Laureta Petoshati | “Poezia nuk ka nevojë për ndjekës, por për të dashur”, thotë poeti i madh Federico García Lorca. Dhe unë, si njeri që ushqehem me poezinë dhe e kam të domosdoshme si ajrin e detit, me të cilin jam rritur, nuk mund të rri pa thënë dy fjalë për “Qyteti në depresion”, një poezi që e desha, sapo e lexova, si dashuria me shikim të parë.
Edhe kjo poezi, ashtu si poezitë e tjera të mjeshtër Bardhyl Londos, është me shumë plane dhe ambigue. Ambiguiteti në këtë poezi është më i theksuar se në poezitë e mëparshme të tij, madje dhe dikotomia. Po ta shikojmë me kujdes fjala kyçe në këtë poezi është fjala “shi”. Ajo që bije në sy është përmendja e të gjitha vendeve kryesore të kultit në kryeqytet: Katedralja Protestante, Katedralja Ortodokse, Katedralja Katolike dhe Minarja e Xhamisë
E dimë se shiu është një dukuri natyrore shumë e rëndësishme për jetën e njeriut dhe natyrën. Por në besimet e Krishtera reshjet e shiut përfaqësojnë rilindjen dhe spastrimin emocional. Të krishterët përdorin ujë për pagëzime për të simbolizuar vdekjen shpirtërore dhe ringjalljen. Me fjalë të tjera, është një simbol i qartë për lindjet shpirtërore, pastrimin dhe larjen e mëkateve. Edhe në fenë islame, uji paraqet jetën, të lindurit, pastërtinë. Në Suren Furkan (Kuran, dallues të së vërtetës nga e pavërteta)thuhet pikërisht: “Ne lëshuam prej qiellit ujë të pastër.
Që me të t’i japim jetë një toke të vdekur dhe që t’u japim të pinë atyre që i krijuam, kafshë e shumë njerëz.” Ajo që është mbresëlënëse në poezinë “Qyteti në depresion” të Bardhyl Londos është fakti se ashtu si shiu nuk bën asnjë dallim midis të pasurit dhe të varfrit, midis mëkatarit dhe të devotshmit, shiu i Bardhyl Londos rreh dhe lag njësoj të gjitha vendet e kultit, pra e çon në një nivel ndëshkimin apo drejtësinë që vjen nga lart. Këtu vjen një kthesë e madhe në poezi dhe kuptohet që nuk kemi një ndëshkim të zotit, por kemi ndëshkim nga robi, prej të cilit kemi këtë gjendje:
“e Premtja e Zeze edhe më zezon,
shiu zbret si një antikrisht i zi sterrë,
gjysma djallëzi,gjysma depresion.”
Futja e simboleve fetarë në këtë kontekst tregon, jo vetëm rëndesën e kësaj gjendjeje, por dhe mashtrimin e atyre që po dalin sikur janë shpëtimtarët, por në fakt janë antikrishti. Po rikujtoj një pasazh nga Bibla: “Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja e mrekulli të mëdha për të mashtruar, po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit”. (Mateu 24:24, NKJV)
Shiu i Bardhyl Londos në varësi të kontekstit në të cilin shfaqet, nuk simbolizon vetëm trishtimin, ankthin, makthin, refuzimin ose dëshpërimin, por dhe mashtrimin, që mund të vijë pambarim si pikat e shiut. Nuk është e pamundur të mos ndodhë kjo gjë me kaq shumë mjete informacioni që përdoren për propagandë të “krishtërve të rremë”. Shiu i natyrës, pra ai i vërtetë, zvogëlon rrezet e diellit duke shkaktuar emocione dhe gjendje të forta shpirtërore deri depresion nga errësira. Shiu, për të cilin flet poeti Bardhyl Londo ka shkaktuar terr informativ kur thotë se “vetëm më të rrallë ndonjë e – mail enigmë ̷ eterin çan nëpër depresion.” Në letërsi, shiu shpesh përdoret në mënyrë metaforike për të shfaqur pakënaqësi ose gjendje shpirtërore të rënduar. Shumë poezi me pikat e shiut simbolizojnë lotët e njeriut. Letërsia ka një ndërthurje të pasur simbolesh të lidhura me shiun. Poetë e shkrimtarë të ndryshëm e kanë përdorur shiun si simbol në veprat e tyre letrare dhe një prej tyre është dhe poema “Tokë e Shkretë” e T. S. Eliot, e konsideruar botërisht si një nga poemat më të rëndësishme të shekullit të 20-të dhe një vepër qendrore e poezisë moderniste. Ashtu si në poemën “Tokë e Shkretë” të TS Eliot, edhe në poezinë “Qyteti në depresion” të Bardhyl Londos, lexuesi vëren ankthin e njeriut mbi vdekjen dhe marrëdhënien e tij me elementët fizikë të tokës, siç është shiu, apo uji.
