Adelina Xhaferi | Zëri i shkrimtarit shpesh ngrihet në netët e vona dhe kërkon kohë pa kohë të lexohet nga dikush, qoftë ai edhe një i marrë e me sy fëmije. Zëri i tillë kërkon që fjalët e tij të mësohen natën dhe ashtu si rrugën e tij, t’i ndjekin edhe rrugët e të tjerëve. Ai kërkon liri, frymëzim për shkrimet e reja, udhëtime aventurore, kërkon motive dhe ëndrra që realizohen, jetë dhe paqe, kthim në vetvete dhe njohje jetësore. Ai shpesh merr me vete vetëm penën e fletët dhe horizontin e gjerë kërkon ta pushtojë i vetëm, larg duarve që gënjejnë për mbrojtje, larg luleve që vyshken pa u dhuruar, larg fytyrave që qeshin pa arsye, larg fjalëve që të tjerët thonë e shkrimtari mbetet i mallkuar. Shpesh një hap i vogël drejt një qëllimi ia nxjerr dritën që synon çdo natë, kur yjet shndrisin e muzat pa leje i hyjnë në dhomën. Ai i pranon pa droje, ua lëshonte një copë jorgani dhe veten e bind të kënaqet me pak, por të jetë i lumtur.
Të nesërmen e merr rrugën. Ajo i paraqitet e heshtur, por në brendi i ngërthen një sekret, një “odiseadë” të re. E tërë nata i kalon në heshtje, e shuan llambën e kokës dhe e hesht edhe zërin. Muza e tij i rri mbi kokë si engjëll, ia prek flokët dhe e bën të sajën. Ai e pranon edhe atë në heshtje, pasi nata përveç ëndrrave dhe një frymëzimi të ri nuk i fal gjë tjetër. Por, ç’do t’i fal rruga dhe aventura e re? Ç’do t’i fal largimi nga një femër? Një largim i predestinuar dhe i detyrueshëm?
Nata e shkrimtarit simbolizon ëndrrat, por jo gjithmonë ato i bëhen realitet. Ai në ëndrra flet me sorkadhe, fle me trupin e tyre, nuri i së cilave i dhurohet pa frikë, por këtë të mirë nuk ia lë dita, agu i pritur dhe këndesi, të cilin Umberto Eko në veprën e tij madhështore “Emri i trëndafilit” e ka simbol të djallit dhe të Krishtit. Po djalli ç’rol luan në ditën dhe aventurën e tij të re, do të thoni apo jo? Shkrimtari atë nuk e ka frikë, sepse me penë ia firmos tragjiken dhe ai humb do të thoni apo jo? Shkrimtari është më dinak se djalli dhe nuk bie në kurthet e tij, ngase fjalët e tij synojnë madhështoren, piedestalin dhe fletën e bardhë në dorën e një zonje të heshtur, si ai. Shkrimtari nuk synon rënie, dështim dhe frikë ndaj një qenieje tjetër. Ai ka frikë vetëm të bukurën, të cilën e ka në krah dhe nuk dëshiron t’i ik e ta lë.
Këtë e kishte Odiseu, i cili gjeti harmoninë e jetës së tij dhe nuk mendoi për djallin, Krishtin, engjëjt dhe parajsën. Ai parajsën e kishte në tokë, në Penelopën e tij. Ai nuk donte më shumë se dashuria e saj. I mjaftonte çdo gjë saja. Bukuria dhe shpirti i një gruaje besnike ndaj burrit.
Odiseu hyri në suaza të letërsisë botërore nga Greqia antike dhe pena e Homerit. Për të tregoi dashuri çdokush dhe jo vetëm gruaja të cilën ai e kishte poezi, këngë, jetë, vallëzim dhe qiell. Dashuria e saj e mbushi me frymë, e detyroi të jetonte, ta shihte atë çdo mëngjes dhe të mos mendonte për largësinë nga ajo. Fati i tij ishte gjithçka. Këtë do ia pranonim edhe ne dhe sigurisht do ishim të kënaqur që e tërë vepra të fliste për fuqinë e tyre magjepsëse, për fisnikërinë e tyre. Por këtë nuk e dëshironte Homeri. Ai e detyroi penën dhe dorën e tij ta shkruante edhe fatin e keq të Odiseut. T’i falte atij një rrugë të re dhe ta kishte simbol të atdheut. Por përse, përderisa e kishte në atdhe duhej ta bënte të vraponte dhe të mendonte kthimin në të? Pse duhej të shkatërronte diçka dhe më vonë të kërkonte kthimin?
