• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E premte, 9 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

Marrëdhëniet politike bullgaro – shqiptare (1908 -1915)

“MARRËDHËNIET POLITIKE BULLGARO-SHQIPTARE (1908–1915)” nga prof. Georgi Georgievi – studim me vlera të mëdha shekncore.

27/06/2020
| Kulturë, Rajon

Dr. Anton Pançev | Autori i librit, profesor Georgi N. Georgiev, punon në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë, në Institutin për Hulumtime Historike. Ai është hulumtues i marrëdhënieve shqiptaro-bullgare në dekadat e para të shek. XX. Libri i tij “Marrëdhëniet politike bullgaro-shqiptare (1908-1915)”, është botuar në Sofje nga Instituti Shkencor Maqedonas në vitin 2019 dhe përmban 468 faqe. Libri bazohet mbi dokumente dhe burime të shumta – bullgare, shqiptare, austro-hungareze, britanike, franceze, turke etj. dhe jep një pasqyrë të plotë për marrëdhëniet ndërmjet shtetit bullgar, institucioneve të tij, lëvizjes revolucionare bullgare në Maqedoni dhe lëvizjes shqiptare të asaj periudhe. Studimi ka 8 kapituj dhe trajton me hollësi të gjitha aspektet e rëndësishme të marrëdhënieve bullgaro-shqiptare në një periudhë tepër të rëndësishme për këta dy popuj.

Rezymeja e librit:

Periudha 1908-1915 është themelore për historinë bashkëkohore të mar­rëdhënieve politike bullgaro-shqiptare. Fillimi i saj, i vënë nga i ashtuquajturi “Revolucion xhonturk” dhe regjimi i Komitetit “Bashkim dhe Përparim” në Peran­dorinë Osmane, i ka lidhur problemet kombëtare të bullgarëve dhe të shqiptarëve në një nyjë gjeopolitike gordiane, e cila vetëm mund të zbërthehej, por jo edhe të shthurej me një paqebërje përmes fjalëve të kota. Zgjidhja ushtarake e Çështjes Maqedonase, e pranuar si paevitueshme nga elitat bullgare, kërkonte një zgjedhje vendimtare të aleatëve në përplasjen me perandorinë myslimane – halifat.

Potenciali i veprimit të përbashkët bullgaro-shqiptar për çlirimin e Maqedonisë dhe të Shqipërisë është shënuar dhe është analizuar në kohën e duhur, por pa pasur sukses të imponohej në horizontin strategjik të Mbretërisë së Tretë Bullgare. Sa edhe joshës ka qenë mirazhi i kurorës ekzotike të monarkisë së ardhshme shqiptare, mbreti Ferdinad e ka zgjedhur realitetin në krahasim me ëndrrën dinastike, duke lënë hapësirë edhe për këtë të fundit në zemrën e tij. Opsioni shqiptar nuk e tejkaloi nivelin e ekspertizës, të siguruar nga përfaqësues të dikastrit diplomatik, të ushtirsë dhe të Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase dhe Edrenase (OBRME). Kontaktet e përforcuara dypalëshe dhe bashkëpunimi lokal ndërmjet lëvizjeve kombëtare të bullgarëve dhe të shqiptarëve në “Turqinë Evropiane” kontribuan për destabilizimin e plotë të qeverisjes xhonturke dhe e përshpejtuan “orën e fundit” të “njeriut të sëmurë buzë Bosforit”, pritur nga shek. ХІХ. Mirëpo, “marrëveshja” bullgaro-shqiptare ka mbetur në sferën e ideve dhe të dëshirave të parealizuara.

Maja politike në Mbretërinë bullgare e zgjodhi aleancën klasike ndërshtetërore, e lidhur nën përkujdesjen e Rusisë, me konkurrencën ballkanike për Maqedoninë – Serbia dhe Greqia. Çmimi i kompromisit, i bërë me pëlqimin e mbretit Ferdinand, ka qenë tërheqja bullgare nga autonomia dhe tërësia e Maqedonisë dhe pajtimi me daljen serbe në Adriatik përmes Kosovës dhe Shqipërisë Veriore. Kjo llogari do të paguhet nga bullgarët e Maqedonisë dhe nga shqiptarët.

