• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E premte, 9 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

E vërteta qëndron në mes

Kolana UETPress-15 vjet / Titulli: Sandwich / A është mirë me qenë shqiptar / Autor: Mustafa Nano

14/05/2021
| Kulturë, Shqipëri

Prof. Dr. Pëllumb Xhufi – Nuk është hera e parë, që autori Mustafa Nano i largohet për një çast ujërave të ndenjura të gazetarisë e publicistikës shqiptare për të ndërmarrë udhëtimin e radhës nëpër kthinat e fshehta të historisë, kulturës e gjuhës shqipe. Albanologjia, me të vërtetat, dilemat, mitologjitë e me misteret e saj, duket se është pasioni i tij i viteve të pjekurisë. Sprovat e para të kësaj stine të re të krijimtarisë së tij, Nano na i kishte dhënë që me botimin e librit “Unë jam gegë”, në vitin 2013 dhe të atij me titull “Pax Albanica”, më 2014.

Jo pa qëllim, autori ka zgjedhur një titull libertin e provokativ për librin më të fundit të tij, “Sandwich (A është mirë me qenë shqiptar?)”. Në fakt, mund të mos duket i gjetur titulli i këtij libri që rreket të trajtojë probleme të debatueshme të historisë, gjuhës e kulturës shqiptare, teksa bie në sy konfeksionimi i tij në një gjuhë dialektore anti-standard, fillimi i tij paradoksal me një fjalë të huaj të kulturës fast food dhe, mbi të gjitha, shtrimi në formën e një dileme shekspiriane i pyetjes “të jesh a të mos jesh…shqiptar”. Ky titull, i zgjedhur qëllimisht nga autori, rrezikon t’i tingëllojë antipatik e irritues lexuesit tradicional, që do të ndihej i fyer në qenien e tij shqiptare dhe në ndjenjat e bindjet e veta puritane mbi historinë, kulturën e gjuhën e popullit shqiptar. Por, pavarësisht titullit ekstravagant, çdo lexues që e njeh krijimtarinë e Mustafa Nanos mund të rrijë i qetë, se në rastin e këtij libri të ri nuk kemi të bëjmë me një “rrëshqitje” të autorit në pozita renegate dhe as me një projekt të fshehtë për të çshenjtëruar a demontuar një lavdi kombëtare, siç është albanologjia.

Në fakt, qysh në faqet e para të librit bindesh se qëllimi i autorit nuk është edhe aq i keq. Ky ka zgjedhur të shpërfaqë përpara lexuesit faktet dhe ngjarjet më të rëndësishme e më gjurmëlënëse të historisë, gjuhës e kulturës shqiptare, duke ballafaquar dëshmitë dhe interpretimet e ndryshme e shpeshherë, nëpërmjet analizave të imëta, duke artikuluar një qëndrim e vlerësim të vetin mbi to. Ah po, Nano e merr përsipër një mision “mohues”, madje edhe “destruktiv”, por ky është një mision fisnik, pasi ka të bëjë me demontimin e miteve, me rishikimin (revizionimin) e disa “të vërtetave të gjithëpranuara”, por që nuk i qëndrojnë kohës e i bëjnë dhunë të vërtetës. Sigurisht, shqyrtimi në mënyrë kritike i disa prej tezave kryesore të shkencave albanologjike, siç janë ato që kanë të bëjnë me origjinën e popullit shqiptar, me vazhdimësinë iliro-shqiptare, me marrëdhëniet e shqiptarëve me sllavët e me grekët, me gjuhën e kulturën e tyre, me procesin e islamizimit, me rolin e shqiptarëve në ngjarjet e mëdha politiko-ushtarake në rajonin e Ballkanit, etj., është një ndërmarrje që kërkon guxim, e guximi nuk i  mungon opinionistit Mustafa Nano, njërit prej zërave të rrallë kritikë të gazetarisë shqiptare të periudhës së trazuar të tranzicionit post-komunist. Por, të flasësh për historinë, gjuhën, kulturën e shqiptarëve dhe vendin e tyre në kontekstin ballkanik, kërkon edhe dije të thella dhe duhet thënë se shënimet e shumta në fund të faqeve të këtij libri janë aty për të dëshmuar se autori ka studiuar dhe është thelluar mjaft në problematikën rreth së cilës vërtiten hulumtimet, konstatimet dhe analizat e tij. Nano ka zgjedhur një gamë gjithëpërfshirëse të literaturës bazë, ku bëjnë pjesë si autorë të konsideruar “filo-shqiptarë” të llojit G. Hahn, Fallmerayer e Durham, ashtu edhe autorë të stigmatizuar si “albanofobë” e deri “albanofagë” të tipit Pouqueville, Gjorgjeviq, Wilkinson, Mackenzie etj. Autori kalon sipër kësaj ndarjeje skematike, duke lexuar e vlerësuar gjithçka. Një qasje e tillë i mundëson në mjaft raste, të japë vlerësime origjinale e të besueshme, sipas parimit të vjetër “e vërteta qëndron në mes” (in medium veritas).

