Robert Elsie, krahas kontributit të tij të çmuar si albanolog, studiues e përkthyes do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje nga publiku shqiptar edhe për vetëdijen dhe kujdesin e veçantë që tregonte për pasurimin e arkivave të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me dhurimet e veprave e artikujve të tij të shumtë studimorë. Ato përbëjnë sot një fond të vyer në fushën e albanologjisë dhe studimeve mbi letërsinë e kulturën mbarëshqiptare. Në fondet e Bibliotekës Kombëtare ruhen mbi 150 libra dhe artikuj shkencorë, kryesisht në fushën e albanologjisë, antropologjisë, përkthimeve nga thesaret e folklorit shqiptar, por edhe përkthime të autorëve të letrave shqipe, ku spikat kontributi i rëndësishëm përmes përkthimit të veprës epike të Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcis”.
Botimet e veprës së tij studimore kushtuar Shqipërisë – dashurisë së tij të madhe – zënë fill me botimin në vitin 1986 i “Dictionary of Albanian literature”, “Albanian literature in Greek script : the eighteenth-and early nineteenth-century orthodox tradition in Albanian writing” (1991); “Histori e letërsisë shqiptare” (1997); “Albanian alphabets : borrowed and invented” (2017) etj.
Njohës i shkëlqyer shqipes dhe kulturës shqiptare, Robert Elsie ka përkthyer në gjuhën angleze autorë dhe poetë të rëndësishëm shqiptarë, si Fishta, Migjeni, Ali Podrimja, Fatos Kongoli, Azem Shkreli, Flora Brovina, Eqrem Basha, Ornela Vorpsi; është autor i shumë recencioneve mbi veprat e Ismail Kadaresë, Xhevahir Spahiut, Shaip Beqirit, Kasem Trebeshinës, etj
Në një nga intervistat e fundit për median shqiptare ai flet për rëndësinë e historisë gojore, që sipas Elsie-s, nëse nuk e dokumentojnë në kohë shqiptarët do të humbasin shumë:
Zoti Elsie, çfarë duhet bërë që ne të kemi një histori alternative gojore? Kush duhet të kujdeset me këtë?
Jeni ju vetë (gazetarët) që duhet ta bëni këtë! Nuk ka nevojë për shumë gjëra; vetëm për një kamera, mikrofon dhe kohën e transkriptimit. Kjo gjë, po bëhet në Kosovë për Luftën e Dytë Botërore, por, mbase nuk janë vetëm gazetarët ata që duhet ta ruajnë, por dhe familjarët, që jetojnë me ta brenda për brenda familjes. Për shembull, çamët kanë përjetuar histori të tmerrshme në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur erdhën në Shqipëri. Por, ende sot jetojnë njerëz, që i kanë përjetuar ngjarjet. Fëmijët e tyre duhet t’i pyesin dhe t’i incizojnë, sepse historia e Çamërisë është shkruar nga grekët.
Ju mendoni se nuk është vonë, që historia gojore të zhvillohet në Shqipëri?
Për mua nuk është vonë, sepse historia e shkruar është e paktë në botën shqiptare. Historia e Shqipërisë është shkruar nga të huajt, jo nga shqiptarët. Shqiptarët kanë mbetur memecë, nuk ka shumë burime. Ka shumë pjesë të Shqipërisë që nuk njihen fare! Nuk janë pyetur njerëzit e thjeshtë; çfarë ka ndodhur? Ju e dini se, bota shqiptare nuk ka pasur shumë intelektualë në shkrim, njerëz që të dinin të hartonin një libër për historinë, ngjarjet etj. Prandaj dhe shtypi, intervistat nga gazetarët kanë shumë rëndësi për historinë gojore. Historia shqiptare është mrekulli, por është e rrethuar nga mjegulla. Atë që zbuloj unë, unë nuk e zbuloj, por më shumë e bëj të njohur. Është vetëm një përpjekje, por ka shumë zbulime, që nuk varen nga unë, por nga vet shqiptarët.
Keni punuar dhe për Eposin e Kreshnikëve…
Prandaj më pëlqen shumë Eposi, sepse është traditë gojore e trashëguar te brezat, sidomos në Veri. Por, po zhduket! Mendoj se pas 10-15 vjetësh nuk do të ketë më lahutarë, sikurse kanë qenë. Duhet të mbledhim historinë gojore, sepse në botën tonë ruhet ende kjo traditë…Njerëzit e moshuar janë ata që ruajnë pasuritë dialektore. Unë kam bërë shumë intervista të traditës dialektore; nuk u interesova aq shumë për atë që thoshin njerëzit, por se si e thoshin ata. Besoj, që kjo është një pasuri, sepse dialektet po zhduken çdo ditë dhe më shumë. Njerëzit tani duan të flasin të gjithë si tiransa (qesh).
Porosia ende e papërmbushur e Robert Elsie: Ruani historinë!
- Regjistrimi i historisë gojore të diktaturës komuniste në Shqipëri. Shumë njerëz, që janë përfshirë drejtpërdrejt janë të moshuar, prandaj nuk duhet të humbasim kohë!
- Historia gojore e shqiptarëve të Çamërisë nga viti 1945 e tutje, dhe natyrisht, të shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-‘99, në Maqedoni etj.
- Ka shumë fusha ku tradita gojore mund të ruajë atë që së shpejti do të humbasë, por unë do të largohem, duke ua lënë këtë ekspertëve që ndodhen këtu. Gazeta Liberale