Sipas njoftimit nga zyra e shtypit e bibliotekës në Brno, i gjithë koleksioni i librave të Milan Kunderës do të transferohet nga Parisi, ku jeton artisti, në Republikën Çeke, kjo gjatë vjeshtës.
Shkrimtari i famshëm 91-vjeçar, dhuron gjithashtu librat e tij, të përkthyer në çekisht dhe dyzet gjuhë të tjera, si dhe artikuj të gazetave që ai shkroi, recensione dhe përmbledhje të veprës së tij, fotografi dhe vizatime.
Gjithçka do të jetë në dispozicion të publikut, kryesisht në versionin dixhital – ka deklaruar nga ana e saj, biblioteka në Brno.
Ikje nga regjimi
Milan Kundera është shkrimtari bashkohor, më i famshëm dhe më i lexuari me origjinë çeke. Ai jeton në Paris, prej vitit 1975, kur iku nga regjimi komunist i Çekosllovakisë.
Libri i tij i fundit është “Injoranca”, shkruar në frëngjisht dhe botuar në vitin 2000. Kundera jeton në izolim. Ai ka udhëtuar në Republikën Çeke për vite me radhë, por pa dhënë kurrë deklarata për gazetarët.
Krahas shkrimtarëve të tjerë të reformës komuniste, ai u përfshi në “Pranverën e Pragës” 1968, që synonte liberalizimin, çka do të ndikonte më pas në veprat e tij më të mira “Lehtësia e padurueshme e qenies” (1984).
Pas pushtimit, e larguan edhe nga posti i pedagogut dhe iu ndalua të botojë çfarëdolloj vepre tjetër në Çekosllovaki.
Dy librat e tij: “Jeta është diku tjetër” (1969) i cila fitoi çmimin “Prix Medicis” në Francë, dhe “Festa e lamtumirës” (1972) u botuan jashtë vendit, përpara se ai të zhvendosej në Francë në 1975. Konica.al



