Xhelal Zejneli | Franc Kafka (1883-1924) – është një nga shkrimtarët dhe tregimtarët më të rëndësishëm evropianë. Ushtroi ndikim të theksuar në letërsinë e shekullit XX. Lindi dhe u rrit në Pragë. Është me prejardhje hebraike. Punoi si nëpunës në byronë e sigurimeve në rastet e fatkeqësive. Jetoi i tërhequr. Një kohë të gjatë jetoi në Gjermani dhe në Austri. Vdiq në afërsi të Vjenës. U shndërrua në mit. Konsiderohet kryeidhull i modernizmit.
Veprat – Ka botuar pak. Ka shkruar në gjuhën gjermane. Është autor i përmbledhjet me tregime “Përsiatje” (1913), “Dënimi” (1916), “Mjeku i fshatit” (1919), “Artisti në uri” (1924).
Post mortem (pas vdekjes) iu botuan disa tregime, ditarë, përmbledhja me tregime të shkurtra “Ndërtimi i murit kinez” dhe tregimi “Metamorfoza” (1916).
Veprat më të vlefshme të Kafkës, romanet “Procesi” (1925), “Kështjella” (1926) dhe “Amerika” (1927) të quajtura trilogji e vetmisë i përgatiti për botim pas vdekjes së autorit, miku i tij me prejardhje hebraike Maks Brodi (Max Brod, Pragë, 1884-Tel Aviv, 1968).
Kafka i kishte lënë kërkesë me shkrim Maks Brodit që veprat apo dorëshkrimet e tij t’ia digjte, gjë që ai nuk e bëri. Përkundrazi, i botoi.
Veprat e Kafkës shmangen nga suazat tradicionale të tregimit ose të romanit. Personazhet e tij dhe mjedisi ku zhvillohet ngjarja sillen sipas një ligjshmërie të veçantë e cila shmanget plotësisht nga rendi logjik, realist dhe psikologjik.
Të gjitha ngjarjet në vepër janë përpunuar në korniza irracionale, për arsye se koha kur zhvillohet ngjarja dhe hapësira ku zhvillohet ngjarja, plotësisht i kanë humbur tiparet e veta reale.
Mbase mund të gjenden tipare të caktuara të përrallës, por te Kafka raportet ndërmjet gjërave dhe dukurive janë të deformuara, ndërsa tjetërsimi njerëzor është i plotë.
Për Kafkën janë dhënë edhe mendime kontradiktore. Për prejardhjen, për arsimimin dhe për jetën e tij ka shumë mendime të paqarta dhe kundërthënëse. Megjithëkëtë, ai është një tregimtar teje i rëndësishëm i cili ka krijuar dokumente tronditëse për mosmarrëveshjet e njeriut në shoqërinë moderne si dhe për problemet thelbësore të ndërlikuara të jetës së njeriut.
Vepra letrare e Kafkës, në kuptimin më të gjerë të fjalës, i përket lëvizjes ekspresioniste gjermane. Kafka është ndikuar nga Seren Kierkegori dhe nga babai i psikanalizës, neurologu austriak me prejardhje hebraike Sigmund Frojdi (Sigmund Freude, 1856-1939). Ekzistencialistët e konsiderojnë Kafkën paraardhës të tyre.
Vepra e Kafkës ndërlidhet edhe me filozofinë ekzistencialiste që u përhap në Gjermani dhe në Francë, në vitet ’30 të shekullit XX. Paraardhës i filozofisë ekzistencialiste është filozofi danez Seren Kierkegor (Soren Kierkeggard, 1813-1855), filozofi gjerman Karl Jaspers (1883-1969), filozofi gjerman Martin Hajdeger (Martin Heidegger, 1889-1976), shkrimtari dhe filozofi francez Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Sartre, 1905-1980), filozofi Moris Merlo Ponti (Maurice Merleau-Ponty, 1908-1961), shkrimtari dhe filozofi francez Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960).
Ka shkruar me një teknikë të rëndomtë, pothuajse faktografik, duke përdorur dendur simbolikën filozofike dhe religjioze, shpeshherë në kufi të alegorisë. Stili i tij logjik i ngjeshur i mundëson që tejet natyrshëm t’i paraqesë vizionet e veta fantastike, pothuajse surrealiste.
Në prozën e vet, në mënyrë tejet plastike e ka paraqitur figurën e njeriut të pafuqishëm dhe të përulur, që ndodhet në duart e fuqive madhore, qoftë të jetë fjala për mekanikën shoqërore, qoftë për pushtetin hyjnor.
