Abdulla Mehmeti | Shteti i parë ilir, Mretëria e Dardanisë është themeluar nga Mbreti Bardhyl, në shek.IV p.e.s., me qendër në Lihnida, qyteti i sotëm i Ohrisë (Ohër). Kjo mbretëri i ka përfshirë territoret ilire nga veriu i Greqisë së sotme deri në qytetin e Nishit. Vlen të theksohet se, disa autorë bullgarë dhe autorë të tjerë joshqiptarë e përmendin këtë fakt, me pak shtrembërime, por jo me falsifikime të tejdukshme, siç kanë vepruar një numër i madh i historianëve dhe studiuesve shqiptarë, fatkeqësisht.
Falsifikimi i historisë sonë të lashtë është tepër i tejdukshëm, sa krijon përshtypjen se edhe për çështje të tjera, periudha historike, ngjarje dhe personalitete, më së paku mund t’u besohet autorëve shqiptarë. Për arsyet e këtij fenomeni, më tepër politik se sa profesional, nuk do të flasim kësaj radhe.
Nuk është rasti dhe vendi për analiza dhe sqarime të hollësishme, por do të përmendin, sa për ilustrim, vetëm tri fakte nga kjo histori:
Ja çfarë thonë studiuesit shqiptarë:
1. “Në shek. IV p.e.s u krijua Mbretëria e Dardanisë, e cila shtrihej në territorin e Kosovës së sotme e të krahinave të tjera përreth. Kufijtë e saj shkonin në veri deri te qyteti i Nishit, kurse në jug deri në Kukës dhe në rrjedhën e sipërme të lumit Vardar.”
2. “Mbreti i parë dardan që njohim është Longari. Pas tij erdhën mbretërit Bato dhe Monun”, duke lënë në harresë se Longari ka sunduar në vitet 231 – 206 p.e.s., së paku 162 vjet pas themelimit të Mbretërisë së Dardanisë dhe jo vetëm që nuk është mbreti i parë i Dardanisë, por nuk është as i dyti apo i treti. Mbretëria e Dardanisë është sunduar nga këta mbretër sipas radhës:
· Bardhyli (393-358 p.e.s.)
· Kliti (356-355 p.e.s.)
· Bardhyli II (295-290 p.e.s.)
· Monuni I (290-270 p.e.s.)
· Mytili (270-231 p.e.s.)
· Longari (231-206 p.e.s.)
· Bato (206-176 p.e.s.)
· Monuni II (176-167 p.e.s.)
3. Vënia në dyshim e prejardhjes së fisit ilir të dardanëve, duke u lënë hapësirë të huajve të manipulojnë me fakte joshkencore, se ky fis ilir mund të ketë prejardhje nga trakët, dakët apo të tjetë, si thuhet: “Që nga shekulli XIX e gjer më tani janë shfaqur tri teza lidhur me prejardhjen e dardanëve: teza mbi përkatësinë ilire, teza mbi përkatësinë trakase dhe së voni teza mbi prejardhjen dako-meze.” Me këtë rast, disa studiues vendës dhe të huaj, për ta fshehur dhe falsifikuar historinë tre qindvjeçare të Mbretërisë së Dardanisë, nga shek.IV p.e.s., e ngatërrojnë me rrjedhat e mëvonshme, provincën romake-ilire të Dardanisë, të krijuar në shek. I p.e.s.
Varrezat e zbuluara në një katund afër Pogradecit, më 1972, zbulime të tjera arkeologjike dhe hulumtimet shkencore në të ardhmen, sigurisht do të sjellin fakte të reja në lidhje me themelimin e Mbretërisë së Dardanisë, për mbretin e parë ilir, Bardhylin, mbretërit pasardhës të tij, luftërat dhe aleancat me fiset tjera ilire, maqedonasit, pajonët dhe epirotët, si dhe për territorin e saktë të mbretërisë ilire të Dardanisë. Por, gjithsesi do të mbetet enigmë qasja dhe prirja e disa studiuesve shqiptarë për falsifikimin e dukshëm të historisë, sidomos të periudhës antike.
Mbretëria e Dardanisë me kryeqytet Lihnidën (Ohrinë) dhe provinca romake-ilire e Dardanisë me kryeqytet Shkupin dhe Ulpianën janë histori të ndryshme, edhe pse kanë vazhdimësi mes tyre, madje të pandara edhe nga historia e Dardanisë (në Anadolli), para dhe pas Luftës së Trojës, së paku njëmijë vjet më herët, në të cilën kanë morrë pjesë edhe fiset ilire, si pajonët etj., por kjo histori ende nuk është ndriçuar sa duhet.



