Prof. Dr. Izmit Durmishi | Që në fillim të këtij punimi duhet pohuar se përdorimi i gjuhës është i lidhur ngusht me shoqërinë, prandaj edhe përdorimi i eufemizmave duhet parë në një kontekst më të gjërë shoqëror. Gjuhëtari ynë i shquar, prof. Çabej që në fillim të herës e kishte shtjelluar problemin e eufemizmave të shqipes në një kuadër të gjerë e të hapët, duke krahasuar ato edhe me eufemizmat e gjuhëve të Ballkanit e më gjërë. Ai kishte vërejtur se eufemizmat si dukuri gjuhësore që i takojmë në shqipen, po edhe në gjuhët e tjera, kanë shtrirje të madhe sidomos në të folmet popullore. Që këtu mund të kuptojmë ndërlidhjen e ngushtë të këtyre shprehjeve gjuhësore figurative me shtresat popullore.
Edhe pse ende nuk janë bërë sa duhet kërkime në lëmin e sociolinguistikës e aq më pak vlerësime kritike, një gjë është e sigurt se gjuhësia për ditë e më shumë po u kthehet shqyrtimeve sociolinguistike, gjë që është mjaft e vlefshme për gjuhësinë (sociolinguistikën shqiptare)[1].
Eufemizmat dhe shoqëria: pasqyrimi i mendësisë dhe botës shpirtërore të grupimeve shoqërore në emërtimin e disa dukurive në mënyrë të tërthortë ose eufemistike. Këtu, natyrisht, duhet të nisemi nga postulate të tilla si ai që kanë parashtruar Braun e Levinson që thonë: “Eufemizmat janë shenjues universalë të përdorimit të gjuhës “[2].
Eufemizmat janë kategori e njohur edhe në gjuhë të tjera, pra edhe në gjermanishten.Më poshtë po japim ca shembuj ilustrativ të eufemizmave që i ka edhe gjermanishtja. Që në lashtësi eufemizmat janë përdorur me qëllim që njerëzit të mos i thërrisnin sendet në emrin e tyre, për arsye bestytnie a mendësie. Kështu për djallin, dreqin, shejtanin në gjermanisht përdornin emërtimin eufemistik: “der Schwarze”(i ziu), ”der Pferdefuβ” (këmbë kali), “der Böse” (i ligu).
Funksione eufemistike kanë në gjermanishten edhe të gjitha fjalët, që emërtojnë dukuri shoqërore negative. Në këtë grup hyjnë edhe disa fjalë jo të vjetra, si p.sh. përkrah fjalës “Seniorenwohnheim” (azil për pleqtë) gjejmë fjalët: “Altersheim”, “Altenheim”, “Feierabendheim”; po kështu për fjalën “Schulspeisung”- “Kinderspeisung” (mensë në shkollë); “Arbeitslosigkeit” – Nullarbeit, gesundschrumpfen (papunësi).
Nuk mungojnë në gjermanishten eufemizma për situata shëndetësore a sëmundje, jo vetëm tradicionale, po edhe të sotme, si: Krüppel – Körperbehinderter – Gehbehinderter (sakat, invalid); Mord- Selbstod – Freitod (vdekje).
Si eufemizma në gjuhën gjermane shërbejnë edhe fjalë, të cilat kanë ardhur nga gjuhë të huaja, si p.sh: Verfehlung per Verbrechen (krim); eigenartig per originell; einschätzen- werten – bewerten; Sterben (vdes)- einschlafen, Augen schlieβen, heimgehen, einschlummern; von der Bühne abtreten, vom Schauplatz abtreten, den Geist aufgeben, ins Gras beiβen.
Për të thënë që një femër është shtatzanë: in anderen Umständen sein – schwanger; po ashtu për lidhje dashurie: ein Verhältnis haben – Liebesbeziehung.
Tabutë në gjuhë janë të pranishme qysh herët, që nga paraqitja e mendimit religjioz – fjalë të caktuara si p.sh. fjala Zot , nuk është lejuar as të përmendet me gojë, as të shkruhet. Nga emërtimet e tipit “Tabu” në gjermanishten mund të përmendim emrat e qenieve të mbinatyrshme: p.sh. çifutët për zotin, në mënyrë tërthortë nga “Gott” ata përdornin fjalën “Herr” (zotëri). Edhe për fjalen “Teufel” (djall) janë gjetur shumë eufemizma, p.sh.: “Satan, Satanas, Luzifer, Beelzebub, Versucher, Antichrist, der Böse” etj.
