Selman Sheme | Mazrreku është fshat në rrethin e Margëlliçit, rreth 8 km në veriperëndim të qytetit. Nga veriu kufizohet me Skopjonën e Kurtesin, nga jugu me Smogovinën e Karterezën, nga lindja me Vrastovën dhe nga perëndimi me Vrohonanë e Kuçin.
Mazrreku është një vendbanim i lashtë. Në fshat deri në ditët tona gjenden rrënojat e një fortese të periudhës së parë të hekurit (shek.. XI-V p.e.s.) e ndërtuar me gurë të mëdhenj poligonik të latuar, e quajtur “Kalaja ilire”.
Në mesjetë Mazrreku ka qenë një qytet i dëgjuar, kryeqendër e zotërimeve të princit të famshëm Pjetër Losha (shek. XIV). Në shek. XVI Mazrreku ishte kryeqendër e Nahijes me të njëjtin emër. Mbi bazën e të dhënave të defterëve osmanë Nahija e Mazrrekut kishte në juridiksionin e vet 40 vendbanime rurale (fshatra) me një popullsi prej 10.100 banorë. Kjo nahije shtrihej gjeografikisht në rrethet e sotme të Margëlliçit dhe Gumenicës. Margëlliçi që më vonë u bë qendër urbane e rëndësishme e Çamërisë në këtë periudhë kishte vetëm 10 shtëpi.
Pjesa më e madhe e fshatrave kishin deri në 50 shtëpi dhe vetëm 14 fshtra kishin mbi 50 shtëpi. Vendbanimet më të mëdha të Nahijes së Mazrrekut ishin : Arrila (50 shtëpi), Radojana (50 shtëpi), Ajallar (60 shtëpi) , Arvenica (50 shtëpi), Nutesh (54shtëpi), Shanica (100 shtëpi), Grikohori (50 shtëpi), Kurtesi (70 shtëpi) Nikolica (50 shtëpi), Dragani (61 shtëpi), Kurajani (73 shtëpi), Arsekala (139 shtëpi), Gjorkupar (72 shtpi), Dobra (80 shtëpi).
Këto fshatra numëronin gjithësej 859 shtëpi me një popullsi prej 6100 banorë, ndërsa fshatrat e tjerë (26 syresh) kishin 563 shtëpi dhe një popullsi prej afro 4000 banorësh.
Nga shqyrtimi i toponimeve dhe tipareve të antroponimisë të Nahijes së Mazrrekut, në këte periudhë vërehet se emërtimi i vendeve dhe i njerëzve të nahijes është i njëjtë nga karakteri me ato të vendbanimeve të tjera të Shqipërisë. Antroponimia e krishterë e popullsisë came është në variantin shqiptar të shprehur në shumë raste në trajta e saj të krishtera të shqipërisë Qëndrore dhe Veriore. Kështu p.sh në defterin osman të vitit 1551 fshati Margëllic regjistrohet si has i kreut të sanxhakut të Delvinës. me 17 kryefamiljarë të cilët kishin emra të tillë si; Gjon Ilia, Spani Deda, Qesar Dhima, Gjon Jani, Gjin Popa, Gjon Nika etj. Deri në gjysmën e dytë të shek XVI-të, dy shekuj pas venosjes së sundimit osman në shqipëri, popullsia shqiptre e trevës së Camërisë spikat për ruajtjen e përkatësisë fetare të krishtere. Vetëm në raste të rralla ishin konvertuar në fenë islame.
Duke shyrtuar të dhënat statistikore të regjistrave osman , në dy njësi administrative të trevave të Camërisë, Paramithi dhe Mazrrek, vërehet qartë se zhvillimet ekonomike, politiko-shoqërore dhe shpërnguljet në masë të popullsisë së Camërisë në pjesën jugore të Greqisë dhe vendosjen në krahinë te kolonëve grekë dhe vllahë, nuk e ndryshuan situatën demografike dhe në mënyrë të vecantë etnike të popullsisë.
Më vonë Mazrreku e humbi rëndësinë e mëparshme. Në fillim të shek. XX fshati kishte rreth 600 shtëpi, të gjitha shqiptare të fesë myslimane.
Pas aneksimit nga Greqia (1913-1944) mbi 200 familje emigruan në Shqipëri dhe Turqi. Në vitin 1944 Mazrreku kishte rreth 400 shtëpi. Pas shpërnguljes, në pronat e familjeve autoktone shqiptare të këtij fshati u vendosën Karaguno-Vllahët dhe mbi 200 familje shqiptare nga Kartereza, Kukuli e Popova.
Popullsia merrej me blegtori, bujqësia dhe kultivimi i ullinjve. Peizazhi i Mazrrekut është mbuluar me plantacione me ullinj, me vreshta dhe pemë frutore. Në këtë fshat kultivohen shtatë variete ullinjsh si, bardherojt,beratas, kaculer,kokerrmadh,nisqot, recanjot, etj. Familjet më të pasura kishin mbi 1000 rrënjë ullinj, ndërsa familjet e tjera jo më pak se nga 100 rrënjë. Në këtë vendbanim ishte e zhvilluar edhe artizanati e tregtia. Fshati kishte një fabrikë mielli, një fabrikë vaji, 18 luturi (punishte vaji), 6 dyqane manifakture, dy klube, 3 rrojtore, 5 xhami dhe në kohën e sundimit turk ka patur dy mejtepe (shkolla fillore turke).
Pas pushtimit u hap një shkollë 8-vjeçare greke. Me gjithë pengesat dhe censurimin e qeverisë greke për mësimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në vitet ’30 të shekullit të kaluar në Mazrrek u hap e para shkollë shqipe nga mësuesi patriot Mulla Zeneli (Hamzai). Në këtë shkollë mësuan të shkruajnë e lexojnë gjuhën amtare mbi 200 nxënës.
Mazrreku është vendlindja e Tahir Metës, një nga trimat e Abdyl bej Frashërit, që shoqëroi Rilindasin e madh për në Prizren më 1878. Ai ishte pjesëmarrës aktiv në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Prevezës me 11 janar te vitit1879, ku u shpreh boterisht dhe u organizua mbrojtja e Çamërisë nga rreziku që i kanosej nga pushtimi grek. Tahir Metë Mazrreku ishte një nga katër delegatët e Çamërisë në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.
Burimi: https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=3095796943802605&id=100001169899826