Prof. As. Dr. Jonela Spaho –Historia e Kulturës dhe e mendimit shqiptar është e pasur me emra dhe vepra, të cilat kanë vendosur gurët themeltarë të saj. Por për shkak të kushteve, rrethanave, periudhave, ndikimeve dhe ideologjisë që sundoi për 50 vjet tek ne, ndodhi që një pjesë e këtyre emrave të liheshin në harresë, madje dhe të mos figuronin fare në këtë panteon vlerash.
Kristo Floqi është pa dyshim një nga autorët më popullorë të letërsisë e veçanërisht dramaturgjisë shqiptare në periudhën 1912-1939. Vepra e tij juridike, politike, publicistike dhe sidomos ajo letrare ka qënë e njohur gjerësisht në periudhën kur ai e shkroi atë, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore, emri i tij gati u harrua ose u përmend shkarazi në ndonjë tekst të Historisë së Letërsisë Shqipe apo studim kritik. Ky punim monografik kërkon të ndriçojë aspekte të rëndësishme të jetës dhe krijimtarisë së këtij autori, pak të njohur dhe shumë pak të studiuar për një periudhë, gati gjysmëshekullore. Emri dhe vepra e tij u la gjatë në heshtje, ndërsa sot ka ardhur koha që ky autor me këtë krijimtari të begatë, veçanërisht në një gjini pak të zhvilluar në letërsinë tonë në periudhën kur shkroi, të zërë vendin që i takon në radhën e autorëve të traditës që sollën kontributin e tyre duke pasuruar letrat shqipe. Duke qenë një figurë e spikatur jo vetëm në aspektin letrar dhe publicistik, por dhe politik, emri i Kristo Floqit është përmendur e analizuar në shumë organe të shtypit të kohës, kur ai dominoi në jetën politike dhe shoqërore. Fisnik në pamje, erudit ne kulturën e tij, një personalitet poliedrik me botëkuptim të formuar nën ndikimin e disa kulturave, burrë i vërtetë shteti, orator dhe organizator i përkryer, ai i bënte vend vetes në të gjitha ambientet, shoqëritë dhe vendet ku ai jetoi pjesën më dinamike të jetës së tij. Duke pasur një aktivitet të rëndësishëm politik dhe patriotik dhe një gjeografi të pasur vendndodhjesh, emri i tij do të përmendet e analizohet në organe të tilla si “ Dielli ” i Bostonit, “Dielli e Flamuri” Boston, “ Atdheu” Kostancë, “ Shtypi” Tiranë, “ Gazeta e re” Tiranë, “ Demokracia” Gjirokastër, “ Kalendari Kombiar” Sofje, “Posta e Shqypnisë” Shkodër, “Populli” Vlorë, “Besa shqiptare” Shkodër, “Gazeta e Korçës” etj., në të cilat analizohet jeta dhe aktiviteti i tij politik në periudha të ndryshme. Por ajo që na intereson më tepër në këtë studim është vepra e tij letrare e më konkretisht ajo dramaturgjike.
Ai botoi një numër të konsiderueshëm komedish dhe dramash, të cilat publiku i ndoqi me kënaqësi në skenat e teatrove amatore dhe kritika vuri në dukje suksesin e tyre. Kështu përmendim “Argëtim theatrues i tretë në Elbasan” , “Posta e Shqypnisë” 1918, “Fe e kombësi luhet në Korçë”, “Gazeta e Korçës” 1920, “Theatroja “Fe e kombësi”, “Koha” Korçë, “Bisedime theatrore”, “Ora” Tiranë, “Mbi komedinë e Kristo Floqit”, “Gazeta e Korçës”etj. Po ashtu analiza mbi vepra të veçanta të tij janë bërë në “Gazeta shqiptare” Bari, 1935, “Besa” Tiranë, 1935, “Letra” Shkodër 1935, “Ora” Tiranë, 1921 etj.
