Përmes këtij telegrami të ngushëllimit, ndaj dhimbjen time për largimin e parakohshëm të profesorit, intelektualit dhe mikut tonë, Prof. Dr. Musa Stavileci. Ju shpreh ngushëllimet e mia dhe të Universitetit të Tetovës, familjes Stavileci, drejtuesve të Universitetit të Prishtinës, kolegëve, miqve dhe studentëve, që kishin fatin të ndjekin ligjëratat dhe të përfitojnë nga dija e gjerë e profesorit Stavileci.
Me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij, profesor Musa ka lënë gjurmë kudo që punoi, si në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës dhe në Universitetin tonë, në programet studimore të Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara.
Profesor Musa dha kontributin e tij të çmuar në avancimin shkencor, dhe këtë e dëshmoi me botimin e dhjetëra punimeve hulumtuese dhe botimin e teksteve universitare, si: Teoria e sistemeve sipërfaqësore dhe Teoria e strukturave-stabiliteti, Metoda e elementeve të fundmë në mekanikën e strukturave, e tjerë.
Në këto ditë zije për familjen, që ka humbur njeriun e saj më të shtrenjtë, ne kolegët, bashkëpunëtorët, studentët dhe miqtë e tij e kujtojmë me respektin më të lartë, profesorin, intelektualin e rrallë dhe mikun tonë të çmuar e të paharrueshëm, Prof. Dr. Musa Stavileci.
U prehtë në paqe!
Rektori,
Prof. Dr. Vullnet Ameti