Universiteti i Tetovës e shënoi 25-vjetorin e fillimit të ligjëratave të para. Në përkujtim të kësaj date historike për Universitetin dhe shqiptarët e këtyre trevave, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i shoqëruar nga stafi akademik dhe studentët, bënë homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Eminit, ku u përkujtua vepra e tij dhe sakrifica e popullatës shqiptare për këtë universitet në gjuhën shqipe. Më pas, homazhe u bënë edhe te varri i themeluesit, Rektorit të parë dhe historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për jetën dhe veprën e tij, si dhe kontributin e dhënë në avancimin e arsimit shqip në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Po ashtu, delegacioni i UT-së e vizitoi edhe Muzeun e universitetit në fshatin Poroj, ku u rikujtuan edhe një herë ditët e lavdisë gjatë ligjëratave të para të UT-së, kur popullata dhe stafi akademik, bashkë me studentët ishin një, për të ngritur në këmbë këtë vatër të arsimit të lartë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Të gjithë vizitorët e Muzeut u njohën për së afërmi me origjinalitetin e klasave, ku filluan ligjëratat e para të UT-së, arkivin dhe misionin që mbart kjo vatër historike, e cila bëri historinë e arsimit shqip në vendin tonë. Pjesa e parë e aktiviteteve u përmbyll me vendosjen e luleve te shtatorja e Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani.
Aktiviteti vijoi me manifestimin solemn në UT, ku u emetua kronika për ngjarjet në Poroj, e vitit 1995, e pasuar nga fjala përshëndetëse e dekanit të Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu dhe referatin e historianit, Prof. Dr. Nebi Dervishi.
Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu, u shpreh se historia e fillimit të Universitetit tonë vërteton më së miri se, kur një popull e mbështet një ide fisnike, siç është arsimimi në nivel universitar, asnjë forcë nuk mund ta ndal jetësimin e kësaj ideje. “Pra, 25 vjet më parë, më 17 shkurt të vitit 1995, në fshatin Poroj filluan ligjëratat e para të Universitetit të Tetovës. Po të njëjtën ditë, në fshatin Reçicë e Vogël, fillimi i ligjëratave u shoqërua me dhunën e policisë të ushtruar mbi banorët dhe qytetarët që kishin dalë në mbrojtje të arsimit shqip. Si pasojë e dhunës policore, fatkeqësisht pati shumë të lënduar dhe të burgosur, mes të cilëve u burgosën Rektori, Prof. Dr. Fadili Sulejmani dhe drejtues të tjerë të Universitetit, ndërsa Abdylselam Emini ra dëshmor i arsimit shqip. Populli ynë, i etur për dije, qëndroi i fortë, tregoi moralin dhe vendosmërinë e pathyeshme para forcave të mëdha policore. Kjo ngjarje shënoi edhe fillimin e një etape të re për shqiptarët dhe arsimimin në gjuhën amtare. 25 vite pas ligjëratave të para, Universiteti është bërë vatër e rëndësishme arsimore dhe shkencore jo vetëm për shqiptarët e këtushëm por edhe në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Sot e 25 vjet më parë, në Porojin legjendar u skalit kjo datë, e cila i takon historisë më të re të shqiptarëve në këto hapësira. Përgjatë këtyre viteve, Universiteti ynë e realizoi misionin e vet arsimor, i realizoi objektivat e veta dhe u shndërrua në Universitet publik në kuadër të sistemit arsimor të Maqedonisë së Veriut. Por, arritjet tona institucionale, përparimin tonë në procesin mësimor – shkencor i konsiderojmë suksese të përbashkëta, ndaj në këtë përvjetor jubilar, le t’u shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë të përhershme: vëllezërve tanë që vatrat e tyre i shndërruan në auditorë të këtij Universiteti; studentëve të gjeneratave të para, profesorët dhe bashkëpunëtorëve që dhanë kontribut për ngritjen, përparimin dhe konsolidimin e këtij institucioni të vetëm të arsimit sipëror në gjuhën shqipe dhe për mbarëvajtjen e procesit edukativ-arsimor të tij, sidomos profesorëve nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tiranës dhe më gjerë. I falënderojmë qytetarët që ndihmuan materialisht dhe financiarisht për ngritjen e këtij institucioni, bashkatdhetarët tanë në diasporë, si dhe të gjithë ata që sakrifikuan për të sotmen e Universitetit.” – tha dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu.