…Vlen për t’u theksuar fakti se duke vërejtur repertoret e teatrove në qytetet kryesore të Shqipërisë, (atje dhe ku u zhvillua lëvizja teatrore ) emri i Kristo Floqit qëndron në krye të listës. Dhe kjo vërteton dhe njëherë faktin se pjesët e tij skenike, me mesazhet që ato përcillnin dhe lehtësinë skenike që paraqisnin, u preferuan në masë të gjerë nga pothuaj gjithë trupat e teatrove amatorë në Shqipëri. Edhe shtypi i kohës i pasqyroi sukseset e komedive dhe dramave të Kristo Floqit. Kështu te “Gazeta e Korçës”, më 21 korrik të vitit 1920, jepet njoftimi mbi shfaqjen e dramës “ Fe e kombësi ”, e midis të tjerash thuhet: ”Banda kombëtare “Vatra” do të lozë të Premten dhe të Djelë mbrëmanet, 23, 24 korrik, më 8, në Gazino, dramën e famëshme “ Fe e kombësi”. Kjo vepër është shkruar në vjershë prej atdhetarit tonë të dëgjuar, z. Kristo Floqi. Në të tregohet çkoqur feja dhe kombësija e shqiptarit dhe i jep mundësi shikonjësit të kuptojë mirë qëllimin e shkrimtarit dhe i tregon që në çështje kombëtare dhe dashurie s’ka të bënjë fare feja. Blini tiketa të gjithë, që të shikoni një dramë nga më të rrallat për ne shqiptarët!”
Vepra dramatike ka privilegjin që jeton përmes skenës dhe receptohet drejtpërdrejt nga audienca e cila e ndien dhe e lidh veçanërisht atë me eksperiencat e veta. Me të vërtetë, komeditë dhe dramat e Kristo Floqit u pëlqyen dhe u pritën shumë mirë nga publiku. Veçanërisht sukses patën komeditë pasi ato ishin të thjeshta, të këndshme, trajtonin mjedise dhe mendësi shqiptare, karakterizoheshin nga humori dhe e qeshura që buronin nga një sërë situatash komike, ishin të lehta për t’u perceptuar e për t’u vënë në skenë, ndaj ato u shfaqën shumë herë nga pothuajse nga të gjitha teatrot amatore që u krijuan në Shqipëri në atë periudhë (1912-1939). Po të vihet re, sipas studimit që ka bërë prof. Kudret Velça mbi teatrin e viteve 1912 – 1939, bie në sy mbizotërimi i komedive, e veçanërisht i komedive të Kristo Floqit. Dhe kjo për disa prioritete që ka ky lloj i gjinisë dramatike.
Në fakt komedia është cilësuar si një kompensim filozofik, po aq sa dhe psikologjik. Sa herë që ne bëhemi të ndërgjegjshëm se kjo nuk është bota më e mirë e mundshme, na duhet ndihma e komedianëve për të përballur “defektet” e pakapërcyeshme të realitetit. Në të gjitha shoqëritë e civilizuara shpirti komik duhet të qëndrojë lart me buzagaz, të hollë, të vëmendshëm e te tensionuar, sepse asnjë shoqëri nuk është e shëndetshme pa qeshur me veten. Artistët komikë mendojnë se e vërteta mund të marrë çdo lloj drite. Me këtë besim mbështetet kurajoja heroike e komedianit. Prandaj komeditë e pakta të periudhës 1912 – 1939 kanë pushtuar skenat e teatrove amatorë, pikërisht me mënyrën e lehtë dhe të thjeshtë të ndërtimit, por që nuk harronte të vinte në dukje defekte, gabime e marrëzi të jetës dhe mentalitetit shqiptar duke argëtuar, por njëkohësisht dhe duke bërë të reflektonte publikun shqiptar, i cili nuk kishte si të mos i analizonte në jetën e përditshme tipa si Miti te “Vllazini e interes”, Gala te “Zi e më zi”, Katina te “Burri – Burrë”, Strumbullari e Sorollopi te “Akraballëqet”, si Dudumi te “Rrogat e nëpunësve” etj. Këta tipa komikë ishin mbartës të një sërë vesesh e deformimesh morale të dhënë herë përmes humorit pa të keq, herë përmes ironisë e satirës dhe, ndonjëhere përmes sarkazmës e groteskut.
Komeditë e Kristo Floqit, të receptuara kaq gjerësisht nga spektatori i kohës, padyshim kanë qënë një argëtim, por dhe një çlirim energjish të ndryshme, keqardhje, por dhe reflektim mbi personazhe dhe tipa që na bëjnë të qeshim me vese, gabime e marrëzi, por që ne e kemi të vështirë ta pranojmë veten si bartës së tyre. Sidoqoftë, efekti reflektues dhe katharsis ekziston si një mundësi e madhe për të shpjeguar audiencën e gjerë të komedive të Floqit në kohën kur ato u shkruan.