Përsa i përket marrëdhënieve historike të shqiptarëve me fqinjët, Mustafa Nano është i bindur se një rishqyrtim objektiv do të sillte një çdramatizim e çtensionim të tyre në ditët e sotme. Vërtet, ai nuk lë, e nuk mund të lërë pa komentuar platformat nacionaliste e antishqiptare të fqinjëve, si “Megali Idenë” greke, apo “Naçertanjen” serbe të Ilia Garashaninit dhe elaboratin albanocid të Vasa Çubrilloviqit. Këto, dihet, u kthyen në ushqimin kryesor të politikave të Greqisë e Serbisë kundrejt Shqipërisë e shqiptarëve, duke prodhuar në terren ngjarje të përgjakshme, masakra e operacione masive të spastrimit etnik, më i fundit prej të cilëve ishte ai i viteve 1998-1999 në Kosovë. Nga ana tjetër, konstaton Nano, Greqia, vendi që para 200 vjetëve ishte më multietniku e multifetari në Ballkan, sot krenohet të paraqitet si vendi etnikisht e fetarisht “homogjen”. Kjo gjë nënkupton se në këta dy shekuj banorët shqiptarë, vllehë, turq, hebrej e sllavë të saj ose janë përzënë, ose janë greqizuar me dhunë, ose janë zhdukur. Megjithatë, autori konsideron se në një mjedis inkandeshent e skizofren, si ai ballkanik, shfaqjet e nacionalizmit duhen mbytur që në vezë, e në këtë kuptim ai nuk heziton të trajtojë me po aq dorë të rëndë edhe shfaqjet e interpretimit nacionalist të historisë tek shqiptarët, siç ishte edhe ajo tentativë e ndrojtur e vitit 1998, kur Akademia e Shkencave të Shqipërisë kuturisi të hartojë një platformë mbi zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Nisma është gjithsesi e kritikueshme, pavarësisht se platforma në fjalë e parashihte realizimin e idealit rilindas të bashkimit kombëtar në kuadrin e projektit europian të integrimit dhe aspak si një rezultat luftërash, dëbimesh e spastrimesh etnike.

Kështu, qëndrimet nacionaliste e ksenofobe, që ngrenë krye herë pas here në ligjërimin politik, në shtypin e shkruar apo edhe në veprat akademike gjejnë tek Mustafa Nano një kritik vigjilent e të pamëshirshëm.