Edhe në mjediset shqiptare, sikundër ka theksuar prof. Gj.Shkurtaj, fjala Zot, ka pasur gjithandej zëvendësime me shprehje perifrastike eufemistike, si p.sh. në Malësi të Mbishkodrës: për atë që qoftë lëvdue, pasha jata çi ma ka falë shpritin, pasha atë që vranë e kthiell, pasha atë që ëshë një e z.bahen dy; pasha ata çi asht nja e z’bahen dy (për atë që është një e s’ka të dytë) etj.[3]
Shumë lehtë mund të bëjmë krahasime të ngjashme edhe sot e kësaj dite edhe atë, jo vetëm në jetën private po edhe në atë publike .
Meqë vlerat[4] shoqërore përmes tabuve të cilat janë të llojllojshme, në disa bashkësi shoqërore, ndikojnë në përdorim e gjuhës, disa fjalë aspak nuk përdoren ose nuk thuhen me kuptimin e tyre burimor. P.sh. prof. Shkurtaj ka theksuar se “një mënyrë e mospërmendjes së fjalës zot, ka qenë edhe përdorimi i togfjalëshave të mangët, ku fjala zot elidohet enkas: per bes (<për besë të Zotit), për t’drejt (<për të drejtën e Zotit), paj qebesa (paj qe besa e Zotit)”.[5] Megjithatë, pa marrë parasysh se për çfarë lloj të tabush është fjala, të gjitha shoqëritë kanë një mënyre të veçantë në shpjegimin e kuptimit të tyre , duke shfrytëzuar në mes tjerash edhe eufemizmat .[6] Gjuha është mjet komunikimi e ndërlidhur ngusht me shoqërinë : “ ajo si praktikë njerëzore është gërshetuar fuqishëm në institucionet shoqërore, kulturore dhe civilizuese dhe, në pikëmpamje dhe shkallë të ndryshme’ ajo figuron në traditën filozofike të Lindjes dhe të Perëndimit “, theksonte Bugarski[7].
Eufemizmat dhe përvetësimi i njohurive për to, janë një lojë e vazhdueshme midis gjuhës dhe shoqërisë. Ato janë një ndër mekanizmat dhe shprehjet që flasin bindshëm se gjuha, sidomos në aspektin e saj pragmatik dhe kjo nënkupton gjatë përdorimit të saj, nuk mund të paramendohet e shkëputur nga shoqëria.
E gjithë kësaj i shkon në përputhje edhe me faktin se sociolinguistika si disiplinë “ që studion ndërlidhjet midis të folurit dhe shoqërisë “ , mund të japë ndihmesën dhe hapësirat e gjera të saj për të mësuar shumë dukuri e shprehje gjuhësore dhe gjithsesi edhe për eufemizmat, si dukuri kaq e përhapur në bashkësitë shoqërore tradicionale dhe të sotme ( moderne).
Sociolinguistika si disiplinë e re shkencore ngadalë po zhvillohet edhe ndër shqiptarët .Ndoshta jo aq sa te popujt e tjerë, megjithatë nuk mungojnë kontributet dhe shqyrtimet për tema të veçanta, si dhe punimet që kanë objekt studimi problemet e ndryshme të lidhjeve dhe shprehjes së ndikimeve e ndërlidhërisë së aspekteve gjuhësore me shoqërinë apo si fryte të sociolinguistikës.
Trajtim më të thellë dhe më të veçantë kësaj problematike (çështjeve sociolinguistike) u ka bërë prof Gj. Shkurtaj, i cili njëherësh është edhe hartues i teksteve të sociolingusitikës universitare si dhe i disa librave kushtuar etnografisë së të folurit, ku, sikundër thotë ai shprehimisht, eufemizmat dhe përgjithësisht ligjërimi grarisht, zënë kryet e vendit në aspektin etnolinguistik dhe sociolinguistik[8].