Kështu, komeditë e Kristo Floqit i shohim të receptohen përmes skenës, që në vitin 1918, kur grupi teatror i Elbasanit shfaqi “Dhëndërr me përdhuni” dhe “E bija e bankierit”. Të njëjtat komedi u vunë në skenë më 1925 nga shoqëria “Bashkimi” në Drenovë, nga vajzat dhe gratë e qytetit të Gjirokastrës me 1930 dhe, më 1938 nga grupi teatror i klubit “Ismail Qemali” Vlorë, bashkë me komedinë “Vllazni e interes”. Po ashtu, komedia “Pësimet mësime” u vu në skenë për herë të parë më 1920 nga “Shoqëria e Arteve të Bukura” në Korçë. Lidhur me komeditë e Kristo Floqit dhe vënien e tyre në skenë te gazeta “Zëri i Korçës” shkruhet: “ Më 14 shkurt të dielë mbrëma, shoqëria mirëbërëse “Bashkimi” me anë të djelmoshave të grupit prezantoj në sallën e klubit komedinë ”Vllazni dhe interes”, ku kishin mbledhur shumicë populli. Komedia u lojt bukur sa të gjithë u kërdisnë së qeshuri”. Sukses kanë njohur përmes skenës edhe dramat e tragjeditë e tij. Kështu drama “Fe e kombësi”, për mesazhet që përcolli, u vu në skenë disa herë si p.sh. nga grupi teatror i Vlorës më 1928, në Gjirokastër më 1935 dhe 1936, nga shoqëria “Apollonia” në Fier etj. Po ashtu dhe drama “Karlo Topia” njohu disa interpretime: më 1924 në Vlorë me rastin e ardhjes se F.Nolit, më 1928 nga shoqëria “Besa Shqiptare” Shkodër, më 1935 nga grupi teatror “Durrësi” etj. Në “Gazetën e Korçës”, të gushtit të vitit 1928 thuhet: ”Pardje klubi artistik “Devolli” çfaqi dramën “Karllo Topia” dhe komedinë ”Reklamë e bllofë”. Çfaqja përfundoi me sukses dhe rrobat ishin të mira. Kjo tregon se djelmoshat tanë kanë etje për art, por shpresojmë se tjatër herë do lozin më mirë”. Tragjedia “Pirro Neoptolemi” u receptua dhe u pëlqye, gjithashtu, për mesazhet që përcillte dhe mënyrën interesante të thurrjes së subjektit dramatik. Për këtë arsye ajo u vu në skenë disa here, si më 1926 nga shoqëria “ Trupi gjimnastikor” në Pogradec, më 1930 në Korçë etj. Në “Gazetën e Korçës” të marsit të vitit 1935 shkruhet lidhur me shfaqen e kësaj tragjedie: ”Të djelën mbrëma grupi theatral “Dragoi” prezantoi dramën “Pirro Neoptolemi” të K.Floqit, në të cilën asistuan jo vetëm gjithë autoritetet e vendit dhe paria e vendit por dhe një shumicë e madhe populli aq sa disa që arritën vonë u detyruan të qëndrojnë në këmbë. Çfaqja u lojt për mrekulli, prandaj meritojnë përgëzime grupi dhe dretonjësit në fjalë për të tilla shfaqe kaq të dobishme dhe sikurse përherë presin edhe të tjera prej tyre . Marrim vesh se shoqëria e këtushme ka ndërmend që këtë dramë ta çfaqë edhe në disa qytete të tjera si p.sh në Korçë po jemi të sigurt se populli artdashës i Korçës nuk do t’i kursejë përkrahjen e tij morale dhe materiale” Gjithashtu, në një njoftim të gazetës”Koha” në Korçë mbi daljen e dramës “Karllo Topia” thuhet: “Muarrmë dramën kombëtare ”Karllo Topia” me pesë akte prej z.Kristo Floqi. Kjo dramë është më e mbaruar nga të gjitha dramat e tjera gjer më sot, andaj e rekomandojmë në të gjithë. Bliheni pa u mbaruar”. Ndërsa në revistën “Leka” ku flitet mbi poemën e tij “Dëshmorët e Rilindjes” ose “Epope e Korçës” thuhet: “Të rrallë janë poetët shqiptarë, qi ndër poezi të veta kanë qenë të inspiruem nga ngjarjet historike të vendit e ma të rrallë edhe shkrimtarët që kanë shkruem histori të dokumentueme mbi ndodhitë e ndryshme të rilindjes së atdheut. Për qëllimin e naltë qi ka vepra meriton të përhapet e të lexohet pse vijnë me naltësue e më ushqye zemrat e brezit të ri me shujtjen e fatosavet të vet”. Duhet përmendur dhe fakti që shumë prej poezive të tij lirike dashurore, të cilat ai i përmblodhi në vëllimin “Tingëllimet e Zembrës” u bënë tekste