S.T Eliot poemën “Toka e Shkretë” e hap me vargjet e famshme : “Prilli është muaji më i egër, ngjall / Jargavanët që brenda tokës së vdekur”, ndërsa Londo flet se në këtë atmosferë prilli, (sepse zakonisht e Premtja e Zezë, ndodh në prill,) ndodhin këto gjëra, që tregojnë degradimin moral:
“Drogaxhinj të papunë,prostituta që shfryjnë,
pa një ftesë orgjie,pa një telefon,
qiellit enden ca lakuriqë nate,
gjysma enigmë,gjysma depresion.”
Në pjesën e katërt të kësaj poeme me nëntitull “Vdekja nga Uji”, Eliot na kujton vdekshmërinë tonë dhe na kërkon të rivlerësojmë marrëdhëniet tona me vdekjen, pavarësisht se kush jemi, po këtë gjë e bën në mënyrë metaforike krejt origjinale poeti Bardhyl Londo duke marrë elementë të situatës pandemike, në të cilën ndodhemi:
“Balli i kryeqytetit digjet furrë,
trupi dridhet nga ethet deri natën von,
larg, në periferi,dy varrezat civile
shiu i lag pa mëshirë me depresion.”
Në këtë rast shiu është bashkudhëtar i një gjendjeje shpirtërore të rënduar dhe ka simbolikën e lotëve. Në këtë strofë të fundit shiu ka funksion psikologjik dhe është metaforë ekspansive.
Një shi të tillë, që shfaqet pandërprerë si te poezia “Qyteti në depresion”, e gjejmë te romani “Lamtumirë Armë” të Ernest Hemingway, ku ai shfaqet të bjerë përgjatë gjithë romanit dhe simbolizon lotimin e personazheve, dhimbjen që përjetojnë për shkak të ngjarjeve të tragjike në jetën e tyre. Madje personazhi kryesor i romanit, mbas vdekjes së njeriut të dashur, largohet nga spitali dhe ecën nëpër shi për të shkuar në shtëpi.
Futja në poezi nga ana e poetit Bardhyl Londo edhe e kineastit Hitchcock, i cili është i njohur si “Mjeshtri që të mban pezull”, i jep nota të forta ankthi lexuesit dhe tregon për një situatë kritike, në udhëkryqin e mbytur nga “pavijoni”.
Si nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja poezia “Qyteti në depresion” është e mirorganizuar. Rimat në vargun e dytë me të katërt krijojnë një jehonë dhe një përsëritje vrastare si shiu apo si kambana morti. Madje fjalët “von” e “depresion”, të përsëritura si fjalët “nevermore” (asnjëherë) dhe “Lenore” të poemës “Korbi” të Edgar Allan Poe, të ndërthurura me fjalë me nënkuptime filozofike, ose simbolikë dhe shëmbëlltyra fetare, i japin tone drithëruese poezisë. Në këtë rast forma është në funksion të përmbajtjes dhe të dyja plotësojnë njëra-tjetrën për ta dhënë më të plotë mesazhin poetik.
Por ndryshe nga ankthi i Dantes te “Komedia Hyjnore”, apo i Edgar Allan Poe te “Korbi”, që janë ankthe personale, këtu flitet për një ankth dhe çmenduri kolektive në një vend konkret, që nënkuptohet nga emri i lagjes periferike “Laprakë”. Kjo e bën poezinë kontribuuese në shërbim të komunitetit sepse brenda saj gërshetohen e bukura, e mira dhe e vërteta, ashtu siç thotë dhe poeti anglez Dylan Thomas se “Një poezi e mirë është një kontribut ndaj realitetit. Bota nuk është asnjëherë njësoj pasi asaj i është shtuar një poezi e mirë. Një poezi e mirë ndihmon për të ndryshuar formën e universit, ndihmon për të zgjeruar njohuritë e secilit për veten dhe botën përreth tij “.
/ mapo.al /