Botimi i tretë i ndryshuar i këtij teksti mësimor mbështetet në dy versionet e mëparshme: në botimin e parë të librit “Fonetika dhe fonologjia e gjuhës standarde shqipe”, Interdiskont, Shkup, 2005 si dhe në botimin e dytë, Selektor, Shkup, 2011. Për nevojat e studentëve joshqiptarë të Degës së Përkthimit e të Interpretimit në Fakultetin e Filologjisë “Bllazhe Koneski” në Shkup si dhe për të gjithë të interesuarit e tjerë, librin e Fonetikës e ripunuam, e përshtatëm, e ndryshuam, e pasuruam edhe me disa elemente të fonetikës krahasuese dhe e botuam në maqedonisht, Menora, Shkup, 2008 dhe më pas me rekomandimin e Universitetit “Shën Kirili e Metodi” në Shkup, libri u ribotua nga ky universitet (me disa ndryshime) më vitin 2011.
Ky tekst universitar u mirëprit dhe ishte shumë i kërkuar nga studentët, pedagogët si dhe lexuesit e tjerë në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Kosovë e në Shqipëri, andaj e pamë të arsyeshme të bëjmë botimin e tretë të ndryshuar e të përditësuar me zhvillimet e reja shoqërore si dhe me prurjet e reja në fushën e fonetikës e të fonologjisë, të drejtshkrimit e të praktikës gjuhësore.
Teksti është hartuar për nevojat e studentëve të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqiptare, por mund ta shfrytëzojnë edhe studentët e mësuesisë si dhe të fakulteteve të tjera, pedagogët e gjuhës shqipe në shkollat e mesme dhe në filloret; gazetarët, përkthyesit, intelektualët dhe përgjithësisht të gjithë ata që dëshirojnë të njihen me sistemin fonetik e fonologjik të shqipes standarde, me disa çështje që lidhen me drejtshqiptimin e drejtshkrimit etj.
Në këtë libër universitar jemi përpjekur të pasqyrojmë përvojën tonë kërkimore e pedagogjike si titullar shumëvjeçar i kësaj lëndeje, duke shfrytëzuar rezultatet e arritura deri më sot në gjuhësinë shqiptare dhe në gjuhësinë e përgjithshme. Për mbarështrimin e këtij teksti mësimor kemi konsultuar e shfrytëzuar një numër të madh monografish, studimesh e artikujsh gjuhëtarësh shqiptarë e të huaj, veçanërisht ndihmesat e vyera të Eqrem Çabejt, Shaban Demirajt, Androkli Kostallarit, Anastas Dodit, Kolec Topallit, Bahri Becit, Rami Memushajt, Emil Lafes, Xhevat Lloshit, Jorgji Gjinarit, Gjovalin Shkurtajt, Rexhep Ismajlit; Bertil Malmbergut, Andre Martinesë, N. S. Trubeckoit, Milivoje Minoviqit, Irena Savickës e Ludmill Spasovit, Ranko Bugarskit, Antica Antoshit, Rudolf Filipoviqit, Damir Horgës etj. Në poshtëshënime shpeshherë janë dhënë emrat e autorëve bashkë me veprat dhe punimet e konsultuara, ndërsa si rëndom, veprat e punimet e shfrytëzuara i kemi shënuar në bibliografi.
Sigurisht se kemi konsultuar edhe tekste mësimore me vlerë të pamohueshme e të qëndrueshme për fonetikën e shqipes, si Anastas Dodi “Fonetika e gjuhës së sotme shqipe”, Prishtinë, 1970; Anastas Dodi – Jorgji Gjinari “Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe I, Fonetika”, Tiranë, 1985; Anastas Dodi, Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe, Tiranë, 2004; Bahri Beci “Fonetika”, Prishtinë, 2004; Hajredin Xhaferi, “Leksione dhe ushtrime për fonetikën”, Elbasan, 2008; Rami Memushaj, “Fonetika e shqipes standarde”, Tiranë, 2009 etj.
