Jusuf Buxhovi – Shtetndërtimi i Kosovës, i mbështetur mbi formulën e barazisë në federatën e atëhershme jugosllave, që praktikisht do të thoshte çlirim nga zgjedha serbe, fillon me demonstratat e nëntorit të vitit 1968, të nisura në Prizren më 5 nëntor dhe të vazhduara në disa qytete, për t’u kurorëzuar me ato në Prishtinë, më 27 nëntor.
Këto demonstrata, ku për herë të parë doli në pah kërkesa për Republikën e Kosovës, ua hapën rrugën ndryshimeve të mëdha që u pasqyruan me themelimin e Universitetit të Kosovës në Prishtinë në vitin 1970 si dhe institucioneve të tjera kombëtare, prej nga u ngrit brezi i një inteligjencie arsimore, kulturore dhe politike që mori përsipër proceset e mëtutjeshme të avancimit të pozitës kushtetuese të Kosovës në federatën jugosllave, që do të sanksionohen me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974.
Organizatorët e këtyre demonstratave do të mbesin në histori si pjesë e një mekanizmi, që vuri në lëvizje ndryshimet historike, që vazhduan në vitin 1981, në vitin 1989, 1997, 1999 për t’u kurorëzuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.