Të nderuar miq, poetë, shkrimtarë, krijues, adhurues të poezisë, veprimtarë të artit dhe kulturës, në radhë të parë uroj të jeni mirë me shëndet.
Së dyti, përmes këtij komunikimi, dëshiroj t’Ju uroj në Ditën Tuaj – Ditën botërore të poezisë. Në programin e punës të Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” për këtë vit (2020), ne anëtarët, veprimtarët, bashkëpunëtorët nga vendi dhe më gjerë, sot, më 21 mars, e kishim paraparë ta organizojmë Edicionin IV me radhë të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”. Mirëpo, situata e krijuar me përhapjen e virusit Covid 19 dhe shpalljen e pandemisë botërore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, na detyron ta anulojmë organizimin e kësaj veprimtarie letrare.
Urojmë që këtë situatë ta kalojmë sa më shpejt dhe me sa më pak pasoja e t’i kthemi normalitetit, jetës dinamike dhe angazhimeve tona në edukim, arsim, shkencë, art dhe kulturë.
Në edicionet pararendëse (Edicionin I -2017, II -2018, III – 2019), kam theksuar: në ditën e saj me përmasa botërore (ditën e poezisë), besoj nuk do ta teproja nëse them se poezia është e domosdoshme në këtë botë moderne, në të cilën ne jemi të pllakosur nga frika dhe trazimi.
Vazhdoj të besoj në forcën e poezisë, edhe pse nuk e di se ku do të na shpijë me forcën e saj “rrënimtare”.
Le t’i shprehim nderimin tonë poezisë, për mundësinë që na ofron për të plotësuar tërë atë që është e këndshme në urtësi dhe që është e kapshme në dëshira.
Andaj, rri në shtëpi – lexo poezi!
Me respekt,
Selam Sulejmani
Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”