Lexuesi i romanit të Besnik Mustafaj me shumë gjasa ka iluzionin se po lexon një autobiografi. Për më tepër, protagonist-rrëfyes i librit është (ish) ministri i jashtëm dhe shkrimtari Besnik Mustafaj. Duke komentuar në libër këtë “keqkuptim”, rrëfyesi do të deklarojë: “E kisha të pamundur ta shkruaja këtë paragraf edhe nëse do të zgjidhja një gjuhë më asnjanëse, atë të zhveshur së jashtmi nga përjetimet personale dhe t’i jepja personazhit një emër i cili nuk do të kishte ngjashmërinë më të vogël me timin. Nuk do të mundja me asgjë të çlirohesha nga mendimi se lexuesit, sido që të jetë, do ta kuptonin se aty isha unë vetë dhe jo ndonjë pjellë e shpirtit të flaktë të shkrimtarit Besnik Mustafaj”. Në fillim të librit “Shkrimtari paralajmëron lexuesit e tij të dashur se nuk bëhet fjalë për roman autobiografik, edhe nëse një nga heronjtë e tij ka emrin e Besnik Mustafaj”. Ndërkohë, në vazhdim këmbëngul në këtë premtim (siguri), ndërsa elementë të tjerë që paraqiten në libër kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me realitetin e tij. Sigurisht, bëhet fjalë për marrëveshje që ka lidhje me romanin postmodern, kufijtë fluide ndërmjet fiction dhe realitetit, dhe rrjedhshmërisë në subjekt, në karaktere, krijimin e vetvetes, përfshirjen e lexuesit. Një rast veçanërisht i njohur i mëparshëm dhe analog me orvatjen e Besnik Mustafaj është ai i shkrimtarit amerikan Philipe Poth. Në një nga romanet e tij postmoderne, te Ngjarjet me nëntitullin Autobiografia e një romancieri, Zukerman, alter ego e Poth-it, në mjaft vepra të tij, komenton në letrën e tij drejtuar shkrimtarit se shumë libra të tij nuk janë gjë tjetër veçse rishpikja e vetvetes dhe plotëson: “Ke shkruar për metamorfozat e vetvetes kaq shumë herë sa tashmë nuk e di më se kush je apo kush ke qënë. Ajo që je është një tekst në lëvizje”.
Shkrimtari Besnik Mustafaj ka lindur në 1958. Është poet dhe romancier dhe ndër më të lexuarit jashtë shtetit, ndërsa vepra e tij është përkthyer në shumë gjuhë. Në 1999 ka marrë Çmimin e rëndësishëm Medicis në Francë për romanin e tij “Boshi”. Ka qënë ambasador në Francë (1992-1997), anëtar i Kuvendit të Shqipërisë dhe ministër i jashtëm (2005-2007) në qeverinë e Berishës.
Këto dy cilësi, ajo e shkrimtarit dhe e politikanit, janë parametri thelbësor i romanit “Autobiografi në teleskop”. Libri nis me pjesëmarrjen e Besnik Mustafaj si ministër i jashtëm i Shqipërisë në konferencën e shteteve mesdhetare. Në hotelin në Monako, përpara fluturimit për në Nikea, i afrohet Ana B., këshilltare e presidentit të Sllovenisë. Megjithë keqkuptimet, ata të dy do të zhvillojnë një marrëdhënie erotike. Ndërkohë, Ana B. është e njëjta protagoniste me atë të romanit “Boshi”; skena erotike me Arturin. Në këtë mënyrë, të dyja cilësitë, ajo e politikanit dhe e shkrimtarit, luajnë rolin e protagonistit në roman. Vazhdimisht, politikani Mustafaj është në kundërshti me shkrimtarin Mustafaj, i cili akuzon politikanin për privim të lirisë së tij. Madje, edhe “njohja” e tij me Ana B., rezulton nga mohimi i ministrit të jashtëm për të pranuar propozimin e presidentit të Sllovenisë për të pirë një kafe, sepse shkrimtari Mustafaj parapëlqeu të lexonte një përmbledhje poetike të Homer Aritzit.
Vetë Mustafaj duket se në të vërtetë është i ndarë mes këtyre dy cilësive të tij. Madje thuhet se në 2007 dha dorëheqjen nga pozicioni i ministrit të jashtëm për t’iu përkushtuar të shkruarit letrar. Në një intervistë të tij të vjetër dhënë Filip Drakondaidi (Hapi, 28 nëntor 2008), ka deklaruar: “[…] mbetem një shkrimtar që bën edhe politikë, jo një politikan që shkruan libra. Letërsia, për rrjedhojë, ka përparësi, pasi më lejon të ruaj lirinë time të brendshme dhe më mbron nga ndotja e politikës”. I referohej me trishtim situatës që mbizotëronte në skenën politike të Shqipërisë, duke theksuar se “pushteti ka kaluar në duart e nomenklaturës së vjetër, në duart e njerëzve që kanë lidhje me mafian”.
