Akademia e Shkencave kujton me nderim dhe përulje, në ditën e 100-vjetorit të tij të lindjes, personalitetin unik, njeriun me karakter dhe konseguent, parimor dhe besnik i së vërtetës, akademikun Kristo Frashëri!
Kristo Frashëri e botoi shkrimin e tij të parë, kur ishte fare i ri, në muajt e parë të vitit 1933. Të fundmin e botoi në vitin 2015. Pa llogaritur pjesën e pabotuar të studimeve të tij, që është e konsiderueshme dhe do të vijojë të botohet edhe për shumë vite në vijim, ai shkroi e botoi për mbi tetë dekada me radhë, në katër periudha historike: gjatë mbretërisë, në periudhën e luftës antifashiste, gjatë totalitarizmit ideologjik e shtetëror dhe në më shumë se njëzet e pesë vjet të shoqërisë së lirë.
Nuk ekziston në historinë e letrave dhe në historinë e mendimit shqiptar një rast i ngjashëm sa i takon kohës produktive të një studiuesi. Përveç Jeronim de Radës dhe ndoshta edhe Dhimitër S. Shuteriqit, pakkush tjetër iu afrua.
Gjatë më shumë se tetë dekadave Kristo Frashëri lundroi nëpër shkrime pa iu druajtur kufijve që i dalin vazhdimisht përpara dijetarit: kufijve të fushave, kufijve të llojeve e nënllojeve, kufijve të periudhave historike e kufijve të ndalimeve dhe refuzimeve ideologjike. Ai e realizoi vetveten ashtu siç deshi.
I shqiptoi kumtet e para publike në letërsi, si poet sentimental e romantik (çështje që mbetet për t’u studiuar); për t’u shfaqur së shpejti si publicist me bindje antifashiste dhe revolucionare, në shtypin e komunistëve, për çka, megjithëse i përjashtuar nga partia e vet për shkaqe ideologjike, nuk shprehu kurrë pendim. Më vonë, në një mënyrë krejt të beftë, ritakohet me lexuesin si autor tekstesh shkollore për kreditin bankar, për të zënë vend më pas përfundimisht në fushën e historisë kombëtare.
“Për të zënë vend” është një mënyrë të thëni, sepse edhe brenda kësaj fushe, pasi ndahet nga krijimtaria dhe zë vend në shkencë; pasi ndahet nga dijet e detyrës si ekonomia e financat dhe hyn në urdhrin e historianëve; përsëri udhëton pa drojë dhe krejt indiferent ndaj mureve ndarës në këtë fushë: nga shekujt e humanizmit me figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në qendër, në ringritjen e parë serioze dhe të organizuar antiosmane, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit; nga etnogjeneza e shqiptarëve tek Shpallja e Pavarësisë; nga krishterimi i hershëm në Ilirik tek identiteti historik i heronjve kreshnikë Milosh Kopiliqi e Musa Arbanasi në ciklin heroik-legjendar të Betejës së Fushë-Kosovës; nga roli i familjeve të mëdha patronimike arbërore në shekujt e humanizmit europian, që prekën edhe Dheun e Arbërit, tek vëllezërit Frashëri; nga historia e së majtës bolshevike shqiptare parë së brendshmi me syrin e pjesëmarrësit e të rivlerësuesit tek historikët e krahinave dhe qyteteve dhe jetëshkrimet e protagonistëve të jetës politike në Shqipëri.
Kristo Frashëri ka një bibliografi të pasur e cila përmban vjersha, skica e tregime, reportazhe, shkrime përkujtimorë, polemika shkencore, çështje të debatueshme, tekste shkollore për politeknikumin, albume, libra popullarizues me ilustrime, synopse, prospekte, artikuj shkencorë në shqip e gjuhë të huaj, projekte tekstesh akademike-universitare, libra për njohjen e Shqipërisë nga të huajt, studime për çështje të identitetit shqiptar, për periudhizimin e historisë kombëtare dhe tipologjinë e qytetërimit iliro-shqiptar, monografi kushtuar personaliteteve dhe ngjarjeve me karakter parësor në mbijetesën ndërshekullore të shqiptarëve, përmbledhje artikujsh e studimesh në prerje tematologjike e kronologjike, letërsi memoaristike, bioshkrime dhe autobioshkrime, bibliografi e autobibliografi, recensione e autorecensione, kritikë dokumentare dhe kritikë shkencore.
