Ismail Arsllani | Disa dokumente të Arkivit Historik në Tetovë dëshmojnë se në vitin 1908, në Mexhlisin e Xhonturqve ka qenë shtruar çështja e elektrifikimit të Kazasë së Tetovës (Kalkandelen), por kjo për më shumë shkaqe nuk ka mund të realizohet. Ndërkaq, në vitin 1913 është formuar një Shoqatë aksionare e qytetarëve më prestigjiozë, të cilët kanë mbledhur një kapital fillestar, për ndërtimin e një hidrocentrali në grykën e lumit Shkumbin të Tetovës, por për shkak të rrethanave politike-luftarake, kjo ide sërish ka mbetur e parealizuar. Para se të ndërtohej hidrocentrali i parë në Tetovë, sipas disa deklaratave të tetovarëve të vjetër, në fillim të vitit 1921 është mbledhur Paria e qytetit në sallën e hotelit “Beograd” (sot “Liraku”), për të themeluar një shoqatë prej qytetarëve më prestigjiozë, prej të cilëve ishin edhe 5-6 shqiptarë, për të ngritur nismën e ndërtimit të një hidrocentrali në rrjedhën e lumit Shkumbin, pranë lokalitetit të Banjës.
Në atë tubim të tetovarëve është hartuar një dokument në formën e Aktit të themelimit të shoqatës, e cila është shndërruar në aksionare. Për ndërtimin e hidrocentralit është mbledhur një kapital fillestar prej 6 milionë dinarësh të atëhershëm. Në ndërkohë, dy përfaqësues janë nisur për në Beograd, ku kanë shtypur aksione në vlerë prej 12 milionë dinarësh. Në Beograd kanë kërkuar sigurimin e planeve dhe të kuadrit për ndërtimin e hidrocentralit.
PËRGATITJET PËR NDËRTIM MË 1921-1924
Me aktin e themelimit të Shoqatës aksionare, që është vërtetuar dhe regjistruar në Gjykatën e Tetovës, më 27 maj 1921, është dërguar një kërkesë në Beograd për ndërtimin e një hidrocentrali. Sipas një dokumenti të botuar në librin “Tokat e liruara 1941-1944, Q.L.), kjo shkresë është dërguar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Beograd, prej nga ka ardhur përgjigje pozitive, pasi që ministri kishte ndërhyrë në tekstin e projektit dhe si të tillë e kishte miratuar Këshilli Nismëtar, më 19 mars 1922, në Tetovë. Kjo shoqatë është emërtuar: Shoqëria Anonime Industriale, me seli në Tetovë. Sipas këtij burimi, është caktuar një kapital fillestar prej 1 milion dinarësh, të ndarë në 5.000 aksione, për ndërtimin e hidrocentralit, me të drejtë që ky kapital, me një ankand publik, të rritet në 2 milionë dinarë, me vlerën e atëhershme të dinarit në Mbretërinë jugosllave.
Sipas dokumentit të Aktit të themelimit, i cili mban datën 22 mars 1922, mësohet se në mbledhjen e parë të aksionarëve ishin zgjedhur anëtarët e Këshillit administrativ: Mihajllo J. Mihajlloviq, avokat, Dushan Aleksiq, libërshitës, Mustafa Arsllani, myftar (kryeplak i bashkësisë vendore), Sima Shtakleviq, tregtar, Kosta Parliq, kryetar bashkie, Hfz. Xhemil Sulejmani (ligjërues fetar), Mihajllo Neshiq, tregtar, Simo Mojsiq, dhëmbëtar, Jakup Halim Sulejmani-Adilçe, tregtar, Aleksandar Jovanoviq, tregtar, Aco Todoroviq, rrobaqepës, Vehbi Izeti, pronar pasurish, të gjithë të përmendurit ishin nga Tetova. Në Këshillin kontrollues ishin zgjedhur: Marko Petroviq, mësues, Vasa Ristiq, saraf (shkëmbyes valutash), dr. Xhafer Sulejmani, mjek, Jovan Çiriq, mësues, Ilia Simiq, rrobaqepës, Halim bej Deralla, intelektual e pasanik, dhe Simo Momiroviq, përfaqësues i Gjykatës. Kryetar i Këshillit Administrativ është zgjedhur Mihajllo J. Mihajlloviq, ndërsa nënkryetar, Mustafa Arsllani.
SI U NDËRTUA HIDROCENTRALI
Sipas burimeve të Arkivit të Tetovës, në ndërtimin e hidrocentralit janë kyçur inxhinierë nga Austria, Sllovenia, Çekia dhe Hungaria. Më së vështiri është ndërtuar tuneli, që do të çonte ujin te turbinat e hidrocentralit, të cilin e kanë ndërtuar inxhinierët e Sllovenisë dhe që është kryer në vitin 1922. Pajisjet për hidrocentralin janë siguruar nga firma “Ganc” e Budapestit dhe është montuar nga ekspertë të fabrikës që e kishte prodhuar. Nga fundi i vitit 1924, hidrocentrali ishte kryer. Së pari, me dritë elektrike ishte ndriçuar sheshi i qytetit të Tetovës, me gjashtë poçe elektrike, ndërsa çdo familje e interesuar ka pasur të drejtë të shfrytëzojë vetëm nga një poç elektrik. Kompania suedeze “Erikson” ka qenë e kyçur me instalimin e pajisjeve të veta për nevojat e centralit, si dhe ka ndërtuar largpërçuesin deri në Shkup dhe tërë rrjetin instalues.
Ky hidrocentral, i pari i këtij lloji në Banovinën e Vardarit (sot, Maqedoni e Veriut), ka qenë krenaria e tetovarëve. Aq më shumë se sasitë më të mëdha të rrymës elektrike janë dërguar për ndriçimin e Shkupit. Tetovarët, asokohe, të mahnitur nga shkëlqimi i dritave elektrike, e quanin qytetin e tyre një “Paris të vogël!”. Çarshia e Tetovës krenohej: “Të mos ishte Tetova, Shkupi do të gllabërohej në errësirë!”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur këto vise u okupuan nga italianët, sipas një dokumenti të ruajtur, dëshmohet se për këtë hidrocentral ka pasur dijeni edhe vetë Hitleri, i cili kishte dhënë urdhër të prerë: “Pavarësisht se nën administrimin e kujt është ky rajon, hidrocentrali detyrimisht duhet të jetë nën komandën e Vermahtit gjerman”.
Objekti i hidrocentralit vërtet ishte drejtuar nga gjermanët, të cilët e kishin lyer me ngjyrë të përhirtë për të maskuar dhe përreth kishin mbjellë shumë akacie e bredha. Pas përfundimit të luftës, në shtator të vitit 1946, ky hidrocentral është nacionalizuar nga pushteti i atëhershëm dhe që atëherë është në pronë të shtetit, ndërsa si themelues u paraqit ndërmarrja publike “Elektro-Ekonomia” e Maqedonisë, sot ELEM apo EVN. Ndërkohë, trashëgimtarët e aksionarëve të dikurshëm kanë kërkuar denacionalizimin e hidrocentralit dhe kthimin e pronës te aksionarët, gjë që nuk u realizua deri në skadimin e afatit. (koha.mk)