Në anën tjetër, rezultate të kënaqshme, gjuhësia shqiptare po shënon në një degë specifike të sociolingistikës – si krijimi dhe problematika lidhur me gjuhën standarde, për normën dhe normëzimin, për politikën gjuhësore në Shqipëri dhe përkatësisht në botën e qytetëruar, detyrat e shoqërisë ndaj njësimit dhe standardizimit të gjuhëve si faktor ecjeje përpara dhe përbashkimi kulturor e shpirtëror etj. ) . Mund të përmendim edhe ndihmesa e botime të tilla si ato të prof. Rami Memushajt “Shqipja standarde” ( si ta flasim dhe ta shkruajmë ,Tiranë, 2002 – 2004, “Për shqipen standarde I-II (Çështje të normës morfologjike dhe drejtshkrimore), Tiranë, 2012-2013; të prof. Gjovalin Shkurtajt: ”Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës”, Tiranë, 2004; “Kultura e gjuhës”, Tiranë, 2006 ,” Si të shkruajmë shqip”,Tiranë, 2008; “Pesha e fjalës shqipe”, Tiranë, 2009; të Qemal Muratit : “Standardi gjuhësor dhe kultura e shprehjes”, Prishtinë, 2004; të Xhevat Lloshit :”Stilistika e gjuhës shqipe dhe pragmatika “,Ribotim, Albas,2005; të Shefkije Islamajt : “Gjuha dhe identiteti”, Tiranë, 2008, e shumë të tjera që janë arritje meritore për mbarë kulturën shqiptare e më gjërë.
Nisur nga ky fakt mund të pohojmë se gjuha mbi të gjitha bëhet mjet kryesor apo instrument, që shënon para se së gjithash dukuri të caktuara shoqërore.
Sociolinguistika përkufizohet si pjesë e gjuhësisë, e cila trajton të gjitha raportet në mes shoqërisë dhe strukturave gjuhësore, ndërlidhjet midis tyre dhe ndërndikimin a interferencën.
Çfarë raportesh midis tjerash trajton sociolinguistika, dhe si i sheh ajo eufemizmat?
Nga studimet e bëra deri më sot, si në kuadrin e gjerë të etnolinguistikës dhe të sociolinguistikës, ashtu edhe sidomos në shqyrtimet e reja që janë bërë në mjediset shqiptare, në Shqipëri e më gjerë hapësirave shqiptare në ballkan, madje edhe në diasporën arvanite e arbëreshe, kanë rezulatuar disa tema “tabu” për femrat. Prof. Gj.Shkurtaj ka theksuar shprehimisht se janë disa fjalë e shprehje që gratë i kanë pasur të ndaluara t’i përdorin në të folurit e tyre, ndonëse ato, natyrisht, si anëtare të bashkësive të caktuara gjuhësore ku bëjnë pjesë, i dinë. Të tilla janë, ndër të tjera:
- Emrat e disa pjesëve të trupit të njeriut, të mashkullit e të femrës, që lidhen me organet gjenitale, me marrëdhënjet seksuale qoftë ndër njerëz, qoftë edhe ndër kafshët, për të cilat, siç e ka theksuar prof. Gj.Shkurtaj, gratë përdorin perifraza a emërtime të ndryshme eufemistike.
P.sh. nëse gruaja do të thotë se i biri (apo një djalë kushdo qoftë), duke luajtur është vrarë në organet gjenitale, nuk e përmend fjalën përkatëse, por gjen ndonjë shprehje perifrastike eufemistike, si p.sh. u vra në vehte (Jug), u vra n vetin, u vra në vedi ( Veri).
Në trevat jugore, kur fëmija i vogël vritet në organet gjenitale përdoren këto shprehje eufemistike: u vra në bibilo, u vra në çuço (për fëmijët meshkuj), për të riturit thuhet : është vrarë në vete, u vra në (h)allate, u vra në plaçka, u vra në hejbe (Veri), u vra në vend të fëmijës (Gjirokastër),u vra në vend të keç (Gostivar) u vra në lule (Kuç, Vlorë), u vra në bubuk (Raban, Përmet); u vra në dafllak (Jug), për femrën.
Të shumta dhe të larmishme janë perifrazat eufemistike për të zëvendësuar shprehjen bëj urinën: bëj ujtin (Jug), me lan ni ujë (Veri, Kosovë), me derdhë ujë (Veri, Malësi e Madhe). Deri vonë në shumë areale të shqipes përdoreshin folja përmjerr dhe togfjalëshat dalë jashtë, dal për veten, kurse në kohët e sotme ka marrë përdorim më të gjerë shkoj në banjë, shkoj në tualet. Nga anketimet e bëra në Myzeqe më gjërë në Jug shprehja bëj urinën zëvendësohet me perifraza të larmishme, si p.sh.: bëj ujët e hollë, pshur, kurse në Veri më shpesh thuhet derdh ujë, dal për nevojë. (Për fëmijët e vegjël thuhet më shpesh: bëj çishën (Gostivar) bëj pëshen, bëj çëlëlën, nëj çiçin, bëj çiçilukun etj.).