…

Si për të rivendosur një ekuilibër, që ai e konsideron të prishur në lëmin e studimeve albanologjike, Nano gjen mjaft raste për të kritikuar qëndrimet “politikisht korrekte”, por “shkencërisht hipokrite” të studiuesve shqiptarë, që ndonjëherë ia nënshtrojnë të vërtetën shkencore një utilitarizmi kinse patriotik. Këtu përfshihen studiuesit, që, siç shprehet Nano, “nuk u rezistojnë dot ngasjeve për të nxjerrë në pah madhështinë putative të kombit apo për të provuar me hir a me pahir autoktoninë e tij”! Makar duke e shtyrë këtë autoktoni deri në kohët e mjegullta pellazgjike. Me të njëjtin nerv kritik, autori fshikullon atë që ai e quan “garë qesharake e absurde mes historiografisë serbe e asaj shqiptare për të hipotekuar një personazh imagjinar”, siç është Milosh Kopiliqi, vrasësi i Sulltan Muratit I në Betejën e Kosovës, më 1389, që fanepset në këngët epike sa të serbëve aq edhe të shqiptarëve. Jo shumë larg, por 2-3 dekada më parë, pikërisht kur çështja e statusit të Kosovës hyri në fazën e saj përmbyllëse, studiues serbë e shqiptarë u stërmunduan në konferenca e botime të posaçme, ku “përvetësimi” i figurës fantazmagorike të Milosh Kopiliqit mori vlerën e një hipoteke historike të shqiptarëve apo të serbëve mbi Kosovën. Me të njëjtin skepsis vlerëson Mustafa Nano edhe versionet serbe e shqiptare të një tjetër ngjarjeje historike, luftës austro-turke të vitit 1689 në Kosovë. Edhe kjo, falë artit të engineering-ut, u shndërrua nga këta historianë në arsyen e të qenit, serbe apo shqiptare, të Kosovës. Me një bezdi gati fiziologjike dhe duke u mbështetur në autorë të mirënjohur e “asnjanës” të kalibrit të Noel Malcolmit, Nano përpiqet të ndërtojë të vërtetën e asaj ngjarjeje reale, e cila, sipas tij, nuk qëndron me historianët serbë, të cilët pretendojnë se në përfundim të luftërave austro-turke të atij viti, territori i Kosovës u zbraz nga popullsitë serbe, për t’u mbushur më vonë me popullsi shqiptare. Por po aq fantastik i duket Nanos edhe interpretimi i ngjarjeve në fjalë nga ndonjë studiues shqiptar, sipas të cilit e gjithë popullsia shqiptare e Kosovës, si ajo e krishterë, ashtu edhe ajo myslimane, u rreshtua gjatë atij konflikti në krahun e ushtrive austriake e, për rrjedhojë, pas thyerjes së këtyre të fundit, një pjesë shumë e madhe e saj e braktisi Kosovën. Por, pavarësisht këtij eksodi, Kosova mbeti e banuar dendur nga shqiptarët, gjë që lë të nënkuptohet se ky vend ishte shqiptar deri në palcë!

Duket qartë, pra, se me përjashtim të një autoriteti shkencor, si E. Çabej, të njohur e të vlerësuar ndërkombëtarisht për akribinë e integritetin e tij shkencor, Mustafa Nano nuk ushqen ndonjë konsideratë kushediçfarë për studiuesit shqiptarë. Kjo e bën të sikletshëm pozicionin e autorit të këtyre radhëve, të cilit i është dashur të komentojë një vepër, sigurisht të guximshme, të argumentuar e solide, duke pasur edhe ndonjë mendim a interpretim të ndryshëm mbi faktet e ngjarjet e përshkruara aty. Por me Nanon është kënaqësi e pasurim intelektual të ballafaqohesh, e këtë do ta bëjmë me kënaqësi edhe më tej. Për momentin do donim të nënvizonim edhe njëherë se me këtë “zhytje” të fundit në albanologji, Mustafa Nano i ka sjellë publikut të gjerë një paraqitje kritike të problematikës bazë të shkencave që trajtojnë historinë e kulturën e popullit shqiptar. Faktet e shumta, të përzgjedhura posaçërisht për të lënë gjurmë tek lexuesi, si dhe stili dinamik, prodhojnë tek ky i fundit adrenalinën e nevojshme për të ndjekur syhapur e me interes shtjellimin e çështjeve të ndërlikuara, gjë që nuk arrin ta bëjë gjuha e ftohtë, e mbingarkuar dhe e lodhshme e një studiuesi të mirëfilltë. Përcjellja e një problematike rigorozisht shkencore nga mjediset akademike tek lexuesi i zakonshëm është, edhe ky, një ushtrim i jashtëzakonshëm intelektual dhe një mision, që vetëm pena të ditura e të stërvitura, si ajo e Mustafa Nanos, mund ta kryejnë siç duhet.

Gazeta Liberale


Publikimi i mëparshëm

UT dhe Aleanca Franceze në Tetovë organizuan veprimtarinë letrare „Pasdite poetike 2021“

Publikimi i radhës

Kohë për rrëfim – Kadare në një dëshmi historike

Publikimi i radhës

Kohë për rrëfim – Kadare në një dëshmi historike

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.