Lajmi u bë i ditur nga vajza e kompozitori, sopranoja e njohur Inva Mula, e cila përmes një statusi në rrjetin social Facebook njoftoi për vdekjen e të atit, duke iu referuar: Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Përjetësisë.
‘Për një përshendetje me dorë në zemër, homazhet kryen nesër, 30 tetor, ora 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve, Tiranë. Avni Mula 04.01.1928 – 29.10.2020‘, ka shkruar tutje Inva.
Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të historisë së teatrit operistik shqiptar. Një kontribut të veçantë ai e ka dhënë edhe në fushën e kompozicionit. Është e njohur kënga e tij “Valsi I lumturisë”.
Ndër interpretimet e spikatura në karrierën e tij mund të përmëndim ato në operat Mrika, Skënderbeu, Pranvera, Lulja e kujtimit, Heroina, Komisari, Jolanda, Berberi i Seviljes, La Traviata, Rigoleto, Kavaleria Rustikana, Karmen, Peshkatarët e perlave, La Boheme, Le nozze di Figaro, Simfonia IX e Bethovenit etj.
Në 29 maj të këtij viti ishte dalja e fundit e të madhit Avni Mula në publik. 4 muaj më parë ai mori pjesë në një aktivitet në shkollën 9-vjeçare të muzikës “Servete Maçi” në Tiranë, ku salla e koncerteve mban emrin “Avni Mula”.
I pari që ngushëlloi familjen Mula për humbjen e madhe ishte Ardit Gjebrea. Në një postim në Instagram, Arditi shkruan se ka shumë kujtime kompozitorin e madh.
“Tashmë u bashkuan në qiell! Dhe unë kthehem në fëmijëri, kur muzika e Tij më dha emocionet e para:
Kur këndoj për ty moj nënë” “I ëmbël zëri i gjyshes” “Për çdo vit në maj” Sa shumë kujtime Avni Mula – paqe për Ty! Ngushëllime invamula “- shkruan Ardit Gjebrea në Instagram.
Muzikanti Zhani Ciko, është shprehur se kishte kishte planikuar të takoj me Mulën, por pandemia e Covid-19, pengoi takimin e tyre të fundit.“Një lajm i hidhur, pavarësisht nga mosha, duket i papritur sepse ndarja nga jeta e njerëzve të mëdhenj, janë gjithmonë të papritur. Kujtoj bisedën e fundit që mund të jetë para një jave dhe gjithmonë në këto kushte, në një takim që shpresonim të realizonim pas situatës së vështirë që po kalon njerëzimi. Mu duk e papritur që erdhi në këtë mënyrë. Avni Mula është njeri dinamik, e jetoi jetën e tij deri në momentin e fundit dhe shëndeti i tij çedoi dhe për familjarët që e kanë ndjekur nga afër. Edhe Avniu, si babai si kolona e familjes ka merita të mëdha jo vetëm për kultivimin e vetes së tij si krijues që iu dedikua krijimtarisë artistike jo vetëm në gjininë e këngës por në të gjitha”, tha Ciko.
Osman Mula, nipi i kompozitorit Avni Mula, ka zbuluar se si i përjetoi ditët e fundit duke thënë se gjendja e tij shëndetësore ishte e rënduar dhe mbahej me oksigjen.
“Ditën e fundit nuk e kam takuar se ishte me oksigjen në shtëpi. Kujdesi i është bërë nga familjarët në mënyrë të shkëlqyer që kanë pasur kujdes të përhershëm dhe të përditshëm. E gjithë jeta e tij ka qenë pranë të tjerëve dhe finalja duhet të ishte që të tjerët që të ishin pranë tij. Janë disa probleme të tijat që mbase dhe mund të kishte ndonjë rezervë të vetën, por përgjithësisht i realizoi disa detyra që kishte në plan.
Ai kishte dëshirë që të shkonte me Ninën në Konservatorin ku kishte mbaruar shkollën dhe pati emocione se bashkë me Ninën u futën sërish në ato klasa e korridore. Ballafaqimi tjetër është kur Inva dha shfaqje në teatrin më të madh në Moskë dhe tha jam vajzë e dy prindërve, një nga Shqipëria që studioi këtu dhe një ruse që shkolla i njohur me njëri-tjetrin dhe jam pjesë e tyre. E gjithë salla duartrokiti.
Ai kishte shumë dëshirë që të jepte një shfaqje në qytetin e Gjakovës, të cilin ai dhe familja ime e ka përmendur në të gjithë historikun e vet. Të gjithë e donin shumë sepse të tjerët ishin pedagogë mësues. Avniu u mor me artin dhe të gjithë i kishim sytë nga ai. para se të shkonte jashtë, ishte ndër sportistët më të mirë në Shkodër.
E kishte peng dhe arriti të jepte shfaqje me gjithë Invën në sallën e Gjakovës. Të shohësh nipat dhe motrën që kishin vite pa i parë është emocion. Shumë gjëra që nuk arriti me i ça në skenë, shumë gjëra që kishte dëshirë i realizoi brenda familjes”, tha Osman Mula.