Në ligjërimin familjar apo në rrethin shoqëror të ngushtë përdoren shprehjet: dal me pa motin (Mirditë), dal sodit natyrën (Jug), dal të potis pemët (Jug), do mbledh lule, do dërgoj një mesazh etj. Ndërsa për të shtuar shprehjet me doza humoristike mund të përmendim për ujet e trashë: bëj topin, e heq purtha, etj.
Në spitale dhe ambulanca përdoren si eufemizma fjalët e huaja përkatëse: feçe, urinë, (analizë e feçes dhe urinës); penis, vagina, testikulat, abord, insiminim, invitro, urokulturë, sekrecion vaginar, menstruacione.
Shpesh gratë e reja, sidomos kur janë në prani të meshkujve, edhe fjalën sisë (cicë, cikë) e mënjanojnë, duke shtënë në punë kalime kuptimore figurative, sidomos tropet, si p.sh. jap krahnuor (Malësi e Madhe), i jap krahnur (Kosovë); jap të pijë, jap gji, vë në gji. Në Jug, në vend të fjalës sisë përdoret: i jap gjoks, e mëkoj, i jap të pijë, i jap gji, e mënd djalin etj.
Një tabu ka qenë dhe shtatzania e grave, prandaj, gjithandej, janë përdorur shprehje perifrastike, si: kam mbetur me shtat zanë, me barrë, jam e rëndë, (gegërisht. jam randë), jam me lak n’çafë (Çegran – Gostivar), ndërsa në zhargonin e meshkujve sidomos kur nuk janë të pranishme femra, dëgjohen edhe pseudoeufemizma, si: ka rënë miu në kos, ka rënë miu në hambar (Korçë), ka hangër karabusha (Veri).
Në Gjirokastër për shtatzaninë e grave përdoren këto shprehje perifrastike: amile (turqisht), e ngarkuar, është grua e ligë (Këlcyrë), rënduar (Delvinë), kamzanë, me behone, me mall (Ohër), me callëjng, e frëjme (Dibër), e randë (Gostivar,Tetovë,Durrës), nga burrat përdoret me arsye, ka mbetur mbraë. Në disa zona të Veriut përdoret shprehja e kam gruan me yzër.
Nganjëherë për shtatzaninë përdoren edhe pseudoeufemizma: e ka pështy gjarpri, është mbushur, e hëngri ngjalën, e ka ngrënë çairin, ka ngrënë fasule, e ka ngrënë bleta (Tepelenë), ka rënë miu në qypt (Përmet).
Si në Veri edhe në Jug, bashkësia gjuhësore shqiptare ka një deltë emërtimesh eufemistike për të mënjanuar emërtimin e bythës, për të cilën gjithandej përdoren eufemizma a kalime metaforike me përmbajtje të tillë, si: të ndenjurat, prapanica, e prapmja, tulet, suma, anusi, vëzdja .
Nga anketimet në jug ka dalë se përdoren edhe këto emërtime eufemistike: mollaqe, mishrat e trasha, fundi i kurrizit, trapi, mendere.
- Për gratë janë “tabu” edhe sharjet me fjalë të ndyra, siç bëjnë jo rrallë meshkujt. Edhe kur tregojnë për zënka e grindje të meshkujve, ndërsa riprodhojnë thënjet e tyre, gratë përdorin zakonisht shprehje eufemistike të përbëra nga folja baj/bëj; i tha kshtu tëja basha nans (Malësi e Veriut), i tha të bëfsha nënën (Jug). Në këtë hulli, gjithandej trevave shqiptare folja bëj (baj) ka marrë edhe kuptimin eufemistik të kryerjes së marrëdhënjeve seksuale: e zunë duke bërë atë punë, e vrau se i bënte të ëmën, bënte me të bijën, i tha ta bëfsha e ta kthefsha.
Në të folurit e femrave, për të mos përmendur foljen përkatëse, ndeshim metafora ose kalime kuptimore si: palloj (kushedi ku vete pallohet ajo; e palloi mirë e mirë).
