Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së dijetarit, poetit, studiuesit dhe përkthyesit Vexhi Buharaja (12 maj 1920 – 5 korrik 1987), në Bashkinë e Beratit u shpall konkursi letrar në emër të këtij poeti, në të cilin mundën të konkurronin poetët, prozatorët dhe përkthyesit e rinj e ata të njohur shqiptarë kudo që ishin.
Juria vlerësuese e shkrimeve të kandidatëve e përbërë nga: prof. Ymer Çiraku, z. Visar Zhiti, z. Aleksandër Cipa, prof. Milazim Krasniqi dhe prof. Yzedin Hima (të gjithë emra të njohur të letërsisë e të publicistikës), theksoi se numri i kandidatëve (nga vendet e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Kanadasë dhe vendeve të tjera), edhe në këtë kohë pandemie arriti në 70-të, ndër të cilët 30-të kandidatë me poezi, 30-të me ese dhe 10-të me përkthime. Nuk munguan as kandidatët nga shteti ynë, si me krijime në poezi e prozë, ashtu edhe me përkthime.
Nga juria me çmimin e dytë letrar në poezi u vlerësua edhe Adelina Xhaferi nga fshati Forinë i Gostivarit, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Fitorja e saj për këtë çmim letrar është një sukses i madh për mbarë shtetin, si dhe për universitetin, duke pasur parasysh edhe numrin e madh të konkurrentëve nga të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët. Për këtë çmim letrar studentja jonë konkurroi me cikël poetik, pra, me poezitë që mbajnë këta tituj: “Breza femrash”, “Kur mëkati të na falet”, “Fisi dhe ti”, “Psalm”, “Zëri i kullës”, “Fjalë t’lëna kujtim” dhe “Inat çapkënësh”. Ky çmim letrar tashmë do të kthehet në traditë për Bashkinë e Beratit. Urojmë që kjo nismë e këtillë të përfshijë në të ardhmen edhe më shumë poetë, prozatorë e përkthyes të rinj!!!