Veprimtaria e Kristo Frashërit shtrihet në të gjitha periudhat e historiografisë shqiptare. Ai është i pari hartues i një historie të qytetërimit shqiptar dhe mund të quhet gjithashtu i pari studiues shqiptar që tentoi ta shpërngulte vëmendjen e historianit nga lufta tek kultura, nga konflikti tek mbijetesa përmes punës dhe zhvillimit, nga meritat e shpatës tek meritat e mendjes. Kristo Frashëri shkroi studime të rëndësishme me peshë në historinë e besimit (sidomos të paleokrishterimit dhe të bashkëjetesës ndërfetare), në antropologjinë kulturore dhe në etnogjenezën e shqiptarëve, në mitologji e rite, në historinë e shkrimit dhe të alfabetit, në traditën e dorëshkrimeve dhe në filologji teksti, në folkloristikë e në traditën etnojuridike.
Gjatë 25 viteve të fundme të jetës së tij Kristo Frashëri ishte një zë parësor në çështjet më të rëndësishme të diskutimeve shqiptare, duke përfshirë atë të debatit për tipologjinë e identitetit shqiptar, të etnicitetit të popullsive dygjuhëshe në Jug të Shqipërisë dhe të shumë të fshehtave të tjera dinake të historisë shqiptare. Në këtë kategori të kontributeve të tij u bashkuan në një përgjegjësia e historianit dhe ajo e dëshmitarit, duke u dhënë besueshmëri shumë të lartë përfundimeve të paraqitura.
Kristo Frashëri, megjithëse i vetëdrejtuar kah epoka e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe epoka e tij, si ndalesa më e rëndësishme e kërkimeve të veta; vijuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe personalitetet e saj, nuk i ndau asnjëherë çështjet e historisë në të mëdha e të vogla. Ai hoqi dorë nga akademizmi elitar sa herë që pyetjet dhe paqartësitë e publikut prisnin mendimin e tij: për fatin e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë, për historinë e mbledhjes themeluese të partisë komuniste, për 5 Majin dhe 4 shkurtin, për kongresin e Helmësit dhe mbledhjen e Beratit.
Të njëjtën udhë e të njëjtën sjellje metodologjike ndjekin edhe studimet e Kristo Frashërit për çështje të mëdha të historisë së shqiptarëve nga njëri shekull në tjetrin. Me të njëjtën këmbëngulje e me të njëjtin durim që ai merrej me pyetjen nëse Shën Pali predikoi brenda në Ilirik apo deri në Ilirik, lexuesi e sheh gjithaq të impenjuar edhe kur rendit argumentet për pyetjen se kush ishte Cesari i Durrësit që përmendet në Aktet e Apostujve dhe a mund të mendohet se qyteti i lashtë ilir qysh në mesin e shekullit i kishte një adhelfia, një kishë të fshehtë dhe një peshkop, me emrin e sovranit romak. In maioris order Kristo Frashëri interesohet para së gjithash për Gjergj Kastriotin dhe epokën e tij, për lidhjet e tij me shekujt e humanizmit europian, për aleancat laike e fetare, për mbretërit dhe mbretëritë që i qëndruan në krah. Por në një rend tjetër, në një order minoris, ai i shqyrton me të njëjtën përgjegjësi edhe ato çështje që, qysh prej traditës së hershme të njohura me emrin studia humanitatis, deri në kohën moderne, janë konsideruar të vogla: sa ishte gjatësia e Skënderbeut, ku gjendet Torviolli, a është varrosur Kastrioti i madh në katedralen e Shën Kollit në Lezhë, a u celebrua martesa e tij në Manastirin e Ardenicës, në çfarë gjuhësh fliste e shkruante ai, cili është portreti i tij më i hershëm, ku mund të jetë piktura që Habsburgët i dhuruan Princit Wied për të dekoruar oborrin e tij të sapongritur dhe shumë çështje të ngjashme me to.