Në të folurën e meshkujve përdoren: mbërthej, ngreh, rras, fus, pucas etj. Në Jug përdoren: ja rrumbullakosi, ja rrasi, ja mballosi, ja tendosi, ja futi, e shkërdheu, ja puthiti, ja këlleu, e tundi, ja vuri më dysh, i pastroi cfarangonjetë, i pastroi oxhakun, (eufemizma të sotme).
Eufemizmat nuk mungojnë edhe në këngët popullore, sidomos në ato me përmbajtje humoristike, si:
Aty te ferra te gjëmbi Fakti që tund nënën time
Krushku krushkës seç ja dëndi. Sëdo të thotë që je babai im.
Ëngër dëngër avlëmëndi Sa e bukur ka dalë hëna
Xhiko nuse kush ta dëndi. Hik filan se t’u bë nëna.
Nga më të dendurat dhe, me kohë, e zhveshur nga kuptimi eufemistik që ka pasur në krye të herës, është shkërdhej, që njihet gjithandej si në Veri ashtu edhe në Jug. Në Veri, ndërkaq, shkërdhej ka qenë përdorur me vlerë asnjanëse në terminologjinë e lahutës: atje, shkërdhej “i bie lahutës me shkathtësi” dhe shkërdhyes-a a shkërdhos-a quhej harku i lahutës, rasi apo rënësi i saj. Pra, do të kemi pasur një kalim mataforik të tipit të italishtes scopare “fshij” që sot është përgjithësuar duke mbetur thjeshtë si një fjalë e lidhur me seksin e që ka zëvendësuar foljen coire.[9]
Me vështrim humoristik përdoren edhe fjalë të markuara për marrëdhënjet seksuale për kafshët, si shkarafend (në anët e Dibrës), fërkoj, shkel, ndjek (Malësi e Madhe) etj.
Dikur, sidomos në ligjërimin e femrave, po edhe të meshkujve të kujdesshëm në mjedise relativisht të rezervuara, ka qenë përdorur folja puth , duke na dalë kështu një kuptim i foljes puth “kryej marrëdhënje seksuale”, pra me një kalim kuptimor të njohur edhe në gjuhë të tjera, si p.sh. në frengjishten ku folja besair “puth” ka edhe kuptimin “bëj seks”.
Vetëm në moshë të thyer dhe, gjithmonë në një kuadër të caktuar shoqëror femrave mund t’u lejohej të përdorin ndonjë nga sharjet mashkullore, si p.sh. sharja me nënë, motër etj. Megjithatë, kjo dukuri, ndërkaq, ka qenë dhe është e ndryshme sipas krahinave, besimeve fetare etj.
Prof.Gj.Shkurtaj ka theksuar se “shthurja e gojës ndër gratë e moshuara është më e theksuar në zonat fshatare, sidomos në malësitë e veriut (pjesa katolike e Malësisë së Madhe, e Dukagjinit, e Mirditës, etj), një pjesë e Labërisë fshatare ku edhe gratë kanë qenë shumë “burrërore”, porse ka qenë më e paktë në shtresën e grave qytetare.” P.sh. në qytetin e Gjirokastrës edhe gratë “hanedane” nuk kanë përdorur fjalët togfjalësha me fjalë e sharje të rënda.
Edhe për raportet që kanë njerëzit me njëri-tjetrin, përdoren një numër i konsiderueshëm eufemizmash dhe kjo,natyrisht, pasqyron edhe vetitë e tyre morale, sjelljen në shoqëri, qëndrimet dhe konceptet për veset e virtytet.
Kështu, për një njeri të keq thuhet është prapsenë ( Çegran,Toplicë, Sërmnovë, Reçan-Gostivar), halla-halla , ruajna zot , i çalldisët (Çajlë, Forinë, Çegran, Vrutok , Raven , Patalisht) ; tek arbreshët e Italisë siç kanë theksuar edhe prof. Tomor Osmani e prof.Simon Pepa, përdoret edhe eufemizmi ndjezotël[10] .
Për hajdutin a vjedhësin në shumë lokalitete të Pollogut të Epërm dëgjojmë eufemizmat: ka dorë , prekës , si edhe në Shkodër , ndërkaq në Kosovë përdoret eufemizmi marnjak. Për një njeri që merr dhe nuk e kthen borxhin dëgjohet eufemizmi bogxhanli (Gostivar me rrethinë); s’ta bjen kurrë, merre kur ta merrish , shihe kur ta shohësh ( Shkodër )[11]. Për një njeri të shkathët, të gjallë po përdoren eufemizmat: është cibrak, shejtan, dreç ,acar ( Gostivar me rrethinë).