Faktori shqiptar nuk peshonte shumë në peshore për shkak të copëzimit të tij kulturor, fetar dhe rajonal, me turbulencën politike dhe me mungesën e një ndërgjegjeje mbarëkombëtare. Koloriti dominues mysliman në imazhin shqiptar të “të tjetrit” dhe asociacionet e dhimbshme me padrejtësitë mbi popullatën e krishterë kanë qenë një pengesë serioze për thyerjen e stereotipave bullgarë kundrejt “arnautëve”. Linja e bashkëveprimit me rrymën relativisht të dobët ndër një pjesë të shqiptarëve mbi bazë antiosmane, antigreke dhe antiserbe nuk e ka ndryshuar këtë prirje.

Edhe një gjë më të rëndësishme: lëvizja bullgare dhe ajo shqiptare kanë pasur dallime në programet e tyre në lidhje me një pikë mjaft thelbësore. Autonomizmi i famshëm i bullgarëve në fund të fundit i ka mbuluar, jo në mënyrë bindëse, prirjet irredentiste në favor të shtetit kombëtar – Bullgaria-nënë. Përkundrazi, te shqiptarët, për shkak të mungesës së një shteti të vet, orvatja ka qenë për krijimin e një “Vilajeti të përbashkët shqiptar” me privilegje nën “hijen e Perandorisë Osmane”, për t’u evituar copëtimi i tyre ndërmjet fqinjëve ballkanikë. Ky vilajet do të vetëqeverisej në mënyrë shqiptare, përfshirë sipas normave të së drejtës së zakonshme patriarkale (“kanunët” e pashkruar rajonalë) dhe të asaj të fesë islame (Sheriati). Përvijimet territoriale të “autonomisë” specifike shqiptare kanë hyrë tepër larg në hapësirën etnike bullgare, duke i kapur Shkupin, Bitolën, Lerinin, Kosturin, Prilepin, Ohrin etj.

Projekti për një “Shqipëri të madhe” deri dhe përgjatë lumit të Vardarit është përpunuar dhe është mbështetur në mënyrë aktive nga Austro-Hungaria si shkallë për zbritjen e saj drejt Selanikut. Roli aktiv i Monarkisë së Dyfishtë në kultivimin e identitetit shqiptar dhe të nacionalizmit shqiptar ka qenë njëri nga impulset kryesore për ngritjen e Aleancës Ballkanike, boshti i së cilës – Bullgaria dhe Serbia, është drejtuar edhe kundër Stambollit, edhe kundër Vjenës.

“Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare” kundër regjimit xhonturk në vitin 1912, e cila çoi deri pushtimin e Shkupit nga “arnautët”, i ka hequr barrierat e fundit midis paqes dhe luftës në Ballkan. Trazirat, të shpërthyera për shkak të politikës etatiste të xhonturqve, qëllimi i së cilës ka qenë “ta disiplinon” me forcë qenien tradicionale të shqiptarëve myslimanë, kanë dhënë sinjal për ndërhyrjen ushtarake të Aleancës Ballkanike në mbrojtje të popullatës së krishterë në Perandorinë Osmane. Përplasja e Komitetit “Bashkim dhe Përparim”, njëkohësisht me stuhinë shqiptare dhe me “sistemin revolucionar” bullgar, e ka shpërthyer fuçinë ballkanike, si e ka përhapur në të gjitha drejtimet gjeografike edhe këtë, që kishte mbetur nga “Rumelia” e dikurshme.

Mëdyshja midis qëllimeve politike dhe atyre ushtarake të Mbretërisë së Bullgarisë e ka hapur gjerë rrugën e ushtrive greke dhe serbe drejt Maqedonisë dhe Shqipërisë. Përmasat e gabimit, i bërë nga Sofja zyrtare në përgatitjen diplomatike të luftës, u bënë të dukshme që pas fitoreve të para bullgare në Traki. Përpjekjet, që të korrigjohej gjatë rrjedhjes së ngjarjeve kursi i dështuar, në mënyrë të pashmangshme kanë shkaktuar ndryshim edhe në qasjen kundrejt çështjes shqiptare. Nën presionin e rrethanave, politika bullgare gradualisht është riorientuar ndaj mbështetjeje për shtetndërtimin shqiptar, proklamuar në mënyrë urgjente nga Ismail Qemali në Valonë. Dhe prej kësaj – edhe drejt pikëpamjes për vendosjen e një kufi bullgaro-shqiptar “nga Sharri deri Korçën”, si pykë ndërmjet Serbisë dhe Greqisë.