Mustafaj, shumë herë, ndërfut edhe një vetvete të dallueshme në rrëfimin e tij, përveç atë të shkrimtarit dhe të politikanit. Ky rrëfimtar vëren konfliktin ndërmjet ministrit të jashtëm dhe shkrimtarit: “sepse duhet të isha dëshmimtar në këtë grindje të dy të panjohurve që me shumë gjasa janë binjakë, kaq shumë ngjanin me njëri-tjetrin”(fq. 437)-«ne të tre»-. Në vazhdim, shënon: “Shkrimtari ishte egërsuar më shumë. Ndërkohë, politikani ishte bërë një grusht njeri dhe i heshtur dëgjonte me kokën e futur ndër supe” (fq. 438). Kështu, libri zhvillohet në një roman për “konfliktin” ndërmjet politikanit dhe shkrimtarit. Ky fluiditet intensifikohet me alternativën e përdormit të vetës së parë dhe të tretë njëjës, të distancuar, (edhe pse kjo e fundit shfrytëzohet në mënyrë të veçantë në historitë e tij të shpeshta si të futura në kuti).
Rrëfimi zhvendoset nga e tashmja në të shkuarën e afërt (kapitujt në Nikea dhe në Bruksel) mbrapsht, në kohën e regjimit komunist të Enver Hoxhës pas Luftës së Dytë Botërore, deri në rënien e tij. Madje, përshkruhen edhe referime në kohë më të vjetra të historisë shqiptare. Në Bruksel, Mustafaj do të takojë në një darkë jo zyrtare me emigrantë shqiptarë, të njohur të vjetër, ish nxënës dhe miq. Në këtë mënyrë, kujtesa do të aktivizohet, për të kujtuar vitet e regjimit komunist. Çështjet e tjera që shqetësojnë shkrimtarin janë lidhja e politikës me krimin, krimi i organizuar i emigrantëve shqiptarë, problemi i refugjatëve në Europë, por mbi të gjitha, e kaluara komuniste e Shqipërisë: frika, Sigurimi, përndjeja e fantazmave për të gjetur “armiqtë e popullit”, akuzat e paqëna ndaj qytetarëve, denoncimet e spiunëve, tronditja e besimit, edhe mes miqve, internimet, burgimet, shkatërrimi i jetëve. Mustafaj tregon kundërshtitë në Shqipërinë e të tashmes dhe të së shkuarës. Kritikon, psh. ish zyrtarë të regjimit komunist, të cilët u privonin lirinë qytetarëve, por që sot shkruajnë dhe botojnë kujtimet e tyre duke mbrojtur të drejtën e tyre në lirinë e shprehjes.
Një pjesë e librit ka karakterin e romanit të pjekurisë. Me interes të veçantë është fakti se romanin e përshkon aventura e shkrimit. Duke shfrytëzuar teknikat moderniste, shkrimtari na fut në laboratorin e tij, duke na paraqitur variante të ndryshme të historisë së tij, duke përsëritur skena të ngjashme, shumë pak të ndryshme nga njëra-tjetra, por me këndvështrime të ndryshme, duke adaptuar dyfaqësi, duke shpalosur plane dhe qëllime për shkrimin, në përgjithësi duke zhvilluar romanin brenda romanit dhe duke zbuluar përpara syve të lexuesit lindjen e një libri.
Shkrimtari adapton teknika të shumëllojshme, si mbyllja, shmangiet, parandalimet, përsëritjet e qëllimshme, historitë absurde që deri diku arrijnë në kufijtë e realizmit magjik dhe zakonisht jepen me doza të forta humori, fakt i cili kontriubon në kënaqësinë e leximit të tekstit (psh. gjeli që bëri vezë, gënjeshtrat dhe fuqia e mbinatyrshme e Selami Beshirit, ndërhyrja e Shqipërisë në zgjedhjet amerikane që të mos zgjidhej Obama). Komentet e rrëfyesit, i cili, siç u përmend edhe më lart, lëviz me rehati ndërmjet rrëfimit në vetën e parë dhe rrëfimit në vetën e tretë, janë të shpeshta, ndërsa ndonjëherë i drejtohet vetë rrëfyesit. Mustafaj dallohet për aftësinë e tij rrëfimtare dhe teknikat rrëfimtare të papërsëritshme. Në këtë mënyrë, leximi i romanit është një aventurë unike leximi.
Botuar në revistën letrare tovivlio.net, më 22.6.2021 / Përktheu nga greqishtja: Maklena Nika.
*Emilio Solomou (Αιμιλίος Σολωμού) – shkrimtar qipriot, fitues i Çmimit Letrar Europian për Letërsinë 2013.
Në shqip qarkullojnë dy romane të tij nga Botimet Toena: “Ditari i një pabesie” dhe “Urrejtja, gjysma e hakmarrjes”.