Sipas studjuesve Tomor Osmani e Simon Pepa, dëgjojmë edhe shprehjet: është zog asisoit , zogashtushit , i mejdanit[12] ; për një gënjeshtar dëgjojmë: është dallaverexhi , babe renës; për një gënjeshtër të madhe thuhet: na ke flliç; për një njeri të humbur, të lënë po përdoren eufemizmat : i hopët , mos ta pafsha n’der (Gostivar me rrethinë),por, mesa duket do të jetë edhe më e shtrirë, sepse prof.Shkurtaj thotë se e ka dëgjuar edhe në Mbishkodër: nuk ma ka blua nana ftyrën (për një njeri që flet pa e frenuar gojën, edhe kur lëshon ndonjë fjalë të rëndë a blasfemi).
Përfundim
Fjalët dhe shprehjet që kanë kuptim eufemistik gjithmonë ndërlidhen me njeriun dhe me dukuritë shoqërore që e rrethojnë atë, prandaj, një kategori e tillë do të mund të ndahej në : a) eufemizma që lidhen me jetën e njeriut- tiparet karakteristike dhe fiziologjike të tij, sëmundjet, vdekjen, dëmet etj., dhe b) eufemizma që ndërlidhen me jetën shoqërore – religjionin, besimin, politikën, qeverisjen etj., të gjitha këto tema të rëndësishme shoqërore.
Literatura :
- Apte, M.L.,Taboo Words, në:Concise Enciclopedia of Pragmatics, Elsevier, Amsterdam 1988.
- Brown P., Levinson, S.C., Politeness : some universals in langage usage, Cambridge University Press, Cambridge, 1987.
- Bugarski R., Jezik u drushtvu , Prosveta , Beograd, 1986.
- Gjovalin Shkurtaj, Sociolinguistika, Tiranë, 1999.
- Gjovalin Shkurtaj, Etnografi e të folurit të shqipes, Tiranë, 2004.
- Gjovalin Shkurtaj, Sociolinguistikë e shqipes, Nga sociolinguistika te etnografia e të folurit, Tiranë, 2009.
- Tomor Osmani – Simon Pepa,Tabu dhe eufemizma në gjuhën shqipe, Shkodër, 2000.
- Hudson , Sociolinguistika ,Tiranë , 2002, (përktheu M.Ymeri).
- Robert Elsie, Histori e letërsisë shqipe, Tiranë, 1997, (përktheu, Abdurrahim Myftiu).
[1] Shih: Gj.Shkurtaj, Sociolinguistika, Tiranë, 1999, f.241-254
[2] Brown & Lewinson ,1987, f . 216.
[3] Shih: Gj.Shkurtaj, Vështrim sociolingustik për fjalët zot, perendi, allah (Sprovë për një shqyrtim paraprak), në “Sociolinguistika”, SHBLU, Tiranë, 2003, f.230.
[4] Me vlerë nënkuptojmë përgjithësisht “ ate kategori që është e vlefshme në pikëpamje materiale,morale e shpirtërore”
[5] Shih: Gj.Shkurtaj, Vështrim sociolingustik për fjalët zot, perendi, allah (Sprovë për një shqyrtim paraprak), në “Sociolinguistika”, SHBLU, Tiranë, 2003, f.230.
[6] Apte, Taboo Words, në “Concise Encyclopedia of Pragmatics“, Amsterdam, 1998,f.987
[7]Bugarski R.,Jezik u drushtvu,Beograd,1986,f.241
[8] Gjovalin Shkurtaj, Sociolinguistika, Tiranë, 1999 ; Etnografi e të folurit të shqipes, SHBLU, Tiranë, 2004; Sociolinguistikë e shqipes, Nga sociolinguistika te etnografia e të folurit, Tiranë, 2009.
[9] Shih: Gj.Shkurtaj, Etnografi e të folurit të shqipes, Tiranë, 2004, f.253
[10] Shih edhe: Tomor Osmani- Simon Pepa, Tabu dhe eufemizma….., f.45
[11] Po ata, po aty
[12] Po ata, po aty