Akademiku Kristo Frashëri i takon një shkolle dijetarësh që punoi për vete dhe për të tjerët. Në këtë pikë bashkohen historiani dhe burimologu, arkivisti, dëshmuesi. Nuk kanë qenë të paktë historianët që kanë punuar me burime të të tjerëve, kryesisht të përkthyesve klerikë dhe të shumë orientalistëve me cene jetëshkrimore. Kristo Frashëri ishte deri në fund të jetës njeriu i arkivave.
Kristo Frashëri, ofron një shembull se si një shkencëtar i vërtetë, larg çdo fodullëku jo të papritur, shkruan pothuajse për çdo tribunë që shpreh interes për mendimin e tij, që nga Almanaku i dibranëve deri tek fletore të mendimit për Çamërinë, që nga fletë-volantet e festivaleve folklorike dhe fletë-palosjet e konferencave deri tek të përmuajshmet lokale të krahinave shqiptare që dëshirojnë të promovojnë identitetin e tyre etnofolklorik.
Kristo FRASHËRI (1920 – 2016) Historian, profesor, akademik. Lindi në Stamboll. U riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë më 1927. Më 1940, pasi kreu shkollën e mesme, u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Më 1942 u burgos dhe u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Në vitin 1945–1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar (sektori i kreditit). Ndërkohë ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik (1951–1955). Prej vitit 1953 punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, më 1955 në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, më 1957 në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të UT. Më 1966 u dërgua për pesë vjet për “riedukim” si mësues në shkollën e mesme të Përmetit; më 1971 u emërua përsëri punonjës shkencor në Institutin e Historisë, ku doli në pension (1990). Më 1997 u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 1999 përsëri në pension. Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë: Antikiteti, Mesjeta, Rilindja Kombëtare dhe Koha e Sotme. Ka trajtuar tema jo vetëm nga historia politike, por edhe ekonomike, shoqërore e kulturore. Ka marrë pjesë me referate në veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj në një varg revistash shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Kristo Frashëri është autor i kapitujve që trajtojnë historinë mesjetare të Shqipërisë dhe periudhën e Rilindjes Kombëtare në “Historinë e Shqipërisë” në dy vëllime (botim i USHT, 1959, 1965). Më 1954 ka botuar një vështrim mbi jetën dhe veprën e Sami Frashërit dhe më 1958 një vështrim mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun; më 1964 një “Histori të Shqipërisë”, vështrim i përgjithshëm e i përmbledhur që nga parahistoria deri në v. 1960 (botuar në disa gjuhë të huaja). Është autor i teksteve të historisë së Shqipërisë për shkollat e mesme gjatë viteve ‘70–‘80, bashkautor i “Histoire de l’Albanie” (Lion, 1974). Më 1984 ka botuar monografinë “Abdyl Frashëri”. Është bashkautor dhe bashkëredaktor i “Historisë së Shqipërisë” vëll. II, 1984 dhe bashkautor i “Historisë së popullit shqiptar” vëll. II, (2002). Vepra të tjera të tij janë: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878–1881” (1997); “Skënderbeu – jeta dhe vepra” (2002); “Historia e Tiranës” (2004); “Burimet historike shqiptare të shek. XV për Skënderbeun (në origjinal dhe në përkthim shqip)” (2005); “Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të saj” (2005); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH 1878–1941” (2006); “Identiteti kombëtar shqiptar” (2006); “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë : (28 Nëntor 1912)” (2008); “Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore)” (2008); “Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike)” (2009); “Skënderbeu i shpërfytyruar “ (2009); “Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809)” (2009); “E vërteta mbi Shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit” (2010); “Historia e Dibrës” (2012); “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881” (2012); “Ismail Qemali – Album” (2012); “Etnogjeneza e shqiptarëve – Vështrim historik” (2013); “Principata e Arbërisë: 1190-1215” (2014); “Jeta e një historiani” (2014); “Ahmet Zogu: vështrim historik” (2014); “Shqipëria në Konferencën e Paqes, Paris 1946”- Vështrim Historik (2015); “Kongresi i Përmetit (24-28 Maj 1944)” – Vështrim Historik dhe Burime Dokumentare (2015); “Historia e Çamërisë” (2015). Si pedagog i historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka dhënë ndihmesë në përgatitjen e historianëve të rinj. Ka marrë dy herë Çmimin e Republikës të kl. I (1961, 1984). Është dekoruar me Urdhrat “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”. ASHSH