Qeveria e përkohshme shqiptare nuk ka pasur në dispozicion ndonjë potencial edhe në shkallën më të vogël për një aleancë (ushtarake) cilësore me Bullgarinë, e cila ndodhej në izolim në rritje. Mendimet e Ismail bej Qemalit dhe të ithtarëve të tij kanë qenë të zënë para se gjithash me mbijetesën shqiptare, jo edhe me shpëtimin bullgar. Kjo është kuptuar mirë në Bullgari, ku qeveritë pro-ruse të Ivan E. Geshovit dhe të Stojan Danevit nuk kanë treguar as dëshirë, as trimëri ta kthejnë timonin e anijes shtetërore në një drejtim alternativ, kundër vullnetit të “Çlirimtares” dhe në favor të Austro-Hungarisë. Një trimëri të tillë kanë shfaqur ushtria dhe OBRME-ja, të cilat e kanë ndërmarrë nismën për tërheqjen e shqiptarëve në luftë kundër “aleatëve-hajdutë”. Misionet e Jane Sandanskit dhe të Grigor Oshavkovit, të dërguar ndaras dhe “në mënyrë të verbër” njëri prej tjetrit në Shqipëri (maj – qershor 1913), nuk e kanë arritur këtë qëllim. Misionet e tyre do të japin frutë mezi pas disfatës dhe katastrofës kombëtare të Bullgarisë, me pasthënien e vonuar të Luftërave Ballkanike pas Bukureshtit– kryengritja bullgaro-shqiptare kundër Mbretërisë së Serbisë në shtator 1913.

Kryengritja u bë gur prove për strategjinë e re të lëvizjes nacionalçlirimtare bullgare. Ajo është dakorduar në mënyrë të ngushtë me udhëheqjen e ndërruar shtetërore të Mbretërisë në formatin e “Përqendrimit liberal” – koalicioni nga të ashtuquajturat parti anti-ruse: radosllavistët, stambollovistët dhe tonçevistët, i cili e ka marrë përsipër përgjegjësinë për kthesën drejt Fuqive Qendrore. Në plan të parë ka dalë koncepti për luftën e përbashkët të papajtueshme të kombësive të shtypura, pa dallim nga feja, në Maqedoni – kryesisht bullgarë, turq dhe shqiptarë, kundër regjimit serb dhe grek. Flamuri ideor i qëndresës prapë është bërë autonomia e krahinës. Kryengritja bullgaro-shqiptare nga vjeshta e vitit 1913 demonstroi se këtej e tutje “Paqja” e Bukureshtit do të thotë gjendje të një lufte të përhershme partizane në territoret e pushtuara nga Serbia dhe Greqia.

Me veprimet e tij kundër popullatës së rebeluar, aparati ushtarako-policor i Beogradit i ka vërtetuar plotësisht pritjet e OBRME-së. Njëkohësisht, shtypjet gjithëpërfshirëse i kanë shfaqur qëllimet e qeverisjes në “Serbinë e Re”. Ato kanë qenë: 1) zvogëlimi deri zhdukjen (anihilimi) i shqiptarëve të panevojshëm në kufijtë e “Piemontit” të sllavëve të Jugut, dhe 2) përthitja dhe “shpërlarja” (flotacioni) e bullgarëve të nevojshëm deri arritjen e një grumbulli amorf nga “sllavë maqedonas”, të cilët më vonë do të bëheshin “serbë të drejtë” (asimilim), si një produkt i pastër përfundimtar i projektit të inxhinierisë etnike. Sot, më shumë se një shekull më vonë, jetojmë me pasojat e kësaj qasjeje komplekse. Dështimi i saj në Kosovë dhe suksesi i kushtëzuar (i pjesshëm) në Maqedoni janë tema të lidhura ndërmjet tyre për një analizë të ndershme, objektive dhe bashkëkohore. Një krahasim të ngjashëm në kuadër të Çështjes Maqedonase tregon se për Greqinë bullgarët janë (kanë qenë?) pikërisht kjo, çfarë janë shqiptarët për Serbinë – një trup i huaj, i cili duhet të çrrënjoset nga shteti homogjen kombëtar. Që nga viti 1913, popullsia bullgare në Maqedoninë Jugore “spastrohej”, për të liruar “hapësirë jetësore” për “helenizmin”. Derisa bullgarët e Maqedonisë në Mbretërinë e Serbisë/ Jugosllavi janë të nevojshëm si material gjenetik të “sllavëve të Jugut”, i cili të përdorej përmes shkombëtarizimit me çdo çmim për zgjerimin e “sërbizmit” sipas shembullit të rajonit të Pomoravisë (bullgare) pas vitit 1878. Për shkak të burimeve të tij të kufizuara, kolonizimi serb në Maqedoni nuk ka qenë gjithëpërfshirës, por strategjik. Zhvillimi i tij iu drejtua ndërtimit të një “kordoni sanitar” dhe të një barriere etnike midis Bullgarisë dhe “Krahinave të reja” të Serbisë.

