• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E premte, 23 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

Zija Çela: Prush në mish

18/06/2021
| Kulturë, Shqipëri

Nuk di si m’u dha, por atë mbrëmje kisha nxjerrë nga rafti makinën e shkrimit dhe, pasi kisha vënë letrën e bardhë, po luaja kuturù me shkronjat, si për të vënë në provë kujtesën e tastierës së saj. Për të mundur vetminë, në atë orë zakonisht bëja ndonjë Spider në kompjuter. Pak minuta dhe më ra zilja e telefonit. “Mos”, murmurita nevrik, “kushedi sa gjatë do të më mbajë me rrëfimet e tij!” Ishte Nazifi.
Këtë Nazifin e kisha njohur dikur në rrethina të qytetit, në një ditë dimri me shiun rrebesh, kur isha detyruar të parkoja para një kafeneje të vogël buzë rrugës. Megjithëse pronar, ai bënte edhe punën e banakut. Tha se më njihte, më kishte fiksuar në panairin e fundit të agro-teknikës dhe më kërkoi miqësi në Facebook. Ishte një burrë me shtat mesatar, me faqet që i gufmoheshin kur fliste, flokët e butë e të shkallëzuar dhe sidomos sytë, sytë e mëdhenj që ia nxirrnin mirë në pah vetullat e holla. Sapo “nënshkruam” miqësinë, m’u ankua për sëmundjen e së shoqes dhe pyeti nëse njihja ndonjë mjek të mirë, që i trajtonte njëlloj si pacientët e qytetit, si ata të fshatit. (Ai banonte familjarisht në fshatin aty afër.) Mirëpo, megjithëse e ndihmova dhe gruaja u shtrua në spitalin publik, sëmundja nuk pati shërim.
Qysh prej asaj kohe, edhe pse kaluan vite, Nazifi më telefononte herë pas here. Ndodhte edhe pesë herë brenda muajit. Dhe në të pestat për të më pyetur si isha me shëndet (Po shëndeti i zonjës? Dija kimetin gruas, Andrea!), për të më shprehur mirënjohje dhe për të rrëfyer ndonjë kujtim nga bashkëshortja e ndjerë. Ai nuk e dinte se, dashje pa dashje, telefonatat e përsëritura më jepnin bezdi, ndoshta ngaqë edhe vetë kujtimet e tij po bëheshin gjithnjë e më përsëritëse. Por atë natë ndodhi ndryshe.
E hapa telefonin duke vazhduar lojën me tastat dhe ai pyeti i hutuar:
– Miku im, ç’është ky kallash matanë?
Qortova veten për pakujdesinë, por përfitova për një të fshehtë, që atij nuk ia kisha thënë. Dhe, me këtë rast, e përforcova kështu të fshehtën time:
– Është gruaja që punon në makinën e shkrimit. Mos u bëj merak, Nazif, kallashi ndalon menjëherë!
Pastaj, sapo hoqa duart nga tastiera, m’u drejtua:
– Ty as nëpër mend nuk të shkon një gjë, Andrea.
– Çfarë? – u bëra kureshtar.
– Unë kurrë s’e kam parë time shoqe duke fjetur.
M’u duk sikur krejt papritur Nazifi bëri një zhvendosje, nga periferia më kaloi në qendër të vëmendjes.
– Si, si?! – më shpëtoi mua.
Dhe ai, me të njëjtin zë e të njëjtin gulsh të frymës, përsëdyti po ato fjalë: “Unë kurrë s’e kam parë time shoqe duke fjetur.”
Tashmë e kisha dëshiruar vetë përsëritjen. Ai kishte thënë diçka që asnjëherë s’e kisha dëgjua më parër. Do të shkonte gjatë, po t’jua numëroja shkaqet (vetë i dëgjova me durim) përse nuk e kishte parë. Merret me mend jeta e asaj gruaje në fshat, nënë me tre fëmijë, amvisë shtëpie, bujkeshë për perimet e zarzavatet e kopshtit, blegtore me dy lopë e dhjetë dele, nuse në një shtëpi me vjehrrën sakate e vjehrrin e moshuar që prisnin gjithnjë nga kuzhina e saj. Kështu, Nazifi i kishte humbur ato çastet e përdëllimit mahnitës, sepse kur e sheh në gjumë një njeri të dashur, shtendosur nga muskujt që ia tjetërsojnë pamjen që ka gjatë përditshmërisë, ajo fytyrë e lëshuar zbulon mistere të një individualiteti të panjohur. E megjithatë, ky burrë nuk ankohej për çfarë kishte humbur, por shprehte vetëm dhembje e ndoshta pak lavdi për Asijen e tij.
Me të mbaruar bisedën, vura në karelin e makinës letër të re dhe nisa të shkruaja: “Unë kurrë s’e kam parë time shoqe duke fjetur, tha ai.”
Vetëm disa ditë më pas, kur vajta në varrezën ku prehet ime shoqe (natyrisht, e kisha parë në gjumë), edhe unë, një njeri i kufizuar me mekanikën, vetvetiu thashë diçka për atë frymëmarrjen e lehtë të grave, çka m’u shoqërua në mend me flutura, me selvi, me valvulat e motorit kur kanë përputhje perfekte, si dhe me gjalpin që shkrin mbi bukën e thekur në tryezën e mëngjesit. Këto ndoshta s’janë fare të veçanta për ju, por mua kaq më rroku përfytyrimi atë mëngjes. Sidoqoftë, m’u bë se ia shtova një rreth asaj qendrës, ku më ishte shfaqur Nazifi, duke u zhvendosur nga periferia.
Kam lexuar diku se tek indigjenët, kur shtohen me njerëz rrathë që ruajnë një qendër, ata që ndodhen në lakoret më të largëta veprojnë si dëshmitarë dhe presin të flasin, po të jetë e nevojshme. E kështu, qendra bëhet ajo që nuk shihet, çmohet por fshihet. Nëse jeni burra të martuar dhe keni për të shtuar diçka, që sipas jush ia kalon asaj të Nazifit, bëhuni qendër vetë duke e shpallur me zë. Madje, pse jo, tani!
Ndërsa po t’ju interesojë sadopak ai njeri, mbasi humbi të shoqen flokët e butë iu thinjën shpejt, faqet nuk i ka më të gufmuara dhe përmbi vetulla i ka dalë një blanë gjithë pikëzime të kuqe. Më ngjan si t’i ketë rënë prush në mish.

Publikimi i mëparshëm

Dritëhijet shpirtërore, zhgënjimin që ndjejmë, dashuritë që rikthejmë / Ekspozita personale e Valmir Azirit

Publikimi i radhës

Ekspozitë fotografike për 30-vjetorin e eksodit shqiptar në Itali

Publikimi i radhës

Ekspozitë fotografike për 30-vjetorin e eksodit shqiptar në Itali

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.