Ashtu si edhe në versionet paraprake të librit, edhe tani nuk e kemi ndryshuar konceptin dhe qëllimin e librit. Teksti mësimor hartohet për nivelin e përdoruesve, sipas një plani e programi mësimor të miratuar.
Megjithëkëtë, botimi i tretë i Fonetikës dallon nga dy botimet e mëparshme jo vetëm në mënyrën e mbarështrimit të çështjeve, por edhe në përmbajtje. Vëmendje më të madhe i kemi kushtuar drejtshqiptimit e më pak drejtshkrimit. Kemi hequr dy kapituj (Gjuha e komunikimi, bashkë me Fonostilistikën) dhe kemi shtuar dy kapituj të tjerë, përkatësisht kapitujt nëntë dhe dhjetë. Në kreun e nëntë, të titulluar alfabetizimi, standardizimi, modernizimi i shqipes dhe përkujdesja për të, kemi trajtuar nëntë tema: planifikimi i shqipes, alfabeti i gjuhës shqipe, shqipja në procesin e globalizimit, gjuha shqipe në internet; duke folur shkurtimisht edhe për Këshillin Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, Shoqatën e Gjuhësisë Shqiptare, për projektin ndërkombëtar pesëvjeçar “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, për statusin e shqipes në Maqedoninë e Veriut si dhe për Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës.
Në kapitullin e dhjetë kemi përfshirë trembëdhjetë leksione kushtuar çështjeve të drejtshqiptimit e të drejtshkrimit, si tiparet fonetike, morfologjike e leksikore të gegërishtes në shqipen standarde; baza nyjëtimore e shqipes standarde dhe e folësve të shqipes, të folurit dhe të shkruarit është proces i ndërlikuar, drejtshqiptimi dhe ndërlidhja e shqiptimit me shkrimin, shkaqet e thyerjes së normës gjuhësore, parimet përgjithshme të drejtshkrimit të shqipes dhe bashkëveprimi i parimit fonetik me parimin morfologjik. Në këtë vazhdë, e kemi parë të arsyeshme të japim edhe disa njohuri, udhëzime, këshilla e rekomandime për përvetësimin e shqipes standarde, se: të shkruarit drejt nuk është transkriptim i të folurit, se shqipja standarde nuk trashëgohet, por mësohet; si ta përvetësojmë ligjërimin libror dhe si të prezantojmë me gojë një punim. Temat e tilla mendojmë se do të ngjallin kërshërinë jo vetëm të studentëve, por edhe të lexuesve të tjerë.
Ngulitja e normave të gjuhës, veçmas atyre drejtshkrimore e drejtshqiptimore te studentët, që është qëllimi praktik i këtij kursi, nuk duhet të përfundojë vetëm me përvetësimin e rregullave, por duhet të vazhdojë me formimin e shkathtësive dhe kthimin e tyre në shprehi. Udhëzimet për drejtshqiptimin e drejtshkrimin jo vetëm që duhet të mësohen, por edhe të zbatohen e të bëhen praktikë e përdorimit gjatë studimeve themelore, në punën e tyre intelektuale, përkatësisht gjatë gjithë veprimtarisë së tyre si pedagogë të shqipes (për shqiptarë e për të huaj), përkthyes, gazetarë, administratorë, politikanë etj. Në përvojën tonë pedagogjike kemi vërejtur se disa studentë nuk arrijnë të mënjanojnë shprehitë nyjëtimore krahinore, që nuk përkojnë me shqiptimin letrar; si hundorësinë dhe gjatësinë fonologjike të zanoreve, zhbuzorëzimin e /y/-së në /i/, përdorimin e pavend të /ë/-së, afrikatizimin e mesgjuhoreve etj.