Kryengritja bullgaro-shqiptare është lidhur edhe me zhvillimin e një tendence tjetre – afrimi ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Bullgarisë mbi bazën e orvatjes së përbashkët për revizionin e rezultateve nga Luftërat Ballkanike. Problemi qëndron atje se derisa revizionizmi bullgar është përqendruar mbi Traktatin e Bukureshtit, xhonturqit, të ardhur prapë në pushtet, deheshin nga ëndrrat për një restaurim të plotë të territoreve të humbura të Perandorisë sipas Traktatit paqësor të Londrës – Trakia e Egjeut, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Ja, pse negociatat për arritjen e një aleance ushtarako-politike ndërshtetërore bullgaro-turke në vitin 1913-1914 në fund të fundit arritën deri rrugë pa krye dhe shkuan deri pikën e ngrirjes nga ana e Sofjes.

Në rrjedhën e tyre fillestare është arritur një marrëveshje sekrete midis OBRME-së dhe Komitetit xhonturk (tetor 1913) për një luftë të përbashkët subversive kundër Serbisë dhe Greqisë. Një vend të rëndësishëm në aleancën e organizatave revolucionare kombëtare, mbi të cilën duhej të mbështetej blloku i ri ballkanik me bërthamë Sofja – Stambolli, është ndarë për shtetin e ri shqiptar dhe për lëvizjen çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni. Aktivizimi i politikës revanshiste të xhonturqve në drejtimin shqiptar, me qëllim shndërrimi i Principatës së Shqipërisë në një post të përparuar të Perandorisë Osmane, kërkonte përpjekje shtese të diplomacisë zyrtare dhe jozyrtare bullgare.

Për formimin e strategjisë bullgare kundrejt Shqipërisë, një kontribut të madh ka pasur Organizata e Brendshme dhe personalisht kolonel Aleksandër Protogerov, anëtar i Komitetit të saj Qendror. Pikërisht pikëpamjet e tij, të formësuara në mënyrë programore në ekspozimet e tij deri qeverinë, janë pranuar nga udhëheqja shtetërore si një “hartë rrugore” për qëllimet, mjetet dhe etapet e një “politike shqiptare”, të menduar në mënyrë të njëpasnjëshme. Bërthama e planifikimit të politikës së jashtme ka qenë pakica kombëtare bullgare në Shqipëri. Të drejtat dhe gjendja e saj duhej të garantoheshin me themelimin e Peshkopatës bullgare nga pjesët e dioqezës së Ekzarkisë bullgare, që u ndodhën në territorin shqiptar dhe të cilat i janë takuar peshkopatës së Ohrit-Prespës dhe të Kërçovës- Dibrës para Luftërave Ballkanike. Peshkopata bullgare jashtë kufirit duhej të merrte epërsi të jashtëzakonshme mbi organizatën ortodokse kishtare në Shqipëri, duke i gëlltitur organizatat serbe dhe greke – komuna, kisha dhe shkolla. Me ndihmën e Bullgarisë statuti i privilegjuar i pakicës bullgare do të japë fruta në një ndikim të fortë politik, kulturor dhe ekonomik mbi shtetndërtimin shqiptar. E vet pakica do të shtohet me ardhjen e bullgarëve nga Maqedonia Perëndimore, kurse sipërmarrës dhe tregtarë nga Bullgaria do të thirren që të investojnë në tregun shqiptar, duke i shkatërruar (me ndihmesën e autoriteteve shqiptare) pozicionet greke dhe serbe. Kështu, Mbretëria do të krijojë nga themelet një aleat dhe mik korrekt, i cili në perspektivë do të mundë të lidhej në mënyrë dinastike edhe me kurorën bullgare. Kurse OBRME-ja do ta ketë bazën e saj shqiptare për hapjen e “frontit të dytë” në prapavijën e Serbisë dhe të Greqisë.