këngësh të cilat janë kënduar dhe vazhdojnë të këndohen në Korçë, por dhe më gjerë. Vetë autori në parëthënien e vëllimit shkruan: “Shumë prej këtyre këngëvet u bënë popullore e këndohen sot nëpër qytetet e katundet e Shqipërisë” . Këngë të tilla si: “Dashuri e parë”,”Haj këtu me mua”,”Beqari”,”Pse moj malësore?”, “Burimi i Çardhakut”, janë bërë pjesë e rëndësishme e këngës lirike qytetare të Korçës, pjesë e identitetit kulturor dhe shpirtëror të këtij qyteti. Përsa i përket shkrimeve mbi jetën dhe krijimtarinë e tij letrare duhet pohuar se emri i Kristo Floqit, si autor i njohur shqiptar, përmendet në librin “Shkrimtarë shqiptarë II ”,1941 ku thuhet: ”Kristo Floqi asht nga shkrimtarët ma pjellorë të Shqipnisë; prodhimi i tij letrar në prozë e në poezi asht i mbushulluem e i larëm: ka hartue katër drama, gjashtëmbëdhetë komedi, gjashtë vëllime në poezi e satira, vepra juridike e letrare dhe artikuj me shumicë nëpër fletore e të përkohshme. Gjuha e vepravet asht nji toskënishte e rrjedhëshme dhe stili i tyne populluer”. Po ashtu, për Kristo Floqin si autor shqiptar ka shkruar dhe Gaetano Petrotta te vepra e tij “ Historia e letërsisë shqiptare”, në të cilin ai e cilëson atë si një ndër shkrimtarët që e kanë të siguruar emrin në të ardhmen.
Emri i Kristo Floqit përmendet vetëm një herë në “Historinë e letërsisë shqiptare”, 1983, kur flitet për dramaturgjinë, ndërsa Robert Elsie flet më gjerësisht për jetën dhe veprën e tij tek “Historia e letërsisë shqiptare”, në kapitullin ku trajtohet zhvillimi i dramaturgjisë sonë. Ai e cilëson Floqin si :”dramaturgu më popullor shqiptar në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. ”…
– Ky libër i Prof. As. Dr. Jonela Spaho, prezantohet para lexuesve si një studim i plotë, mund të thuhet shterues, mbi krijimtarinë dramaturgjike, të lëvruar plot pasion e përkushtim nga Kristo Floqi.
Krijimtaria e pasur e këtij perso-naliteti letrar, arrihet të zbulohet bindshëm, në tërë sfondin socio-kulturor të kohës dhe përmes vlerave të spikatura estetike, që ajo arriti t’i përcjellë në ato vite, në skenat tetrore. Studime të këtij formati gjykojmë se sjellin kontribut të dorës së parë edhe për hartuesit e historisë së letërsisë shqipe, për ta projektuar sa më realisht tërë procesin polifonik letrar shqiptar.
Prof. Dr. Ymer Çiraku
Dramat e K. Floqit përvijohen brenda caqeve të romantizmit të vonë. Në to, shquajmë motivet atdhetare, kontrastet dhe patoset e forta ideo-emocionale, duke prekur plagë e lëndime sociale. Studiuesja i ka spikatur me kompetencë këto prirje, duke u ndalur sidomos edhe tek humori i komedive të tij, një humor disa herë tepër i hidhur, duke parapëlqyer kundërshti me peshë sociale, por pa i rënduar ato me antagonizma dhe papajtueshmëri të skajshme.
Prof. Dr. Josif Papagjoni
…Rreth një orë larg Korçës, në lindje – perëndim, rrëzë Qarrit, shtrihet fshati i Floqit, nga më të bukurit dhe më të pasurit fshatra të dikurshëm të këtij qyteti. Pozicioni gjeografik mjaft i përshtatshëm, gjelbërimi i livadheve dhe burimet që rrjedhin të pastër e të bukur, të krijojnë kënaqësinë që të jep një vend i këndshëm dhe piktoresk.” Floqi është rruaza më jugore e gjerdhanit të bardhë formuar nga fshatrat e Rrëzës, rreth e rrotull Fushës së Korçës. Pikërisht emrin e këtij fshati të bukur do të mbajë si mbiemër një prej figurave më të shquara të historisë, letërsisë, publicistikës dhe jurisprudencës shqiptare, Kristo Floqi. “Elitat i japin emër vendlindjes, ashtu si dhe vendlindja u jep nga vetja diçka banorëve të saj. Floqi i ka dhënë Kristos mbiemrin dhe Kristoja i dha njohje më të gjerë fshatit.”…. Gazeta Liberale