Fondacioni Nobel, që menaxhon çmimet prestigjoze Nobel ka bërë të ditur se ka anuluar banketin tradicional të dhjetorit në Stockholm City Hall, si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Kjo është hera e parë që banketi i çmimeve Nobel anulohet që prej vitit 1956.
Lars Heikensten, CEO i Nobel Foundation tha se nuk ishte e mundur të mblidheshin më shumë se 1300 mysafirë në banket dhe të uleshin pranë njëri-tjetrit, pasi masat kufizuese të Covid-19 nuk e lejojnë. Ai tha gjithashtu se nuk është e sigurt nëse fituesit e çmimeve mund të udhëtojnë drejt Suedisë.
Çmimet Nobel shpallen në tetor, por ceremonia në dhjetor do të kufizohet për shkak të pandemisë. Fondacioni tha se nuk është ende e qartë se si apo në çfarë mënyre do të realizohet ceremonia.