Në veprat e veta i paraqet idetë për përpjekjet e kota dhe pafuqinë e njeriut për t’i kuptuar parimet dhe mekanizmat e botës, për nevojën e dëgjueshmërisë dhe nënshtrimit pa kusht si dhe për nevojën që njeriu të përpiqet pandërprerë për të kuptuar se ç’kërkohet prej tij, edhe pse rezultati nuk do të varet nga të kuptuarit e tij, por nga qëndrimi i tij.
Njerëzit e vegjël që nënshtrohen pa bërë pyetje, gjithmonë janë në mëshirën “e pushtetit”, ndërsa ata të cilët rebelohen dhe të cilët, për shkak të aftësive të tyre intelektuale synojnë t’ia imponojnë botës standardet e veta – janë të dënuar.
Disa kritikë letrarë, në pikëpamjet e sipërthëna shohin protestën vizionare të Kafkës kundër administratës burokratike austro-hungareze. Disa të tjerë, në qëndrimet e tilla të tij shohin kritikën profetike të fashizmit dhe të totalitarizmit. Ka të tillë të cilët shohin në to rebelimin kundër Zotit dhe pafuqinë për t’u ballafaquar me logjikën hyjnore të botës.
Si duket, në alegoritë komplekse kafkiane prej të gjithave ka nga pak, por fati bindës i heronjve të tij, “të hedhur” në gurin e mullirit të realitetit të pamëshirshëm dhe të pakuptueshëm, është aq i fuqishëm, saqë koncepti kafkian i individit në botë është një nga bazat e letërsisë bashkëkohore, mbi të cilën, si shkrimtar, ka ushtruar ndikim të madh.
Sipas filozofisë ekzistencialiste, ekzistenca i prin esencës.
“PROCESI” – Personazhi kryesor i romanit – Jozef K., nëpunës bankar në ndonjë qytet gjerman, arrestohet dhe akuzohet për arsye të panjohura dhe misterioze. Askush s’i thotë përse e akuzojnë. Madje ai nuk mund të zbulojë as se ç’gjykatë është ajo e cila mban seanca gjyqësore sekrete në ndonjë ndërtesë të qytetit dhe ç’fuqi ka.
Ai përpiqet të mbrohet dhe të kërkojë ndihmën e kujtdo qoftë që ka ndonjë lidhje me aparatin misterioz që është kundër tij.
Shërbëtorja e vogël Leni e këshillon që të pranojë çdo gjë që kërkohet prej tij dhe të vihet në mëshirën dhe pamëshirën e gjykatës.
Faji i tij është përcaktuar dhe ai mëson se i ka vetëm dy mundësi: ose të shtyhet rasti për kohë të pacaktuar ose të lirohet përkohësisht në liri, me kusht që mund të jetë i arrestuar kurdo që një gjë të tillë e cakton gjykata.
Jozef K. nuk mund ta realizojë asnjërën prej dy mundësive të shpëtimit, për arsye se u kundërvihet autoriteteve gjyqësore dhe duke iu referuar parimeve të arsyes dhe të drejtësisë, dëshiron të dijë përse është i fajësuar dhe para kujt është fajtor.
Më në fund vijnë dy agjentë të kësaj organizate misterioze, e marrin prej banese në mesnatë, e dërgojnë në një gurore të periferisë së qytetit dhe ia ngulin thikën në zemër.
Në çastin e kur e nxorën nga banesa, i tërë qyteti flinte, ishte në gjumë.
* * *
Ky roman ka qenë objekt i shumë interpretimeve. Sistemi gjyqësor tiranik, brutal dhe irracional që e ndjek Jozef K.-në interpretohet si keqpërdorim njerëzor i ligjeve hyjnore. Po qe se njeriu, para fytyrës së mekanizmit të gjithëfuqishëm dhe të padukshëm këmbëngul për konceptet e veta mbi arsyen dhe mbi të drejtën, që janë vdekjeprurëse dhe të gabuara, shkatërrimin e vet e ka të pashmangshëm.
Disa studiues e interpretojnë si fatalitet të individit i cili synon t’i përcjellë porosi të caktuar botës dhe thërrmohet nga sistemi që nuk mund të dihet se cili është ai, por mund vetëm të akseptohet. Në fund, Jozef K. është një Promete i dërmuar.
Kafka në roman ka krijuar një atmosferë deprimuese të tmerrshme të një gjendjeje pa rrugëdalje, ndërsa heroit të vet ia ka dhënë vizionin e fatit të intelektualit të kohës së vet.