Murat Isaku u lind në Gajre të Tetovës, më 15 prill 1928, ku e kreu shkollën fillore, ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Tetovë, Elbasan, Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë.
Studimet i kreu në Universitetin e Beogradit, në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Punoi profesor në Gjimnazin e Tetovës ku ushtroi edhe ushtroi një kohë detyrën zëvendësdrejtor i kësaj shkolle. Një periudhë punoi gazetar në gazetën ,,Flaka e vëllazërimit”, pastaj kaloi në Radiotelevizionin e Shkupi, në dytyrë të redaktorit përgjegjës të emisioneve në gjuhën shqipe. Aty punoi deri në pensionimin e tij.
Ndërroi jetë në Tetovë, më 24.8.2005, ku edhe u varros me nderime të larta nga qytetarët e tij dhe nga shumë intelektualë, shkrimtarë dhe bashkëveprimtarë të tij nga të gjitha viset shqiptare.
Si kudo në botën e qytetëruar, shenja e parë e modernitetit është vetëdija për krijimin individual, qoftë ajo e artikuluar në vepra letrare, apo në vepra kritike.
Në fillim të shekullit të kaluar, këtë vetëdije e artikuluan poetët dhe shkrimtarët e njohur të letërsisë shqipe dhe në mesin e tyre edhe Murat Isaku, nismëtari i letërsisë bashkëkohore në vendin tonë.
Përmes veprës, ai dha shembullin – modelin e shkrimtarit që luan rol të drejtpërdrejt në shoqëri, në zhvillimet e përgjithshme, sikundër këto ngjarje do të ndikojnë pastaj edhe mbi krijimtarinë e tij.
Siç ndodh me çdo krijues të realizuar, shkrimtar të suksesshëm, edhe Murat Isaku, përtej rolit jetësor, ndikimin më efektiv dhe më afatgjatë, e realizoi përmes artikulimit të ideve në veprën letrare.
Ishte i vetëdijshëm se të jesh shkrimtar shqiptar, do me thënë, njëkohësisht të punoje se ç’të reja mund të ofroje në letërsinë e vendit, si dhe të dije të vlerësoje potencialin e jashtëzakonshëm të mjedisit shqiptar në një situatë të caktuar, ku gjithçka mund të kthehej në materie letrare, që nga dramat individuale e kolektive, deri tek energjia e çuditshme e krijuesit dhe te larmia e saj e jashtëzakonshme.
Ai shkroi për dashurinë që ruan baraspeshën brenda qenies njerëzore, për qëndresën që nëpërmjet letërsisë të ruhet identiteti kombëtar, kulturor e gjuhësor, e trajtoi temën e burgut, ku të burgosurit politikë shqiptarë dënoheshin pa pikë faji, dhe një vend të rëndësishëm në opusin e tij krijues ia kushtoi tokës, vendlindjes dhe familjes.
Veprat:
Poezi: “Zani i malit”, 1960; “Buzëqeshjet e mesditës”, 1963; “Kurora e trollit”, 1968; “Drithma”, 1975; “Blana”, 1982; “Ngushëllimi i bukur”, 1989; “Shtara”, 1994; “Egjër”, 1998; “Dolli për gjërat e humbura”, 2000; “Ngutem të marrë një frymë”, 2001; ndërsa në përkujdesjen e bijave të tij, tre vjet pas vdekjes iu botua përmbledhja me poezi ,,M’i këpusin kokrrat e frymës”, 2008; “Dollia e fundit”, (poezi të zgjedhura) u botua në kuadër të kompletit të veprave të tij), 2008; si dhe përmbledhja ,,Mëkatet e falura”, 2008 (të përzgjedhura nga Ali Aliu).
Tregime: ,,Unaza e djerrinës”, 1971; ,,Gërsheta”, 1978; ,,Sheshtina” 1982; ,,Gjaku i sharraxhive”, u botua në vazhdime në gazetën ,,Flaka e vëllazërimit”.
Romane: ,,Dielli e din rrugën e vet”, 1965; “Flaka e vonuar”, 1967; “Plagët”, 1975; “Rreckajt”, 1979; “Etje”, 1982; “Damkat”, 1986; “Shtjella”, 1989; “Rrengu”,1991; “Fatprerët”, 1995; “Banesa në katin e tretë”, 2001.
Studime letrare: ,,Lasgush Poradeci”, 1962.