osmane për të bashkërenduar veprimtarinë kombëtare në funksion të bashkëngjitjes kryengritësve shqiptarë në fushëbetejat që do të zhvillohen më vonë në të gjitha krahinat shqiptare. Kjo atmosferë ndikoi që pas një kohe, pjesë e anëtarësisë së klubit u bënë edhe oficerë e ushtarë shqiptarë që shërbenin në garnizonin e Shkupit.
Klubi “Bashkimi” i Shkupit nuk ishte një organizëm i izoluar nga hapësira etnike shqiptare, prandaj ky ishte edhe qëllimi që me iniciativë të këtij klubi u hapën edhe klube të tjera në disa qytete të Vilajetit të Kosovës, si në Kumanovë, Mitrovicë, Tetovë e gjetiu.
Periudha në të cilën veproi Klubi i Shkupit përkon me disa zhvillimeve politike që i ndërmerrte administrata xhonturke në instalimin e frymës përjashtuese të elementit shqiptar nga jeta publike e administrative si dhe në favorizimin e alfabetit arabo-osman, një tendencë kjo në kundërshtim me vendimet e Kongresit të Manastirit që kishte përvetësuar shkronjat latine si bazë e alfabeti të ri të unifikuar
Këto marifete xhonturke janë vërejtur edhe gjatë proceseve zgjedhore, ku me të madhe u jepej hapësirë kandidatëve joshqiptarë, ndërkohë që Klubi “Bashkimi” i Shkupit, siç rezulton nga hulumtimet arkivore të prof. Ramizit, angazhohej që të votoheshin kandidatët shqiptarë me orientim kombëtar, dhe jo ata kandidatë shqiptarë që ishin në listat xhonturke, të cilët vunë interesat e tyre personale mbi ato kombëtare.
Se Klubi i Shkupit vepronte sipas një disipline dhe një hierarkie mjaft të strukturuar, flet edhe mënyra e organizimit të tij, ku si pjesë përbërëse ishte edhe Komiteti i fshehtë, një ndër komitetet më të shquara në Shqipëri, që i kushtohej kryesisht çështjeve që kishin të bënin me përgatitjen e rezistencës së armatosur që do të pasonte. Për rrjedhojë, Komiteti i fshehtë i Shkupit arriti të mobilizojë shtresat më të ndërgjegjshme të kombit përmes çetave të armatosura, siç ishte ajo e Ali bej Topallit, e cila pati një ndikim të madh në ndërgjegjësimin e popullit të këtyre zonave për kryengritje.
Duke iu referuar burimeve arkivore, autori vë në dukje se në zonat përreth Shkupit vepronin edhe çeta të tjera të cilat kishin paralajmëruan të gjitha fshatrat shqiptare të kazasë së Shkupit që çdo familje të dërgonte nga një mashkull në radhët e tyre që në bashkëveprim me kryengritësit e kazasë së Gjilanit të mbyllej Gryka e Kaçanikut.
Veprimtaria e Klubit “Bashkimi” të Shkupit nuk mund të shikohet e veçuar nga konteksti i ngjarjeve që po ndodhnin në atë hark kohor 1908-1912, dhe sidomos në fazën kulmore që u arrit me çlirimin e Shkupit. Prof. Ramizi në mënyrë eksplicite na e sjell atmosferën e çlirimit të Shkupit, duke e ndërlidhur këtë ngjarje madhore me një varg kryengritjesh që kishin ndodhur në Vilajetin e Kosovës e që kishin rezultuar me çlirimin e qyteteve të Rrafshit të Kosovës, dhe dominimit të Grykës së Kaçanikut, si formë e trysnisë mbi qeverinë xhonturke, që t’i plotësonte kërkesat e Kuvendit të Ferizajt.
Mbështetur në kronikat e gazetave të kohës dhe në raportet e konsujve, autori na e bën shumë të afërt atmosferën e çlirimit të Shkupit, e cila dominohej nga lajmet e përhapura për marshimin e kryengritësve drejt kryeqytetit Dardan Shkupit, të cilët ishin përqendruar fillimisht në pjesën veriore dhe verilindore të rrethinave të tij, rrjedhimisht në shpatijet e Karadakut të Shkupit dhe të Kumanovës.
Pjesë e kësaj atmosfere ishte edhe pritja që iu bë kryengritësve shqiptarë nga mijëra shkupjanë, të shoqëruar nga orkestrina “Zana e Malit”, që ishte pjesë përbërëse e Klubit “Bashkimi” të Shkupit.
Marrja e Shkupit nga kryengritësit shqiptarë nuk mbeti pa u regjistruar edhe nga diplomatët e huaj, të cilët autori i citon me pedanteri përmes fjalëve të njërit prej tyre i cili teksa vlerësonte marshimin e kryengritësve shqiptarë në Shkup, shkruante: “një veprim i përkryer dhe me një disiplinë të madhe”.
Autori gjithashtu sjell edhe përshtypjet e Eqrem bej Vlorës, i cili derisa po qëndronte ato ditë në Shkup, shkruante se shqiptarët e leckosur, të uritur, me këmbë të zbathura e të gjakosura “janë sjellë si xhentlemen në qytetin e pasur të Shkupit, më mirë se ushtritë e disiplinuara”.
Ku qëndron rëndësia e kësaj monografie?
Përpos që vjen me një aparaturë të konsoliduar shkencore dhe me burime të pasura bibliografike, autori, prof.dr. Ramiz Abdyli, për herë të parë në historiografinë tonë sjell të plotë veprimtarinë e një klubi në hapësirën e dikurshme shqiptare që ishte unike.
Klubi i Shkupit fuzionoi shqiptarët e të gjitha krahinave e të gjitha religjioneve dhe u bë, kështu, zëri më artikulues i interesave kombëtare në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Meritë tjetër e këtij klubi është edhe oksidentalizimi i veprimit kolektiv të shqiptarëve, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë arsimor e kulturor.
Por, të gjitha këto detaje e risi nuk kanë mundur të dalin dhe të bëhen pjesë e interesimit të lexuesit të sotëm, pa insistimin këmbëngulës të autorit – Prof. dr. Ramiz Abdylit, i cili përpos tjerash këtë vepër na e bëri edhe më të dashur me stilin e tij të shkruarit konciz e përmbajtësor, një vlerë kjo që e karakterizon gjithë opusin e tij shkencor e hulumtues. Exlibris.al