Sigurisht se jashtë tekstit janë lënë edhe shumë tema të rëndësishme të fonetikës e të fonologjisë së shqipes standarde, por këtu kemi bërë përzgjedhjen e atyre çështjeve që mendojmë se janë të domosdoshme për mësuesit e ardhshëm të shqipes.
Për këtë kemi konsultuar edhe programet mësimore të gjuhës amtare për shkollimin fillor e të mesëm. Jemi përqendruar kryesisht në fonetikën nyjëtimore, fonetikën kombinatore e në çështjet themelore të fonologjisë, përfshirë ndërrimet morfonologjike, theksin e intonacionin. Këto i kemi ndërlidhur me praktikën gjuhësore me qëllim të ngritjes së kulturë së gjuhës së studentëve, sidomos për të fituar shprehitë e të folurit dhe e të shkruarit drejt.
Për të siguruar një tekst themelor për këtë kurs, jemi përpjekur të bëjmë përzgjedhjen e materialit të fonetikës e të fonologjisë së shqipes së sotme me gërshetim çështjesh të morfonologjisë, të drejtshqiptimit e të drejtshkrimit; ndonjëherë të pasuruar me elemente krahasuese me gjuhë të tjera, me shpjegime të shkurtra të dialektologjisë si dhe të fonologjisë historike dhe ta paraqesim atë në një botim. Kuptohet se ata që dëshirojnë të fitojnë njohuri më të thella sesa ato që janë paraqitur në këtë tekst, mund të shfrytëzojnë artikuj e studime të veçanta nga këto fusha.
Kemi zgjedhur këtë mënyrë të gërshetuar të paraqitjes së gjërave, për qëllime praktike dhe për t’i ndërlidhur çështjet, sepse sistemet e rrafsheve të ndryshme gjuhësore vështirë se mund të kuptohen drejt po të merren të shkëputura e të pakushtëzuara njëra nga tjetra; madje, vetë fonetika e fonologjia kanë lidhje shumë të ngushtë me një varg disiplinash gjuhësore e shkencash natyrore.
Nga ana tjetër, kemi ndjekur këtë rrugë nga synimi që të sigurojmë për studentët njohuritë themelore dhe një gamë më të gjerë diturish, që do të jenë bazë e shëndoshë për përvetësimin e rregullave kryesore të drejtshqiptimit e të drejtshkrimit të shqipes standarde, rrjedhimisht edhe zbatimin praktik të tyre.
Përveç kësaj, mëtojmë të japim paranjohuritë elementare për nxënien e dialektologjisë shqiptare, morfologjisë, sintaksës, gjuhëve të huaja etj. Jemi përcaktuar që të shtjellojmë edhe ndërrimet historike të fonemave, siç janë qiellzorëzimi, metafonia, apofonia si dhe disa dukuri të tjera me vlerë morfologjike, sepse ato përgjithësisht pasqyrohen jo vetëm në shqipen e sotme dialektore, por edhe në shqipen standarde.
Kemi bërë fjalë edhe për ndryshimet kombinatore të tingujve, variacionet e gjatësisë së zanoreve, togjet e zanoreve e të bashkëtingëlloreve, diftongjet, akomodimet, zëshmimin dhe shurdhimin e tingujve, shkrirjen etj., ngase këto dukuri fonetike realizohen në shqiptim. Edhe pse rotacizmi është dukuri dialektore e toskërishtes, por shumë forma fjalësh me rotacizëm janë pjesë e leksikut të shqipes standarde. Jemi përcaktuar të përmendim shkurtimisht edhe disa dukuri të tjera fonetike, që kryesisht veprojnë në rrafshin dialektor, me qëllim që studentët tanë t’i mënjanojnë shprehitë individuale të shqiptimit krahinor.
Falënderoj gjithë ata që ndihmuan daljen në dritë të këtij teksti: redaktorin, recensentët, përpunuesin teknik e shtëpinë botuese. Jam mirënjohës Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbështetjen financiare të botimit të librit. ©Asllan Hamiti
