Për të treguar elegancën e tij si shkrimtar e eseist do të më duhej pak më shumë hapësirë. Por meqenëse rreshtat janë të limituar, gjithkush e nxjerr përfundimin nga ajo çka Granit Zela, ky prozator, poet, eseist e përkthyes plot sharm, thotë gjatë një interviste për gazetën “Fjala”.
Ditët e karantinës, sa frymëzuese ka qenë për ju një situatë e tillë?
Në të vërtetë, fillimi fillimi ishte pak trazues, sepse m’u anulua bileta e fluturimit nga Kuvajti për në Shqipëri. Pra, portat e shteteve u mbyllën dhe ashtu si te “Murtaja” e Kamysë, në vetëdijen e secilit u shtua dobësia e pafuqisë për të bërë plane për të ardhmen.
Besoj se nuk kam pasur shpërthim hovi krijues, por vijimësi të procesit të shkrimit dhe përkthimit. Në një farë mënyre izolimi është gjendje e përhershme e një krijuesi dhe, nëse do të lexosh, të shkruash apo të përkthesh, je i detyruar të izolohesh diku.
Ndërsa frymëzimi nënkupton “ndikimin e ndjenjave dhe ideve të fuqishme” për mua këto ide dhe ndjenja lidhen me pandeminë totale shpirtërore dhe morale pastotalitare që ka përfshirë njeriun shqiptar në të gjitha nivelet e ekzistencës, kurse kjo periudhë pandemie s’mendoj se ishte më e rëndë se 1997-a.
Pandemia është gjendja jonë e përhershme si shoqëri. Para saj u përmbyt dhe u dogj Biblioteka Kombëtare, vijuan protestat e opozitës me molotov, vala e tërmeteve nervashkatërruese, karantinimi i detyruar i gjithë popullatës, nxjerrja e tankeve në rrugë dhe në fund fare, shembja e Teatrit me forcat e antiterrorit, vënia e prangave Hamletit i cili po shestonte një përbetim kundër shtetit, arrestimi i aktorëve dhe spektatorëve, sepse mbreti kishte njëzet vjet që shihte në ëndërr fantazma që dilnin nga Teatri, të cilin, sipas imagjinatës së tij të fandaksur, Ofelia e kishte mbushur plot e përplot me eksploziv.
Në ditët e izolimit, cila ka qenë më produktive, krijimtaria apo të lexuarit?
Po t’i harrosh vramendjet e tjera, ditët e izolimit flakin tutje angazhimet bjerrakohëse të përditshmërisë. Kështu, lexova ato libra që prisnin në radhë. Te leximi po fus edhe përkthimin e përditshëm që kërkon lexim vertikal dhe të ngadalshëm të një teksti.
Krijimtaria origjinale është përqendruar te gjinia e tregimit dhe po kështu ka vijuar edhe gjatë kësaj periudhe. Një ide ngacmuese ishte organizimi i një konkursi letrar për “Librin e karantinës”, i cili u bë shkas për të shkruar tregimin Gregor Samsa shkruan “Librin e Karantinës”.
Ideja e tregimit erdhi falë tekstit të lajmërimit të konkursit ku flitej për kryevepra letrare që janë shkruar gjatë kohës së izolimit, dhe m’u duk si një ftesë e tipit “Ja sheshi, ja Shekspiri” shkruaj.
Po aq absurd më është dukur edhe një konkurs letrar i para disa vjetëve, ku aplikohej me një fillim romani, dhjetë poezi ose disa tregime të cilat autorët fitues do t’i shndërronin në libra. Imagjino, një nga anëtarët e jurisë së këtij konkursi sapo kishte botuar një libër për të cilin i ishin dashur dhjetë vjet për ta shkruar.
Natyrisht, e kam të qartë që pas kësaj ideje qëndron një dëshirë e mirë, kjo nuk diskutohet, por mendoj se as autori vetë nuk mund t’i imponohet një teksti letrar me afate kohore, kurse ndërhyrja e shtetit në procesin e shkrimit me afate dhe tematika është i dalëboje gjatë epokës së socrealizmit, kur shkrimtarëve u kërkohej të frymëzoheshin nga “kjo, ajo, ata e ato” dhe në fund fare pati një mal me libra që u bënë smog në mjedisin letrar.
Poet, prozator, eseist por dhe përkthyes, cili është shtrati që u rri më mirë?
Le të themi që këto janë tri përmasa që nuk janë të shkëputura nga njëra-tjetra, një investim jetësor, por tani e shoh veten te proza dhe pastaj te përkthimi si një sipërmarrje më e ndërlikuar, e cila ka nevojë për mjetet letrare të të gjithave, ndjeshmërinë e poetit për fjalën, frazën, ritmin, ka nevojë për intutitën e prozatorit për stilin, teknikat e shkrimit, metodologjitë e rrëfimit, si dhe për një lloj disipline dhe organizimi më të disiplinuar që kërkon eseja.
Para tyre do të shtoja “leximin”, sepse i besoj asaj që thotë Orhan Pamuk “përmirësimi i një shkrimtari varet në një shkallë të madhe nga leximi i librave të mirë”.
Keni shkruar romanin “Dodona” në vetën e dytë, fort e rrallë për tregun e prozës shqipe…
Zanafilla e romanit “Dodona” (2006) lidhet me një tregim të botuar në vetën e dytë ku rrëfimtari flet që nga “mbijeta e imagjinatës”. Romani fillon jashtë kohës së rrëfimtarit dhe kohës njerëzore me betimet e lashta të eposit dhe krijon një atmosferë kozmogonike, kurse veta e dytë e rrëfimit shërben si formë me anë të së cilës rrëfimtari i flet vetes duke u shkëputur nga ajo.
