Romani i njohur “1984” i shkrimtarit anglez George Orwell, është përkthyer për herën e tretë në gjuhën shqipe. Sokol Çunga është përkthyesi i cili e ka sjell në shqip këtë vepër të madhe të letërsisë botërore. Megjithëse ishte përkthyer dhe botuar në shqip që para më shumë se tridhjetë vjetësh fillimisht në Prishtinë dhe në Tiranë më 2005, ky roman dystopik, kryevepër e një lloj letërsie futurizmi politik, është parë e nevojshme të përkthehet sërish në gjuhën shqipe, nga shtëpia botuese Pegi.
Përkthyesi Sokol Çunga, ka thënë për KOHA-n, se shtëpia botuese Pegi dëshironte ta kishte mes librave të veta të përkthyera edhe romanin “1984”, shumë popullor ndër tjera edhe për personazhin e “Big Brother”-it.
“Ma propozuan, e mendova pak, pranova dhe fillova punën. Por aq sa u lodha, aq e shijova dhe vazhdoj ta shijoj. Personalisht ia vlejti! Uroj t’ia kem dhënë edhe tekstit këtë shije” – u shpreh ai duke folur për rrugën e këtij përkthimi.
Ndërkaq i pyetur për vështirësitë e përkthimit në shqip të kësaj vepre që ka marrë vëmendje shtesë pas mbylljes nga pandemia e virusit Covid 19, përkthyesi Çunga ka thënë: “Orwell është gazetar dhe eseist. “1984” është vepra e tij e fundit (ndonëse jo më e mira estetikisht). Fraza e tij gazetareske, jashtëzakonisht koncize, kërkonte vëmendje të veçantë në shqip, në dy aspekte: shqipe e rrjedhshme dhe e kuptueshme, dhe shqipe që i qëndron përbri origjinalit, pa humbur gjatë procesit të përkthimit. Me këta dy element përballemi në çdo përkthim, por kësaj here me Orwell-in e ndjeva më shumë se me autorë të tjerë që kam përkthyer.”