Gjatë vjeshtës së vitit 1913 projekti është vënë në lëvizje me dërgimin e misionit të parë diplomatik bullgar në Shqipëri. Ai është shoqëruar me një aksion të emocionueshëm humanitar përmes detit për shpëtimin e refugjatëve – shqiptarë dhe bullgarë nga Maqedonia, nga terrori serb dhe grek. Përfaqësimi zyrtar bullgar – Konsullatë e Përgjithshme (1913-1914) dhe Legatë (1914-1915), pa ngadalësime është kompletuar me një mision kishtar-shkollor për punë në lidhje me ngritjen e një Peshkopate bullgare me rrjetin përkatës nga shkolla dhe komuna. Përbërja e të dy misioneve, në krye me konsullin e përgjithshëm (më vonë drejtues i Legatës) Todor Pavllov, inspektori i shkollës Pavel Hristov dhe përfaqësuesi i Peshkopatës Tërpo Popovski, është emëruar nga qeveria në Sofje, por është përzgjedhur nga OBRME-ja. Të dërguarit bullgarë kanë kryer njëkohësisht edhe detyrat, të vëna nga KQ i Organizatës së Brendshme – ta marrin kryesinë, drejtimin metodologjik dhe koordinimin e veprimtarisë së përbashkët revolucionare me Komitetin Shqiptar. Funksionet e njëjta kryenin edhe përfaqësuesit e inteligjencës ushtarake bullgare, në vend të parë major Dimitër Atanasov, pjesëmarrës në lëvizjen maqedono-edrenase dhe ithtar i afërt i kolonel Aleksandër Protogerovit.

Përkundër rezultateve të mira në fillim, veprimtaria e ndërmarrë ka treguar jo pak dobësi sistematike. Sigurimi i saj financiar u tregua nën nivelin kritik dhe mungesat, në kuptimin më elementar të nocionit, i ka bllokuar plotësisht misionet. Justifikimet për vështirësitë buxhetore, të cilat vinin nga mëmëdheu, nuk i përgjigjeshin situatës në Shqipëri, e cila ndryshohej në mënyrë dinamike. Është humbur një kohë e vlefshme dhe janë humbur njëra pas tjetrës mundësi të favorshme për kauzën kombëtare bullgare. Kur gjërat u renditën në një rresht institucional, ka qenë tepër vonë.

Për shkak të qëllimeve të ndryshme, bashkëpunimi me xhonturqit në tokën shqiptare shpejt është zbehur dhe i ka marrë karakteristikat e një përplasjeje të fshehtë. Në të, pala bullgare definitivisht ka qenë më e dobët dhe orientojej më vështirë. Agjentura e xhonturqve ka luajtur me ndjenjat fetare dhe me prirjen e besnikërisë së shumicës myslimane ndaj sulltanit-kalif në Stamboll. Pakënaqësia kundër qeverisjes “së qafirëve” të princ Vilhem Vidit – princi-protestant gjerman, përzgjedhës evropian për fronin shqiptar – së shpejti u transformua në një kryengritje të vërtetë popullore për “fenë” dhe “padishahun” (1914).

Në Shqipëri politika bullgare ka përllogaritur edhe mbi partneritetin me Austro-Hungarinë dhe Italinë – Fuqitë e Mëdha, të cilat e kanë mbështetur tutelën ndërkombëtare mbi shtetin shqiptar. Balanca e cënuar e interesave italiane dhe austro-hungareze ka shkaktuar një rivalitet të ashpër me përdorimin e të gjitha mjeteve të lejuara dhe të palejuara. Kështu edhe Vidi, edhe përfaqësimi bullgar në Shqipëri, kanë rënë midis të dy karrigeve, mbi të cilat kanë bërë përpjekje të uleshin. “Koncerti Evropian” i çintonuar, reflektimi i të cilit në Shqipëri ka qenë Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, u shpërbë plotësisht gjatë “Krizës së korrikut”, e cila u transformua në një kataklizëm global ushtarak gjatë verës së vitit 1914.

Në zjarrin shqiptar kanë hedhur benzinë Greqia dhe Serbia. Vegël në duart e së parës ka qenë lëvizja separatiste (pro-greke) të “epirotëve” ortodoksë në Shqipërinë e Jugut. E dyta i ka ndezur flakat e kryengritjes myslimane në Shqipërinë e Mesme me persona kukulla, armë, mjete financiare dhe mbështetje logjistike të agjentëve-drejtues xhonturq të “rebelëve”.