Ndërsa rrëfen kohën e tij të brendshme, zëri rrëfimtar ngjan gjithnjë e më shumë me një zë legjende. Romani është shkruar pas përvojës shkrimore të dy librave poetikë dhe një libri me tregime dhe, besoj, se këto përvoja kanë ndikuar që gjuha poetike të ndërthuret me gjuhën e dramës dhe tonet filozofike, simbolikën biblike dhe shqetësimet shoqërore.
Ndoshta ky lloj rrëfimi dhe këto mjete letrare janë pjesë e vetë përpjekjes së personazhit-shkrimtar për të krijuar diçka “të re” për romanin që ai gjakon të shkruajë, i cili ka shpresë se do ta mbrojë nga tmerri i përpirjes nga koha dhe vdekja.
Mendoni se duhet t’u kthehemi këtyre përvojave, përveç të shkruarit në mënyrën klasike?
Mendoj se kërkimi i një strukture unike për një vepër letrare është proces i vetvetishëm, sepse si shkruhet bën dallimin, le të themi, mes qindra shkrimtarëve që ndoshta shkruajnë për të njëjtën gjë. Natyrisht, nuk janë disa zgjedhje të veçanta teknike që ia sigurojnë jetëgjatësinë një libri.
Krijuesi kërkon dhe gjen zërin e vet. Ky zë mund të mishërohet në vepra të prozës mimetike, moderniste, në eksperimente të prozës pasmoderniste dhe të gjitha këto bashkë me qëndrimin ndaj gjuhës dhe traditës letrare, përcaktohet nga rruga e veçantë artistike që ndjek secili krijues, nga prirja e tij e brendshme.
Si e shihni letërsinë shqiptare të viteve të fundit, kur ajo përballet në të njëjtin treg me letërsinë botërore?
Mendoj se këto njëzet vjet përvojë shkrimore kanë krijuar një korpus veprash të rëndësishme. Vetëm vitin e kaluar, për shembull, u botuan vepra si: “Valsi i një dasme fantazmë”, “Kur këndonin gjelat e tretë”, “Dëmtuar gjatë rrugës”, “Triptiku i magjistarëve”, “Dead End”, “Lavjerrësi i qytetit”, “Gënjeshtarë të vegjël”, “Skënderbeu, manuskripti i Marlout”, “Metamorfoza e një kryeqyteti”, “Barërat e së keqes”, “N’nji fije t’thellë gjaku”, “Shënimet e krimbit Smolinski”, “Enciklopedia e mërgimit”, “Bijat e gjeneralit”, “Imgur”, “Ora e ligë”, “Kronikat e mjegullës”, “Në Tiranë bie shi”, “Pragu i braktisjes”, “Anjeza nuk u zgjua”, “Kthimi i profetit”, “Dashunia fillon prej gjysmës” dhe shumë vepra të tjera.
Por sjell në vëmendje disa nga prurjet e një viti të vetëm për të thënë se të gjitha mund të përkthehen në gjuhë të huaja, por a është kjo më e rëndësishmja? Mendoj se para së gjithash librat e mirë duhet të nguliten në kujtesën e lexuesit shqiptar.
Qëllimisht nuk përmenda emrat e autorëve, pasi në kujtesën e lexuesve duhet të mbetet libri dhe titulli i librit duhet të të bëjë të të kujtohet autori. Por autori nuk i kujtohet as librarit dhe te një librari në kryeqytet, librat e Ani Wilms janë te seksioni i autorëve gjermanë, kurse për Henri S.G, ka gjasa që lexuesit të mendojnë se është autor francez.
Tregu i librit shqip, me çfarë vështirësish përballet një autor shqiptar brenda tregut të gjuhës me të cilën ai shkruan?
Problem kryesor shoh botimin nga shtypshkronjat që kanë logon e shtëpive botuese dhe i botojnë autorët me vetëfinancim. Ata janë shkaku që të kemi qindra botime, një pjesë të pakorrektuara dhe të paredaktuara. Sot gjen në Tiranë autorë që kanë botuar rreth tridhjetë apo dyzet libra në harkun kohor të njëzet vjetëve.
Kjo ishte arsyeja që nuk kishte dhe nuk ka vend në Bibliotekën Kombëtare ku t’i vendosësh këta libra. Pra, me këtë rast, i bëj thirrje popullit shkrimtar shqiptar, që të shfaqë maturi dhe vetëpërmbajtje dhe çdo autor të tregohet i ndërgjegjshëm duke botuar një libër në pesë vjet dhe jo pesë libra në vit.
-Si e shihni rolin e rolin e kritikës, sa funksionon ky institucion?
Mendoj se kritika letrare është e përqendruar te studimi i librave të traditës letrare dhe më pak te procesi aktual letrar. Çmimet letrare janë dhënë më shumë si vlerësime letrare, por jo domosdoshmërisht vlerësimi letrar ka përkuar me arritje letrare. Vlerësimet letrare mund të merren për një mijë e një arsye kurse arritja letrare bën që një libër të lexohet edhe pas disa dekadash.
Në fund fare masa më e madhe e librave janë të dobët, dhe harrohen. Për librat e viteve të fundit kam lexuar shkrime kritike kryesisht të shkrimtarëve të tjerë për kolegët, si nxitje për të vënë në pah tekste që nuk duhet t’i shpëtojnë vëmendjes së lexuesit.
Nuk mendoj se kemi një numër të mjaftueshëm kritikësh letrar që ndjekin dhe shkruajnë për procesin e përvitshëm letrar. Sidoqoftë, besoj se pavarësisht nga kritika letrare një libër jetëgjatë e gjen gjithmonë rrugën e vet te lexuesi dhe në rastin më fatlum ia ndryshon edhe jetën.
Leonard Veizi / Fjala.al