Bujar Hudhri – Shumë vjet më parë, kur nisa botimin e veprës së plotë të Kadaresë, ndryshe nga ç’mund të jetë menduar, shkrimtari i lexoi të gjitha krijimet e tij nga e para, rresht më rresht. Një proces që zgjati gati pesë vjet dhe për një botues ishte një fat i rrallë që mund të takonte në rrugëtimin e tij të përditshëm. E gjithë trashëgimia letrare e shkrimtari tonë të madh u përmblodh në njëzet vëllime dhe ai e quajti si botimin e tij testamentor, në dallim me tri përmbledhjet e tjera (“Rilindja”, Prishtinë, 1980, “Naim Frashëri”, Tiranë, 1981 dhe “Fayard”,1993, Paris).
Nuk kaloi shumë kohë, kur Kadare më dorëzoi një dosje (ai shkruan ende me dorë, nuk e përdor kompjuterin) me dorëshkrimin e një romani të ri me titull “Darka e gabuar’”. E lexova me një frymë dhe s’di pse më solli ndërmend romanin e tij të famshëm “Kronikë në gur”. Isha i sigurt, kurrë nuk do ta kishte shkruar këtë libër, nëse nuk do të kishte rilexuar “Kronikën”, kur po përgatisnim veprën e plotë. Ia thashë këtë, por si përgjigje mora prej tij vetëm një buzëqeshje të papërcaktuar. Ndoshta as ai vetë nuk e dinte pikërisht, mbase hamendësimi im ishte thjesht një perceptim i gabuar prej lexuesi. Ku i dihet?
Po këtë ndjesi përjetova kur Mira Meksi më dorëzoi për botim tregimet e saj që në përmbledhjen e fundit morën titullin “Flutura mes gjinjve”. Pak a shumë si në rastin e kolanës Kadare, me Mira Meksin më ndodhi po e njëjta histori. Mira sapo kishte përfunduar përkthimin e kryeveprës “Njëqind vjet vetmi”. Nuk ka dyshim që gjithë ajo punë skrupuloze ka ndikuar në procesin e saj krijues si shkrimtare. Ishte një aksion që zgjati pothuaj tre vjet përkthim – redaktim. Kam qenë redaktori i këtij përkthimi dhe e kam krahasuar, rresht për rresht, me shumë gjuhë të huaja. E gjitha kjo dëshmohet në e mailet e shkëmbyera me Meksin. Ishte si një magji. Dhe mund të them me bindjen më të plotë se versioni në shqip i këtij romani është ndër më korrektët në raport me gjuhët e tjera. Për mrekullinë e përkthimit nuk më takon mua të shprehem, por ia lë lexuesit të gjykojë.
Por le të kthehemi te Mira Meksi. Emri i saj u bë shumë i njohur që para vitit 1990 me një tjetër kryevepër të Marquez, me romanin “Dashuria në kohërat e kolerës”. Një libër i cili u shit me një tirazh të madh edhe për atë kohë. Kur para njëzet e pesë vjetësh më solli për botim librin e saj me tregime “Buzë të panjohura gruaje”, ende nuk e perceptoja si autore, sepse figura e përkthyeses Mira Meksi ishte e identifikuar tashmë me Marquezin. Ndërkohë vijuan librat e tjerë të saj si “Frosina e Janinës”, “E kuqja e demave” (një bestseller i vërtetë), libri eseistik “Leximet e ndaluara dhe shkrimet e fshehura” dhe sidomos revista e saj e cila la gjurmë të pashlyeshme te lexuesi shqiptar “Mehr licht”, deri te dy romanet e saj si “Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë” dhe sidomos, kryevepra e saj, “Diktatori në kryq”.
Shpeshherë ia kam bërë pyetjen vetes se çfarë është më shumë Mira Meksi: përkthyese apo shkrimtare? Kur flas në intervista apo biseda të ndryshme e kam ndier shpesh këtë gjendje të papërcaktuar. Me një fjalë, ku duhet ta rreshtojmë: te lista e përkthyesve më të mirë apo lista e shkrimtarëve më të mirë? Dhe përgjigjja gjithmonë më kujtonte shprehjen e famshme të Petro Nini Luarasit kur një nxënës e pyeti se “cili është më i zoti, Naimi apo Samiu?” dhe ai iu përgjigj: “Nga cili sy sheh ti më mirë, nga i djathti apo i majti?” Po ashtu, më vjen në mendje emri i Mitrush Kutelit, i cili ka bërë përkthime nga më të mrekullueshmet në gjuhën shqipe, sikundër ka lënë faqe brilante si shkrimtar. Ka plot shembuj të tillë, jo vetëm në kulturën tonë por në çdo gjuhë (psh., Shiler, Pasternak kanë përkthyer Shekspirin por ata janë autorë të famshëm të gjuhëve të tyre, ndërkohë). Për kronologji ne e njohim Mira Meksin fillimisht si përkthyese të klasit të parë të kryeveprave botërore, që ishin një nevojë e ngutshme për lexuesin e pas nëntëdhjetës. (Sikundër ka përkthyer nga shqipja në gjuhë të huaj.) Por me kohë ajo nisi karrierën e saj me tregime, novela, romane duke i shtuar letërsisë shqipe një zë krejt të veçantë, origjinal.
Nobelisti portugez Jose Saramago thotë diku: “Shkrimtarët bëjnë letërsinë e gjuhës së tyre. Përkthyesit bëjnë letërsinë botërore”. E veçanta e Mira Meksit është se ajo i bën të dyja dhe kjo i jep një bukuri të veçantë letërsisë dhe të mahnit me përkthimet e saj.
Sepse Mira Meksi përpara se të jetë përkthyese është shkrimtare. Dhe ka qenë e tillë, që nga fillimi i jetës së saj, por lexuesit iu desh kohë që pas kryeveprave të Marquez, Borges, Dumas etj., etj., si një Hirushe të dallonte shkrimtaren Mira Meksi. ExLibris.al