Prof. Xhelal Zejneli – Lajmi pikëllues, i papritur dhe befasues, për vajtjen në përjetësi të më të shquarës arsimtare – Nadires, ishte tronditës për mbarë shoqërinë.
Një jetë të tërë ia përkushtoi idealit të madhërishëm që të zezën errësirë ta luftojë me flakën e qiririt të Naimit. Ishte ky një mision që kërkoi prej saj një punë plot sakrifica.
Si një pedagoge e shquar, ajo mbolli në zemrat e nxënësve shprehinë për punë, zellin për dritë e dituri dhe dashurinë për komb. Kujdes të veçantë u kushtoi nxënësve të fshatit dhe të malësisë. Breza të tërë dëshmojnë se i trajtoi njësoj të gjithë nxënësit dhe prindërit, qofshin bujq, blegtorë, zejtarë, intelektualë, të varfër apo të kamur. Me qasjen profesionale ndaj punës në arsim ajo la gjurmë të thella në hapësirat tona.
Me punën plot mund, në shkollën shqipe të trevës sonë, la gjurmë të pashlyeshme. Breza të tërë i mbrujti me vlera njerëzore dhe universale. I mësoi nxënësit sesi t’i luftojnë paragjykimet dhe stereotipat, ta çmojnë punën e ndershme, të bëhen të virtytshëm. Me imazhin e saj plot fisnikëri, kudo rrëzëllente dritë dhe shkëlqim, mirësi dhe urti.
Përcillte në shkolla të mesme breza nxënësish, të gatshëm për ta ndryshuar të sotmen dhe për t’u përballur me të panjohurat e së nesërmes. Zbrazësia e krijuar me vajtjen e saj në përjetësi do të plotësohet me gjurmët e thella që la në arsimin shqiptar.
Emri i saj simbolizon punën e palodhshme dhe sakrificën, devotshmërinë dhe virtytin, përkushtimin dhe gjykimin e arsyeshëm.
Emri i saj është metaforë e dashurisë ndaj nxënësve, e mësimit për një botë më të drejtë. Duke qenë gjithmonë në krye të detyrës, plot vullnet dhe energji, nga shkumësi ndër gishtat e saj dhe ligjërimet dritëdhënëse dolën mjekë, punëtorë arsimi, matematikanë, piktorë, ekonomistë… Ajo i mësoi sesi të jenë shpresëdhënës dhe të vihen në shërbim të shoqërisë.
Vdekja e kishte humbur rrugën në fisnikërinë e saj të shndritshme. Tani që vajti në botën e dritës së amshueshme, sytë e Sharrit, si dy lot të mëdhenj kanë ngrirë.
Prehu e qetë Mësuese e Madhe, në gjirin e tokës arbërore!