Odiseu u mundua ta shmangte fatin dhe të sillej si dikush që nuk ishte, të ndërronte identitetin duke harruar paqen e dikurshme, vetëm që të mos largohej nga parajsa dhe qetësia e tij. Por këtë, nuk ia lejoi Homeri. Ai këtë personazh dhe historinë e tij e përsosi në rrugë, me aventura dhe tmerre të shumta. Rruga të cilën ndoqi, ia paraqiti vështirësitë më të mëdha që mund t’i ketë një udhëtues, një shpirt i lirë nga brenda dhe një trup i robëruar nga pena. Një qenie me qëllim jete dhe një pengues fati e dashurie.
Odiseu ëndërroi të nesërmen. Në kulmin e ëndrrave të tij ishte Itaka, atdheu i tij dhe vendi ku ai makthet nuk i kishte frikë. Itaka priste gjithmonë kthimin e tij, kthimin e një të dashuruari, të cilit askush tjetër nuk mund t’ia falte ato ndjenja, atë dritë dhe harmoni familjare. Itaka për të ishte vendi i dritës dhe bardhësisë, ishte shtëpia, e cila kthimin e tij dhjetë vjeçar e priste ende e bukur dhe e freskët, ashtu siç ishte edhe gruaja e tij, fati i tij jetësor.
Udhëtimi i tij ishte i shoqëruar nga bredhjet e gjata dhe të mundimshme. Ky hero i letërsisë dhe i kohës homeriane u bë simbol i njeriut që në çdo vështirësi gjen një rrugë dhe kthehet në shtëpi. Në ditët e sotme ai simbolizon njeriun që kërkon të vërtetën dhe diturinë, njeriun e flaktë për atdheut dhe shtëpinë.
Odiseu udhëtoi në vende dhe ujdhesa të ndryshme. Ujdhesa e Lotofagëve e ngërtheu e para këtë hero atdhetar, këtë frymë të re të letërsisë dhe udhëtues aventurist, hero të dashuruar e të dashur nga lexuesi. Ujdhesa e Ciklopëve e përballi me viganin e tmerrshëm, ndërsa ajo e Eolit me sunduesin e erërave. Përpara se të takonte Kirkan dhe ujdhesën e saj Ea, ai u ndesh me atë të Lestriganëve. Te Kirka jetoi një vit dhe të njëjtën kohë e kaloi edhe në ujdhesën e Circes, e cila me fuqinë e saj e dërgoi në ujdhesën e sirenave. Sirenat ia kujtuan gruan, fytyrën e saj, aromën, emrin, trupin dhe flokët aromëmira.
Dëshira e kthimit në atdhe nuk e ka humbur fuqinë as edhe në veprën e Homerit. Kjo gjë shihet qartë në vete Odisenë, personazhin më të njohur dhe më simbolik të Homerit, shkrimtarit antik, por me frymë dhe ide moderne e aktuale. Dëshira e tij e flaktë për t’u kthyer në atdhe dhe pranë gruas e djalit të vet, nuk ia zbehu qëllimin që ai ia kishte vënë vetes. Ky hero antik, shpirt revolucionar dhe mendje analitike bëri të pamundurën në udhëtimin e tij të gjatë. Hoqi dorë nga bukuritë e natyrës, qenieve të saj, hoqi dorë nga joshjet dhe frymëzimet.
Rruga e tij nuk ia bënte të mëdha pengesat. Sytë e tij nuk e donin bukurinë e Kalipsos, edhe pse periudha dhe qëndrimi i tyre shtatë vjeçar bashkë mund të ndryshonte shumë gjëra si për të, ashtu edhe për nimfën e bukur, e cila pati fatin e mirë që një trim si Odiseu, i bukur dhe me trup luftëtari të shkelte i pari në brigjet e ujdhesës së saj, Ogigia. Bukuria dhe rinia e saj e përhershme nuk e tunduan dhe nuk e joshën këtë hero letërsie, këtë udhëtues drite dhe qetësie shpirtërore.
Asnjë fije floku e Kalipsos nuk i përkiste atij, asnjë buzëqeshje e saj nuk i falte dritë, asnjë fjalë e saj nuk ia hapte zemrën, asnjë prekje e saj nuk ia merrte mendjen, asgjë e saj nuk u bë tija. Atij i mjaftonte Penelopa dhe ëndrra se me të do të ishte bashkë dhe në atdheun e vet.
Atdheu ishte frymëzim i tij për jetë, sepse aty kishte shpirtin binjak dhe dhuratën që ai shpirt ia fali. Aty kishte të kaluarën, ëndrrat, motivet, kujtimet, veten dhe të nesërmen me një qëllim, me një dritë. Aty kishte brendinë e tij dhe fjalën frymëzuese. Ky ishte qëllimi i tij. Itaka e lirë dhe e qeshur me të.