Kundër “kolonave të pesta” të bashkuara të Italisë, të Greqisë, të Serbisë dhe të Perandorisë Osmane, shteti i dobët shqiptar nuk ka pasur asnjë shans dhe u copëtua nën presionin e tyre. Me të ka rënë edhe misioni “kishtar-shkollor” bullgar, i cili përllogaritej pikërisht si pjesë strukturore në shtetndërtimin shqiptar. Së bashku me anëtarët e misionit, Shqipërinë e kanë braktisur dhe vullnetarët bullgarë – refugjatë nga Maqedonia, të cilët janë përfshirë në mbrojtjen e dështuar me armë të forcave kombëtare.

Pas tërheqjes së detyrueshme të princ Vilhem Vidit dhe instalimit në Durrës të qeverisjs pro-serbe të Esad pasha Toptanit, përfaqësimi diplomatik bullgar atje ka rënë në një agoni të vazhdueshme. Ai është mbajtur në këmbë vetëm me energjinë e T. Pavllovit, e cila, në kushtet e interesimit të ulët dhe të mungesës së angazhimit nga Sofja, nuk mjaftonte për ndonjë gjë tjetër. Qëndrimi pa perspektivë i T. Pavllovit është ndërprerë në mënyrë logjike para se Mbretëria e Bullgarisë të ndërhynte në Luftën e Parë Botërore së bashku me Fuqitë Qendrore në vjeshtën e vitit 1915.

“Rirregullimi” i politikës së jashtme bullgare në sektorin shqiptar të marrëdhënieve ndërkombëtare e ka vënë vulën e tij mbi negociatat me Gjermaninë. Pala bullgare në mënyrë të qartë ka dhënë të kuptohej se çmimi i pjesëmarrjes së saj në luftë përfshinte njohjen e bashkimit personal ndërmjet Mbretërisë dhe Shqipërisë, në kufijtë e të cilit të hynte edhe Kosova. Edhe pse u tërhoq nga teksti përfundimtar i traktatit të aleancës me Gjermaninë për shkak të rezistencës së Austro-Hungarisë, dëshira për një dualizëm shtetëror bullgaro-shqiptar, i kryesuar nga dinastia e “mbretit-baba” Ferdinand, nuk është avulluar gati deri fundin e luftës. Kjo e shpjegon pjesërisht edhe kryeneçësinë, me të cilën Bullgaria ka këmbëngulur për prezencën e saj në Kosovë, e cila e ka kaluar idealin për bashkimin kombëtar.

Marrëdhëniet politike bullgaro-shqiptare 1908-1915 kanë kaluar nën shenjën e dyfishtë të Çështjes Maqedonase dhe të asaj shqiptare, të lindura nga Kongresi i Berlinit më 1878. Konkluzioni nga hulumtimi i tyre është se këto çështje nuk mund të izolohen dhe të zgjidhen në mënyrë të ndarë. Nuk është gjetur edhe një zgjidhje të përbashkët. Hapat në njërin ose në tjetrin drejtim, të ndërmarrë gjatë periudhës së shqyrtuar, por edhe më vonë, flasin bindshëm për këtë. Tërheqja ndaj qendrave me gravitet të kundërt, fushat e të cilave ndërpriten në hapësirën ndërmjet Liqenit të Ohrit dhe Malit të Osogovës, ka qenë tepër e fortë dhe ende një kohë të gjatë do të lindë tension. Nga filizi bullgar dhe shqiptar në Maqedoninë e Vardarit dhe në Kosovë kanë lindur në mënyrë të ndryshme dhe prapëseprapë të pleksura entitete të reja shtetërore. Përfundimi eventual (optimist) do të ishte se simbioza e ndërsjellë e dobishme “në mënyrë evropiane”, duket, ka mbetur mundësia e vetme e pashfrytëzuar për zhvillimin e gërshetimit të komplikuar gjeopolitik. Por prova e realizimit të saj të dëshirueshëm do të duhet ta përballojë edhe vërtetimin e kohës historike. Shenja serioze pozitive, mbase deri tani, nuk janë shfaqur. Ose, së paku, nuk janë ngarkuar në një shkallë të besueshme. Në këtë situatë, aq më me mend është të kërkojmë dhe të mbështetemi mbi përvojën historike, një pjesë prej së cilës është mbledhur në këtë libër.

 


Publikimi i mëparshëm

Ndërroi jetë Irfan Xheladini / Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti: I përkiste një familje të njohur për veprimtarinë patriotike

Publikimi i radhës

103 vjet nga lindja e Prenk Jakovës, kompozitori i madh që i rezistoi sistemit

Publikimi i radhës

103 vjet nga lindja e Prenk Jakovës, kompozitori i madh që i rezistoi sistemit

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.