Në referatin e tij për Universitetin e Tetovës, historiani, Prof. Dr. Nebi Dervishi theksoi se kjo datë do të ngelë e shkruar me shkronja që mbajnë erë gjaku, pasi ato ditë u dëshmua se qeveritarët e atëhershëm, as që kishin ndërmend që të bisedojnë me logjikën e botës së qytetëruar për dëshirën e madhe të shqiptarëve që në këtë shtet të mësohet edhe në fakultetet e të gjitha drejtimeve në gjuhën shqipe. “Ata që deshën ta ndryshonin këtë vullnet të pa përshkruar të popullit, të prirë nga inteligjencia me në krye Prof. Dr Fadil Sulejmanin, u përkujdesën që në vend të përkrahjes, në Porojin e gatshëm për ç’do sakrificë, të dërgojnë forca policore të armatosura gjer në dhëmb, me armë e veshje antiplumb, me kërcënime e shantazhe, i vunë në sprovë të madhe studentët që ishin tubuar, profesorët e gatshëm për situatë të tendosur dhe banorët e Porojit dhe Xhepçishtit, të cilët i kishin bërë të gatshme të gjithë shtëpitë të shndërrohen në mësonjëtore, kabinete e lokale ku do të zhvillohej ora e parë e mësimit. Në një atmosferë tejet të tendosur, eprorët policorë i merrnin urdhrat nga lartë, ndërsa në fytyrat e çdo polici vërehej gatishmëria e verbër për të hyrë në aksion duke i zbatuar urdhrat, në prani edhe të një numri të madh të gazetarëve, të cilët ishin të vetëdijshëm se çfarë rreziku u kanoset në atë turmë që do të jetë fatale për shumë veprimtarë të UT-së.”
Në këtë referat, historiani Prof. Dr. Nebi Dervishi tregoi edhe për ligjëratat e para të Universitetit dhe peripecitë që kishin kaluar për ta mbajtur të gjallë këtë vatër të arsimit shqip. “Më 16 shkurt 1995 filluan ligjëratat e para akademike të UT-së, në mejtepin e xhamisë së Porojit legjendar, ditën e enjte në ora 10 paradite. Në këtë ditë nisën punën dy fakultete: Fakulteti Filozofik (degët e Historisë dhe Pedagogjisë) dhe Fakulteti Filologjik (dega Albanologjisë dhe Gjuhës Angleze). Profesorët e parë që shqiptuan fjalën e parë shqipe të ligjëratave historike të UT-së nën tytat e njësive speciale maqedonase ishin: Prof. Dr. Masar Kodra, Prof. Dr. Ali Vishko, Prof. Dr. Rahmi Tuda, Dr. Enver Mehmeti, Dr. Hamit Xhaferi, Mr. Sami Ibrahimi, etj. Ligjëratat zgjatën një orë dhe kishin karakter udhëzues përkitazi me literaturën e nevojshme studimore për lëndët përkatëse si dhe kërkohej prej studentëve që të jenë të pathyeshëm kundrejt presioneve policore dhe të vijnë çdo ditë në ligjërata e ushtrime, pavarësisht nga rreziqet që u kërcënohen. Jashtë, nëpër rrugët e Porojit dhe në oborrin e shkollës qenë mbledhur me qindra e qindra dashamirës të arsimit kombëtar me vetëdëshirë dhe gëzim të papërshkruar për të përshëndetur fillimin e mësimit në Universitet. Shumë prej tyre derdhnin lotë gëzimi dhe nuk u besonin syve për atë që shihnin. U bëmë edhe ne shqiptarët me Universitet në gjuhën tonë. Në orët e hershme të mëngjesit (ora 3:00), nëpër rrugët e fshatit Poroj të Tetovës, ku ishte paralajmëruar se do të vazhdonte punën Universiteti i Tetovës, në Fakultetin Juridik dhe në Fakultetin Ekonomik, janë vërejtur grupe të vogla policore, të cilët bënin roje në objektet ku profesorët duhet t’u drejtoheshin studentëve. Kjo paralajmëronte se edhe sot në këtë fshat arsimdashës, pos studentëve, profesorëve dhe zyrtarëve të tjerë, do të ketë edhe mysafirë të paftuar. Që në orët e hershme të mëngjesit, në Poroj kanë mbërritur dy autobusë plotë me pjesëtarë të policisë maqedonase, të veshur me uniforma speciale dhe armatim të ndryshëm për situatë të jashtëzakonshme. Qëllimi i tyre ka qenë bllokimi i mejtepit të xhamisë të Porojit dhe të xhamisë së Xhepçishtit. Pasi këto qëllime të policisë i dinte rinia e fshatit Poroj (rreth 25 veta), u vendosën para objektit në Poroj, duke e rrethuar dhe duke mos lejuar që këtu të hyjë policia për ta penguar fillimin e ligjëratave në dy fakultetet, Juridik dhe Ekonomik”, theksoi mes tjerash Prof. Dr. Nebi Dervishi.
Manifestimi u përmbyll me një recital të përgatitur nga studentët e Fakultetit Filologjik, nën udhëheqjen e profesoreshës Vjollca Berisha dhe studentes Arta Omeri, i pasuar nga një pikë muzikore nga studentja Lule Ibrahimi. Zyra për Informim